Kupa, eliminohen Tirana e Vllaznia, vuan Flamurtari

SHPËRNDAJE

Vllaznia – Shkumbini 2-1

Tirana dhe Vllaznia janë eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, teksa në dëm të tyre për më tej kanë vazhduar Kukësi dhe Shkumbini. Kualifikim mes vuajtjesh për Flamurtarin. Tirana, fituese në fuqi e trofeut, u nxor jashtë kësaj veprimtarie historike nga Kukësi, në një eliminim gjithashtu historik. Në “Qemal Stafa” ndeshja përfundoi 3-2 për vendësit, ndërsa përballja e parë doli 4-0 për ekipin e trajnerit Cungu. Suksesi i kuksianëve u arrit me lehtësinë më të madhe, natyrisht për sa i përket rezultatit, jo përpjekjeve që bëri ekipi verior në fushën e lojës. Madje, Kukësi ishte në avantazh 2-0 edhe në Tiranë përpara se të humbiste 2-3. Alban Tafaji më kot kishte shpresuar te përmbysja e madhe, e cila ka mbetur vetëm një dëshirë e parealizuar. Nuk kursen asgjë trajneri i Tiranës, duke hedhur në fushë formacionin më të mirë, por Sina dhe Dushku zëvendësohen brenda 20 minutave të para të sfidës, të dëmtuar, duke mos vijuar të jenë deri në fund pjesë e skuadrës së tyre. Kuksianët kanë luajtur me një lojtar më pak në pjesën e dytë, pas daljes me të kuqe të mbrojtësit Julian Brahja, ndërsa detyrohen të pësojnë humbjen e parë sezonale, si pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Dramatike situata në “Loro Boriçi”, ku Vllaznia e kishte marrë disi lehtë kundërshtarin, edhe pse ishte mundur 1-0 në Peqin. Bardhekaltrit e Gugash Maganit kanë arritur të shënojnë të parët në portën e Vujadinoviçit, duke e bërë skajshmërisht të vështirë misionin e kuqebluve. Goli i barazimit, me autor kosovarin Rexha, u ka dhënë zemër vendësve, që janë derdhur drejt portës së Kotorrit për të evituar një turpërim të mundshëm. Dy minuta nga fundi i kohës së rregullt ka shënuar për 2-1 Tefik Osmani, duke përmbysur peqinasit për këtë 90-minutësh, por ka baraspeshë nëse llogarit të dyja betejat e këtij turi. Goli në fushë kundërshtare me autor Llucën mjafton që peqinasit të kualifikohen e të shkaktojnë tërmet në Shkodër. Flamurtari arriti të kualifikohej, por me shumë vështirësi ndaj Besës. Vlonjatët barazuan 1-1 në fushën e tyre, ndërsa kishin fituar ndeshjen e parë në Durrës. Fillimisht, vendësit kaluan në avantazh me një gol të Muzakës 10 minuta para fundit, ndërsa Kaja barazoi për kavajasit në minutën e 90-të. Të vështirë e pati edhe Bylisi ndaj Luftëtarit, që arriti të fitonte 3-1 duke përmbysur humbjen 1-2 në përballjen e parë. Ndër 8 ekipet më të mira u kualifikuan edhe Skënderbeu që mundi 3-0 Kamzën, Teuta që fitoi 4-2 ndaj Lushnjës, Laçi që theu 3-1 Tomorin dhe Kastrioti që barazoi 0-0 ndaj Apolonisë.

Kupa e Shqipërisë
Turi i Dytë

GRUPI A
SKËNDERBEU-Kamza    3-0 (1-0)
A.Soza 22′, 75′, Tahirllari 88′
Tirana-KUKËSI    3-2 (0-4)
Çota 62′, Morina 64′, G.Lika 85’/ Progni 2′, Allmuça 27′
KASTRIOTI-Apolonia    0-0 (2-1)
Vllaznia-SHKUMBINI    2-1 (0-1)
Rexha 82′, Osmani 88’/ Lluca 66′

GRUPI B
TEUTA-Lushnja    4-2 (0-0)
Mancaku 64′ (p), 72′, Deliallisi 68′, A.Hoxha 82’/ Metushi 7′, Canka 57′
FLAMURTARI-Besa    1-1 (1-0)
Muzaka 80’/ Kaja 90′
BYLISI-Luftëtari    3-1 (1-2)
Shënues: Gega 14′, Bakiu 53′, Arifaj 70’/ Mersini 55′
LAÇI-Tomori    3-1 (0-0)
Bilibashi 48′, Buljan 53′, Emurllai 67’/ Paja 61′

TURI I TRETË
Grupi A – Skënderbeu, Kukësi, Kastrioti, Shkumbini
Grupi B – Teuta, Flamurtari, Bylisi, Laçi

Ndeshjet e para: 05.12.2012
Skënderbeu-Kastrioti;
Kukësi-Shkumbini;
Teuta-Bylisi;
Flamurtari-Laçi

LEONARD KARAJ

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.