“Garantoni zgjedhje të lira dhe të barabarta”- Zyrtari i lartë amerikan, Escobar: Dënoni çdo të korruptuar! Qeveria shqiptare që të intensifikojë përpjekjet në këtë drejtim

Mar 21, 2023 | 9:27
SHPËRNDAJE

Valentina Madani

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga qeveria shqiptare që të intensifikojë përpjekjet për luftën kundër korrupsionit.

escobar

SHBA-ja i kujton qeverisë Rama se antikorrupsioni është sfida më e madhe, ndaj duhet progres në këtë drejtim.

I dërguari i SHBAsë për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një takim online me gazetarët e rajonit të Ballkanit, u shpreh se Shqipëria duhet të bëjë më shumë progres dhe të intensifikojë përpjekjet sa i takon luftës kundër korrupsionit.

Diplomati amerikan tha se “Korrupsioni është sfida më e madhe për gjithë rajonin dhe se kërkon të të shikojë më shumë progres në rajon. I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgonin një grup për të monitoruar zgjedhjet lokale të 14 majit, Escobar theksoi se nuk kishte informacion për procesin e monitorimit por i kujtoi Shqipërisë se duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po ashtu, Escobar është përgjigjur edhe pyetjes sa i takon rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Kjo marrëveshje në fakt ka shumë punë përpara, BE do vijojë të lehtësojë procesin. Ne vendosëm pikat si do procedohet. Implementimi duhet të fillojë menjëherë. Shumë shpejt do shpallim disa iniciativa për të dyja vendet, por edhe sa i takon integrimit”, deklaroi diplomati amerikan.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u ndal gjerësisht te marrëveshja e Ohrit për të cilën me bindje tha se ka një marrëveshje nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe nga Presidenti Serb Vuçiç teksa shtoi se zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit duhet të nisë menjëherë. Gjatë bisedës virtuale me gazetarë, Escobar tha se ishte një marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe se është ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë, për të vijuar rrugën e integrimit.

“Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë është jashtëzakonisht e kushtëzuar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, deklaroi i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Zyrtari i lartë amerikan diskutoi edhe për faktin që as Kosova dhe as Serbia nuk e nënshkruan marrëveshjen gjatë takimit në Ohër.

Diplomati amerikan tha se fokusimi në këtë aspekt është i parëndësishëm, pasi sipas tij, kjo është marrëveshje dhe shihet si e tillë ne sytë e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian. Po dje, Departamenti Amerikan i Shtetit përmes raportit për Shqipërinë shprehu shqetësimin për korrupsionin deri në nivelet e larta të qeverisjes socialiste.

Në raport theksohet se korrupsioni është i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes. Duke u ndalur te korrupsioni, në raport thuhet se vjedhjet me aferën e inceneratorëve kanë arritur në nivelin e 271.5 milionë dollarëve.

“SPAK-u hetoi gjithashtu kontratat publiko private për inceneratorët e mbetjeve në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit, të cilat dyshohet se dërguan në mënyrë të paligjshme 271.5 milionë dollarë për zyrtarët e qeverisë dhe kontraktorët. Hetimi çoi në arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në dhjetor 2021 dhe ish-deputetit Alqi Bllako në mars”, thuhet në raport.

Po ashtu, nënvizohet se shumë i përhapur është korrupsioni në polici.

“Korrupsioni policor mbetet një problem. Deri në gusht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pranuar 1707 ankesa ose pretendime për korrupsion policor”, thuhet në raportin e DASH-it.

Gjithashtu, në raport thuhet se gjyqësori në vend është i kapur, një akuzë e fortë sidomos pas shtatë vitesh të nisjes së reformës në drejtësi. Ndonëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, “presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thuhet në raport.

Por theksi vihet te bashkitë, të cilat drejtohen nga socialistët dhe që kanë prodhuar disa skandale të mëdha. Në prag të zgjedhjeve, DASH-i risjell në vëmendje problemet e mëdha zgjedhore në Shqipëri, duke cituar një raport të monitoruesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e vitit 2021.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura