Hapet fabrika e prodhimit të pjesëve të këmbimit të automjeteve në Elbasan

Feb 13, 2019 | 21:33
SHPËRNDAJE

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe Prefekti i Qarkut, Gledjan Llatja vizituan ambientet e kompanisë “Delmon Group” me kapital francez, e cila ushtron aktivitetin e saj në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit.

51730828_2098061533572770_6589945438114152448_n-Copy-696x464

Kjo kompani ka punësuar rreth 50 punëtorë dhe vitin që vjen pritet që numri i punonjësve të dyfishohet. Në fjalën e tij, Balla tha se ky projekt garanton rivitalizimin e zonës industriale të Elbasanit.

“Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim. Ky është një projekt që garanton rivitalizimin e kësaj zone industriale të Elbasanit. Jemi shumë krenar që viti i parë i punës shkoi më së miri, sepse 1 milion euro eksport nuk është pak dhe me ato që na premtuat ju, në vitin 2019 do të shkojë 4 milionë dhe që do të thotë që në mënyrë të drejtpërdrejtë do të rritet dhe numri i të punësuarve”, deklaroi Balla.

Ai shtoi më tej se “bashkë me Gledin, Prefektin e Qarkut, jemi në shërbimin tuaj, sepse për ne rritja e numrit të punësuarve në Elbasan është objektivi kryesor për këtë vit. E kemi nisur mirë, sepse të dhënat e para të këtij viti tregojnë që kemi një rritje të numrit të të punësuarve rishtas në Elbasan e që tregon që gjithë  vëmendja jonë për të garantuar sa më shumë njësi prodhim si kjo e juaja, që ka bërë që të kemi si rezultat rritjen e punësimit. Është një lajm i mirë që kompani me emër botëror si “Maserati”, “Peugeot”, “Renault” të prodhojnë pjesë këmbimi këtu në Elbasan, pas “Mercedez Benzit” dhe “Fiatit” që po prodhon këtu. Po kalojmë në një fazë tjetër të sipërmarrjeve që krijojnë vende pune në qarkun tonë, janë pikërisht ato që kemi synuar, sipërmarrje prodhimi të makinerive”.

51978492_2098060703572853_3938211536979361792_n

Balla shprehu besimin se “me kompani të tjera gjermane, franceze dhe italiane të spostohemi në këtë nivel të ri të sipërmarrjeve, të cilat kalojnë nga fasoneria në një prodhim të pjesëve të këmbimit  makinerive dhe automjeteve”.

Ndërsa Prefekti i Elbasanit, Gledian Llatja, tha se është kënaqësi që investimet e reja që vijnë në fushën e industrisë vijnë në zonë e ish-Kombinatit Metalurgjik, e cila ka qenë një nga zonat më të mëdha industriale në Shqipëri.

51852477_2098060796906177_2346785493632417792_n

“Ne në bashkëpunim me Zyrën e Punës dhe qendrat profesionale jemi duke u bërë gati për të ridimensionuar tregun e punës që të kemi një staf të trajnuar. Vetëm këtë vit ne presim që në Qendrën e Trajnimit të Elbasanit të trajnohen mbi 2 mijë të rinj për të marrë aftësitë bazë profesionale. I sigurojmë të gjithë bizneset që në Elbasan do të gjejnë facilitete tek pjesa administrative dhe një krah pune të mirë”, u shpreh Llatja.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë “Delmon Group”, Ertjan Çabiri u shpreh se kjo fabrikë prodhon pjesë gominash për automobila dhe klientët kryesorë janë kompanitë franceze “Peugeot”, “Renault”, por edhe kompani që shesin në treg më të gjerë botëror siç është “Maserati”.

51939107_2098060873572836_7145680430593736704_n

“Kemi vetëm 6 muaj që kemi filluar dhe kemi arritur 1 milion euro xhiro prodhim. Kemi rreth 50 punëtorë dhe do të dyfishohen këtë vit. Kemi pasur një ndihmë të madhe nga shteti, pasi na ka lehtësuar çdo procedurë dhe kemi ecur më shpejt se sa e mendonim”, tha Çabiri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura