Kuvendi voton ndryshimet në qeveri! Braçe kundër shkarkimit të Xhaçkës, zbardhet arsyeja pse nuk u votuan dy ministra

Sep 12, 2023 | 8:15
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Në një seancë të posaçme, Kuvendi votoi dje ndryshimet në qeveri. Por, Parlamenti miratoi vetëm 5 nga 7 dekretet e Presidentit të Republikës për ndryshimet e fundit në qeveri.

qeveria parlamenti

Parlamenti liroi nga detyra e drejtuesit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare, z. Mete, duke i hapur rrugë votimit të tij pas tre ditësh.

Me votat e mazhorancës dhe opozitës fillimisht nga detyra e Ministres së Jashtme u shkarkua Olta Xhaçka, Evis Kushi si ministre e Arsimit, Edona Bilali nga posti i ministres së Sipërmarrjes, Milva Ikonomi si ministre shteti për Standardet e Shërbimeve, si dhe dy ministret; ajo e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe e Bujqësisë Frida Krifca, të cilat morën edhe numrin më të madh të votave për lirimin nga detyra.

Socialisti Erion Braçe votoi kundër shkarkimit të Olta Xhaçkës nga ministre e Jashtme. Në parlament mungoi Kryeministri Edi Rama, por kjo nuk e pengoi shumicën qeverisëse të arrijë kuorumin e votave në votëbesimin e ministrave të rinj.

Me 73 dhe 72 vota u miratuan ministrat e rinj: Ogerta Manastirliu, Anila Denaj, Albana Koçiu dhe Igli Hasani. Ministrat do të betohen nesër në presidencë sapo Presidenti të kthehet nga Maqedonia e Veriut. Seanca e djeshme u zhvillua pa debat për shkak se kështu e parashikon rregullorja e Kuvendit.

Opozita i kundërshtoi dekretet jashtë Parlamentit, ndërkohë që sot do të bëhet betimi i ministrave në Presidencë. Gazment Bardhi iu drejtua me një shkresë kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla ku i kërkoi që seanca e djeshme në Parlament për miratimin e dekreteve për emrat e rinj të qeverisë të shoqërohej me debate dhe diskutime. Bardhi kërkoi që deputetët të diskutojnë dhe të kenë në dispozicion nga 10 minuta për të diskutuar mbi shkarkimet dhe emërimet e reja në qeveri. Po ashtu ai kërkon mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

“Në mbështetje të neneve 48 dhe 110 te Rregullores së Kuvendit, ku përcaktohet se ‘çdo deputet ka të drejtë të flasë jo më shumë se 10 minuta, me përjashtim kur në Rregullore poroshikohet ndryshe’, kërkojmë që shqyrtimi i Dekreteve per shkarkimin dhe emërimin e Ministrave të zhvillohet me diskutimin e secilit deputet qe deshiron të diskutoje. Në asnjë nen të Rregullores së Kuvendit nuk parashikohet pamundesia për të diskutuar për këtë çështje. Neni 110 i Rregullores së Kuvendit parashikon rregullat e posaçme të miratimit të përbërjes së Këshillit te Ministrave, qe eshte i aplikueshëm edhe në rastin e ndryshimeve në këtë përbërje. Gjithashtu, nese nga ana juaj vlerësohet që diskutimi duhet të jetë me kohe të përcaktuar sipas nenit 48, pika 3 e Rregullores së Kuvendit, lutemi të therrisni mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të diskutuar mbi këtë cështje”, thuhet ne shkresen e Gazment Bardhit.

Seanca e posaçme, nuk u votuan ministrat Mete dhe Ibrahimaj

Në seancën e djeshme, Parlamenti nuk votoi për shkarkimin nga detyra të ministres së Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj. Në mënyrë që të kryhet kjo procedurë, fillimisht duhet të lirohet nga detyra e kryetarit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, i cili do e zëvendësojë Ibrahimajn. Dje u realizua pikërisht ky votim, shkarkimi i Metes. Sipas procedurës së Kuvendit, Ervin Mete depozitoi kërkesën për largim nga posti i drejtor të AMF, dhe kjo u votua në seancën plenare të ditës së djeshme.

Shpjegimin për këtë ngërç procedural e dha Eduard Shalsi, i cili në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, sqaroi se: “Si rregull Kuvendi para se të miratojë detyrën e Ervin Metes si ministër i Financave, duhet të miratojë dorëheqjen e tij nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe posti i drejtuesit të këtij institucioni. Pra votohet vendimi për lirimin e zotit Ervin Mete. Miratohet. Zoti Erion Braçe është kundër”. Votimi i fshehtë për largimin e Ervin Metes nga AMF mori 95 vota pro, 1 votë abstenim dhe 5 vota kundër. Në seancën e radhës do të votohet për dy ministrat Mete dhe Ibrahimaj.

Pas seancës së miratimit, lideri demokrat hodhi akuza të rënda ndaj ministrave dhe ish-ministrave pasi maxhoranca parlamentare i dha “OK” dekreteve për ndryshimet në qeveri. Berisha tha se ndryshimet në qeveri, janë “përpjekje për të larë fytyrën, por e nxinë atë dhe më shumë”.

Pasi Kuvendi votoi për ndryshimet e reja në kabinetin qeveritar, ka folur për mediat ish-kryeministri Sali Berisha i cili i quan ministrat e sapozgjedhur “anëtarë të rinj të Ansamblit të krimit dhe drogës”. Berisha hodhi akuza ndaj Olta Xhaçkës dhe Frida Kfricës të cilat janë larguar nga detyra e tyre si ministre, por nuk la pas as Ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali. Sipas kryedemokratit, Igli Hasani ishte opsioni i fundit për t’u vënë në krye të Ministrisë së Jashtme pasi atë post e donte Spiropali. “T’i marrim pak me radhë, të gjitha ndryshimet e qeverisë kishin diktat krimin dhe vetëm krimin. Largohet Olta Xhaçka, e cila bëri burrin investitor strategjik, u vërsul e papërmbajtur për të përvetësuar pronat, zëvendësohet në qeveri me diplomat, i cili ishte zgjedhja e minutës së fundit, të gjitha ceremonitë për të zënë vendin e ministrit të Jashtëm i kishte bërë Spiropali. Ajo bënte mbledhje me Pëllumb Gjokën e banda të tjera të Shkodrës në një hotel afër qendrës. Por u anulua. Sa të më bjerë në dorë videoja do ua jap, pa asnjë diskutim. E patë si u nxi Elisa në Asamble, ra si mortje”, deklaroi Berisha.

Arbjan Maznikun, i cili është emëruar Ministër për Pushtetin Vendor ai e cilësoi “përfaqësues direkt të bandave kriminale.” “Erdhi në qeveri përfaqësuesi direkt i Ndranghetës, Arbjan Mazniku ka qenë menaxheri i një ndërrmarrjeje të nënshkruar mes Erion Velisë me dy persona të tjerë, Bruno Preseci dhe Flavio Tosi, dy emra që gjoja ishin pronarë me 80% të aksioneve të djegësit Veliaj, por janë të kërkuar nga të katër anët në Itali. Më të stërvitur në vjedhje dhe të lidhur me krimin nuk gjendet sot për sot se Arbjan Mazniku, përveç Taulant Ballës. Ata që bëjnë avokatinë e Maznikut, lexoni pak dokumentet, marrëveshjen e firmosur, pastaj bëni avokatinë sa të doni”, tha Berisha.

Kreu demokrat e akuzoi për ryshfet edhe ministren e sapozgjedhur të Shëndetësisë. “Largimi i Krifcës, e cila ishte e infektuar nga sindroma Xhaçka dhe tha pse mos ta bëj dhe unë burrin investitor. 120 milionë gjoba e shqiptarëve për shkak të veprimeve të saj. Por, të themi atë që është, ato që erdhën nuk janë më pak se Krifca. Albana ka një histori të hidhur 8-vjeçare, në të cilat regjistrimet faktojnë se emërimet i bënte me ryshfet, ajo shkon në një sektor të cilën Ogerta e la në agoni. Nuk po flas për Edonën e Zeusit se ajo shkoi në qiell se atje i kishte mendtë, por prurje të tjera janë mëkatare. Dhe unë ju garantoj se Ansamblit të Krimit dhe Drogës që qeveriste iu shtuan anëtarë të rinj, ndryshimet mos harroni filluan me Taulant Ballën, njeriu i cili në vitet studentore merrej me trafik, nxirrte viza për trafik prostitucioni nga Rumania në Shqipëri dhe diplomatët e kishin denoncuar. Balla u shndërrua me shpejtësi në një bos të krimit të organizuar. Taulant Balla, njeriu me dy ose tre telefona, ka mbajtur komunikim të vazhdueshëm me eksponetë kryesorë të krimit të organizuar në Belgjikë, Hollandë e vende të tjera. Balla është shoqëruesi me pasaportë diplomatike i Edmond Begës, një nga trafikantët më të mëdhenj të rajonit. Balla është akuzuar si i implikuar në vrasjen e avokatit, i cili kishte dijeni për regjistrimet që provonin se Balla është porositës vrasësish. Pra me një fjali, ndryshimet e sotme ishin për të larë fytyrën, por duke e nxirë akoma më shumë! Për Igli Hasanin nuk di gjë, por di marrëzinë e tij që pranon të vihet në dispozicion të Edi Ramës, si mundet një diplomat me karrierë të pamohueshme të shërbejë për një vasal të Vuçiçit?! Këtë e bën një diplomat dritëshkurtër, nuk flas keq për të, por nuk ja miratoj dot vendimin. Sa i përket Metes, ai ka ca gjëra që do i shpjegoj më vonë”, u shpreh Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura