Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, tregon prapaskenat përmes të cilave u krijua Qeveria e Pajtimit Kombëtar e 9 marsit 1997.

Si pjesëmarrës në tryezat e negociatave mes partive politike dhe ish-presidentit Sali Berisha, Gjinushi tregon përpjekjet për të mos pranuar zgjidhjen politike, atë të zgjedhjeve të parakohshme dhe qeverisë teknike.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Gjinushi tregon se përveç Bashkim Finos, emra për kryeministër të Qeverisë së Pajtimit pas trazirave që pasuan falimentimin e firmave piramidale, ishin dhe Pandeli Majko, por dhe Eduart Alushi, ish-kryetar i PS-së së Vlorës, i cili për Berishën ishte një “zjarrvënës”.

Por Gjinushi sjell në vëmendje edhe reagimet e politikanëve ndërkombëtarë, si Franc Vraniskin, i cili negocionte në atë kohë mes partive politike dhe ish-presidentit Berisha për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike.
Një ditë para firmosjes së marrëveshjes, Gjinushi tregon dhe debatet e forta me Berishën, i cili kërkonte që qeveria e koalicionit e të gjitha partive të drejtohej nga PD-ja.
“Më 9 mars është bërë lojë, thjesht u hodhën firmat, sepse negociatat reale janë bërë më 8 mars. Më 8 mars kemi ndenjur 8 orë në negociata dhe unë jam zënë shumë me Berishën. Madje, në 12 të natës, kur kemi ikur nga Presidenca ku u zhvilluan negociatat, u ndamë duke thënë se “bashkë takohemi në botën tjetër, jo më në këtë botë”- tregon ai.
INTERVISTA
Sot mbushen 20 vjet nga krijimi i Qeverisë së Pajtimit, që u drejtua nga Bashkim Fino. Si arritëm te një qeveri e tillë teknike? Nuk kishte mundësi që të vazhdohej me qeverinë e PD-së deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme?
Patjetër që marrëveshja e 9 marsit është nga më të lakuarat dhe në tërësi janë kryesisht të majtët, pjesa më e revoltuar dhe më e pakënaqur, që e quajnë një marrëveshje që vërtet çoi në një zgjidhje politike, por që e la Berishën përsëri në politikë. E vërteta e marrëveshjes së 9 marsit duhet parë në tërë kontekstin e kohës, sepse tregon së pari e mbi të gjitha se nuk kishim të bënim me rebelimin “agjenturoro-komunist” etj., etj, por kishim të bënim me një protestë krejtësisht legjitime, një pakënaqësi mbarëpopullore për mashtrimin e madh përmes firmave piramidale nën drejtimin e qeverisë, e cila i mbajti dhe i promovoi si sukses i kapitalizmit të saj.
Ai nuk ishte kapitalizëm, por hajni. Një sistem i ngritur mbi baza të rreme, patjetër që shkërmoqet. Marrëveshja e 9 marsit, e parë edhe nën kontekstin politik, duhet thënë se që me plasjen e piramidave, tërë politika shqiptare ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, pra ka kërkuar që qeveria të marrë përgjegjë- si, të japë dorëheqje dhe të kalonim në zgjedhje të parakohshme. Aq e vërtetë është kjo, saqë nga platformat e para që kërkonin zgjedhje të parakohshme është ajo e shtruar nga e Djathta e Bashkuar shkodrane. Kuptohet edhe protesta e Vlorës ishte po me këto kërkesa, kuptohet edhe Forumi për Demokraci, që drejtohej për simbolikë nga tre ish-të burgosur politikë, Fatos Lubonja, Daut Gumeni dhe Kurt Kola, kishte po këtë kërkesë.
Në këtë forum ka qenë përfaqësuar i gjithë spektri politik shqiptar, përveç PD-së. Ky është një fakt tepër domethënës për të thënë se ai ishte një front i majtë dhe i djathtë që tregonte se nuk kishim të bënim me rebelime komuniste. 1997-ta është pasojë e vjedhjes së votës në mënyrë masive në ’96, dhe vetëm një popull si yni mund ta duronte këtë gjë deri në njëfarë mase, sepse asnjë popull në demokraci s’mund të pranojë zgjedhje të vjedhura masivisht.
Ndërkombëtarët pranuan vjedhjen e zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre në një kohë më të përshtatshme. Dhe Saliu, në vend që të krijonte kushte për përsëritjen e zgjedhjeve, bëri gjëmën tjetër: i çoi piramidat atje ku nuk mbanin më.
Si vajtëm te Qeveria e Pajtimit Kombëtar, pati ndërhyrje ndërkombëtare?
Gjatë gjithë protestës, Forumi për Demokraci kërkonte të gjitha ato pika që u firmosën Më 9 mars, sepse kërkoi zgjidhje politike. Asnjëherë nga opozita e atëhershme nuk u bë thirrje as për përmbysje, as për marrjen zvarrë, as për shpimin e gomave apo thyerjen e xhamave me llastiqe etj., etj., dhe faktori ndërkombëtar, në të gjitha takimet që bënte, shtronte pyetjen e thjeshtë: Nga se ka ardhur kjo situatë? Ishte e qartë se kishte ardhur nga mashtrimi masiv që i ishte bërë popullatës.
Pyetja që i bënim ne ishte çfarë do të ndodhte në vendet tuaja nëse do të ndodhte një gjë e tillë? Përgjigjja ishte: qeveria s’do të mbushte 24 orë. Së treti, çfarë mund të bënte opozita në këto kushte? Opozita vetëm ofron zgjidhje politike. Opozita ka qenë administruese e revoltës popullore dhe jo nxitëse e saj, sepse nxitja do të legjitimonte popullin të bënte çdo gjë.
Faktikisht, meqenëse pushtetet rrëzohen gjithnjë në kryeqytet, në Tiranë nuk është thyer asnjë xham në 1997-n dhe nuk është prekur asnjë institucion i rëndësishëm. Kjo tregon qartë të vërtetën e madhe që kishim një protestë të madhe popullore, një kërkesë të të gjithë krahëve politikë nga Veriu në Jug, zgjidhje politike, largim qeverie, qeveri e përbashkët, kthim parash dhe zgjedhje të lira.
Qeveria e Pajtimit Kombëtar ishte njëlloj kompromisi me Berishën?
Duhet të kuptojmë se përse një nga arsyet që 9 marsin nuk e përtypi mirë një pjesë e popullsisë, është se u duk sikur ishte Saliu që ofroi zgjidhjen. Saliu, në fund u dorëzua. Platforma ka qenë e Frontit për Demokraci.
Ku bëheshin takimet e Forumit?
Më shpesh bëheshin te selia e ish-të persekutuarve dhe shumë herë te selia e PSD-së, meqenëse PS ishte më e kontrolluar. 7 dhe 8 marsi i 1997-s ka qenë kulmi i negoicimeve ndërkombëtare, ka ardhur ish-Kancelari austriak Franc Vranicki, Trojka dhe i kanë kërkuar Berishës të pranojë zgjidhje politike.
Politika italiane ka qenë shumë e interesuar për situatën në Shqipëri, Prodi kishte dërguar përfaqësues.
Çfarë ndodhi ato ditë?
Berisha, në vend që të pranonte qeverinë teknike dhe zgjedhjet e parakohshme, nuk hoqi dorë nga idetë e tij. Në vend që të pranonte zgjidhjen politike që në datën 2 mars, Berisha vendosi gjendjen e jashtëzakonshme. Ky është një moment shumë domethënës. Në Pallatin e Kongreseve ishin mbledhur mbi 50 parti politike. Aty ishte edhe Tritan Shehu si kryetar i PD-së.
Të gjitha partitë ishin dakord për zgjidhjen politike të krizës. Situata nuk shtyhej më, kishte ndodhur edhe përplasja në Vlorë. Mbrëmjen e 28 shkurtit 1997, në Vlorë ishin vrarë tre qytetarë dhe nuk është vrarë asnjë SHIK-as. Pas këtyre vrasjeve, situata ka dalë nga kontrolli.
Në takimin me 50 partitë, kur të gjithë ishin dakord për zgjidhjen politike, mësojmë se Kuvendi kishte votuar për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Edhe Tritan Shehu e mësoi në sallë këtë vendim.
Atëherë nuk e harroj, kemi zbritur me Sabriun (Godon) nga mbledhja dhe reagimi i parë i tij ishte: Ky njeri (Berisha) qenka e i çmendur! Piramidat njiheshin dhe zyrtarisht, edhe nga raportet e SHISH-it, por edhe të guvernatorit të Bankës, se do të binin dhe për pasojat që do të sillnin pas falimentimit.
Berisha donte t’i shtynte edhe 6 muaj pas zgjedhjes së tij President dhe pastaj të merrte masa për administrimin dhe vënien nën kontroll, por ku ndodhi rebelimi, e quajti komunist.
Kishte një komunikim mes opozitës, Forumit për Demokraci dhe Berishës?
Jo, absolutisht jo, sepse ai nuk pranonte asgjë. Mos harrojmë se ngjarja e parë e rëndë ishte vrasja e Artur Rustemit në Vlorë, më 10 shkurt 1997. Të nesërmen, Vlora u gjet e rrethuar me policë. Varrimi i tij është bërë në mënyrë shumë dinjitoze dhe me shumë vetëpërmbajtje. Rustemi ka qenë simpatizant i PD-së. Por kur SHIK-u donte me çdo kusht të shuante grevën e studentëve në Vlorë, kjo përplasje u shoqërua me tre të vrarë, tre qytetarë dhe degradoi në përplasje popullore kur u sulmua godina e SHIK-ut.
Kësaj situate që kërkonte zgjidhje politike, Berisha iu përgjigj me gjendjen e jashtëzakonshme dhe me dërgimin e ushtrisë. Berisha shpalli në Veri kushtrimin për liri, por nuk iu përgjigj njeri. Më 9 Mars 1997, Berisha firmosi zgjidhjen politike, kur e pa se nuk iu përgjigj njeri thirrjes së tij. Madje, Berisha bëri dhe tjetrën: më 9 mars, kur firmosi marrëveshjen, u dha urdhër mercenarëve që kishte aktivizuar, duke vrarë 7 qytetarë në Përmet në mes të ditës dhe, për ironi të fatit, 2 prej tyre janë prindërit e një funksionari të PD-së. Pas Vlorës, kjo është vrasja e dytë që ka bërë shteti me urdhër nga lart.
Çfarë ndodhi pas marrëveshjes?
Marrëveshja u pa me dyshim, sepse Berisha bëri lojën e kundërt, në vend që të shkonte në qetësim situate, apo të çarmatoste atë pjesë që kishte marrë armë, u hapën depot në Veri. Kur kemi shkuar në Veri për zgjedhjet, kemi gjetur në tavolina, Kushtrimin e Komitetit të Veriut. Është folur shumë për komitetet e shpëtimit, por po ju them se 90% të këtyre komiteteve përbëheshin nga drejtuesit e PD-së në zona dhe përpiqeshin që të mbanin rendin pas shpërbërjes së shtetit. Ndërsa Komiteti i Protestës së Vlorës ka qenë supercivil.
Si shkuam tek emri i Bashkim Finos për ta propozuar për Kryeministër të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar?
Pas hapjes së depove të armëve u krijua ideja se në Shqipëri do të kishte luftë civile. Ne jemi munduar në atë kohë që të qetësonim dhe ndërkombëtarët, që armët nuk janë marrë për luftë civile, se nuk ka se kundër kujt të luftohet, por vetëm për mbrojtje, në kushtet që kishte rënë shteti. Po ajo që u stis ishte se do të kishim një përplasje Veri-Jug dhe meqenëse Saliu është nga Veriu, atë po e sulmon Jugu i të majtëve. Ky ishte një halucinacion shumë dashakeqës dhe qëllimi i vërtetë i klanit të PD-së ishte që Shqipëria duhet të ishte në katrahurë, sepse Kosova po bëhej gati të rebelohej në mënyrë të armatosur ndaj Serbisë. Shqipëria të ishte sa më lëmsh, sa më e destabilizuar, që të mos i jepte mbështetje Kosovës.
Janë naivë ata që thonë se depot u hapën që të furnizohej Kosova me armë. Armët ia jepte shteti shqiptar Kosovës dhe jo individi, dhe tregtia e armëve funksionon në çdo zonë që ka një konflikt dhe nuk pritet të shpërthejnë depot e ushtrisë së një vendi fqinj. Por meqë jemi tek armët, e kanë pranuar edhe ndërkombëtarët, që PD-ja kishte armatosur të vetët që në 1996-n, që nëse do të humbeshin zgjedhjet, të reagohej me armë.
A pati një amnisti për Berishën?
Është folur shumë për amnistinë. Nuk është e vërtetë se janë amnistuar krimet në ’97, në mënyrë absolute jo. Kjo është keqpërdorur. Amnistia ka qenë vetëm për veprat që lidheshin me protestën, duke filluar që për pjesëmarrje në miting të paligjshëm, armëmbajtje, hapje e depove apo përplasje me policinë. Amnistia shkonte deri në teprimin e përdorimit të shkopit, keqpërdorimit të postit, armatosjen etj.
A kishte emra që u propozuan, përveç Bashkim Finos, për të qenë Kryeministër i Qeverisë së Pajtimit?
U lakuan në atë kohë disa emra dhe sa i dëgjonte, Saliu u vinte nga një epitet. U propozua ish-kryetari i PS-së së Vlorës, Eduard Alushi, Saliu e quajti “zjarrvënës”, një tjetër e quante “hekurshkrirës”. Ai kishte tmerr dikë që kishte profil të lartë politik, për shembull Pandeli Majkon e cilësoi të papërshtatshëm si “njeri që ka post të lartë në PS”.
Keni qenë edhe ju në listë?
Ka qenë një moment kur PS tha në tryezë se ia delegojmë postin e Kryeministrit PSD-së. Ne kishim njerëz të përshtatshëm për këtë post, por nuk e merrnim përsipër këtë gjë, sepse kishte dhe xhelozira dhe nuk e pranuam, duke e kuptuar se ishte edhe taktikë emocionale. Namik Dokle propozoi në tryezën e bisedimeve Bashkim Finon.
Si u hodhën firmat?
Më 9 mars është bërë lojë, thjesht u hodhën firmat, sepse negociatat reale janë bërë më 8 mars. Më 8 mars kemi ndenjur 8 orë në negociata dhe unë jam zënë shumë me Berishën. Madje, në 12 të natës, kur kemi ikur nga Presidenca ku u zhvilluan negociatat, u ndamë duke thënë se “bashkë takohemi në botën tjetër, jo më në këtë botë”. Më 8 mars, Berisha për herë të parë tha se pranoj zgjidhje politike, por me kushtet e tij.
Çfarë kërkonte Berisha?
Berisha kërkonte që Kryeministrin e Qeverisë së Pajtimit ta kishte PD-ja. Ne i thamë vazhdo, udhë të mbarë paç! Pastaj bëheshin lojëra si të quhej qeveria, Pajtimi, Shpëtimi, por ne e dinim se ishin taktika për shpërqendrim. Unë i thashë: Emrin vendosja si të duash, por a do qeverisësh vetëm apo bashkë?
Ai më cilësonte si prishësh të frymës së dialogut. Ne kërkonim çmilitarizim të SHIK-ut dhe TVSH-së. Berisha rrotullohej e vinte vërdallë, dhe në fund tha: Ju nuk jeni për zgjidhje. Ne u çuam dhe i thamë se kurrë mos u pafshim më bashkë! Kjo ishte tentativa e fundit e Berishës dhe të nesërmen, firmosi marrëveshjen.
Çfarë ndodhi më 9 mars?
Ishte Berisha që e thirri takimin e datës 9 dhe nënshkroi ato pika që ishin shkruar që në Shkodër, në Platformën e të Djathtës së Bashkuar shkodrane. Berisha e serviri marrëveshjen sikur e kishte ofruar ai, por ishin pika të kërkuara që një vit më parë. Ky ka qenë dhe burimi i konfliktit brenda së majtës, ku disa bërtisnin se përse firmosëm. Ne kërkonim zgjedhje të parakohshme dhe qeveri teknike. Këto i morëm. Na thanë që populli doli me armë në dorë, ndërsa ju firmosët marrëveshje me Berishën.
Si funksionoi Qeveria e Pajtimit Kombëtar?
Kjo qeveri kishte për detyrë të organizonte zgjedhjet, por u bë një gabim i rëndë, sepse përveç zgjedhjeve, qeveria duhet të merrej dhe me depolitizimin e SHIK-ut, TVSH-së etj. Qeveria nuk i përfshiu fare nga programi i saj, ndërkohë që në marrëveshje ishin pjesë e punës së Qeverisë së Pajtimit Kombëtar.
Në 1996-n Berisha i vodhi zgjedhjet me ligj, komisionet zgjedhore i kontrollonte shumica, Policia dhe SHIKu kishin role aktive. Opozita ishte formalisht në komisione. Kur është miratuar ky ligj, në tavolinat e Kuvendit ka kërcyer Ilir Meta dhe Arben Imami ku i kanë shkulur mikrofonin Pjetër Arbnorit. Detyra e parë e qeverisë Fino ishte ndryshimi i këtij ligji. Ligji i ri u hartua, mblidheshin rregullisht partitë që propozonin dhe në momentin që do të miratohej, ndërsa Saliu brenda një nate çon për miratim projektin e vet. Ky Sali që kërkon sot zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra u la ligji i ’96, me të cilin vodhi zgjedhjet.
Atëherë shkoi Vranicky te Berisha, pasi i dështoi i gjithë misioni negociues. Vranicki tha: Berisha qenka jashtë çdolloj parametri! Pastaj u detyrua me dekret, ato që i mori me ligj, ia kaloi Finos, u bë një shpikje. Qeveri zgjedhore është KQZ-ja dhe komisionet zgjedhore. Prandaj qeveri teknike, që kërkon sot PD-ja, është KQZ-ja. Nëse e ka të sinqertë kërkesën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, le të kërkojë depolitizim të KQZ-së dhe komisioneve, garanto pavarësinë dhe ligjshmërinë e tyre, dhe i ke 97% votat tek i zoti.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











