Prokuroria zbardh rolet e të akuzuarve: “Xhihadistët” rekrutuan 70 shqiptarë. Kërkohet pyetja e Berishës si dëshmitar, s’pranohet

Apr 15, 2015 | 11:55
SHPËRNDAJE

Gjykata për Krimet e Rënda çeli dje shqyrtimin gjyqësor të dosjes me nëntë të pandehur, të akuzuar për rekrutimin e mbi 70 personave me qëllim dërgimin e tyre në frontin e luftës në Siri.

IMAMET E ARRESTUAR: GENCI BALLA DHE BUJAR HYSA

Prokurorja e çështjes, Elizabeta Ymeraj, lexoi akt-akuzën ku zbardhej gjithë mënyra si vepronin të pandehurit e dyshuar për rekrutim të personave për kryerje veprash terroriste dhe nxitje e propagandë për vepra terroriste. Sipas Prokurorisë, të pandehurit në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë bindur persona të tjerë të shkonin për të luftuar në Siri, duke shfrytëzuar bindjet fetare të këtyre personave. Nga ana e tyre, të pandehurit kundërshtuan akuzat dhe pretenduan se nuk kanë kryer asnjë vepër terroriste.

Disa prej tyre pranuan që kanë përcjellë njerëz për në Siri, por sipas tyre kjo nuk kishte lidhje me terrorizmin. Ata pretenduan se akuza është e manipuluar dhe se prokurores ia kanë lënë dosjen të gatshme para.

Gjykata u njoh edhe me kërkesat e palëve për dëshmitarë, mes të cilave edhe kërkesën e të pandehurit Oriol Reçi për pyetjen si dëshmitar të ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Të pyetet si dëshmitar, pasi ai ka bërë thirrje kundër regjimit diktatorial të Bashar Al Assad”, tha avokati i Reçit. Kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata, me arsyetimin se nuk ka lidhje me objektin e gjykimit. Mw tej, gjykata pranoi kërkesën për pyetjen e 26 dëshmitarëve të Prokurorisë dhe 16 të mbrojtjes.

“REKRUTIMI”
Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, të pandehurit Bujar Hysa dhe Genc Balla janë vetëshpallur imamë të xhamive të Mëzezit dhe asaj të Unazës së Re, në një kohë që as xhamitë dhe as ata si imamë nuk janë miratuar nga ana e Komunitetit Mysliman Shqiptar. “Ata predikonin tek personat e pranishëm në xhamitë e tyre se bindjet dhe ide, të cilat u mbushnin mendjen personave se lufta që bëhej në Siri ishte një kauzë e drejtë, bëhej në emër të Allahut dhe secili mysliman i devotshëm e ka për detyrë të ndihmojë këtë luftë”, thuhej në dosjen e prokurorisë.

Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Gerti Pashja realizonte pritjen e personave në Turqi dhe më pas i shoqëronte ata drejt Sirisë. Në këtë veprimtari kanë ndikuar dhe bashkëpunuar dhe të pandehurit Astrit Tola dhe Zeqir Imeri. Sipas prokurorisë, kur merrnin njoftim për vdekjen në front të ndonjërit prej personave të nisur në Siri, të pandehurit e përcollnin tek besimtarët e tjkerë si një akt shumë të mirë. “Veprimtaria kriminale ka nisur që me ngritjen e dy xhamive”, tha prokurorja.

ROLET
Në dosjen e prokurorisë, i pandehuri Genci Balla cilësohej si organizator. Sipas prokurorisë, si imam ai propagandonte Islamin e dhunshëm dhe nxiste përçarje të besimtarëve të Komunitetit Mysliman. Në telefonata të përgjuara, ai interesohej per personat që shkonin në Siri. “Ai praktikon sheriat dhe mosnjohje të institucioneve shtetërore”, thuhej në kërksën për gjykim. Për të pandehurin Gerti Pashka, Akuza cilësonte se ishte ndjekës fanatik i Genci Ballës dhe se praktikonte forma ekstreme të Islamit.

Në lidhje me të pandehurin Bujar Hysa, prokuroria ka si provë një bisedë telefonike të tij me dy shtetas të nisur në Siri, të cilat i kanë marrë leje atij për të shkuar atje. Sipas prokurorisë, i pandehuri Verdi Morava në 6 janar 2014 ka përcjellë një shtetas në aeroportin e Rinasit për në Siri. Në Rinas ka takuar dhe dy shtetas të tjerë, të cilëve u ka dhënë udhëzimet për rrugën që duhet të ndiqnin.

Për të pandehurin Fadil Myslimani, kuzhinier në xhaminë e Unazës së Re, prokuroria pretendonte se në shkurt të vitit 2014 ai ka nisur një shtetas drejt Sirisë. I pandehuri Oriol Reçi, sipas prokurorisë ishte ndihmës i dy imamëve të vetëshpallur që kryente çdo porosi të tyre. Ndërsa të pandehurit Zeqir Imeri, nga kontrolli në banesë i ishin gjetur një granatë, një armë dhe pajime të tjera ushtarake.

 

Deklarata e Berishes 

“Shqipëria vendos të njohë opozitën siriane si të vetmen përfaqësuese legjitime të Sirisë dhe kombit sirian”. Keshtu deklaroi me 14 dhjetor te 2012 Berisha, aso kohe ne krye te qeverise shqiptare. Lajmin e beri publik kryeministria permes nje njoftimi per shtyp.”Shqipëria i bën thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut të marrin të gjitha vendimet për të ndaluar masakrën e civilëve dhe barbarisë që Bashar al-Assad dhe regjimi i tij po kryejnë çdo ditë, mbi popullin e pambrojtur sirian”- thuhej ne deklarate.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura