I obsesuar për të mbajtur pushtetin

Sep 5, 2023 | 18:52
SHPËRNDAJE

Agim-Nesho-1Nga Agim Nesho

Dje Asambleja e PS është kthyer si në lojërat vjetore gladiatore të diktatorëve të Romës për ti dhënë popullit shfaqjen e radhës. Asgjë nuk ndryshon, gladiatorët (ministrat) vijnë dhe vriten sipas nevojës, ca me lavdi, ca me para, por gjithmonë pa emër dhe nën mëshirën e diktatorit. Rama gjithmonë e më shumë po i ngjan mostrës diktatoriale që është i obsesuar ndaj pushtetit. Ajo që ka krijuar në Shqipëri është një realitet virtual që mediat e blera të vendit përpiqen ta paraqesin si madhështore dhe të jashtëzakonshme, ku lideri vazhdon të përbetohet “që do të arrijë majat e turizmit”, sikur ka gjetur një zgjidhje për njerëzit e vendit dhe mirëqënien e tyre. Shqiptarët janë larguar në masë se kanë kuptuar se Shqipëria nuk është shteti i tyre, por ferma e Ramës, ku klientët e tij janë kthyer në rentierët e turizmit Shqiptar.

Shfaqjet propagandistike, si e djeshmja, kërkojnë të heqin vëmendjen nga abuzimet dhe vjedhjet marramendëse të pushtetit për të hapur një diskutim që fenomenet që kanë ndodhur kanë karakter individual dhe nuk ka të bëjë me vizionin qeverisës. Një gjë duhet të jetë e qartë: ky pushtet është pronë e një njeriu, që quhet Edi Rama, dhe të gjithë të tjerët kukulla që lëvizen prej tij. Diskutimi se si janë ministrat dhe sa është respektuar meritokracia është sa qesharake aq dhe fëminore për tu besuar. E vetmja meritokraci është të kesh tërhequr vëmendjen e një piktori mediokër, që kërkon të të përfshijë në tablonë e tij të pushtetit.

Thelbi i retorikës së tij alla Chavez dhe Fidel Kastro, të ruajë formën dhe të mos merret me përmbajtjen, është obsesioni që duhet të ketë Partia Socialiste për të mbajtur pushtetin deri në 2030.

Vizioni i përsëritur i Ramës “Shqipëria 2030” vjen nga vendet teokratike të Gjirit Persik dhe programi i ndryshimit të Arabisë Saudite nga Princi i Kurorës deri në 2030. Teokracitë e Lindjes janë të tejngopura nga sistemet e tyre mbretërore që vetëm i marrin shoqërisë, dhe reformimin e masin jo me demokratizim të sistemit por me inisiativa individuale brenda sistemit. Vizioni i Shqipërisë 2030 është obsesioni i një individi që ka në pushtet 10 vjet dhe që kërkon ta kthejë Shqipërinë në një monarki. Ajo që  i bashkon MBS e Arabisë Saudite dhe Edi Ramën e Mbretërisë Shqiptare është vetëm këshilltari i tyre i përbashkët Tony Blair, i palodhur për të mbledhur paranë e autokratëve mesjetarë duke gjetur vizione atraktive.

Obsesioni i Ramës për pushtetin kërkon që pushteti i tij i pakufizuar të strukturojë dhe fuqizojë më mirë SHISH-in (që të mos lodhet të lexojë 1000 faqe por armikun ta ketë gati kur i duhet si në rastin ‘Beleri’), si dhe shtrëngimi i SPAK-ut për ta përdorur kundër kundërshtarëve të tij. Asnjë llogjikë elementare të le të besosh se në sisteme të mbyllura dhe autokratike ka institucione të pavarura. Në qoftë se këto institucione do të ishin vërtetë të pavarura i pandehuri i parë duhet të ishte Edi Rama.

Krizat e fundit të qeverisjes, inceneratorët, vjedhjet me PPP-të, cështja McGonigal, ka bërë Ramën të punojë për një imazh të ri, i cili është shumë e vështirë që të ngjisë. Ai do ta shesë më vonë dhe takimin e nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit si një lidership të vërtetë të tij, pa përmenduar që kjo i është kërkuar nga amerikanët dhe ndodh gjithmonë që samite të tilla të mbahen kur liderët botërorë mblidhen për Debatin e përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Po të ishte dicka serioze dhe e mirë përgatitur nuk do të shkarkonte ministren e jashtme 10 ditë para samitit. Ai mbetet një playboy në politikë, një klientelist i  admirueshëm për ndërkombëtarët, i cili nuk kërkon gjë tjetër vetëm pushtet. Ai është i obsesionuar nga pushteti ndërsa ndërkombëtarët besojnë akoma në ‘pasionet’ e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura