Gjykata e Luksemburgut: Dimensioni i vlerave në BE, pjesë e rendit të përbashkët

Jun 8, 2023 | 8:30
SHPËRNDAJE

xhezair-zaganjoriXHEZAIR ZAGANJORI

Me datë 5 qershor 2023, Gjykata Europiane e Drejtësisë (GjEDr) dha një vendim shumë të rëndësishëm. Duke iu përgjigjur pyetjeve të shtruara nga Komisioni i Bashkimit Europian në vitin 2021, kjo Gjykatë thekson se ligji polak i vitit 2019 mbi organizimin e pushtetit gjyqësor cenon dukshëm të drejtën e BE-së, ndaj si i tillë duhet të ndryshohet.

Në rastin konkret duket qartësisht se padia e ngritur nga Komisioni kundër Polonisë, bazohet në Nenin 258 të Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Europian, i cili i jep të drejtë këtij institucioni (pra, Komisionit) t’i drejtohet GjEDr sa herë që konstaton se një shtet anëtar nuk ka përmbushur një detyrim që rrjedh nga traktatet e BE-së, pasi t’i ketë dhënë më parë kohë shtetit në fjalë të paraqesë komentet e tij mbi opinionin e përgatitur prej Komisionit. Pra bëhet fjalë për të ashtuquajturat Padi për Mosveprim të Shteteve Anëtare, të cilat bëjnë pjesë në grupin e padive të drejtpërdrejta që mund ti drejtohen Gjykatës së Luksemburgut. Në këto raste, Shteti Anëtar respektiv duhet të reagojë “pa vonesë”, në përputhje me vendimin e dhënë nga Gjykata, përndryshe Komisioni i drejtohet sërish kësaj të fundit (pra, GjEDr) për të vendosur një gjobë të konsiderueshme kundër këtij shteti.

Në fakt, vitet e fundit Polonia ka pasur mjaft probleme me BE-në lidhur me zbatimin e Nenit 2 të Traktatit të Bashkimit Europan që bën fjalë për të ashtuquajturin “dimension të vlerave” të kësaj organizate, pasi aty theksohet me forcë detyrimi i çdo Shteti Anëtar për të garantuar respektimin e “…dinjitetit të njeriut, lirisë demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe te drejtat themelore…”.

Problemet kryesore janë konstatuar veçanërisht në tetë vitet e fundit, pra, nga viti 2015, me ardhjen në pushtet të Partisë Ligj dhe Drejtësi, parti e qendrës së djathtë, e cila vazhdon të qeverisë në këtë shtet, duke zbatuar reforma të shumta e të suksesshme, por disa prej tyre me të drejtë janë kritikuar nga institucionet e BE-së, si në kundërshtim me standardet e Bashkimit Europian. Mes tyre, kritikat më të shumta janë bërë për ligjin mbi organizimin e pushtetit gjyqësor në Poloni (amenduar), miratuar me 20 dhjetor 2019, pasi është vlerësuar se ai thjesht synon zëvendësimin e gjyqtarëve të dy gjykatave më të rëndësishme, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme, si dhe presionin e vazhdueshëm politik ndaj pushtetit gjyqësor. Gjatë negocimeve me institucionet e BE-së, Qeveria mbante qëndrimin se ndryshimet janë të domosdoshme dhe se ato janë bërë në përputhje me Kushtetutën e vendit, e cila qëndron në majë të piramidës së rendit ligjor të Shtetit Polak.

Mbi këtë bazë, e vënë në lëvizje për këtë çështje nga Komisioni, më 15 korrik 2021, Gjykata Europiane e Drejtësisë vë në dukje në vendimin e saj se “BE u krijon mundësinë të gjitha gjykatave të Shteteve Anëtare të lënë mënjanë dispozitat e të drejtës kombëtare që bien në kundërshtim me të drejtën e Bashkimit Europian, përfshi këtu edhe të drejtën kushtetuese të këtyre shteteve…”. Mbi këtë bazë i kërkohej Polonisë të reagonte për ndryshimin e disa prej dispozitave të ligjit në fjalë. Për më tepër, deri në zbatimin e këtyre ndryshimeve, BE pezulloi dhënien e dy shumave të rëndësishme për Poloninë: 23 miliardë Euro si ndihmë për Pandeminë Covid-19 dhe 34 miliardë Euro si kredi e butë.

Në vend që të reagonte, po në korrik 2021, qeveria polake e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese të vendit, tashmë të ndryshuar në përbërje substancialisht, duke i kërkuar asaj të vlerësonte nëse dispozitat e Traktateve të BE-së të interpretuara nga GJEDR në vendimin e 15 korrikut 2021 ishin ose jo në përputhje me Kushtetutën Polake. Ashtu siç pritej, Gjykata Kushtetuese e Polonisë, në vendimin e dhënë më 7 tetor 2021, me 14 gjyqtarë pro dhe vetëm dy kundër, thekson ndër të tjera se “…Polonia është shtet sovran e demokratik…” dhe se “..Kushtetuta e vendit ka përparësi ndaj çdo akti tjetër, të brendshëm apo ndërkombëtar…”. Më pas ajo radhit disa dispozita të Traktateve, të cilat, sipas saj, i lejojnë institucionet e BE-së të dalin jashtë kompetencave të tyre. Kundër këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese polake padi reagime masive të shumta e të fuqishme në shumë qytete të Polonisë, të organizuara kryesisht nga opozita. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u konsiderua i paligjshëm edhe nga ana e institucioneve të BE-së, duke vënë në dukje kryesisht parimin e rëndësishëm të përparësisë të së drejtës së Bashkimit Europian si dhe detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, duke evidentuar njëkohësisht se vetëm kjo Gjykatë (GJEDR) ka të drejtë të përcaktojë nëse aktet e institucioneve të BE-së cenojnë ose jo të drejtën europiane. Për më tepër, me urdhër të nënshkruar nga Zëvendës presidenti i Gjykatës Europiane të Drejtësisë më 27 tetor 2021, kërkohej që Polonia t’i paguante Komisionit të BE-së 1 milion Euro në ditë për çdo vonesë të zbatimit të vendimit të GJEDR të datës 15 korrik 2021. Po me urdhër të Zëvendëspresidentit të GJEDR datë 21 prill 2023, ky dënim është përgjysmuar në 500 mijë Euro në ditë. Megjithatë, me dhënien e vendimit përfundimtar lidhur me themelin e çështjes, pra, të vendimit të djeshëm të GJEDR (datë 5 qershor 2023) pushojnë edhe efektet e gjobës së urdhrit të mësipërm. Sidoqoftë, nga njëra anë, kjo nuk do të thotë se Polonia nuk duhet të paguajë shumat e prapambetura, deri në 5 qershor 2023, e nga ana tjetër, duhet pasur parasysh se kjo gjobë mund të diskutohet të vihet sërish, në varësi të qëndrimit që Polonia do të mbajë ndaj vendimit më të fundit të GJEDR (5 qershorit 2023).

Nga arsyetimi i vendimit të djeshëm të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, veçojmë:

1.Kontrolli gjyqësor i zbatimit të vlerave e parimeve të tilla, si Shteti i së Drejtës, Mbrojtja Gjyqësore Efektive apo Pavarësia e Pushtetit Gjyqësor, janë tërësisht në kompetencën e çdo Shteti Anëtar. Por në ushtrimin e këtij pushteti që lidhet drejtpërsëdrejti me organizimin e funksionimin e sistemit te drejtësisë, çdo Shtet Anëtar duhet të respektojë detyrimet që burojnë nga e drejta e BE-së. Prandaj, në kuadër të Shtetit të së Drejtës, atyre u kërkohet të shmangin miratimin e normave ligjore që mund të cenojnë pavarësinë e gjyqtarëve. Kjo vlerë themelore që është pjesë thelbësore e identitetit të Bashkimit Europian gjen shprehje konkrete në angazhimin e detyrueshëm ligjor, të cilin Shtetet Anëtare nuk mund ta injorojnë, duke u bazuar thjeshtë në legjislacionin kombëtar apo jurisprudencën e tyre, përfshirë këtu edhe dispozitat kushtetuese apo edhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

2. Bazuar edhe në jurisprudencën e mëparshme të GjEDr mbi këtë çështje ( vendimi i 15 Korrikut 2021), ritheksojmë se dispozitat ligjore që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e Dhomës Disiplinore të Gjykatës Supreme polake, nuk janë në përputhje me kërkesat e pavarësisë e paanësisë së gjyqtarëve. … Një mekanizëm i tillë mbart rrezikun e ndërhyrjes edhe për çështje që kanë të bëjnë me statusin apo performancën e gjyqtarëve, e veçanërisht kur bëhet fjalë për mundësinë e autorizimit nga ky mekanizëm të procedimit penal ose arrestimit, apo edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me aspekte substanciale të punësimit, sigurimeve shoqërore apo regjimit të pensionit të tyre… Dhe kjo bëhet për gjyqtarët që zbatojnë tashmë edhe të drejtën e BE-së.

3. Duke pasur parasysh natyrën relativisht të gjerë dhe jo shumë të saktë të ligjit në fjalë si dhe kontektin e veçantë të miratimit, mund të supozohet se përmes tij krijohet një regjim i veçantë disiplinor për gjyqtarët. Sanksionet që përmban ky regjim mund të përdoren kështu edhe për të penguar gjykatat kombëtare …për të qenë mjet gjyqësor efektiv sipas së drejtës së BE-së, kërkesë kjo e domosdoshme për të pasur secila prej tyre mundësisë e referimit të çështjeve për vendim paragjykimor në GJEDR. Prandaj, masat e marra nga ligjvënësi polak nuk janë në përputhje me standardet e garantimit të aksesit në një gjykatë të pavarur e të paanshme.

4. Ligji në fjalë ia jep apo ia beson një organi të vetëm në nivel kombëtar, konkretisht Dhomës për Çështjet Publike dhe Rishikim të Jashtëzakonshëm pranë Gjykatës Supreme, juridiksionin për të vlerësuar elementët esencialë mbi respektimin e parimit të mbrojtjes gjyqësore efektive. Një gjë e tillë është në kundërshtim me të drejtën e BE-së. Respektimi i standardeve të mësipërme duhet t’i garantohet të gjitha gjykatave kombëtare, bazuar në fushat themelore të zbatimit të së drejtës së Bashkimit Europian. Kontrolli në formë monopoli që përmban ligji në shqyrtim, shoqëruar kjo me ndalesat dhe masat e mësipërme disiplinore, do të ndikonin dukshëm në dobësimin e mëtejshëm të të drejtës themelore për mbrojtje gjyqësore efektive, parashikuar qartësisht në të drejtën e BE-së.

5. Dispozitat që u kërkojnë gjyqtarëve të paraqesin informacion me shkrim për anëtarësinë në ndonjë shoqatë, organizatë jofitimprurëse apo parti politike dhe se ky informacion do të jetë i aksesueshëm edhe online, janë në kundërshtim me të drejtat themelore, veçanërisht me të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale si dhe me të drejtën e respektimit të jetës private. Vendosja online e informacionit mbi anëtarësinë e mëparshme në një parti politike, në rastin konkret, nuk ka të bëjë aspak me objektivin kryesor që ka ligji, që është forcimi i paanshmërisë së gjyqtarëve. Informacioni për anëtarësinë e gjyqtarëve në shoqata apo organizata jofitimprurëse mund të shërbejë për të zbuluar qëndrimet apo pikëpamjet e tyre politike, filozofike apo fetare. Vendosja online e këtij informacioni mund tu krijoje personave të tretë mundësinë të kërkojnë lirshëm të dhëna për jetën personale të gjyqtareve, pa pasur asnjë interes të dukshëm publik. Pra, marrë në tërësi, duke pasur parasysh edhe kontekstin specifik të ligjit, vendosja online e informacionit të mësipërm mbart me vete rrezikun e ekspozimit të gjyqtarëve ndaj stigmatizimeve të palejueshme, pasi ato ndikojnë në mënyrë të padrejtë në perceptimin e këtyre gjyqtarëve nga publiku i gjerë.

Ky është në vija të përgjithshme vendimi. Le të presim reagimin zyrtar të Polonisë. Çështja për të është tashmë tepër serioze. Dimensioni i vlerave në BE është pjesë e pandarë e rendit të përbashkët ligjor të të gjithë Shteteve Anëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura