VIDEO/ Thirrjet e forta nga Maqellara, procedohet penalisht Xhelal Mziu! Ja për çfarë e akuzon Policia

Apr 23, 2021 | 17:14
SHPËRNDAJE

Policia ka nisur procesim penal në gjendje të lirë në ngarkim të kandidatit të PD për deputet në Dibër, Xhelal Mziut, pas deklaratës së rëndë që bëri një ditë më parë në Maqellarë, ku bënte thirrje për dhunë, ndërsa më pas u pendua dhe kërkoi ndjesë publikisht për të.

Policia thotë se procedimi ka nisur pasi “gjatë një takimi elektoral në territorin e bashkisë Dibër, shtetasi XH.M, ka kërcënuar dhe ka bërë thirrrje për të nxitur dhunë duke bërë prezenet ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin e mbrojtjes së votës”.

Akuza e ngritur ndaj tij është për veprën penale “Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”.

Sipas Nenit 222, thuhet: “Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës
Thirrjet për armatosje kundër rendit kushtetues, krijimi apo organizimi i forcave të armatosura në kundërshtim me ligjin, marrja pa të drejtë e komandës së forcave të armatosura për të kryer veprime luftarake, me qëllim për t’iu kundërvënë rendit kushtetues, dënohen me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet”.

Njoftimi i Policisë Dibër

Nga Oficerët e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër ka filluar procedimi penal dhe materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”, në ngarkim të shtetasit XH.M, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike në qarkun Dibër.

Kjo pasi gjatë një takimi elektoral në territorin e bashkisë Dibër, shtetasi XH.M, ka kërcënuar dhe ka bërë thirrrje për të nxitur dhunë duke bërë prezenet ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin e mbrojtjes së votës.

Policia e Shtetit thekson edhe njëherë faktin se asnjë subjekt politik, organizatë apo individ nuk ka të drejtë të krijojë struktura paralele duke marrë atributet e Policisë së Shtetit dhe për këtë do të ushtrojë kontrolle të imtësishme në territor duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të këtyre strukturave të paligjshme që kryjnë veprime duke cënuar ligjin dhe të drejtat e liritë themelore të qytetarëve.

Kujtojmë që Xhelal Mziu nga Maqellara bëri të ditur se janë ngritur grupet e gatshme të mbrojtjes së votës dhe se kushdo që do tentonte sipas tij të blejë votën do ta pësonte si “ai në Elbasan”, duke iu referuar konfliktit që degjeneroi në vrasjen e përkrahësit të PS-së, Pjerin Xhuvani.

“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe ai do ta pësojë njësoj si ai i Elbasanit”, kështu do të deklaronte para qytetarëve Mziu.

Por në reagimin e tij pasi deklarata e tij shkaktoi komente të shumta në internet, Mziu thotë se “jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve”.

“Dua të jem i qartë: unë mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam KUNDËR dhunës!”, thekson Mziu në reagimin e tij.

REAGIMI I YURI KIM

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka reaguar pas ndjesës publike dhe pendesës së kandidatit të Partisë Demokratike në Dibër, Xhelal Mziu lidhur me një deklarate shokuese që kishte bërë gjatë mbylljes së fushatës elektorale.

Në një postim në Twitter, Yuri Kim thekson se dhuna në Elbasan “nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet”.

Sipas diplomates, “ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën palë ose tjetrën, për të nxitur emocione në mesin e mbështetësve”, teksa thekson se kjo ngjarje duhet të bëjë “që të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta çojnë këtë Shqipëri larg nga e kaluara dhe drejt një të ardhme më të mirë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura