Pa mbushur ende 100 ditë në detyrë, deputetët e Kuvendit të Kosovës rrëzojnë qeverinë e Albin Kurtit

Mar 25, 2020 | 23:00
SHPËRNDAJE

Pas 12 orësh diskutim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit në një mocion të ngritur nga partneri i tij qeveritar, LDK, një ditë pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm nga radhët e LDK, Agim Veliut.

albin-kurti-kryeminister-qeveri-730x440-1

117 deputetë ishin të pranishëm në sallë, ndërsa votuan 82 vota pro, 32 kundër dhe një abstenim

PDK, AAK dhe NISMA u bënë bashkë për të rrëzuar qeverisjen e Kurtit pa mbushur as 100 ditë në detyrë. Arsyeja ishin polemikat e krijuara për heqjen e taksës së Kosovës ndaj Serbisë, e cila krijoi përçarje në koalicionin qeveritar, me LDK-në që mbështeti kërkesën nga amerikanët, që taksa e Kosovës të hiqet pa asnjë kusht dhe pa vendosur masa reciprociteti.

Kurti nuk ra dakord me këtë kërkesë dhe ka vazhduar me programin e tij, duke hequr pjesërisht taksën deri në vendosjen e reciprocitetit.

LDK e akuzoi se ka braktisur koalicionin dhe se po merr vendime të njëanshme, duke rezultuar me rrëzimin e Qeverisë.

Albin Kurti e drejtoi ekzekutivin e vendit për vetëm 51 ditë, Qeveria më jetëshkurtër në Kosovë. Vetëvendsoja e Kurtit i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit 2019 me 26.2 për qind të votave, ndërsa pas saj u rendit LDK-ja me 24.5 për qind. Dy subjektet zhvilluan 4 muaj negociata dhe formuan Qeverinë më 3 shkurt 2020.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura