INTERVISTA/ Nga ministre e Enver Hoxhës te ish-këshilltare e Blendi Çuçit, rrëfimi i fundit i Themie Thomait: Si më emëruan në 1976 pa më pyetur! Ç’më tha Hysni Kapo kur e kundërshtova

| 19:30
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI /Ish-ministrja e Bujqësisë në kohën e komunizmit, Themie Thomai, e cila e drejtoi këtë dikaster për 13 vite rresht, u nda nga jeta pak ditë më parë duke e humbur betejën me COVID-19.

themie thomai-hysni0kapo

Para se të sëmurej, zonja Thomai pranoi të fliste për gazetën “Panorama.al”, ku tregoi vlerësimin që i kishte bërë ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi me ngritjen e një Këshilli Konsultativ pranë tij me ekspertë dhe specialistë të fushës, ish-drejtues të kësaj ministrie, por dhe profesorë që kanë drejtuar institutet e shumta në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë.

Zonja Thomai e vlerësoi këtë gjest të ministrit Çuçi, të pandodhur më parë gjatë viteve të demokracisë, ndërsa tregoi se cilat ishin propozimet e saj në takimin e parë.

Stoike në rezultat e punës së saj, zonja Thomai tregoi se si drejtoi në moshën 22-vjeçare kooperativën e Këmishtajt në Lushnje, duke trefishuar të ardhurat ditore të kooperativistëve dhe për shkak të këtyre rezultateve ajo u thirr në Tiranë ku sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili mbulonte emërimet e drejtuesve të lartë, e caktoi atë ministre të Bujqësisë në vitin 1976.

Sipas zonjës Thomai, bujqësia shqiptare ecte në një rrugë ngritjeje të vazhdueshme dhe pse ishte nisur nga një bujqësi primitive, me shumë zona moçalore dhe me farëra të dobëta. Ajo e cilëson gabim të madh tufëzimin e bagëtive nga privati duke ia dhënë shtetit gjë që çoi në rrënimin e ekonomisë bujqësore në fshat me efekte dhe në ekonominë e gjithë vendit. Ish-ministrja e Bujqësisë shprehet se për tufëzimin nuk i kërkuan ndonjë mendim që ajo të argumentonte, nëse duhej bërë dhe sa duhej bërë. Pas vitit 1990, zonja Themie Thomai shprehet se toka u keqpërdor pa kriter, ndërsa e cilëson të gabuar miratimin dhe zbatimin e ligjit 7501.

Sipas saj, toka duhej dhënë në përdorim, por asnjëherë në pronësi dhe në ndërtime pa leje, ndërsa e shihte të padrejtë që ajo t’i kthehej pronarëve për shkak të shtimit të popullatës dhe vendosjes së saj në kooperativa. Ajo i përgjigjet edhe kritikëve të pas viteve ‘90 që anatemonin atë apo dhe Lenka Çukon, ish-anëtare e Byrosë Politike, që hipën në majat e drejtimit të vendit. Për karrierën e saj, zonja Thomai shprehet se e ka ngritur vetëm puna dhe rezultatet e larta në punë. “Të gjithë këta që flasin, a thua se vijnë nga kryeqyteti?! Nga fshati vijnë dhe i di madje se nga cili fshat kanë ardhur…”, u shpreh zonja Thomai.

Ju jeni thirrur nga ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, në një takim konsultativ. Si e pritet këtë ftesë?

Kam marr një ftesë nga kabineti i ministrit Çuçi. Kur pyeta se për çfarë zhvillohet ky takim, më thanë se do të bëhet për çështjet e bujqësisë. Më morën përsëri pak ditë më vonë, më kërkuan konfirmimin për të marrë pjesë dhe unë pranova. Kur shkova, pashë se kishte disa specialistë të bujqësisë, profesorë të Universitetit të Kamzës, disa i njihja, kishin punuar në Ministrinë e Bujqësisë pas ’90-ës, kishte dhe gazetarë.

Në sqarimin që na bëri zoti Çuçi tha se për shkak, bujqësia ka shumë probleme, kam menduar që të krijoj një Këshill Konsultativ, me njerëzit që mendoj unë që kanë përvojën e duhur për të dhënë mendime të ndryshme, të cilat nuk janë të detyrueshme. Këto takime do të bëhen në periudha të ndryshme dhe me fokuse të ndryshme problemesh. Të gjithë shprehëm nga një mendim tonin për problemet që ka sot bujqësia. Dikush foli për problemet financiare në bujqësi, një tjetër për problemet e veterinarisë, sipas fushave që njihte secili.

Po ju çfarë parashtruat në këtë takim?

Unë ngrita tre probleme që unë i konsideroj të rëndësishme. E para, për mendimin tim është problemi i tokës. Ne jemi vend me pak tokë për frymë në rajon, në këto kushte ne duhet ta konsiderojmë tokën si pasurinë më të madhe kombëtare, pasi kombi ynë jeton, ushqehet, shtohet dhe përparon ose varfërohet mbi këtë tokë. Sa më mirë ta përdorim tokën tonë, aq më i fuqishëm bëhemi ne ekonomikisht si komb. Duhet të dalë një legjislacion i veçantë për përdorimin e tokës. Shqiptarët kanë derdhur shumë gjak për tokën, ndërsa ajo sot keqpërdoret.

Në ç’drejtim po keqpërdoret?

Janë tre faktorë që gllabërojnë tokën: e para, ndërtimet pa kriter. Po t’i mbushet mendja secilit, ndërton ku të ketë qejf, mbi kanale, në mes të arës etj.; e dyta, është erozioni, deti po merr shumë tokë, në Shëngjin, në Fier, në Vlorë. Erozionin e ka stimuluar prerja pa kriter e pyjeve duke krijuar shembje dhe prishje të tokës; e treta, është sistemi i ujitjes dhe kullimit. Pa këto masa, toka nuk të jep produktet e veta.

Si e vlerësoni ligjin 7501 për tokën, ka qenë gabim apo është zbatuar gabim?

Po, për mua është bërë gabim me daljen e këtij ligji. Kthimi i gjithë tokës pronarëve, mund të krijonte probleme sociale, sepse pronarët ishin një pakicë, ndërsa fshati ishte shtuar dhe rritur në frymë. Por, më e mira duhet të ishte dhënia në përdorim e tokës me kritere strikte dhe jo të copëtohej me 2-3 dynym duke e parcelizuar. Para viteve ’90 ka qenë Instituti i Tokave, një institut shkencor që dinte se sa metra kub aluvione kishin dalë në grykëderdhjet e lumenjve, dinin sa metra kub dhera kishin rrëzuar erozionet dhe jepej alarmi për të bërë pritat malore dhe ndërhyrjet e ndryshme, dinin nivelin e kripëzimit të tokave, apo të mungesës së kullimit të tyre gjë që ndikonte negativisht te prodhimi. Të gjitha këto të dhëna i përpunonte Instituti i Tokave.

Pas këtyre të dhënave, kishte ndërhyrje, apo mbeteshin si konstatime shkencore në sirtarë?

Patjetër që ndërhyhej, bëhej rajonizimi i kulturave bujqësore, modifikohej sipas nevojës mënyra e ujitjes së tokave. Në bazë të këtyre të dhënave bëhej drenazhimi i tokave, që ujërat e tepërt të largoheshin për t’i bërë tokat më pjellore, duke kthyer në toka të drenazhuara rreth 300 mijë hektarë. Këto të dhëna nuk ishin formale, vetëm për mbledhje apo disertacione.

Nxjerrja jashtë loje e instituteve kërkimore-shkencore, e dëmtoi bujqësinë?

Besoj se po.

Ju thatë që në Shqipëri ka ardhur dhe drejtori i FAO (Organizatës Botërore të Ushqimit), çfarë vlerësimesh ka bërë ai në atë kohë?

Kryetari i FAO-s, Eduardo Saoma, ka ardhur në vitin 1985, me një delegacion të gjerë. Ne bëmë një program vizitash, mes të cilëve ishte dhe instituti kërkimoro-shkencor i Lushnjës. Ai vetë kishte qenë drejtori i Institutit të Farave në Liban dhe kishte përvojë direkte me institutet. Kur pa institutin tonë të Lushnjës, të cilin e vizitoi në të gjitha sallat dhe laboratorët, kampionet, testimet, fushat eksperimentale dhe tha se ky është një institut që mund të krahasohet me të gjitha institucionet europiane. Natyrisht ne na erdhi mirë. Unë i drejtova një pyetje një drejtori të ekipit të tij, një italiani.

E pyeta se gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri, dua një mendim objektiv, jo diplomatik, të hapur, se çfarë të pëlqeu nga bujqësia shqiptare dhe çfarë nuk të pëlqeu. Gjatë zbritjes me avion, në lartësi pashë shumë kanale në arat shqiptare dhe në moment thashë se shqiptarët do jenë të çmendur që kanë bërë gjithë këto vepra. Në darkë, në hotel shfletova dhe lexova për përbërjen e tokës tuaj, sasinë e tokës për frymë dhe pastaj thashë se shqiptarët qenkan të mençur që punojnë për tokën në këtë mënyrë. Nëse ju do të pranoni, unë mund të propozoja një simpozium ndërkombëtar në Tiranë për tokën, sesi menaxhohet dhe trajtohet toka në Shqipëri. Unë u ndjeva mirë, por këmbëngula për të ditur se çfarë ishte ajo gjë që nuk i kishte pëlqyer.

Ai më tha se nuk i kishte pëlqyer frutikultura. Tokat të mbjella me frutikulturë ishin të papunuara, me barëra etj., unë i thashë që dhe specialistët tanë janë të ndarë në dy mendime, njëri që thoshte se ato duhen punuar dhe tjetri që duhen lënë ashtu, të lira. Toka u përket shqiptarëve dhe ajo duhet trajtuar e gjitha njëlloj, kështu u shpreh ai. Trajtimi që ne i bënim tokës, e shpërbleu, sepse nga një vend që merrnin prodhime shumë të ulëta në drithëra, foragjere apo dhe frutikulturë, bujqësia pati një hov të madh.

A ishte i gabuar objektivi i sigurimit të bukës në vend, duke lënë pas dore ato kultura që mund të jepnin më shumë rendiment?

Ndoshta për atë situatë ku ndodhej vendi nga ana gjeopolitike, kjo ishte e justifikuar. Po ta gjykosh sot me tregjet e hapura, ku çdo gjë importohet, mund të dukej e ekzagjeruar. Ndoshta mund të mos ishin hapur shumë kullota e të ktheheshin në tokë bujqësore, do kishte qenë më mirë të liheshin kullota për blegtorinë.

Sepse do jepnin më shumë ushqim për blegtorinë por dhe u varfëruan si toka për bujqësinë. U zgjata te toka, sepse të gjitha proceset sollën rezultatet e veta, kullimi, ujitja, të gjitha masat e tjera për ta mbrojtur, renditja e kulturave bujqësore u arrit në 1 milionë e 130 mijë tonë drithëra nga 800 mijë që ishte nevoja për bukë dhe pjesa tjetër kalonte për rezerva, për blegtorinë etj.

Në atë kohë pati një raport të FAO-s që e rendiste Shqipërinë si vendi që ushqehej më mirë, e besonit ju këtë?

Në atë kohë Shqipëria mori një çmim nga një institucion në mjekësi, por ajo u kalua si pa shumë zhurmë. Por, pse të mos e merrte Shqipëria atë çmim, sepse vinte nga një vend me moçale, të uritur dhe arriti të prodhonte drithin, bulmetin, mishin etj. Nuk mund të pretendoj se çdo gjë ishte e përsosur, por u krijua një bazë nga e cila bujqësia vetëm po rritej. Bujqësia jonë ishte një bujqësi rurale, por nga studimi që bënin institucionet tona bashkë me Ministrinë e Bujqësisë, ne dilnim në konkluzionin që bujqësia shqiptare nuk duhej të bazohej vetëm në natyrë, por duhej që një përqindje të ishte e industrializuar, të ngriheshin serat, komplekset, agropërpunimi dhe kështu u bë. Me vezën siguruam 100% nevojat në vend. Me mishin arritën më 75% të nevojave.

Ju thoni 75%, por familjet merrnin me kupon 1 kg mish në muaj në qytet?!

Kjo ishte në vitet e fundit dhe veçanërisht pas tufëzimit.

Tufëzimi e dëmtoi blegtorinë dhe ekonominë e vendit?

Padyshim që e dëmtoi.

A pati konsultime për tufëzimin, apo ishte një vendim i Kryeministrit Mehmet Shehu për ta bërë dhe u bë?

Jo nuk pati konsultime, ishte një vendimmarrje e Byrosë Politike të PPSH-së. Ne ishim të detyruar ta zbatonim.

Kishit rezerva ju për këtë vendim?

Po të na kishin pyetur, nuk do ta pranonim, do ta refuzonim me argumente. Por ishte një vendim i marrë dhe në raste të tilla, edhe sot nuk ka ministri t’i dalë kundër një vendimi të qeverisë.

Ju keni pasur konsultime apo diskutime me Enver Hoxhën, nëse një masë e tillë e dobëson apo e forcon ekonominë në fshat?

Jo, asnjëherë. Nuk na ka thirrur fare.

Është thënë se Enver Hoxha nuk kishte dijeni për tufëzimin, madje po ta dinte nuk do ta lejonte?

Këtë nuk mund ta them, sepse nuk më kanë thirrur të jap mendim, ta kundërshtoja dhe më pas të ishte zbatuar një gjë tjetër. Nuk ma ka komunikuar askush, madje na kanë thirrur vetëm që të merrnim masat për zbatimin sa më të shpejtë dhe me sukses të tij. Tufëzimi fillimisht nisi në zonën fushore të vendit dhe në fund të vitit 1982 duhet të përfundonte dhe zona kodrinore.

Tufëzimin në zonën kodrinore ne e kemi kundërshtuar me forcë. Vendimi ishte që në fund të vitit 1981 tufëzimi në zonën fushore duhet të përfundonte. Ne e kundërshtuam për zonën kodrinore sepse thamë se nga të dhënat që ne kemi rezulton se lopët që rriten në zonat kodrinore rriten në natyrë dhe nëse i fut në stalla ato nuk do prodhojnë. Efektivisht tufëzimi në zonën kodrinore nuk u bë. Tufëzimi dëmtoi rëndë furnizimin e popullatës, sepse vetë kooperativistët atëherë dispononin 12500 lopë në oborret e tyre që më pas u tufëzua.

Ju ishit ministre e Bujqësisë, a ishit e kënaqur me ushqimin që i jepej popullatës, sepse në atë kohë njerëzit kanë pasur mungesa të theksuara ushqimore?

Prodhimet bujqësore që prodhoheshin dhe konsumoheshin ishin cilësore. Mund të them se ishin të pamjaftueshme, sepse bujqësia ishte sezonale dhe popullata konsumonte perimen e stinës, nuk e kishe mundësinë e ruajtjes apo importit të tyre, siç është sot, që në çdo stinë ke çfarë të duash. Cikli i prodhimeve bujqësore është i shkurtër dhe ai mbaron shpejt. Në këtë aspekt, prodhimet nuk ishin të mjaftueshme. Por, nëse do të vijonin investimet, siç ishte krijuar një bazament i mirë për të ecur përpara, që nga përpunimi i tokës, kanalizimet, farat, plehrat prodhimi do shkonte në rritje, dhe jo vetëm që do siguronim nevojat tona, por edhe do të eksportonim.

Edhe sot bujqësia jonë, e cila është e fragmentarizuar, prodhon dhe eksporton. Por nëse do të vijonte modernizimi i bujqësisë me mekanikë, farëra dhe plehra, patjetër që do eksportonim dhe do na mjaftonin prodhimet tona. Bujqësia e sotme ka nevojë për qendra përpunimi, siç kishim dikur kombinatet ushqimore, sepse prodhimi është sezonal dhe ai nuk mund të konsumohet dhe të shitet i gjithi. Për shembull, fermeri nuk mund ta shesë të gjithë mollën që prodhon sot, dhe përfundon në kanale, e kalbur. Nëse do kishte qendra përpunimi, molla mund të bëhej lëng, reçel dhe hidhej në treg për konsum, duke mos ia çuar prodhim dëm fermerit. Duhen ngritur këto qendra në qytetet e mëdha atje ku ke prodhimin më të madh bujqësor e më pas shtrihesh dhe më tej. Nëse në bujqësi nuk bën investime të tilla të mëdha, paratë ikin kot dhe nuk kanë efiçencë.

Ka pasur një opinion negativ ndaj jush, zonjës Lenka Çuko, si zonja të ardhura nga prodhimi por jo të përgatitura për të marrë detyra të larta si ministre apo anëtare e Byrosë Politike. Si i përgjigjeni ju këtyre opinioneve?

Unë nuk përgjigjem për Lenkën, ajo përgjigjet për veten e saj. Njerëz që kanë opinione të tilla janë atë që kanë njohuri të pakta, të pamjaftueshme ndaj meje, sepse edhe të gjithë këta që flasin, a thua se vijnë nga kryeqyteti?! Nga fshati vijnë dhe i di madje se nga cili fshat kanë ardhur. Kjo nuk e privon individin në karrierën e tij, sepse nuk është vendi, apo karrigia që të bën ty, por është shkalla e dijes dhe profesionalizmi, përkushtimi për punën. Unë kam qenë 10 vjet kryetare e kooperativës së Këmishtajt kur u emërova ministre e Bujqësisë.

Ajo kooperativë ishte një shembull në të gjithë Shqipërinë. Unë jam bërë 22 vjeçe kryetare kooperative, flasin shifrat për punën time. Ka qenë një sakrificë e madhe për mua dhe familjen time. Unë i lija fëmijët e vegjël në shtëpi dhe kthehesha natën. Fëmijët e mi janë rritur pa prezencën e nënës së tyre, kur donin të pinin, se ishin foshnje, vjehrra ime dilte në arat afër shtëpisë dhe pyeste gratë kush ka qumësht t’i jepte pak fëmijëve se po qajnë. Flasim për sakrifica, jo për llafe në erë studiosh. I ka pluralizmi këto gjëra.

Me sa lekë në ditë e morët ju drejtimin e kooperativës dhe me sa e latë kur u bëtë ministre?

Ka qenë një punë me shpirt dhe me thonj. E mora drejtimin e kooperativës me 70 lekë të vjetër në ditë dhe kur ika për t’u bërë ministre, e lashë me 220 lekë të vjetër në vitin 1976. Këmishtaj u zhvillua dhe u bë si qytezë e vogël dhe unë kam ikur shumë e nderuar dhe e respektuar nga ai fshat. Si mund të katapultohesh kur ke qenë 10 vjet kryetare kooperative?! Unë nuk kam qenë ndonjë zyrtare zyre, që merresha me shkresa dhe me mbledhje. Mua më vlerësuan punën që kisha bërë.

Si ju erdhi propozimi për ministre, pati ndonjë konferencë partie apo kongres ku ju spikatët?

Jo, jo as kongres as ndonjë kontakt. Madje unë nuk isha as deputete. Unë drejtoja një ekonomi, siç ishte kooperativa e Këmishtajt. Më lajmëruan nga komiteti i partisë së Lushnjës që të paraqitem në Tiranë. Ishin dhe 3-4 shokë të tjerë, i njihja se edhe ata ishin kryetarë kooperativash. I pyeta pse të na kenë thirrur?! Njëri tha se mbase për ndonjë konsultë për bujqësinë.

Në cilin vit ishte?

Ishte prilli i 1976. Fillimisht shkuam te Haki Toska, i cili na çoi tek Hysni Kapo. Hysni Kapo më komunikoi vendimin që ishte marrë për të më emëruar ministre të Bujqësisë.

Ishte marrë vendimi, pa ju pyetur fare?!

Po, po ishte marrë.

Si e pritët ju këtë vendim?

Unë, natyrisht, e kundërshtova. I thashë se nuk e bëj dot këtë detyrë, është shumë e rëndë për shpatullat e mia. Bujqësia i thashë shtrihet në kohë dhe hapësirë dhe pavarësisht nga dija, përvoja dhe përkushtimi, është shumë e vështirë për ta menaxhuar. Hysni Kapo më tha se partia i di vështirësitë, por ka besim në përvojën tënde dhe në përkushtimin tënd që ke treguar dhe të suksesin që ke treguar me kooperativën e Këmishtajt.

E morët vesh më pas se kush ju kishte propozuar?

Jo, fare. Duket puna ime dhe ndryshimet që kishin ndodhur në Këmishtaj, kishin tërhequr vëmendjen dhe kishin bërë të vlerësohej puna.

VIJON

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.