Humbi të bijën 6 vite më parë, aktori Çun Lajçi e kujton duke e vizituar te varri: Kur vdesin të rinjtë sikur….

Nov 20, 2023 | 17:28
SHPËRNDAJE

Aktori shqiptar Çun Lajçi ka vizituar sot te varri, vajzën e tij të ndjerë që e ka humbur 6 vjet më parë, Bubulinën.

403726094_2551714028326276_2535927542478105267_n

Të ndjera janë fjalët e aktorit për të bijën, ndërsa pyet nëse do t’ia vizitojë dikush varrin, siç ia viziton vetë Bubulinës.

“Kur vdesin të rinjtë sikur vdes edhe katundi”, shkruan ndër të tjera ai.

Postimi i plotë:

A do t’ma viziton kush varrin tim!

Kur u futa mes gurëve të heshtun, i thashë; – edhe mbas 6 viteve ky katundi im ka mbetë vetëm i vetvetës dhe i yti!

– Vjeshtave i zverdhun, i blertë verave dhe i bardhë dimnave! Por në të gjitha stinët, heshtak si guri mbi kokën tande.

Pastaj i fola për dhimbjën time që brenë mes shpatullave e për shpresën se nji ditë ka m’u ba mirë edhe për Leartin e Kosin.

Për Galën si fola se ajo foli vet kur e ndezi cigarën dhe ia la mbi gurin e kokës.

– Eh! Janë mësua nanë e bijë me ba tym, ofshana, dhe vetullat m’ranë mbi qerpikë!

Learti nuk foli, u ul të kambët e saja e Kosi u mbështetë n’rrasën e kokës!

E vërejta dhimbjën n’sytë e tij ndaj e lash të çmallet n’heshtje.

Sa t’bukura këto ngjyra pemësh, fola për malet që e rrethonin katundin. Shikoni bjeshkët si qenkan pluhnosë nga bora. Duken si kunora të vjetrueme arxhendi!

– Mbramë paska qenë natë e acart i thashë Leartit dhe u afrova të fotoja që rri n’gurin e varrit. E preka. E fërkova shumë herë. Ishte e ftoftë dhe sikur u mundova ta ngrohë me shuplaka. E putha dhe ia ktheva kurrizin.

Shkova të varri i nanës. E mora ngrykë gurin e saj dhe i pëshpërita; – kujdesu për Bubulinën t’mos shplohet natën se qenkan ngri puqillat bregut t’xhamisë!

Edhe babës ia putha gurin mbi kokë dhe i mbushun frymë eca përmes varreve.

Vetëm Rexhep Shalës i fola, sepse vetëm ai po me priste n’kambë.

– Ke qenë dhe mbetësh krushku i parë o djali i Shaban Rrustemit!

A ke porosi për Shaqen, se Shaqir Shala, yt bir me pret n’konak  i thashë, dhe tue u kollitë mbrrina të tëbani im. Kësaj rradhe Learti thirri; – o Çun Alia, a pret mysafir!

Eh!

Kur vdesin të rinjtë sikur vdes edhe katundi, thashë, dhe eca sokakut.

Jo!

Kurgja s’ishte qyshë ka qenë verës. Zabeli ishte zverdhue e bjeshkët i kishte mbështjellë vetmia!

Madje as ajo malësorja Rushë s’ishte ma çobaneshë e 20 lopëve. Vetëm nji kuqeshë i kishte mbetë e dy kuaj, që kullosnin n’ograjën time!

Kur varret mbetën mbrapa meje, pëshëretina; – a do t’ma viziton kush varrin tim?! A do t’flet im bir me gurin tim, siç flas unë me gurin e bijës sime!

20 nandor 2023

-640-0-cun-1685785978 1683095005_bubulina

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura