Fitorja plebishitaree të majtë në Greqi, është venitur, megjithëse çuditërisht edhe me “festën e referendumit”, liderët treguan papërgjegjshmëri dhe qytetaret demonstruan se s’ju ka dalë ende “droga” e dalldisjes propagandistike dhe paranoja e “të sëmurit nga përkëdhelja”! Si të gjitha qasjet irracionale, zgjedhjet, rezultuan jo fillimi i zgjidhjes, por pragu i falimentimi të frikshëm, që në asnjë rrethanë nuk mundet të izolohet dhe as mundet të zgjidhet vetëm nga faktorët brenda Greqisë.
E gjithë historia e njerëzimit është një udhëtim konfrontimesh midis qytetërimeve, kulturave, ideologjive dhe konkurrencës për influencë, hapësira, tregje, etj. Në çdo rast, koston e kanë vuajtur dhe do vijojnë ta paguajnë qytetaret, ky është një mësim i përbotshëm. Historitë me të përgjakshme të 80 viteve të fundit, u faturohen fashizmit, komunizmit dhe terrorizmit. Njësoj siç e keqpërdorin ideologjinë ekstremistët e të dy krahëve (majtë&djathtë) edhe terroristët e shpërdorojnë fenë, për të kalëruar axhendat personale për pushtet, megjithëse të gjithë përbetohen për stabilitet, paqe, prosperitet, dhe harmoni për qytetarët. Në të tre rastet, kur liderët nuk kane vizion, projekte racionale apo keqpërdoren për axhenda te tjera, u drejtohen ekstremizmave. Njerëzit, edhe kur janë të sëmure rëndë, e shohin në “kokërr të syrit” doktorin, dhe janë gati të “hanë” të gjitha gënjeshtrat, përveçse faktit për të pranuar dhe ndeshur me “sëmundjen”.
Kështu fatkeqësisht vijon të ndodh edhe me shoqërinë ballkanike! Ka një marrëdhënie në demokraci, midis votuesve dhe udhëheqësve. Në fund të ditës, liderët futen në garë për të fituar dhe duan të votohen. Udhëkryqet, krizat, ruajtja e stabilitetit, kërkojnë vizion, kohezion, solidaritet dhe sakrifica për tu tejkaluar. Në Greqi, por jo vetëm, populistët-demagogë kanë fituar terren të favorshëm, çfarë po ndodh në Greqi, është shembulli më tipik i rrëshqitjes në humnerën e falimentimit. Praktikisht, ata që mashtrojnë me shume bëhen më të besuar, dhe rrjedhimisht më të votuar. Dhe kështu, thelbi i pikëpyetjeve dhe pritshmërisë për të tejkaluar përtej “anarkive të majta/djathta”, pasojave të qeverisjeve të dështuara, shkon të niveli shoqërisë: sa e përgatitur dhe e civilizuar është shoqëria të ndeshet me krizat, sfidat dhe rreziqet.
Ballkani ka një histori jo vetëm të vjetër, por edhe të re, të përgjakshme, dhe të turpshme njëherësh. Liderët e SHBA-se viteve ’90, që projektuan, udhëhoqën dhe finalizuan ndryshimin e madh gjeopolitik (Lindje-Perëndim) pas vitit 90, kanë pasur një axhendë/projekt të qartë për perspektivën e Ballkanit. Kështu, për të “çarmatosur radikalët”, u lançuan: Politika e Dyerve të Hapura të NATO-s; marrëveshja e Drejtonit, Iniciativat e CSBM, SEDM, etj, të cilat para së gjithash shërbyen si mekanizma të fortë për t’i larguar vendet e Ballkanit nga tradita e konfrontimeve të përgjakshme ndërmjet njëritjetrit, dhe nga lufta për pushtet mes vedit. Vendet e Ballkanit ju bashkuan këtij projektimekanizëm: në vend të konfrontimit zgjodhën “garën kush do integrohej me shpejt”, zgjodhën reformat për të rritur mirëbesimin reciprok, dhe për tu kthyer nga konsumues në kontribuues për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit.
Nga ky rrugëtim historik, çuditërisht u vetëpërjashtua Jugosllavia, e cila deri në vitet ’90 kishte adaptuar një regjim më pragmatist në marrëdhënie me qytetarët, pronën, fenë. Marshalli Tito u përpoq suksesshëm të modelonte modelin e “djajve të kuq”, dhe Jugosllavia konsumonte një status të favorizuar në marrëdhëniet me perëndimin. Qasja ekstremiste, populizmi propagandistik prodhoi luftën e përgjakshme me 300 mijë të vrarë, dhe gjenocidin me të turpshëm për Evropën e civilizuar, SREBRENICEN, ku vetëm ne pak ore vranë 8732 qytetare. Kush e pagoi koston e gjëmës së radikaleve&aventurës së Miloshevicit: qytetarët boshnjakë, kroatë, kosovarë, sllovenë, serbë, etj.
Përveç Italisë, që në mënyre natyrale është përpjekur të luajë “violinën e parë”, edhe Greqia është përpjekur për tu faktorizuar dhe influencuar gjeopolitikën e Ballkanit. Gjate komunizmit, Greqia konsumoi si asnjë vend tjetër “përfitimet” që vinin nga interesat gjeopolitike të SHBA, UK dhe NATO-s. Me rrëzimin murit të Berlinit, ka një histori me të gjitha ngjyrat për sa sjelljen me vendet lindore, dhe veçanërisht emigrantëve shqiptarë, të cilët me sakrifica të papërshkruara ja kanë dalë suksesshëm të ndryshojnë imazhin dhe pranohen/faktorizohen jo më si “qytetarë të dorës së tretë” në jetën ekonomike, sociale, dhe politike të Greqisë.
Do lutesha të isha gabim, por mendoj se Athina Zyrtare, e mësuar me statusin e të “përkëdhelurit”, në vijimësi, e ka pasur “të pamundur!” të sillet si pjesa tjetër e qytetërimit evropian (qytetarë të barabartë). Po ashtu pavarësisht reformave historike të “familjeve të mëdha”, në bashkëpunimin me BE, ka shpërdoruar më shumë se kushdo vend tjetër jo vetëm fondet, por në radhe të parë filozofinë e të qenit bashkë, për të ndarë jo vetëm përfitimet dhe peshën/barren e kërcënimeve dhe rreziqeve. Klasa politike, e 20 vjetëve të fundit me gjithë statujën elitare, prejardhjen, shkollimet perëndimore etj, dështoi të tejkalojë populizmin propagandistik dhe “krenarinë boshe” deri sa arriti në këtë derexhe, ku “majtistë të papërgjegjshëm”, e kane çuar Greqinë në buzën e humnerës së falimentimit.
Sipas këtij këndvështrimit, ilaçi i shërimit te Greqisë, është përballja me krizën (praktikisht e falimentuar): borxhi rreth 350 miliard € ose gati 200 % e GDP! Por, në këtë betejë me të vërtetën do të duhet domosdoshmërisht mbështetja e institucioneve financiare ndërkombëtare! Për këtë u hartua një paketë racionale, që nuk “u merrte shpirtin” Grekëve, por që “stoponte rrokullisjen në humnerën e falimentimit”, dhe më tej e mjekonte Greqinë e sëmurë. Përralla e Alexis Tsipras, për ta shitur “solidaritet”, dhe jo për ta njohur “borxh”, përveçse është dalldisje e padegjuar, është tërësisht jashtë kohës. Nuk janë rrethanat e Andreas G. Papandreou në 1981 dhe kështu zgjidhja do vijë nga një qasje tërësisht e ndryshme. E thënë ndryshe: sa do ta pranojnë kreditorët dhe qytetarët gjermanë, holandezë, anglezë, danezë, etj këtë “qasje brilante” për të ushqyer militantët në Greqi?
A do të pranojnë ata që të paguajnë pasojat e krizës, dhe të vijojnë të sakrifikojnë për “të sëmurin nga përkëdhelia”? Kësaj pyetje do t’i japë përgjigje koha, jo vetëm për Tsipras, por të gjithë dogmaxhinjve populisto-marksistë. Rusia, pavarësisht se ju dha një “shans i dytë” në planin gjeostrategjik (i pari në 1944), e ka të pamundur të mbështesë Greqinë që të dalë nga kthetrat e humnerës së falimentimit. Në seancën e Parlamentit Europian, Tsipras u devijoji disa pyetjeve kritike: pse s’ka prekur privilegjet e shpenzimeve për fenë, për ushtrinë, për pensionet e larta, për administratën, për bankierët që në të gjitha rastet i ka më të larta se vendet Evropiane.
“Marksistët e rinj” të Greqisë, dhe jo vetëm, për të materializuar projektin e tyre (të pamundur) fillimisht e zhvendosin peshën e barrës mbi ata që s’i kanë votuar – te emigrantët, që s’kanë vote/peshe, te borgjezet, te korruptuarit, etj? E gjithë kjo zgjidhje utopi nuk do të mjaftoje për të tejkaluar krizën dhe populli grek do të vijojë të zgjohet pa zgjidhje nga kjo qasje e pamundur. Sigurisht, që e majta e Tsipras, është tërësisht tjetër nga regjimet mostër (komunizmi). Po ashtu mendoj se retorika populiste, programi, rrethanat nuk janë p.sh, si e majta në Norvegji. Pas 25 vjetësh, përpjekje, shpresa, zhgënjime, realizime, tashme të gjithë (përfshi Lindorët) e kanë mësuar se ndërtimi i demokracisë, shtetit të së drejtës, nuk është punë ditësh por një proces-shkollë me sfida të vazhdueshme shumëdimensionale, që dominohen nga oponenca e vizioneve, interesave, dhe e qasjeve.
Ballkani ka vuajtur më shumë se askush tjetër pasojat e regjimit të “djajve të kuq”, që asgjësuan si pushtues kundërshtarët, vranë njeri-tjetrin, dhe më tej i katandisën si mos më keq qytetaret. Pavarësisht përpjekjeve dhe progresit, rajoni si i tërë mbas 90-tës, ka vijuar të demonstrojë probleme kritike me Lidershipin- produkt i Katovicës: në të gjitha hallkat derivate të nomenklaturës së lartë dhe Sigurimit kriminal të shtetit (bij, nipër, dhëndurë, krushqi), gjithfarë populistë-marksistë, të inkriminuar-ordinerë, militantë-servilë pa parime, doganierë, bodigardë të fortë, tatimorë, biznesmenë, promovohen politikanë, dhe më tej vijojnë të dominojnë frikshëm politikën, ekonominë, sigurinë, mediat dhe jetën sociale të qytetarëve të rajonit.
Dhe kështu, rajoni vijon të vuajë pasojat e luftës së përgjakshme brenda ekstremistëve-oligarkë, duke i lënë vendet “varur” në buzën e humnerës së “qeverisjeve të dështuara”. Fitoren e ekipit te Tsipras (pa kollare) në Greqi, “politikansojsëz/ megalomanë” e përshkruan si: kthim te vlerat e “pushtetit popullor”; mungesën e vizioni&vullnetit&projektit për të përmbushur standardet ja faturojnë “BE-së së lodhur nga zgjerimi”; në vend të gjithëpërfshirjes, konsensusit, solidaritetit për reformat demonstrojnë “arrogancë bolshevike kundër opozitës”; në vend të përulësisë në përpushjen e përgjegjësive shtetare i bëjnë “selfie vetes dhe njeritjatrit”, dhe në dalldisje propagandistike artikulojnë se vendet e tyrebkanëb”opsione të tjera përveç integrimit në BE”; dhe se nuk paska “asnjë lidhje/zgjidhje” kriza Greke me rajonin edhe pse, në jo vetëm një vend më shumë se 1/3 e qytetareve, i kanë të lidhura ngushtë në një mënyre ose në një tjetër interesat jetike, ekonomike dhe sociale me Greqinë!.
Filozofi i mirënjohur i shekullit te 20 George Santayana thote: “thoshe who do not learn from history are doomed to repeat it – ata te cilet nuk nxjerrin mesime nga historia jane te denuar ta përsërisin”. Lutem, uroj, shpresoj dhe besoj që jo vetëm grekët do t’ia dalin të ndalin: thithjen nga vorbulla e falimentimit, do të tejkalojnë pasojat e qeverisjeve të dështuara, në këtë rast, largqoftë kthimin te modeli i anarkive të majta. Kështu, mendoj se jo vetëm Greqia do mbetet, por i gjithë rajoni (per inat te dogmaxhinjve) do te integrohet në BE, i vetmi opsion qe sjell prosperitet, drejtësi, dhe stabilitet për të gjithë rajonin. Ne shkollën e Eisenhowerit, kam mësuar se e vërteta është 360 grade, dhe kështu askush s’mund të jetë pronar i të vërtetës. Thënë këtë, kurrsesi nuk pretendoj se sa në këtë opinion, të jenë gjetjet e fundit.
© Panorama.al












