INTERVISTA/ “Endri Keko, një portret i pastër në kohë të zymta”- Rrëfimi i djalit të kinoregjisorit: Pse ky libër s’është thjesht vetëm një ditar?

Jun 24, 2024 | 12:54
SHPËRNDAJE

endi keko4

ALEKSANDËR ÇIPA/ Libri “Ditari i një Kinoregjisori” vjen në kuadër të 100- vjetorit të ditëlindjes së Endri Kekos. Pse ky libër nuk është thjesht vetëm një ditar?

E vërtetë. Libri botohet në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së kinoregjisorit Endri Keko si një detyrim moral imi ndaj atit tim. Po kaq e vërtetë është dhe ajo që konstatoni ju. Ky libër nuk është një ditar klasik pasi sot, 35 vjet pas ndarjes nga jeta e kinoregjisorit Endri Keko dhe thuajse gjithë bashkëpunëtorëve të tij në rrugëtim artistik – skenaristë, operatorë, piktorë, kompozitorë, montazhierë, ishte e pamundur të botohej thjesht dhe vetëm “Ditari i një kinoregjisori”. Ai duhej detyrimisht të ristrukturohej tashmë si një botim ku veç aktivitetit artistik të njihej nga lexuesi i ri edhe jeta personale e familjare e artistit të ekranit. Dhe, kështu bëra. Libri që u prezantua para disa ditësh në Akademinë e Shkencave ka këtë strukturë dhe besoj se është zgjidhja më e drejtë. Sigurisht fjalën e fundit do ta thonë lexuesit që tashmë e kanë në dorë botimin. Por, që të arrihej kjo, ishte shumë e vështirë për mua sepse m’u desh të rihap dosjet ku flenë mijëra faqe me shënime të mbajtura nga im atë gjatë jetës së tij, të rilexoj gjithçka nga jeta e tij personale e familjare dhe përzgjedh fare pak prej tyre. Vetëm momentet më të rëndësishme e që unë i kam vendosu në libër me okelion “ngjarje”.

Ajo që të bën përshtypje kur shfleton ditarin është fakti që Endri Keko ka mbajtur shënime shumë herët, që në moshë të re.

Është e vërtetë. Në botim janë vendosur të dhëna që japin informacion për jetën dhe aktivitetin e tij që në adoleshencë. Në fakt, unë mendoj se ky është një informacion i tij i mëvonë, ndoshta nga bisedat me prindërit dhe bashkëmoshatarët e tij. Nuk kam biseduar ndonjëherë me të në lidhje me këtë gjë, por fakti që momenteve nga jeta e tij deri sa del partizan më 13 tetor 1942 iu mungon data, më bën të dal në këtë konkluzion. Por, edhe pas kësaj date e deri në lirimin nga ushtria apo dhe fillimin punë në Komitetin e Arteve më 1 dhjetor 1949, informacioni është telegrafik e unë nuk mund të pretendoj se ai ka mbajtur ditar që në adoleshencë.

Është kjo arsyeja që këtë periudhë unë e kam vendosur me okelion “Kalendar”. Nga sa përmenda më lart, mua më rezulton që im atë Endri Keko ka filluar të mbajë shënime të vazhdueshme në momentin që doli vendimi i Këshillit të Ministrave për dërgimin e gjashtë të rinjve për studime pranë Studios Qendrore të Filmit Dokumentar në Moskë. Më pas, me fillimin e punës në Kinostudio, shënimet e herëpashershme u bënë domosdoshmëri. Sot, pas botimit të “Ditari i një kinoregjisori” mund të them se mijëra faqe që gjenden në dosjet e tij në arkivin e familjes Keko, tregojnë se im atë pasionin e hershëm e ktheu në një detyrim ndaj vetes, ndaj nuk reshti së mbajturi shënime edhe në momente të vështira shëndetësore, deri në fund të jetës.

Duke shfletuar librin nuk është e vështirë të kuptosh se në qendër të krijimtarisë së tij ka qenë njeriu. Ndani edhe ju këtë mendim?

Sigurisht. Kjo është një e vërtetë e madhe që vërtetohet lehtësisht, jo vetëm duke lexuar ditarin e sapobotuar, por edhe duke parë filmat e tij dokumentarë. Në të gjithë këta filma, nga i pari deri tek i fundit në qendër janë minatorët, naftëtarët, gjeologët, mekanikët, kufitarët, nxënësit, mësuesit, kooperativistët, romët, vllehët, shkencëtarët, artistët, poetët, veteranët, heronjtë e luftës dhe punës. Të gjithë i mbajnë mend portretet dhe emrat… Llazar Papamihali, Emin Mysliu, Aleks Buda, Zisi Avrami, Sali Vata, Fatmir Gjata, Aziz Varfi, Zylyftar Veleshnja, Maqo Dhosi, Odhise Paskali, Dhorka Dhamo, Petro Marko, Çelo Broka, Hoxhë Çota, Tomë Kola, Prenk Jakova, Palo Themeli, Dhimitër Kokoneshi, Petrit Skënde, Teki Kolaneci, Abdurrahim Buza, Selaudin Bekteshi, Eqerem Çabej, Ilo Prifti, Andromaqi Gjergji, Koço Afezolli, Spiro Konda, Zoica Haxho, Pjetër Kroni…

Lista është e gjatë. Madje, disa prej këtyre si Llazar Papamihali, Emin Mysliu, Sali Vata, Aziz Varfi e ndonjë tjetër, mund të quhen personazhe të filmave të tij dokumentarë pasi ai i ka filmuar ta në vite, nga njëra vepër në tjetrën. Janë të gjithë këta dhe qindra të tjerë që me shembullin e tyre e kanë mësuar si ta shohë jetën e si ta pasqyrojë atë në punën e tij krijuese. Këta e kanë nxitur të jetë kurdoherë në lëvizje dhe e kanë ushqyer me ndjenjën e dashurisë për profesionin dhe të shohë te filmi dokumentar një mjet nga më të fuqishmit për pasqyrimin e luftës e përpjekjeve të popullit për një jetë më të mirë.

Ka një kureshtje të cilën lexuesi sadopak e shuan kur lexon kapitullin e ditarit që lidhet me kohën kur Endri Keko bashkë me nënën tuaj regjisoren e famshme Xhanfise Keko, përgatiten si kinoregjisor e regjisore montazhi në Moskë. Në libër kjo marrëdhënie spikat më së shumti përmes vlerësimeve që ati juaj bën për mentorin e tij rus. Si ishte fati i raporteve të ish-studentit shqiptar me ish-mentorin rus?

Fati i raporteve të ish-studentit shqiptar me ish-mentorin rus në këtë rast nuk veçon nga ai qindra shqiptarëve që u përgatitën në vendet e lindjes me mentorët e tyre nga këto vende. Por, përpara se të flas për “prishjen e motit” dëshiroj të kujtoj “ditët me diell” në vitet 1950 – 1961. Në këto vite, im atë ka pasur fatin dhe nderin të ketë fillimisht udhëheqës artistik e më pas koleg, një prej figurave më të mëdha të kinemasë dokumentare sovjetike e jo vetëm. Ilia Petroviç Kopalin është një emër i njohur për njerëzit që merren me historinë e kinemasë në botë. Por, edhe në Shqipëri. Autori i dhjetëra filmave dokumentarë, fituesi i dhjetëra çmimeve në BRSS dhe fituesi i çmimit Oscar në vitin 1942 me filmin dokumentar “Rrethimi i Moskës”, për ata që nuk e dinë, ka realizuar pesë filma dokumentarë mbi Shqipërinë.

Të parin në vitin 1948 dhe të fundit në vitin 1959. Në këta pesë filma mbi Shqipërinë që ka realizuar ai, im atë ka qenë bashkëregjisor me Kopalinin e madh në katër prej tyre. “Miqësi e pathyeshme”, “Rrugë e lavdishme”, “Shqipëria” dhe “Lulëzo Shqipëri” janë titujt e filmave të realizuar prej tyre në këto vite. Më pas, nuk bashkëpunuan më. Madje, as nuk u takuan më. Ndërkohë, miqësia e tyre nisur në vitin 1950 vazhdoi si më parë edhe pak kohë, tashmë përmes letrave, kartolinave apo telefonatave, deri sa edhe ajo pësoi të njëjtin fat me bashkëpunimin. Në vitin 1962 gjithçka u ndërpre. Kaq e vërtetë është kjo sa, vdekjen e Kopalinit në vitin 1976, im atë e mësoi pesë muaj pasi ai kishte ndërruar jetë. E pabesueshme, por e vërtetë. Gjithsesi, duke ju kthyer faqeve të ditarit për këtë personazh, aty gjejmë mendimet, konsideratat, respektin dhe mirënjohjen e tim ati për njeriun që përgatiti kineastët e parë të kinematografisë shqiptare, ashtu siç gjejmë edhe dhimbjen e tim ati kur mësoi ndarjen nga jeta të kolegut rus. Por, jo shteti. Ai nuk pranoi të shkruhej qoftë edhe një rresht në shtypin e kohës për ndarjen nga jeta të njeriut që i dedikoheshin shumë, të gjithë, për kontributin e madh e të paçmuar në përgatitjen e kinestëve të parë shqiptarë dhe filmat që realizoi për Shqipërinë.

endi keko5

A sjell ky libër të reja nga raportet profesionale dhe familjare mes burrë e grua Keko si regjisorë dhe profesionistë të kinemasë apo zhanreve të tjera?

Sigurisht, për të gjithë ata që nuk i kanë njohur në gjallje prindërit e mi, libri përbën interes, sepse lexuesi ka mundësi të mësojë si ishte jeta brenda mureve të shtëpisë e një familje artistësh në Shqipërinë komuniste, ishte e qetë apo e trazuar jeta e artistëve apo si komunikonin dy njerëz që në jetën e përditshme ishin bashkëshortë dhe artistë. Më kujtohet që, një mbrëmje, ishte fillimi i viteve ’70, im atë, në një moment gjatë një darke shoqërore tha me humor “familja Keko është një këshill i vogël artistik, ku debatohet njësoj si në këshillin artistik të Kinostudios”. Sot, kur e kujtoj atë batutë dhe më pas momente nga këto diskutime mbrëmjeve në dhomën e ndenjes, mendoj se ai ka pasur të drejtë. Familja jonë vazhdoi për shumë vite, më saktë deri sa im atë u nda nga jeta, të mblidhet pasdarkave dhe të diskutojë e debatojë për skenarë, filma, drama, ekspozita e libra. Sot po ashtu mund të them se, nga ky diskutim apo debat nuk shpëtuan as skenarët apo filmat e prindërve të mi.

A është e ruajtur dhe e arkivuar puna dhe vepra e Endri Kekos? Si dhe sa mund t’i vlejë ajo gjeneratës së re të kineastëve apo regjisorëve dhe dokumentaristëve të rinj?

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, institucioni përgjegjës për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe dokumentimin e veprave filmike të realizuara në vite në Shqipëri, vazhdon të bëjë një punë të mirë në këtë drejtim. Them vazhdon pasi kjo është një punë profesionale e nisur me ngritjen e Kinostudios. Më pas, me kalimin e viteve, kontaktet me institucione ndërkombëtare filmi dhe rinovimi i pajisjeve teknike, bëri që puna e AQSHF të fokusohet edhe tek remasterizimi dhe digjitalizimi i fondit arkivor. Në dijeninë time, deri sot, falë kësaj pune është bërë e mundur që disa filma të cilët kanë qenë në gjendje të keqe teknike të “shpëtohen”. Sigurisht kjo është një punë me shumë vlerë, por duhet ta pranojmë, e pamundur të realizohet nga AQSHF pa ndihmën e shtetit pasi kërkohen fonde të posaçme në këtë aspekt.

Sa i takon krijimtarisë së regjisorit Endri Keko, sot, mes mijëra e mijëra metra film, në AQSHF gjenden edhe dokumentarët e realizuar prej tij. Sigurisht, këta dokumentarë apo dhe ato të kolegëve të tij që kanë fiksuar ne celuloid kohën kur janë realizuar, rindërtimin dhe ndërtimin e vendit, njerëzit që me shembullin e tyre u bënë frymëzim për një popull të tërë, presin t’i nënshtrohen përpunimit pasi deri sot, interes është treguar kryesisht për filmat artistikë. Në pritje të radhës për t’iu nënshtruar restaurimit, AQSHF është përpjekur dhe e ka bërë të njohur këtë fond për studiuesit, të interesuarit apo dashamirësit e kinemasë shqiptare përmes aktiviteteve që ka organizuar. Gjithsesi, ende mbetet shumë për të bërë me këtë gjini filmi.

Me që jemi në këtë pikë, si dhe sa zbatohet Ligji i të Drejtës së Autorit me krijimtarinë e regjisorit Endri Keko dhe kolegëve të tij?

Në kohën kur kanë realizuar filmat e tyre regjisori Endri Keko dhe kolegët e tij, Ligji i së Drejtës së Autorit ekzistonte vetëm në letër por nuk zbatohej nga shteti komunist ose, më saktë është zbatuar vetëm në ndonjë rast, po edhe atëherë me vendime të posaçme të qeverisë së kohës. Kështu që, autorët e filmave të realizuar në atë kohë nuk kishin çfarë kërkonin dhe çfarë merrnin. Ndërkohë, në këto 35 vite demokraci, Ligji i të Drejtës së Autorit ekziston, flitet për respektimin e tij po, në fakt ai është inekzistent. Autorët vazhdojnë të mos përfillen dhe mos përfitojnë asgjë. E di që mund të mos jenë dakord me këtë mendim timin zyrtarët e institucioneve kulturore apo drejtuesit e shoqatave që merren me të drejtën e autorit, ndaj po e zgjedh shembullin brenda familjes sime. Regjisori Endri Keko në vitet 1952 – 1979 ka realizuar përveç dhjetëra kinoreportazheve dhe kinoditarëve edhe 68 filma dokumentarë.

Të gjithë këta, gjatë 365 ditëve të vitit i sheh në të gjitha ekranet e televizioneve të shumta në Shqipëri. Diku të plotë siç i ka realizuar regjisori Endri Keko, diku të copëtuar sipas dëshirës së autorëve të rinj që në emisione apo dokumentarë të ndryshëm i përdorin për ilustrim. Dhe, askush nuk paguan ose paguajnë vlera qesharake që të vjen turp t’i marrësh. Ju nuk do ta besoni, por mua si përfaqësues i të Drejtës së Autorit të tim ati, një vit jo shumë të largët më kanë vënë përpara të firmos një çek për vlerën 10000 lekë. Kjo është e turpshme kur mendon që dokumentarët e tij janë nga më të shfrytëzuarit nga krijuesit apo programuesit e këtyre televizioneve. Me të drejtë, një nga folësit në prezantimin e botimit “Ditari i një kinoregjisori”, ndër të tjera tha: “Regjisori Endri Keko është më i vjedhuri nga krijuesit e ekranit shqiptar”. Në fakt, regjisori Endri Keko vazhdon të vidhet. Kjo është një e vërtetë e madhe që do vazhdojë të mbetet e tillë deri sa të ndërhyjë shteti dhe problemi i të drejtës së autorit të zgjidhet përfundimisht në Shqipëri. Jo vetëm për regjisorin Endri Keko por, për të gjithë krijuesit shqiptarë.

Ditari ka episode të rralla dhe rrëfime unike për marrëdhënien e kinoregjisorit Keko me personalitete të shquara shqiptare e të huaja. Cilin do të veçonit specifikisht?

Është e vërtetë. Aktiviteti artistik i dha atij mundësinë të njohë, miqësohet e bashkëpunojë me shumë personalitete arti, shqiptarë e të huaj. Njeri më i shquar se tjetri. Njeri më interesant se tjetri. Por, njëri mendoj se mbetet më i veçantë nga të tjerët. Lasgush Poradeci. Siç e ka përshkruar dhe vetë im atë, Lasgushi ishte i vështirë, i paparashikueshëm, cinik, idhnak, zemërak, por, ishte poet i madh dhe i faleshin të gjitha. Ndaj dhe ai nuk u lodh së ndjekuri apo vajtur pas avazit dy vjet me radhë deri sa e realizoi filmin dokumentar kushtuar poetit të liqenit. Puna dhe bashkëpunimi me të mendoj mbetet më i bukuri mes personaliteteve të shquara shqiptare që ka njohur dhe bashkëpunuar im atë.

Si ndiheni sot që dëshira e atit tuaj dhe juaja u realizua dhe “Ditari i një kinoregjisori” është në dorën e lexuesit?

Sot ndihem i qetë pasi hoqa nga supet një gur të madh e të rëndë që e mbajta për 35 vjet. Gjatë këtyre viteve dosjet e filmave dokumentarë të realizuar prej tij ku gjenden bashkë skenarë, kuadro filmi, postera, ftesa, korrespondencë, shënime, mund të them se, i kam hapur shumë herë. Më shumë me mendimin që, një ditë ta rinis botimin e tyre që e filloi im atë në revistat e kohës. Dhe, po kaq herë jam tërhequr. Në dilemë me veten, a është gati politikisht dhe psikologjikisht shoqëria shqiptare për ta pranuar kohën e komunizmit me të vërtetat e saj, ka fituar kurdoherë JO-ja. Veç, jo për t’i sistemuar e përgatitur për botim një ditë. Në fakt, edhe sot pas kaq vitesh, unë vazhdoj të jem në dilemë me veten. Megjithatë, për hir të së vërtetës, sa më shumë afronte dita e 100 vjetorit të lindjes së tim ati, aq më shumë e ndjeja se PO-ja po fitonte terren mbi JO-në. Kështu vazhdoi deri sa vendosa të mos dëgjoj veten time, por, të respektoj dëshirën e atit tim të ndjerë dhe t’i botoj ato me të njëjtin titull që janë botuar një pjesë e kujtimeve në gjallje të tij, “Ditari i një kinoregjisori”. Së fundi, tani që botimi përfundoi dhe PO-ja e fitoi betejën me JO-në, mendoj se shënimet e viteve të aktivitetit artistik të regjisorit Endri Keko janë sa të rëndësishme aq dhe me vlerë, për të kuptuar më mirë kohën dhe njohur më mirë njerëzit.

******

endi keko6

Endri Keko, një portret i pastër në kohë të zymta

ALEKSANDËR ÇIPA/ Pasi kam mbaruar pjesën më të madhe të librit “Ditari i një kinoregjisori” të Endri Kekos, më është kujtuar një pohim i Borhesit, i cili thotë: “Libri është një zgjatim i kujtesës dhe imagjinatës”.

Dhe vërtet, përmes këtij libri unë kam krijuar një perceptim tjetër për njeriun dhe artistin Endri Keko, por pse jo edhe për disa bashkëkohës të shquar të tij. Ka dy gjëra të cilat janë pjesë shumë e rëndësishme në këtë perceptim tjetër: sinqeriteti dhe përkushtimi në raportet vetjake me shoqërinë dhe vendin, si dhe mirënjohja. Në këtë ditar që nuk është ditar, por një libër i cili profilon jo vetëm autorin por, në mënyrë të veçantë sjell thelb nga ajo kohë, bashkëkohësit dhe mentorët e autorit protagonist. Endri Keko duke folur në pjesën e ditarit për mentorin e tij rus Ilia Kopalin flet për një mirënjohje njerëzore, e cila ngrihet në nivelin më të lartë intelektual, sepse nuk flet vetëm për aktin dhe procesin marrës – dhënës të mentorisë mes nxënësit ose studentit të vet, por flet për një marrëdhënie njerëzore që krijon dimensionin e njohjes së perimetrave të ndryshme shoqërore, që ndanin mentorin në vendin ku ishte në perandorinë e atëhershme dhe studenti në një vend të vogël.

Dhe për këtë arsye, në të premten e 1976-ës, kur ndërroi jetë Ilia Kopalin, në ditarin e vet Endri Keko jo vetëm që gjen një mënyrë të ngrohtë shkrimore për të adresuar mirënjohjen si një nga virtytet njerëzore të fisnikërisë vetjake që mbarte ai, por në mënyrë të veçantë sjell edhe përkufizimin e veçantë për mentorin e tij. Aspekti i dytë i vlerësimit për këtë botim ka të bëjë me mënyrën se si është ndërtuar libri. Në fakt është një mënyrë që mua më ka dhënë një leksion përsa i përket marrëdhënies aq komplekse që ka njeriu me kohët që jeton. Dikur, im atë (Lefter Çipa), duke folur për kompleksin që kishim ne të pas viteve ’90 për kohën paraardhëse, të tij, më pat thënë: “Sandër, njeriu bën vetëm një kohë. Të mirë apo të keqe, atë kohë bën. Dhe në atë kohë ai ka mundësinë të lerë vetëm një vepër. Ju, nëse do merrni përsipër të retushoni apo krijoni modelin ilustrues të kësaj kohe me logjikën dhe konjukturën tuaj, do të gaboni për vete sepse ne nuk na ndryshoni dot dhe aq më tepër kohën në të cilën ne lamë punën tonë”. Pikërisht, duke lexuar këtë libër unë e kam rikthyer këtë epistolat, i cili është shumë i rëndësishëm për marrëdhënien kontribuitive të një intelektuali me veprën e vet të cilën e le pavarësisht nga kontekstet, konjukturat dhe aq më tepër sistemet politike.

Dhe, pjesa tjetër spikatëse në tekst që më duhet ta pohoj ka të bëjë me faktin që ky është një libër në të cilin sillet një profil i plotë i një intelektuali dhe kapaciteti të lartë kontribuuesi në jetën shoqërore të vendit. Del dimensioni i tij si artist, po mbi të gjitha del portreti i luftëtarit të Luftës së Dytë Botërore dhe këtë gjë duhet ta marrim në konsideratë. Inspirueshëm në libër na shfaqet shpirti i tij, ai i një aktivisti shoqëror dhe jo vetëm politik, një shpirt që e kishte burimin e rëndësishëm të formimit dhe kontributit, si dhe tek lidhja gjenealogjike, ashtu edhe tek mishërimi qytetar me fatin e kombit dhe shoqërisë. Në këtë brendi, libri është strukturuar në një mënyrë të tillë atipike, përshtypjebërëse.

Kontributi i Endri Kekos nuk është thjesht i kinoregjisor, pastaj si skenarist, si publicist etj.. Madje, meqenëse jam në fushën time, tek publicistika, më duhet ta them që kontributi i tij në publicistikën shqiptare ka të bëjë jo thjesht me disa cikle shkrimesh, artikujsh, por me disa lëmi. Ka materiale shkrimore që lidhen me memorialistikën, ka artikuj që lidhen me artin dhe kryesisht formën estetike të servirjes së tij, me marrëdhënien që ka arti me kontributin dhe aktualitetin shoqëror. Ndërkohë që pjesa sipas meje, që evidentohet aq qenësishëm tek ky libër, ka të bëjë me kontributin e tij si një nga kontributorët e fototekës shqiptare. Në këtë libër gjen disa fotografi që janë autentike dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për ciklin e fotografive nga dhe me Lasgush Poradecin, por edhe për emra dhe personazhe të njohur ndër gjeneratat njerëzore të shekullit të shkuar.

Për këtë botim të sjellë, dua të them një lëvdim që duhet t’ia bëj mikut tim të shtrenjtë, Ilir Kekos.

Është e vërtetë e mishëruar se familja Keko të krijon një koncept autentik për ekzistencën e dinastisë. Të gjithë pjesëtarët e kësaj familjeje janë të një kontributi me rezonim gjithë kombëtar dhe më shumë se aq, në fusha të ndryshme të artit dhe të komunikimit…

Dhe për të realizuar në memorialistikën familjare një shërbim të tillë me disa libra të pakrahasueshëm (nga Xhanfize, tek Dori dhe së fundi Endri Keko), nevojitet jo vetëm një kulturë, por kryesisht njohja e posaçme dhe rigoroze si ajo që ka Ilir Keko për të vetët. Ajo që e shquan këtë punë të bekueshme të tij, ndër të tjera, ka lidhje jo vetëm me tipologjinë, por në mënyrë të veçantë, me respektimin skrupuloz të parimit të arkivizmit familjar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura