Fotot ekskluzive të Elia Zaharisë shtatzënë, katër vite nga ceremonia e dasmës mbretërore Leka Zogu në pritje të trashëgimtarit

Oct 4, 2020 | 14:26
SHPËRNDAJE

Në tetor të 2016-ës, Elia Zaharia celebroi dashurinë e saj me Princ Lekën, e fiks pas katër vitesh ajo shfaqet shtatzënë, në pritje të një princi apo princeshe të vogël, që do të trashëgojë mbiemrin e mbretit Zog.

Gjatë një interviste për “Panorama Plus”, pyetjes nëse planifikonin fëmijë dhe e dëshironin patjetër djalë që të jetë trashëgimtar i mbiemrit Zogu, Elia iu përgjigj: “Nuk kemi asnjë preferencë gjinore. Kur Zoti ta ketë shkruar, do të jemi të lumtur sidoqoftë! Rëndësi ka të na bekojë me fëmijë të shëndetshëm!”

Dhe ja ku duket se dëshira për të zgjeruar familjen e tyre është bërë realitet, dhe Elia, 37 vjeçe, e Princi, 38 vjeç, janë gati të presin fëmijën e tyre të parë.

Paparazi e ka fotografuar çiftin duke ecur në këmbë në rrugët e Tiranës, dhe ku bie në sy barku i rritur i Elias.

Ajo ka veshur fustan të lirshëm për të qenë komode dhe duket se i ka kaluar tre muajt e parë që konsiderohen kritikë në shtatzëninë e një femre. Nuk mund ta themi me saktësi sa muajshe është, por Elia duket gati gjashtë muajshe, dhe se ka shtuar paksa kilogramë.

Ndërsa Leka, i cili e shoqëron “princeshën e tij të zemrës” kudo, ruan të njëjtën fizionomi dhe elegancë si para disa vitesh, kur vendosi të ndërtonte jetën e tij në Shqipëri.

DASMA VIP E ELIAS DHE LEKËS, FAMILJET MBRETËRORE ZBARKUAN NË TIRANË PËR CELEBRIMIN E ÇIFTIT ZOGU

Kujtojmë që në vjeshtën e vitit 2016 ceremonia e dasmës së tyre bëri shumë bujë, pasi në Tiranë zbarkuan familjet e famshme mbretërore nga e gjithë bota. “Daily Mail” shkruante se Shqipëria ka mbajtur dasmën e dytë mbretërore në të gjithë historinë së saj dhe të parën që pas rënies së komunizmit.

Leka II kurorëzoi dashurinë me Elia Zaharinë në një ceremoni luksoze. Dy të rinjtë u fejuan në Paris në vitin 2010, por nisën të planifikonin ditën e madhe vetëm pak muaj para ceremonisë. Në dasmë morën pjesë rreth 20 familje mbretërore nga e gjitha bota, përfshirë dhe Princin Michael të Kentit – kushëririn e parë të Mbretëreshës së Britanisë, Elisabeta II.

Princesha Lea e Belgjikës dhe Mbretëresha Sofia e Spanjës gjithashtu ishin të pranishme në ceremoninë e organizuar në Tiranë. Sipas medias prestigjioze, familja mbretërore e Shqipërisë u dëbua nga vendi në vitin 1939, pas pushtimit nga fashistët italianë. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur komunistët morën pushtetin, Mbreti Zog u konsiderua “tradhtar” dhe u hoq nga librat e historisë.

Por e gjithë kjo histori frymëzoi jo pak nusen e re të familjes mbretërore, vajzën aktore dhe ishkëngëtare të grupit “Spirit Voice”, Elian. Vajza e aktores së njohur Yllka Mujo punoi dy vite për librin e saj, një përrallë me ilustrime për Mbretëreshën Geraldinë. Elia Zaharia Zogu ishte një nga personazhet e njohura, që u prezantua për herë të parë edhe si shkrimtare në një nga edicionet e Panairit të Librit në Tiranë.

Dedikuar lexuesve të vegjël si një parapërgatitje për statusin e saj të ardhshëm të nënës, Elia solli një përrallë origjinale, për të cilën, siç e zbuloi vetë ajo, kishte punuar intensivisht për më shumë se dy vite.

JETA PREJ “PRINCESHE” NË SHQIPËRI E ELIA ZAHARISË: JEMI ME KËMBË, MARTESA S’NA KA NDRYSHUAR!

Po si është jeta e Elia Zaharisë si gruaja e Princit Leka II, dhe nëse ajo bën jetë përrallore princeshash në një vend jo monarki si Shqipëria, ajo i është përgjigjur në një intervistë të plotë dhënë pak kohë më parë për “Panorama Plus”.

“Çdokush bën zgjedhjet e tij. Titulli ‘Princeshë’, për aq sa është në dobi të vendit, më stimulon të punoj më fort dhe ta prezantoj me sa më shumë dinjitet kombin tonë. Nëse prisni të them që jeta ime është ndryshe nga ajo e bashkëmoshatarëve të mi, më vjen keq, por nuk do ta merrni këtë përgjigje. Ne të dy jemi me këmbë në tokë, të lidhur me realitetin dhe si të tillë, përballemi me sfidat e shumta që ka Shqipëria”, citohet të jetë shprehur ajo në një intervistë ekskluzive për “Panorama Plus”.

“Princeshat lindin në shkurt”, ishte postimi që Elia Zaharia bëri në “Instagram” për një nga ditëlindjet e saj, të 34- ën, duke treguar se titulli i saj “Princeshë” ishte honorofik.

Artiste në shumë dimensione, nga teatri e deri te muzika, përveç tyre edhe si presidente e suksesshme e një fondacioni, Elia është vlerësuar me çmimin “Best” në edicionin e 40-të të “Best Awards” në Paris.

Ndërkohë që e pamë në një video të shkurtër duke shijuar Parisin me bashkëshortin tuaj, Princ Lekën, pyetjes se çfarë ka ndryshuar martesa në lidhjen e tyre, Elia i është përgjigjur: “Martesa asgjë, ndërsa njohja me Princin ka qenë motivi kryesor i kthimit në Shqipëri”, tha ajo, pasi dihet që kur u njohën ndiqte studimet në Francë.

/Panoramaplus.al

 

    

© Panorama.al

Te lidhura