Konkluzionet/ Ministrat e Ekonomisë të Procesit të Berlinit: Integrimi ekonomik, shtysë drejt paqes në rajon

Sep 27, 2023 | 13:46
SHPËRNDAJE

Ministrat e Ekonomisë të Procesit të Berlinit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe partnerë të tjerë në Procesin e Berlinit u takuan më 26 shtator 2023 në Tiranë, për të diskutuar mbi Tregun e Përbashkët Rajonal (TPR)– një objektiv drejt Tregut të Vetëm të BE-së.

Ministeriali i ministrave te Ekonomise

Në kuadër të kryesimit nga Shqipëria të Procesit të Berlinit, si dhe për përgatitjen e Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit, i cili do të zhvillohet më 16 tetor 2023, në Tiranë, Forumi i Ministrave të Ekonomisë të Procesit të Berlinit pasqyroi arritjet, prioritetet dhe sfidat kryesore në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal. Ministrat diskutuan për avancimin e integrimit rajonal përmes Procesit të Berlinit, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian.

Ballkani Perëndimor: Më afër tregut të vetëm të BE-së, sot dhe nesër
Ministrat theksuan se përafrimi i hershëm me Tregun Unik të BE-së është arritur përmes marrëveshjeve tregtare ndërmjet BE-së dhe kandidatëve të saj, përmes Marrëveshjeve të Stabilizim-Asociimit dhe përmes CEFTA-s, ndërmjet vetë kandidatëve. Këto marrëveshje janë të rëndësishme për të arritur nivelin e parë të përafrimit ekonomik dhe një zonë të tregtisë së lirë, si hap i parë drejt anëtarësimit në BE.
Ministrat shprehën mbështetje të fortë për përafrimin e mëtejshëm ekonomik të Ballkanit Perëndimor me Tregun Unik të BE-së, përmes procesit të zgjerimit të BE-së, si një përfitim i ndërsjelltë për rajonin dhe për BE-në.Ministrat kërkuan shtrirjen e mëtejshme dhe përshpejtimin e integrimit në programet dhe politikat individuale të BE-së, siç përcaktohet në metodologjinë e negociatave të pranimit në BE. Zbatimi i mëtejshëm i Planit Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili synon integrimin më të ngushtë të rajonit me BE-në, duke u fokusuar në tregtinë e mallrave, tregtinë elektronike dhe integrimin në zinxhirët e vlerës së qëndrueshme, vlerësohet si një hap i vlefshëm në të ardhmen.
Ministrat kërkuan zgjerim të bashkëpunimit me BE-në, për të krijuar themele mbi shembujt aktualë të rëndësishëm si iniciativa CEFTA – Komuniteti i Transportit (TCT) që paraqet Korsitë e Gjelbërta brenda Ballkanit Perëndimor, zgjerimin e tyre në pikat e kalimit kufitar (PKK) me BE-në dhe iniciativa e drejtuar nga RCC për uljen e kostove roaming ndërmjet WB6 dhe BE-së. Ministrat vlerësuan gjithashtu lidhjen e Memorandumeve të Mirëkuptimit midis katër vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe tre vendeve fqinje anëtare të BE-së, të cilat mundësuan shkëmbimin elektronik të të dhënave doganore, me qëllim përshpejtimin e zhdoganimit të mallrave dhe reduktimin e kohës së pritjes në PKK. Ministrat ftuan vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor të lidhin marrëveshje të ngjashme me shtetet e tyre anëtare fqinje të BE-së. Ministrat kërkuan që të bëhen përpjekje të reja për të përmirësuar bashkëpunimin doganor BE – Ballkani Perëndimor, në mënyrë që të zbatohen plotësisht memorandumet përkatëse.

Aktualisht, zbatimi i tyre është dëmtuar nga kufizimet në bashkëpunimin doganor.
Ministrat përgëzuan vendimin e BE-së për të shtrirë Rrjetin e Transportit Trans-Evropian (TEN-T) në Ballkanin Perëndimor dhe theksuan domosdoshmërinë e përmirësimit të infrastrukturës rajonale rrugore dhe hekurudhore. Ministrat mirëpritën miratimin e Programit të Transportit të Sigurt dhe të Qëndrueshëm të BE-së në Takimin e Bordit të WBIF në Oslo.
Ministrat mirëpritën punën në udhërrëfyesin për çuarjen përpara të Korsive të Gjelbërta, BE-CEFTA/Ballkani Perëndimor, për vendosjen e menaxhimit të koordinuar të kufirit në pikat e kalimit kufitar BE – Ballkani Perëndimor, si dhe propozimin për një fazë të dytë të Programit të Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit (TTFP 2). Faza e dytë duhet të mbështesë zbatimin e hartës së masave në lidhje me tregtinë dhe përmirësimin e infrastrukturës të kalimeve kufitare.
Duke marrë parasysh arritjet në kuadër të programit Rajonal të Zhvillimit të Furnizuesve të zbatuar nga Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor 6 (WB6 CIF) dhe duke përshëndetur rolin e luajtur nga sektori privat në zbatimin e TPR, Ministrat shprehën mbështetje të fortë për vazhdimin e këtij programi të udhëhequr nga WB6 CIF. Ministrat mbështetën ndërlidhjen e mëtejshme të këtij programi me mekanizmat mbështetës kombëtarë në rajon, për të siguruar pjesëmarrjen e NVM në zinxhirët e furnizimit shumëkombësh dhe krijimin e partneriteteve të reja rajonale midis kompanive të BP6.
Ministrat përshëndetën vazhdimin e bashkëpunimit përmes Fondit Rajonal të Sfidës (RCF) në Ballkanin Perëndimor të iniciuar nga BMZ dhe KfW dhe të zbatuar nga Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor 6 (WB6 CIF) për të mbështetur punësimin e të rinjve dhe rritjen ekonomike. Ata mbështesin vazhdimin e këtij programi përmes formimit profesional dhe krijimit të vendeve të punës për t’u ofruar të rinjve perspektiva më të mira në vendin e tyre.
Ministrat mirëpritën njoftimin e fundit të Presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen mbi një Plan të Ri të Zhvillimit për rajonin.
Ministrat inkurajuan propozimin për të punuar së bashku për projekte të përbashkëta të frymëzuara nga suksesi i nismave aktuale të BE-së në transformimin dixhital dhe axhendën e gjelbër si WiFi4EU, 5G, korridoret ndërkufitare dhe lëvizshmëria e qëndrueshme dhe e zgjuar. Ministrat ranë dakord që kjo politikë e re e BE-së duhet të ofrojë mjete efektive dhe të orientuara drejt rezultateve për t’i afruar qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor me Tregun Unik të BE-së.
Ministrat propozuan gjithashtu disa iniciativa që të futen në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si p.sh.
• Programi për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit 2.0.
• Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Aleancën Evropiane të Lëndëve të Para, një iniciativë e cila mbështetet nga një arsyetim gjeopolitik dhe ekonomik.
• Integrimi i Sistemeve të Pagesave të Bankave Qendrore të rajonit me atë Europian.
• Vendosja e shërbimeve të zhvillimit të biznesit dhe shërbimeve këshilluese, të cilat do të përgatisin dhe forcojnë sipërmarrësit rajonalë për të konkurruar dhe lulëzuar në Tregun Unik.

Forcimi i konvergjencës ekonomike – një domosdoshmëri për integrim
Ministrat përsëritën se Plani i Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal është përgatitur për të nxitur zhvillimin e rritjes ekonomike të rajonit dhe për ta sjellë atë më afër BE-së. I bazuar në katër liritë – lëvizjen e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit – ai lehtëson lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve përmes programeve të njohjes, zvogëlon kohën e pritjes në PKK dhe Pikat e Përbashkëta të Kalimit (PPK) me 30%, rrit lëvizshmërinë dhe ofron pagesa më të lira dhe më efikase. Deri më sot, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nënshkruar një marrëveshje roaming, tre marrëveshje lëvizshmërie, ka krijuar Korridoret e Gjelbërta dhe Korsitë e Gjelbërta, ka miratuar rregulla të reja kalimtare të origjinës dhe dy programe kuadër të njohjes për operatorët ekonomikë të autorizuar dhe për tregtinë e frutave dhe perimeve.
Ministrat sollën në vëmendje se finalizimi i Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi të veçantë për përmirësimin e konkurrencës, mjedisin e biznesit dhe thellimin e integrimit ekonomik rajonal. Përfundimi i këtyre hapave do të rriste ndjeshëm rritjen ekonomike dhe atraktivitetin e Ballkanit Perëndimor si destinacion për investime dhe do ta afronte atë me Tregun Unik të BE-së. Ministrat vlerësuan punën teknike të bërë në kuadër të CEFTA-s, e cila solli shtatë vendime të miratuara të Komitetit të Përbashkët, së bashku me shtatë vendime të tjera të KP-së, si dhe një Protokoll Shtesë që aktualisht po negociohet. Për të përfituar plotësisht nga këto marrëveshje, Ministrat kërkuan që Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s të miratojë me shpejtësi vendimet e dakordësuara dhe palët e CEFTA-s t’i zbatojnë ato pa vonesë.

Ministrat kërkuan përshpejtimin e shtrirjes së masave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, të cilat do të sjellin përfitime konkrete dhe të drejtpërdrejta për kompanitë dhe njerëzit në rajon. Kjo duhet të përfshijë njohjen e programeve të vlefshme të AEO, rezultatet e testimit për produktet industriale, stabilimentet ushqimore të miratuara nga BE në rajon, licencat për agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë dhe kualifikimet për profesionet e licencuara si inxhinierët, infermierët, mamitë, farmacistët dhe kirurgët veterinarë. Gjithashtu, duhet të miratohet dhe zbatohet një paketë që lehtëson tregtinë elektronike dhe shkëmbimi elektronik i të dhënave duhet të shtrihet në të gjitha dokumentet tregtare.
Ministrat vlerësuan rolin e rëndësishëm që luan analiza e politikave për çështjet e konvergjencës dhe zhvillimit, të ofruara nga organizata të ndryshme ndërkombëtare si Banka Botërore, OECD, BERZH, etj. Raportet e tyre të bazuara tek të dhënat, kanë qenë vendimtare për informimin e politikëbërjes për bashkëpunimin rajonal. Si hap i mëtejshëm, Ministrat propozuan ngritjen e një qendre të dedikuar, e cila do të vëzhgojë ritmin dhe rrugën e konvergjencës rajonale.

Ministrat përgëzuan Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për mbështetjen e zbatimit të agjendave të politikave në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe kontributin në konvergjencën e Ballkanit Perëndimor me BE-në. Gjithashtu, vlerësuan punën e udhëhequr nga RCC në përfundimin e negociatave për Marrëveshjen për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale – infermiere, mami, kirurgë veterinare dhe farmacistë, si dhe kërkuan nënshkrimin e marrëveshjes në kuadër të Samitit të Tiranës.
Ministrat reflektuan mbi sfidat kryesore në zbatimin e axhendës rajonale të integrimit, e cila do të përshpejtojë konvergjencën ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian. Ata parashtruan një listë angazhimesh për t’u dërguar deri në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, sipas aneksit bashkangjitur.

Integrimi i sistemeve të pagesave të rajonit për të lehtësuar tregtinë dhe për të përgatitur Ballkanin Perëndimor për një integrim eventual në Eurozonë
Ministrat pranojnë rolin kritik të sistemeve të pagesave për funksionimin e tregjeve. Pagesat me kosto dhe me efikasitet në kohë e bëjnë tregtinë më të lirë dhe i lejojnë firmat konkurruese të rriten dhe u ofrojnë konsumatorëve akses më të lehtë në mallra dhe shërbime. Një sistem i qëndrueshëm dhe efikas pagesash mbështet zhvillimin e ndërmjetësimit financiar, thellimin e tregjeve financiare dhe rritjen e stabilitetit financiar duke krijuar kështu një klimë në të cilën investitorët mund të zgjerojnë bizneset e tyre.
Ministrat njohën rëndësinë e Zonës Unike të Pagesave në Euro të Bashkimit Evropian (SEPA), e cila ka për detyrë të sjellë në mënyrë efektive pagesat e brendshme dhe ndërkufitare brenda BE-së në të njëjtin nivel kostoje, efikasiteti kohor dhe sigurie.

Hapja e SEPA-s për jo anëtarët e BE-së përfaqëson një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor që të ulë ndjeshëm kostot e pagesave brenda rajonit dhe me BE-në. Gjithashtu, Ministrat vunë në dukje se Rregullorja e Bashkimit Evropian për Pagesat Ndërkufitare (924/2009) siguron që tarifat e pagesave për pagesat ndërkufitare të mos jenë më të larta se ato për pagesat e brendshme dhe bëjnë thirrje që CEFTA të krijojë kornizë të ngjashme për rajonin.
Në këtë drejtim, Ministrat do të ndjekin nga afër ecurinë e projektit, të financuar nga BE-ja dhe të zbatuar nga Banka Botërore, që synon arritjen e pagesave të ndërveprueshme dhe të shpejta brenda rajonit dhe me BE-në. Gjithashtu, ata do t’i kushtojnë vëmendje plotësimit të kritereve të pjesëmarrjes në infrastrukturën e pagesave të Eurosistemit, në mënyrë që të sigurojnë përpunim të sigurt dhe efikas të pagesave, si dhe kushte të barabarta. Ky proces do të kërkojë asistencë teknike për ngritjen e kornizave dhe infrastrukturës së nevojshme rregullatore në përputhje me kushtet e SEPA-s dhe kriteret e Eurosistemit.
Duke marrë parasysh këto argumente, Ministrat shprehën mbështetjen e plotë politike dhe u zotuan të prioritizojnë aktivitetet që synojnë përgatitjen e anëtarësimit në SEPA në përputhje me kërkesat e pranueshmërisë së Këshillit Evropian të Pagesave.
Me synimin për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian, WB6 bien dakord të avancojnë me përmbushjen e kërkesave të SEPA-s dhe në mënyrë ideale t’i bashkohen SEPA-s si një bllok i përbashkët.
Përveç anëtarësimit në SEPA, ministrat kërkuan vendosjen e pagesave të menjëhershme në rajon, lehtësimin e ofrimit të shërbimeve, zhvillimin e mëtejshëm të industrisë FinTech në rajon, duke mundësuar përdorimin e pagesave të iniciuara nga kodi QR dhe miratimin e një kuadri për kufizimin e kostos së pagesave brenda WB(6). Kjo do të siguronte ndërveprimin e shërbimeve ndërkufitare të bazuara në ID elektronike dhe dokumente dixhitale. Të gjitha aktivitetet janë të koordinuara në kuadër të Grupit të Punës për Tregjet Financiare të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe me mbështetjen e Sekretariatit të CEFTA-s.
Aneksi – Tregu i Përbashkët Rajonal
Angazhime largpamëse
Ne theksuam angazhimet për të ofruar sa vijon:
a) MASAT NDËRSEKTORIALE TË TREGTISË

o Zgjerimi i Korsive të Gjelbërta CEFTA-TCT në të gjitha PKK-të kryesore me shtetet anëtare të BE-së;
o Përfundimi i Memorandumeve të Mirëkuptimit ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve Anëtare fqinje të BE-së për të zgjeruar Korsitë e Gjelbërta në të gjitha PKK-të;
o Mundësimi i zbatimit të plotë të Korsive të Gjelbërta me BE-në dhe shkëmbimi elektronik të të dhënave të para-mbërritjes në të dy drejtimet, pasuar nga krijimi i një baze ligjore të duhur;
o Miratimi i një kuadri me orar të harmonizuar të punës të agjencive të përfshira në zhdoganimin e mallrave;
o Rritja e numrit të marrëveshjeve dypalëshe brenda CEFTA-s për PKK/PPK të përbashkëta;
o Rritja e numrit të kontrolleve me një ndalesë në PKK brenda CEFTA-s, në vijim të Planit të Veprimit TCT për Lehtësimin e Transportit;
o Miratimi i Protokollit Shtesë të CEFTA-s për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve;
o Krijimi i Nënkomitetit të CEFTA-s për Konkurrencën dhe Ndihmat Shtetërore;
o Vendosja e bashkëpunimit ndërmjet agjencive të prokurimit publik;
o Miratimi i kornizës së CEFTA-s për bashkëpunimin e autoriteteve për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbikëqyrjen e tregut;
o Miratimi i Vendimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s për Rritjen e Bashkëpunimit në Statistikat e Tregtisë;
o Krijimi i bashkëpunimit brenda CEFTA-s për çështjet e mjedisit që lidhen me tregtinë;
o Miratimi i Vendimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s mbi Aspektet Tregtare të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale;
o Dakordësimi dhe zbatimi i Udhëzimeve për transparencën dhe njoftimin e masave.

b) LËVIZJA E LIRË E MALLRAVE

o Miratimi i Vendimit të KP-së për Njohjen e Rezultateve të Vlerësimit të Konformitetit;
o Miratimi i Vendimit të KP-së për njohjen e programeve të OAE për Palët që kanë përfunduar vleftësimin e njohur;
o Miratimi i Vendimit të KP-së për uljen e kostove tregtare;
o Miratimi i Vendimit të KP-së për krijimin e një sistemi elektronik për të lehtësuar menaxhimin e rrezikut në mallra;
o Miratimi i Vendimeve të KP-së për lehtësimin e tregtisë së produkteve veterinare;
o Miratimi i udhëzimeve që detajojnë proceset e detyrueshme të njoftimit, certifikimit dhe monitorimit të tregtisë së frutave dhe perimeve;
o Mundësimi i shkëmbimit të të dhënave elektronike përmes CEFTA TRACES NT dhe dërgimi i të dhënave në bazat e të dhënave të CEFTA-s (OAE, menaxhim certifikatash, produkte të pasigurta/jo në përputhje, etj.) në përputhje me protokollet dhe dispozitat e CEFTA-s.
c) LËVIZJA E LIRË E SHËRBIMEVE

o Identifikimi i fushave për liberalizim të mëtejshëm të tregtisë së shërbimeve bazuar në Rishikimin e AP6;
o Miratimi i Vendimit të KP të CEFTA-s për Disiplinat për Shërbimet/Rregulloret e Brendshme;
o Miratimi i Vendimit të KP të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë në shërbimet turistike;
o Rënia dakord për kornizën e CEFTA-s për lehtësimin e ofrimit të shërbimeve të pagesave dhe standardet për pagesat e ndërveprueshme të iniciuara nga QR-ja;
o Rënia dakord për Udhërrëfyesin për lehtësimin e sigurimit të automjeteve me përgjegjësi ndaj palëve të treta;
o Miratimi i Vendimit të KP-së të CEFTA për dorëzimin e parcelave ndërpartiake;
o Miratimi i Vendimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s për krijimin e sistemit të përgjithshëm të njohjes së kualifikimeve profesionale;
o Nënshkrimi i Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për Infermierët, Farmacistët, Kirurgët Veterinarë dhe Mamitë;
o Hapat e para-zbatimit të Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për Doktorët e Mjekësisë, Stomatologët dhe Arkitektët;
o Krijimi i Grupit të Përbashkët të Punës RCC-CEFTA për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale;
o Miratimi i Vendimit të CEFTA JC për lehtësimin e tregtisë elektronike;
o Miratimi i Vendimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s për parandalimin e gjeo-bllokimit të pajustifikuar.

d) LËVIZJA E LIRË E KAPITALIT

o Zvogëlimi i boshllëqeve rregullatore dhe legjislative me anëtarësimin në SEPA të mbyllur;
o Identifikimi i grupit të veprimeve për të aksesuar Bankën Qendrore Evropiane (BQE) Pagesën e Synuar të Menjëhershme (TIPS).

e) LËVIZJA E LIRË E NJERËZVE

o Miratimi i Vendimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s për heqjen e kërkesave për leje pune për veprimtari profesionale;
o Nisja e negociatave për Marrëveshjen për akses në studime në arsimin e lartë;
o Plotësimi i pasqyrës rajonale për njohjen e diplomave parauniversitare;
o Fillimi i zbatimit të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes dhe Qëndrimit;
o Fillimi i zbatimit të Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë;
o Shqyrtimi i opsioneve drejt krijimit të një programi të përbashkët rajonal të diplomës master në TIK, duke përfshirë vlerësimin e mjeteve të qëndrueshme financiare.
f) ZONA E INVESTIMEVE RAJONALE

o Zhvillimi i kritereve dhe procedurave udhëzuese rajonale, bazuar në standardet dhe politikat e BE-së, për mekanizmat e shqyrtimit të IHD-ve që do të përdoren në të gjithë rajonin;
o Zhvillimi i një baze të dhënash rajonale të stimujve për investime.

g) ZONA DIXHITALE RAJONALE

o Plotësimi i grupit të reformave të politikave të përfshira në “Udhërrëfyesin për uljen e tarifave të Roaming ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor” për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe konkurrues në sektorin e telekomit deri në fund të vitit 2023;
o Fillimi i zbatimit të uljes së tarifave të roamingut të të dhënave BE-Ballkani Perëndimor që nga 1 tetori 2023;
o Rënia dakord për një rrugë rrëshqitëse për tarifat e roamingut të të dhënave për periudhën 2023-2027 ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor;
o Fillimi i zbatimit të rasteve pilot të përdorimit ndërkufitar/kufitar në Ballkanin Perëndimor;
o Zhvillimi i një mjeti monitorues ndërveprues të TI-së plotësisht funksional për ndjekjen e progresit të transformimit dixhital në Ballkanin Perëndimor;
o Krijimi i një rrjeti donatorësh dhe partnerësh, duke përfshirë akademinë dhe sektorin privat, për të rritur reagimin rajonal ndaj kërcënimeve kibernetike;
o Vendosja e e-mallrave në Ballkanin Perëndimor dhe zbatimi i Rregullores (BE) 2020/1056 mbi informacionin elektronik të transportit të mallrave të lehtësuar nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit.

h) INOVACIONI RAJONAL DHE ZONA INDUSTRIALE

1. Zona e Inovacionit
o Krijimi i një programi për të mbështetur Qendrat e Inovacionit Dixhital në rajon;
o Nisja e një programi shkencor për angazhimin e diasporës;
o Nisja e një programi rajonal të mentorimit për Gratë në STEM.

2. Zona Industriale
o Finalizimi i një modeli për një platformë të palëve të interesuara të ekonomisë së gjelbër dhe rrethore;
o Krijimi i një Rrjeti Rajonal të Gjelbër Start-ups;
o Inkurajimi i krijimit të qendrave krijuese në rajon, nëpërmjet shkëmbimit të përvojave dhe zhvillimit të propozimeve dhe mjeteve të përbashkëta;
o Mbështetja e rritjes së NVM-ve, veçanërisht të grave dhe të rinjve, të mbështetur nga Rrjeti Rajonal i Grave në Sipërmarrje;
o Krijimi i një Protokolli Rajonal të Zinxhirit të Furnizimit, bazuar në Programin Rajonal të Zhvillimit të Furnizuesve/RSDP dhe zbatimin e tij;
o Përmirësimi i platformës ekzistuese rajonale të SME-ve online, duke përfshirë krijimin e një baze të dhënash të inteligjencës së tregut për portofolet kryesore të produkteve/tregut;
o Krijimi i Akademisë së Trajnimit të Automobilistikës;
o Krijimi i Klasterit Rajonal të Prodhuesve;
o Krijimi i një kuadri rajonal mbi standardet e përbashkëta për një ekonomi rrethore, prodhim dhe konsum të qëndrueshëm.

3. Turizmi i qëndrueshëm
o Intensifikimi i hapave drejt certifikimit dhe zbatimit të të paktën një itinerari pilot kulturor të Ballkanit Perëndimor në përputhje me rregullat dhe procedurat e Rrugës Kulturore të Këshillit të Evropës;
o Nisja e platformës së përbashkët online të Ballkanit Perëndimor për promovimin dhe koordinimin e rrugëve turistike rajonale, operatorëve dhe shërbimeve turistike;
o Krijimi i Komitetit të Krizave të Turizmit në Ballkanin Perëndimor (WBTCC);
o Inicimi i veprimeve drejt një sistemi të harmonizuar dhe të krahasueshëm të statistikave rajonale të turizmit në përputhje me standardet evropiane dhe globale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura