“La Sylphide”, zana që veshi e para puantet, ngjitet në skenën e “ArTurbinës”

May 28, 2019 | 19:47
SHPËRNDAJE

Një zanë nuk mund të kuptohet veçse si një krijesë ajrore, si një puhizë që të qaset në majë gishtash.

E si e tillë, nuk mund të ishte veçse një balerinë mbi puante. Si një imagjinatë mbi zanat, mbi brishtësinë dhe elegancën, lindi edhe kërcimi mbi puante. Dhe do të ishte pikërisht “La Sylphide”, që do të përuronte këtë mënyrë të kërcyeri dhe do t’i kthente ato në simbolin e baletit. Pikërisht, “La Sylphide”, vepra që ka bërë historinë e baleteve romantike, vjen si prodhim i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në bashkëpunim me Shkollën e Baletit në Tiranë.

baleti

Vepra do të ngjitet në skenën e “ArTurbinës” në datat 30, 31 maj – 1, 2 qershor. Në rolet kryesore interpretojë solistët e njohur të TKOB, si Ledia Sulaj, Adela Muçollari, Odeta Dishnica, Fatjon Lito, Anxhelo Muçollari, Kevin Lila, Dion Gjinika etj. Sipas organizatorëve, kjo shfaqje shënon një tjetër moment tepër të rëndësishëm jo vetëm në kalendarin artistik janar-qershor 2019, por konkretizon edhe platformën e bashkëpunimit me institucionet arsimore në Shqipëri, të cilët përgatisin artistët e së ardhmes. Kjo shfaqje ngjit në skenë 30 nxënës të Shkollës së Baletit, të cilët nisin rrugëtimin e karrierës së tyre profesionale jashtë bankave të shkollës.

VEPRA REVOLUCIONARE

Ishte gjysma e parë e shek. XIX, kur koreografi Filippo Taglioni vendosi të ngjisë në skenë baletin “La Sylphide”, me muzikë të Jean-Madeleine Schneitzhoeffer, një dedikim për të bijën e tij, Mari. Përveçse do të kërcente mbi puante, Marie Taglioni do të sillte një erë të re edhe në mënyrën e veshjes së balerinave, duke shkurtuar gjatësinë e fundit, çka u trajtua si skandal asokohe. Vepra u ngjit në skenën e Salle Le Peletier Opera de Paris në vitin 1832. Pak vite më vonë, me muzikë të Herman Severin Lovenskiold dhe me koreografinë e mjeshtrit danez, August Bournonville, historia e zanës dhe fermerit do të njihte një version të dytë në vitin 1936.

opera

Bournonville nuk do ta kishte bërë këtë, nëse Opera e Parisit nuk do t’i kishte vënë një tarifë të kripur për lejen e ngjitjes së kësaj vepre në skenën Mbretërore të Kopenhagenit. Dhe kështu lindi një version i dytë, që do t’i rezistonte kohës dhe tanimë vjen edhe në skenën shqiptare. Baleti “La Sylphide” rrëfen historinë e dashurisë së James, një djaloshi fermer, që dashurohet me bukurinë e zanës Sylphide, por jo në realitet, vetëm në ëndërr. Ai i ikën realitetin për një botë ëndrrash, e cila për të është tragjike. I marrosur pas zanës, Sylphide, ai braktis në altar të fejuarën e tij, Effi-n. Por a mund të kapet një zanë?

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura