Hetimi i fejesës së djalit të Mehmet Shehut, dyshime për radion që përdorte

May 2, 2019 | 22:12
SHPËRNDAJE

Një bisedë interesante është zhvilluar mes Enver Hoxhës dhe Hekuran Isait për fejesën e djalit të Mehmet Shehut, Skënderit, me Silva Turdiun, vajza e Qazim Turdiut.

Hekuran Isai informon diktatorin se nga hetimet e bëra, fejesa nuk është lidhur në vitin 1981 por dy vite më parë, në vitin 1979. Hekuran Isai thotë se Skënderi nuk e ka njohur vetë Silva Turdiun siç thuhej, por ka qenë Mehmet Shehu ai që e ka nxitur të fejohet me të me urdhër të CIA-s amerikane.

skender-shehu1-474x433

Hekuran Isai thotë se Mehmet Shehu ka pasur një radio të cilën ia ka dhënë CIA gjatë qëndrimit të tij në Paris në vitin 1972. Sipas bisedave që pretendonte se kishte bërë me gruan e Mehmet Shehut, Fiqretin, kishte qenë pikërisht CIA që e kishte urdhëruar fejesën e Skënderit me Silva Turdiun.

Po sipas Hekuran Isait, Mehmet Shehu fliste çdo natë nëpërmjet radios me agjentët e CIA-s nëpërmjet kodeve dhe shifrave. Për më shumë, ndiqni bisedën e plotë mes Hekuran Isait dhe Enver Hoxhës.

Biseda mes Enver Hoxhës dhe Hekuran Isait:

Enver Hoxha: Mund të më informosh njëçikë, Hekuran si po shkojnë hetimet?

Hekuran Isai: Po ecin njëçikë javash këto ditë shoku Enver. Hallin e kam që të ecim njëçikë të sigurt, se mos armiqtë na hedhin degë më degë. Mbasi ndoqa çështjen e fejesës së Skënder Shehut përveç të tjerave, pyeta për të ditur për se u bë fejesa, këmbeva mendime për këtë qëllim me shokun Ramiz e me shokun Kadri. Për fejesën del që kjo çështje nuk ka ndodhur në vitin 1981. Kjo del nga pohimet e Skënder Shehut edhe nga ato të Fiqiretit. Kjo çështje është diskutuar në prill-maj të vitit 1979. Puna është se në këtë vit me çfarë ngjarje mund të lidhet fejesa. Ndodhi që në këtë kohë shoku Hysni ishte duke u larguar nga Pogradeci ku kish shkuar me pushime për të vajtur në Francë se u sëmurë sërishmi. Më 2 shtator 1979 ai vdiq. Në këtë kohë Mehmet Shehu i ka thënë të birit, Skënderit: Shiko djalë, njihu me vajzën e Qazim Turdiut se çështjen tënde e kam biseduar edhe me Feçorin. Kaq i rekomandoi ai. Nuk del pra që Skënder Shehu ta ketë njohur vetë vajzën, kjo është përrallë.

***

Hekuran Isai: Fiqreti thotë se Mehmet Shehu i ka thënë se nëpërmjet radios që kish marrë në vitin 1972 në klinikën e Arnusit, nga gjoja doktori që i shkoi atje, se në fakt ai ishte njeriu i CIA-s, ka marrë prej këtij dhe radion, të cilën ia ka treguar dhe Fiqretit, thotë ajo.

Enver Hoxha: Ka marrë radion në Paris?

Hekuran Isai: Po ka marrë radion që ia ka prurë agjenti i CIA-s. Ajo tregon dhe se si ishte radioja, se e ka parë vetë. Me këtë mjet u lidh ai me amerikanët. Ishin këta që e komanduan që Skënder Shehu të fejohej me Vajzën e Turdiut, kishte thënë Mehmeti.

Enver Hoxha: Dmth në vitin 1972 e ka marrë ai radion?

Hekuran Isai: Kurse ky muhabet u zhvillua në vitin 1979 me amerikanët.

Enver Hoxha: Për çështjen e fejesës?

Hekuran Isai: Po për cështjen e vajzës dhe i kanë thënë siç pohoi kjo. Kanë bërë dhe muhabete të tjera.

Enver Hoxha: Kjo radio me se ishte?

Hekuran Isai: Kjo thotë ajo, ishte një aparat më i vogël se radio Iliria, më e hollë se kjo, mikrofonin e kishte të ngjitur brenda. Me të Mehmeti me amerikanët merrej vesh nëpërmjet saj nga ora 9 deri në 11 të darkës, bisedonte me ta me kod, me shifra.

Enver Hoxha: Me kod, me shifra, jo me gojë?

Hekuran Isai: Me gojë, po me kod, me shifra, më foni, thotë Fiqreti.

Enver Hoxha: Më kanë thënë që me foni nuk ekziston.

Hekuran Isai: Ajo thotë me foni dhe një mundësi e tillë ekziston. Edhe ne bisedojmë me foni, me gojë.

Enver Hoxha: Unë këtë kështu e di, kam pyetur e më kanë treguar se nuk ka të tilla radio me foni, si thotë kjo.

Hekuran Isai: Fiqreti kështu thotë me foni shoku Enver. Mehmeti bisedonte me kod, me shifra dhe në gjuhën anglisht.

Enver Hoxha: Mirë, po bisedonte me jashtë apo me brenda?

Hekuran Isai: Ajo thotë se bisedonte me agjenturën e huaj, mundet që bisedonte me ndonjë ambasadë të huaj në vendin tonë shoku Enver.

Enver Hoxha: Prandaj duhet sqaruar kjo çështje./Opinion.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura