Hapja e qendrës rajonale “Gratë, Paqja dhe Siguria”/ Antony Blinken vlerëson rolin e Vjosa Osmanit

Jul 9, 2024 | 18:48
SHPËRNDAJE

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka vlerësuar rolin e presidentes Vjosa Osmani për hapjen e qendrës rajonale “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Kosovë, gjatë fjalimit në aktivitetin për gratë, paqen dhe sigurinë të martën në SHBA si pjesë e samitit për 75-vjetorin e themelimit të NATO-s.

blinken

Blinken e falënderoi presidenten Vjosa Osmani duke thënë se ka qenë vendimtare për të filluar me këtë nismë për gratë, sigurinë dhe paqen.

“Këtë vit SHBA-ja hapi qendrat rajonale ‘Gratë, Paqja dhe Siguria’ në Kolumbi dhe Kosovë. Ne jemi mirënjohës që kemi presidenten Osmani këtu me ne sot. Presidentja Osmani ishte e rëndësishme në nisjen e kësaj iniciative. Ajo tashmë po demonstron mënyrën se si këto qendra mund të shërbejnë si qendra për ide dhe për inovacion. Në muajt në vijim do të hapim qendrën e tretë në Filipine”, ka thënë Blinken, raporton KosovaPress.

Zyra e Presidentes është përzgjedhur në mesin e partnerëve globalë nga Zyra e Sekretarit Blinken për ta themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Marrëveshja për themelimin e kësaj Qendre është nënshkruar nga Osmani dhe Zyra e Blinkenit në prill të vitit 2024, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura