INTERVISTA/ Nga Teatri dhe arkitektura e italianëve në Tiranë, ambasadori Cutillo: Kujtesa rrezikon të zhduket

Sep 24, 2019 | 15:16
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Gjatë viteve të fundit, zhvillimi i artit dhe kulturës në vendin tonë ka pasur një aleat të fortë. Vetëm gjatë javës që lamë pas, Ambasada Italiane ka mbështetur dy aktivitete me peshë kulturore, ekspozita “Prova” e Adrian Pacit dhe Festivali i Të Drejtave të Njeriut, kjo pasi siç ambasadori Cutillo thotë, “ky sektor mbart një potencial të pamatë,që ka ende shumë për të dhënë”.

italia-822x588

Sigurisht që një diplomat i huaj, me një kontribut të tillë, nuk mund të qëndrojë indiferent as ndaj asaj, që konsiderohet si trashëgimi “e përbashkët”, siç është pasuria arkitektonike e kryeqytetit, përfshirë edhe Teatrin Kombëtar. Sipas tij, Shqipëria moderne lind me Tiranën kryeqytet, kur edhe u ndërtua impianti urbanistik aktual i qytetit, falë urbanistëve dhe arkitektëve italianë, të cilët, siç Cutillo theson, përcaktuan në thelb veçoritë e tij. “Veçori që, personalisht, mendoj se duhet ruajtur jo vetëm për cilësinë arkitektonike, por edhe sepse përbën pjesën historike të qytetit, i vetmi që ka mbetur, me disa përjashtime pararendëse të kësaj periudhë historike”, shprehet ambasadori për “Panoramën”.

Po ashtu, në këtë intervistë, ambasadori flet edhe për rastin e Teatrit Kombëtar. Sipas tij, në një vend demokratik, vendimmarrje të këtij lloji duhet të kenë sa më shumë mbështetje, pasi kjo “nuk ka më kthim prapa dhe kujtesa e përbashkët që jeton në ndërtesa historike rrezikon të zhduket”.

Zoti Cutillo, Ambasada Italiane është një nga mbështetësit kryesorë të artit e kulturës në vendin tonë. Mund të na thoni diçka më tepër rreth asaj që ju nxit të jepni një kontribut të pasur për këtë sektor dhe objektivat për të ardhmen e këtij shkëmbimi kulturor mes këtyre dy vendeve, Italisë e Shqipërisë?

Para së gjithash, përfitoj nga rasti të shpreh solidaritetin për lëkundjet e tërmetit që goditën Shqipërinë. Italia dhe Shqipëria kanë ngjashmëri edhe nga kjo pikëpamje, ndërkohë që, për fat të keq, kemi përvojën e pasojave të rënda që mund të shkaktohen nga këto dukuri. Kryetari i Këshillit të Ministrave të Italisë, Giuseppe Conte, i ka telefonuar Kryeministrit Rama menjëherë pas lëkundjeve të ditës së shtunë, për të ofruar ndihmën e palës italiane. Sektori kulturor mbart një potencial të pamatë, të cilin, gjatë mandatit tim, jam përpjekur ta zhvilloj më tej dhe ta rris sa më shumë, por që ka ende shumë për të dhënë. Për të sjellë një shembull, gjatë muajit shtator, Ambasada e Italisë është mbështetësi kryesor i Edicionit XIV të Festivalit Kinematografik të të Drejtave Të Njeriut në Shqipëri (IHRFFA) me temë “Ignorance kills”, për të cilën kemi dhënë ndihmesën tonë në përzgjedhje, me rreth 45 filma e dokumentarë në program, mes të cilëve “Il Traditore” (Tradhtari) i Marco Belloçhio-s dhe Dogman i Matteo Garrone-s. Jemi ndërkohë edhe sponsori kryesor i ekspozitës së porsapëruruar pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, kushtuar Adrian Pacit, artist shqiptar, i cili jeton edhe në Itali, simbol dhe urë lidhëse mes dy kulturave tona. Në tetor do të kemi një program kulturor të veçantë për të festuar Javën XIX të Gjuhës Italiane, ndërsa në muajin nëntor do të përurojmë Edicionin IV të Javës së kuzhinës italiane në botë. Shqiptarët kanë treguar përherë një dashuri të madhe për artin dhe kulturën italiane; edhe për këtë arsye promovimi i gjuhës dhe i kulturës sonë ka qenë në qendër të mandatit tim në këto 4 vjet. Po kështu, italianët po tregojnë një interes gjithnjë e në rritje për bukuritë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë, në shumë raste duke i vlerësuar ato. Po përmend, për shembull, Festivalin e fundit të Letërsisë në Mantova, ku qe e pranishme edhe ministrja Margariti, në të cilin një seksion i veçantë i ishte kushtuar Tiranës.

Cili është roli i gjuhës në këtë shkëmbim kulturor?

Gjuha italiane është pjesë përbërëse kryesore dhe një mjet i shkëmbimit kulturor mes Italisë dhe Shqipërisë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve flasin italisht, ndërsa universitetet italiane janë më të ndjekurat nga të rinjtë shqiptarë jashtë vendit. Këtë vit, Ambasada ka regjistruar më shumë se 450 kërkesa të studentëve shqiptarë vetëm për vitin e parë të universitetit. Javën e shkuar përfunduam gjithashtu edhe procedurat për dhënien e bursave të studimit, të cilat, për çdo vit, Ministria e Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar italian i vë në dispozicion të studentëve më të mirë shqiptarë, çka u bashkëngjitet bursave të lëshuara nga qarqet dhe nga universitetet italiane. Edhe brezat e rinj e duan gjuhën italiane: rreth 80 shkolla publike janë pjesë e Programit “Illiria”, i cili parashikon mësimdhënien e gjuhës italiane si gjuhë e parë e huaj, ndërsa 9 shkolla të tjera në Tiranë, Korçë dhe Shkodër kanë seksionin dygjuhësh, ku nxënësit kanë mundësinë e jashtëzakonshme të edukimit sipas një modeli dykulturor, duke mësuar si me programe shqiptare, ashtu edhe italiane, me mësues nga të dyja vendet. Diçka që edhe shkollat më të mira private e ofrojnë me çmim të lartë, por që, falë një marrëveshjeje mes Italisë dhe Shqipërisë, mund ta ofrojmë falas në sistemin publik shqiptar në këto nëntë shkolla të Shqipërisë. Gjuha italiane në Shqipëri duket më pak e përhapur se në të kaluarën, pasi më parë kanë qenë të shumtë ata që e kanë mësuar “në mënyrë pasive”, nga televizioni, ndërsa sot ky realitet nuk ekziston më, mësimdhënia formale është shumë më e përhapur në sistemin shkollor shqiptar, falë një investimi të rëndësishëm të qeverisë italiane, që konsiderohet strategjik nga vendet tona. Ambasada e Italisë në Tiranë e rrit më tej vlerën e këtij investimi përmes projekteve të vazhdueshme, të cilat kanë për qëllim formimin e mësuesve shqiptarë, si dhe duke bashkëpunuar në mënyrë të qëndrueshme me Ministrinë shqiptare të Arsimit për të pasuruar dhe përafruar sistemin arsimor shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Cili është qëndrimi juaj rreth asaj që po ndodh me trashëgiminë e përbashkët mes dy vendeve tona, flasim këtu edhe për ndërhyrjet që po bëhen në arkitekturë?

Shqipëria moderne lind me shndërrimin e Tiranës në kryeqytet, njëqindvjetori i të cilit do të festohet vitin e ardhshëm. Ky moment shënon edhe fillimin e ndërtimit të impiantit urbanistik aktual të qytetit, kryesisht falë veprës së urbanistëve dhe arkitektëve italianë, të cilët, prej këtij momenti e deri në fillimet e Luftës së Dytë Botërore, përcaktuan në thelb veçoritë e tij. Veçori që, personalisht, mendoj se duhen ruajtur jo vetëm për cilësinë arkitektonike, por edhe sepse përbëjnë pjesën historike të qytetit, i vetmi që ka mbetur, me disa përjashtime pararendëse të kësaj periudhë historike.

Në këtë që ju po thoni, a përfshihet edhe rasti i Teatrit Kombëtar?

Nuk më përket mua të them se cilat ndërtesa duhet të restaurohen dhe cilat duhet të shemben për t’u bërë vend godinave të reja. Mendoj se në një vend demokratik, këto vendimmarrje duhet të gjejnë sa më shumë mbështetje, sepse nuk ka më kthim prapa dhe kujtesa e përbashkët që jeton në ndërtesa historike rrezikon të zhduket.

Pjesa e parë- PANORAMA.al

  *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura