Japoni, bien ndjeshëm shitjet e cigareve

Jun 2, 2020 | 10:27
SHPËRNDAJE

Në Japoni prej vitit 2011 ka nisur të vihet re rënia që kanë pësuar shitjet e cigareve. Ndonëse deri në 2015 kjo rënie ka qenë konstante, në vitin 2016 e në vazhdim kurba është bërë më e dukshme.

Kjo tendencë nuk ka lënë indiferentë studiues të shumtë në botë, të cilët kanë analizuar të dhënat e shitjeve dhe situatat e mundshme që mund të kenë krijuar kushtet për një rënie kaq të ndjeshme të shitjes së cigareve në shtetin japonez.

WhatsApp Image 2020-06-02 at 10.24.32 AM

Së fundmi, Michael Cummings, Georges J. Nahhas dhe David Sweanor, profesorë të Psikiatrisë dhe Shkencave të Sjelljes në SHBA dhe Kanada, duke u bazuar në statistikat e lëshuara nga Instituti i Duhanit në Japoni dhe bilancet e shitjeve të kompanisë Philip Morris International, kanë publikuar një studim mbi  “Çfarë e ka shkaktuar rënien e shitjeve të cigareve në Japoni?”

Në studimin e tyre të publikuar në 20 Maj të këtij viti në Revistën Ndërkombëtare të Kërkimit Mjedisor dhe Shëndetit Publik, vihet re se midis viteve 2011 dhe 2019 shitja e cigareve është ulur me 38%. Ndërkohë shitja në total e produkteve të duhanit, duke përfshirë këtu dhe produktet e duhanit me ngrohje, njeh një rënie prej 19%. Kjo tregon se shitjet e kombinuara të produkteve të duhanit me ngrohje dhe cigareve mbetën të qëndrueshme, duke treguar që duhani me ngrohje zëvendësoi cigaren, në vend që të rritë konsumin e përgjithshëm të duhanit. Nisur nga kjo, ata arritën në përfundimin se prej vitit 2016 kur u prezantuan për herë të parë produktet e duhanit me ngrohje, rënia e shitjes së cigareve tradicionale u bë më e dukshme.

Ky studim nuk adreson shkallën në të cilën duhanpirësit e cigareve po i zëvendësojnë ato me produktet e duhanit me ngrohje. Sipas të dhënave, shumica e përdoruesve të duhanit me ngrohje në Japoni janë njëkohësisht dhe konsumator të cigareve. Thënë kështu, këto të dhëna sugjerojnë që të paktën në Japoni, rënia e shitjeve të cigareve është përshpejtuar nga prezantimi i produkteve të reja të duhanit me ngrohje. Njëkohësisht studiuesit shprehen se gjetjet e zbuluara në Japoni mund të realizohen dhe në shtetet e tjera ku tendencat e shitjeve të cigareve tradicionale në tregjet ku janë futur produktet e duhanit me ngrohje po njohin rënie.

Në këtë hulumtim studiuesit këshillojnë se duke pasur parasysh hipotezat e lidhura me produktet e duhanit me ngrohje, prodhuesit duhet të ndajnë të dhënat e tyre të marketingut me zyrtarët e shëndetit publik dhe investitorët, në mënyrë që të mundësojnë zëvendësimin e cigareve dhe të zvogëlojnë dëmet e shkaktuara nga to. Duke u nisur dhe nga historia e industrisë së duhanit, grupet e shëndetit publik kanë të drejtë të jenë skeptik ndaj pretendimeve për produktet në industri, megjithatë konsiderimi se të gjitha produktet e duhanit apo të nikotinës janë njësoj të dëmshme është gjithashtu jo-produktive për qëllimet shëndetësore.

Sipas tyre, tregu në zhvillim i produkteve me risk të reduktuar, ku duhani me ngrohje është vetëm një prej kategorive, paraqesin një mundësi të re për të transformuar në mënyrë drastike industrinë e cigareve siç nuk është imagjinuar më parë.

Gjithashtu dhe në një studim të realizuar në vitin 2019 nga studiues të Shoqatës Amerikane të Kancerit, rezultatet treguan një rënie të konsiderueshme në shitjet e cigareve në Japoni, në kohën e prezantimit të produkteve të duhanit me ngrohje. Studimi, i cili u botua në Revistën Mjekësore Britanike të Kontrollit të Duhanit, përfshiu 11 nga 12 rajone të Japonisë, që përfaqësojnë 99 përqind të popullsisë së vendit dhe 72 përqind të të gjitha shitjeve të cigareve. Të dhënat u mblodhën nga dyqanet me pakicë në këto 11 rajone nga 2014–2018.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura