Kuvendi pa dilema

Dec 6, 2021 | 11:12
SHPËRNDAJE

besnik-mustafajNGA BESNIK MUSTAFAJ

11 dhjetori, kur “Foltorja” do ta mbledhë Partinë Demokratike në kuvend kombëtar është para dere. Javën pasuese, më 18 dhjetor, Basha me mbështetësit e tij do të  mbledhë një tjetër kuvend kombëtar po të Partisë Demokratike. Në kaq pak ditë sa kanë mbetur dhe sidomos në pikën, ku ka mbërritur acarimi midis të dy rrymave duket e pamundur çdo zgjidhje e ndërmjetme, e cila do t’i bashkonte në një të dy këto kuvende. Kuvendi është pa dyshim i domosdoshëm për t’ia nënshtruar një debati të hapur e rrënjësor krizën e thellë e paralizuese, që ka pushtuar Partinë Demokratike dhe për të marrë vendimet e përshtatshme programore dhe statutore, që do t’i jepnin një jetë të re, të shëndetshme të kësaj force politike, ekzistenca dhe aksioni i të cilës janë sot për sot jetike për pluralizmin dhe demokracinë.

Është shtruar shumë shpesh gjatë këtyre tre muajve pyetja nëse do të  ishte shfaqur “Foltorja” sikur Basha të mos e përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar demokrat. Në vlerësimin tim kjo pyetje nuk ka më asnjë vlerë qysh nga momenti kur fenomeni “Foltore” ishte tashmë një fakt politik, që mori menjëherë jo vetëm vëmendjen e demokratëve, por të mbarë opinionit  publik. Sepse politika e vërtetë, ajo që është në dobi të interesit publik ndërtohet vetëm duke u mbështetur mbi faktet. Kurrë mbi hipotezat, të cilat nuk përbëjnë realitet. Berisha duket se e kishte mirë parasysh këtë parim universal. Nga maji, kur Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi shpalljen e tij non grata e deri në shtator, kur do të ndizte flakadanin e “Foltores”, ai u kujdes për të ndërmarrë masat e nevojshme, që do të tregonin se nuk pajtohet me një vlerësim të tillë nga DASH, nuk do ta kalonte me shpërfillje si të parëndësishëm për dinjitetin e tij dhe se do të ndiqte rrugën e drejtësisë për ta zgjidhur, që do të thotë se e shihte si një çështje private, ku nuk do të kërkonte të përfshihej në një mënyrë apo një tjetër Partia Demokratike.

Një inkuadrim i qartë i hallit të tij nga ai vetë do të kishte rëndësi jetike për fatin e “Foltores”, të cilën ai, me sa duket, e kishte tashmë ndër mend. Në radhë të parë ne, demokratët, duhej ta shihnim dhe të siguroheshin se ai nuk po përpiqej të na manipulonte duke na përdorur “si mburojë për veten e tij”. Këtë gjë u duk në fillim se e kishte kuptuar drejt edhe Basha. Në daljen e tij publike për të njoftuar përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar demokrat, ai u kujdes ta nënvizonte si vlerë të personalitetit të Berishës zgjedhjen e tij për ta mbajtur Partinë Demokratike jashtë përplasjes së vet me DASH. Rrjedhimisht, kthesa që mori ai më pas, duke e akuzuar Berishën pikërisht për të kundërtën, përbën një tjetër shembull domethënës të inkoherencës së rëndë, që e ka shoqëruar atë në gjithë veprimtarinë politike. Sikur asnjë dobësi tjetër të mos kishte, mjafton inkoherenca për të treguar se Lulzim Basha nuk e ka vendin në krye të Partisë Demokratike. Nuk mund të ngjallë kurrë besimin e shumicës së shoqërisë një burrë me një paqëndrueshmëri të tillë, i cili mohon vetveten nga një ditë në tjetrën. Në të folmen e përditshme, për politikanët e këtij kallëpi thuhet zakonisht se janë pa shtyllë kurrizore.

Përtej masave që kishte marrë ndërkohë për ta inkuadruar qartë hallin e vet si një çështje pastërtisht private, Berisha e mori nismën e tij i bindur paraprakisht se ky problem nuk do të mund të mbetej jashtë bashkëbisedimit të tij me demokratët dhe, nëpërmjet tyre, me mbarë opinionin publik shqiptar. Në këtë qasje, në të cilën ishte i përfshirë doemos edhe Lulëzim Basha, ai nxori një mësim shumë të dobishëm, parimor për statusin e Partisë Demokratike, por edhe bëri, sipas meje një gabim, të cilin vetëm e thelloi nga foltorja e parë deri tek e fundit.

Gabimi qëndron te shpjegimet e përsëritura dhe këmbëngulëse rreth pyetjes se përse Departamenti Amerikan i Shtetit arriti te ky vendim i rëndë për ta deklaruar atë si person non grata, pyetje që, për hirë të së vërtetës, ai ia drejtonte vetes. Nga sa është transmetuar në media, unë nuk kam dëgjuar asnjë nga pjesëmarrësit nëpër foltore, nga jugu në veri, t’ia drejtonte. Dhe kjo më duket harresë nga ana e tyre, as drojë. Ne, demokratëve, na mjaftonte vendosmëria e tij për t’u pastruar nga akuzat përmes një drejtësie të paanshme. Nga ana tjetër, – dhe kjo më duket më kryesorja, – gjithë këto shpjegime nuk kishin e nuk kanë asnjë lidhje me arsyen madhore, që i kishte mbledhur demokratët rreth tij: nxjerrja e Partisë Demokratike nga agonia, reformimi i saj i gjithanshëm për ta vitalizuar (rithemelimi) duke e ngjitur aksionin e saj politik opozitar në lartësinë ku e kërkon historia. Shpresoj se Berisha nuk do t’i kthehet me tepri këtij argumenti edhe gjate ditëve të Kuvendit.

Por, shumë më i rëndësishëm se ky gabim është, sipas meje, identifikimi përmes këtij rasti i një dobësie me pasoja shumë të rënda për interesat kombëtare në rrethanat kur Partia Demokratike të marrë një ditë pushtetin dhe të ketë në dorë drejtimin e vendit. Fjala është për humbjen e sovranitetit në marrjen e vendimeve nga ana e udhëheqësisë së saj. Kjo dobësi doli qartë në pah në fjalën publike të Lulzim Bashës kur njoftoi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar demokrat. Aty ai pohon shprehimisht se është i bindur në pafajësinë e Berishës. Domethënë se ai vendimin e kishte marrë jashtë bindjeve të veta. Ndërkohë, ai nuk i kishte dhënë vetes mundësinë që përgjegjësinë ta ndante me strukturat drejtuese të partisë. Do ta mbante vetë të gjithën. Por kjo çështje është tjetër. Kryetari i partisë së dytë më të madhe në vend, alternativë e pushtetit, ai vetë kandidat për kryeministër, një vendim të tillë, që do ta trondiste partinë me rrënjë e me degë, e merr jashtë bindjeve të veta. Duke arsyetuar politikisht, madje edhe përtej lidhjes që kishte ky vendim me atë vetë, Berisha nuk e pati të vështirë të arrinte në përfundimin politik se Partia Demokratike, nëpërmjet kryetarit të saj, kishte humbur sovranitetin. Dhe, qysh në foltoren e parë shpalli se kjo lëvizje kishte për qëllim madhor t’i kthente Partisë Demokratike sovranitetin.

Një qëllim i tillë përbën kauzë me rëndësi të madhe për mbarë shoqërinë dhe kombin. I gjithë reformimi i PD-së (rithemelimi), i artikuluar nga Berisha, bëhej kështu plotësisht i ligjshëm si shërbim ndaj kësaj kauze. Nuk e kuptova asnjëherë përse, duke kaluar nga një foltore në tjetrën, nga rrethi në rreth, Berisha sikur e nxori pak në harresë këtë kauzë, duke humbur kohë me përsëritje akuzash ndaj Bashës apo edhe me skenarë rreth Sorosit dhe faktorëve të tjerë ndihmës, të cilët ndikuan mbi Departamentin e Shtetit për shpalljen e tij non grata. Më e pakta, që mund të them lidhur me këto aspekte të ligjërimit të tij gjatë foltoreve është se ai nuk e ruajti sensin e masës. Për pasojë, ai rrezikoi më shumë se një herë ta shfokusonte komunikimin e vet. Gjithsesi, më kryesorja u ruajt deri në fund: shtylla politike si mbajtëse e palëkundur e kësaj nisme. Kjo premton që edhe Kuvendi i 11 dhjetorit të jetë thellësisht politik për ta analizuar krizën e thellë, në të cilën gjendet partia duke gjetur edhe zgjidhjet statutore programore dhe ekipin e përshtatshëm për t’i çelur asaj dhe krejt opozitës perspektivën e kthimit të shpejtë në rolin e vet historik në shërbim të shoqërisë dhe të kombit.

Lulëzim Basha me bashkëpunëtorët e tij, nga mungesa e vizionit ose zgjedhja e një strategjie të gabuar, qysh në shpërthimin e kësaj krize e deri në fund të fushatës së “Foltores” kanë qëndruar me këmbëngulje jashtë debatit politik, të mbyllur në zyrë me njëri – tjetrin, duke kundërshtuar në mënyrë virtuale mbledhjen e Kuvendit të 11 dhjetorit me argumente vetëm teknike apo proceduriale. Madje, Basha dhe ekipi i tij nuk e pranuan asnjëherë faktin se ka krizë apo se ka rrezik përçarjeje të partisë. Pra, ata refuzuan, do të thosha verbërisht, të bëjnë politikë. Për pasojë, ata përjashtuan çdo mundësi komunikimi me rrymën përballë, komunikim ky që do të duhej të ishte intensiv dhe në rritje, kryesisht publik, i cili sigurisht që do t’i pasuronte idetë në të dy platformat, duke nxjerrë në pah edhe pikat e përbashkëta lidhur me domosdoshmërinë për reformim të thellë të partisë. Por ky komunikim do të duhej të ishte edhe “diplomatik”, me takime larg syve të publikut, në emër të interesit të përbashkët dhe vetëm të këtij interesi. Basha dhe të vetët, madje, mbyllën veshët edhe ndaj propozimeve që vinin nga demokratë të shqetësuar e që nuk ishin pjesë e asnjërës palë. E tillë më duket mua, për shembull, platforma për një konventë kombëtare, që shtroi publikisht ish-deputeti Romeo  Gurakuqi. Jo. Sepse ata ishin të vendosur të flisnin vetëm në gjuhë teknokratike, rrjedhimisht të pakuptueshme për demokratët e  shqetësuar. Për më keq, kjo strategji “apolitike” e veshi sjelljen dhe ligjërimin e tyre me një arrogancë, që vetëm e dobishme nuk ishte për rrethanat. Arroganca nuk mund ta kompensonte mungesën e përmbajtjen politike, për të cilën kishte dhe ka nevojë kjo histori. Kështu që edhe tentativa e tyre për të mbledhur një kuvend bis me 18 dhjetor më duket pa asnjë themel. Dhe, si të gjitha ngrehinat pa themel, do të shembet sa pa iu hedhur ende çatia.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura