Kronikë e dëshirave të fshehta dhe ankthit që nuk do kallauz

Jun 6, 2023 | 8:30
SHPËRNDAJE

640-0-agron-gjekmarkaj-678 (1)AGRON GJEKMARKAJ

Dilo Nasufi u zgjua herët sot pasi bëri një gjumë të mbrothtë. Prej kohësh nuk e ha darkën që të mos rëndet. Tek i hiqte një brisk fytyrës mejtonte se i ka ardhë e ëmbël kjo qerrateshë jetë, por edhe ai se ka yshtur fatin me tahmah. I ka lënë gjerat të rrjedhin vetvetiu pa kërkuar hasmërira, qeder e pa bërë keq.

U nis për në Tiranë dhe në të dalë të Beratit pa hezitim u ndal për një paçe koke me pilaf. Pat vetëm dilemën në duhej të tërhiqte pas insistimit të pronarit një hurm raki nga kumbullat e Roshnikut. Prishur mos qoftë tha dhe ia tereziti, i erdhi si e dashur, ndjeu t’i ngrohen venat. Rruga s’ka va e as idetë po aq.

Gjithë qeverinë kaloi në revistë ndërsa makina i qepej asfaltit për në Tiranë. Kryebashkiak kam qenë, prefekt po, deputet jam, aspak keq nuk do të qe nëse Babo do më bënte ministër se vetë e ka thënë jemi parti brezash dhe e meritokracisë. Me këso zavallesh ia behu në sallë. Laerti ishte bërë dhe. Detyrën e lartë që i është besuar se ka bërë mirë. Damixhani me lotët e Tezes ishte plasaritur aty këtu, në dy vende kishte rrjedhje dhe dukej i njomur. Mimi di Puccini po mbante me gajret. Mos bëj kështu i thoshte nuk është faji yt, lotët kanë qenë shumë të nxehtë ndërsa xhami i ftohtë. Nga kontakti ka bërë bram. Ai nuk pipëtinte, veç mërmëriste më mirë të më thyhej dora se të me ndodhte kjo. Si do t’i dal para Babos që me ka besuar arkivin emocionale të Tezes?

Tao për të futur sherr i tha më duket se në një moment kur ti shkove në banjë, Blendi Klosi e gjuajti me gurë se ai ka qejf t’i zërë vendin asaj, se po të derdhen lotët në dysheme e lë atë pa kontribut dhe cv.

Shumë zëra e kanë rrethuar Gertën, po pikësëpari u rëntë pika xhaxhi Dashit dhe Gazit që i kërkonin dorëheqjen si të tërbuar për një cironke. Pikërisht tani që Gerta ka konsoliduar pozicionin në “Kronikë”, këta i thonë ik. Po mos bëfshi hajër, mos bëfshi, kot e keni Gerta është goxha njeri dhe Babo e ka xhan. Pastaj Gazi thotë unë për shqiptarët bëj gjithçka, po Gerta që na mbron nga gripi, viruset, flama, fruthi nuk bëka?

Ulsiu përpiqej të dukej i relaksuar, trendi pa krevatë po muhabeti nuk i ndezte dhe aq me Evis Kushin më shumë buzëqeshjen ia ngante Elisa e veshur si akullore me krem. Babon e pritën me kot se ai që kur i hoq një të puthur taze të ngrohtë Melonit, rri andej nga Kalabria duke e lënë Çyrben pa motive intelektuale qëndrimi në sallë. Ermua me një kostum blu të thellë alla-amerikan ishte më e thepisur se kurrë. Kosta i Grazmozit dhe Linditës i qahej Jonës qëkur Lindita u bë gjyshe nuk pyet për ne e na le në peqi të Ermos, ndaj dua të qaj, dua të qaj. Mos bëj kështu i thoshte ajo se je goxha burrë. Lotët për burrat janë i thoshte ai dhe dihatjet tundnin perdet. Ben Pëllumbi, ndonëse vigjilent dhe reflektiv ndaj sallës e njerëzve për çudi tek shihte përpëlitjen e Kostaqit, nuk shfaqte dhembshuri sillej si ministër i Brendshëm. Dy Uetsat, Ina dhe Arbi, rrinin kokë më kokë si xhananer duket se partia po gjen rrugën e bashkimit. Fate Mediu, që shqetësimin nuk ua fal gjërave të vogla, ishte në ankth pse Tramp mungonte në takimin e kandidatëve republikanë. Me gjasë kur të gjente kohë do t’i bënte një telefonatë qortuese. Kryezëvendëslideri Muli erdhi ashtu siç di ai duke çarë rrugën e historisë me pallë në dorë, siç gjithmonë ka bërë populli ynë. Nuk i del e keqja me votuesit shëtitës dhe nga foltorja si tufani i Gjalicës tha me këto zgjedhje gjithë pushtetin e morën sovjetët.

Nimfa e Revolucionit, Bana, shpresa jonë e ringritjes po përgatitet për mësymje. Petro qafiri shumë i merakosur dukej për prindërit e PD-së se qëkur Baba Lul u takua me Taon druan mos i marrin atësinë dhe i vjen keq se është i brishtë. Salianji sot ishte ai që njohim. Nuk kishte mërzitira nga ato që duken e as inate që shfaqen. Me një copë karton në dorë, mbi të cilin ishin shkruar katër pyetjet e mëdha shëtitëse që Basha po i bën miletit, pasi heponte kokën sa andej këtej thoshte, të thella këto more të uruar, ç’mendim keni për këto teza të Lul Anshtajnit dhe zgërdhihej si shpirt i keq. Ah Niko Nikoqiri, Niko Nikoqiri, ai po gjithë ëndje vazhdonte një bisedë të lënë në mes me Belën, e cila u kishte marrë nurin krejt motrani e shoqeni të qeverisë. Tanimë, ajo qe rikthyer në karrigen e saj të papushtuar dhe priste që pas muhabetit Niko të bënte detyrën, t’i bënte një kafe me pak sheqer. Elva Margeriti kishte vetëm një frëngji për botën, celularin e saj. Do t’i jetë këputur gjithë ajo qafë ashtu kokëposhtë. Nuk thonë kot paç fatin e Nik Çollakut, edepsëzi mes Jorinës dhe Etildës në Shkup si Odiseu mes Shiles dhe Karibdes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura