“Ju lutem më mbroni familjen”- Dëshmia e Milena Derajt: Si më kërcënoi familja Ferracaku! Më morën në makinë, më bënë video me pistoletë në kokë

May 26, 2023 | 22:53
SHPËRNDAJE

Ish-punonjësja e Bankës së Shqipërisë, Milena Deraj ka treguar se si është kërcënuar nga familja Ferracaku në Shkodër pasi i mori një shumë prej 340 mijë euro për t’i mbyllur një çështje gjyqësore.

milena deraj

Para togave të zeza, ajo ka kërkuar që t’i mbrojnë familjen e saj.

“Ju lutem më mbroni familjen, burrin dhe fëmijën. 4 banda na kërcënojnë me jetë. I kam marrë paratë, por do ti ktheja”, është lutur ajo.

Ndërsa ka treguar se si është kërcënuar me pistoletë në kokë dhe është rrëmbyer me datën 12 maj nga anëtarët e familjes Ferracaku.

“Jam kërcënuar me pistoletë në kokë, me datë nga 12 maj, nga personat që u kishte marrë paratë për të mbyllur çështjen e dënimeve të përjetshme. Jam dërguar me makinë nga rruga e Ambasadave në Shkodër. Më kanë bërë video me pistoletë te koka, me pretendimin se nuk kam mbaruar punë, duke më kërkuar dyfishin e shumës. Ferracakët donin të përjashtonin prokuroren nga çështja për shkak se nuk po e mbyllnin dot”, dëshmoi ajo gjatë seancës së sotme.

Në dosje thuhet se Milena Deraj është kërcënuar nga vëllezërit, Abedin dhe Shyqyri Ferracaku, të cilëve i kishte marrë një shumë prej 340.000 eurosh për t’i ndihmuar për procesin gjyqësor për masakrën e Velipojës në vitin 2021.

Por ish-punonjësja e BSH, pasi ka marrë shumën e parave e ka investuar një pjesë prej tyre në një shtëpi në fshatin Salari në Tepelenë, duke mos ia kthyer më këto para dy vëllezërve Ferracaku.

Masakra e Velipojës

Familja Ferracaku dhe familja Gocaj u përfshinë në një konflikt për çadrat e shezlonget në plazh. Gjatë përplasjes me armë mes tyre mbetën viktima biznesmeni Kujtim Ferracaku, dy pjesëtarë të familjes Gocaj, Xhovani Gocaj, 25-vjeç dhe Edmond Gocaj 38-vjeç, si dhe punonjësi i shezlongëve Myzerim Zeneli vetëm 20 vjeç.

30-vjeçarja dyshohet se ka mashtruar vëllain e viktimës Kujtim Ferracakut, Hasanin dhe dy djemtë e tij, Abedin e Shyqyri Ferracaku.

Milena Deraj iu ka thënë se do t’i ndihmonte në një proces gjyqësor për ngjarjen që ndodhi në Velipojë në vitin 2021.

 

Lexoni edhe: “I mora 340 mijë euro dhe i investova në një shtëpi në Tepelenë”- Zbardhet dosja, si ish-punonjësja e BSH mashtroi vëllezërit Ferracaku: Kur nuk ia ktheva paratë më kërcënuan

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura