Forca e moralit dhe morali i forcës

Nov 22, 2015 | 12:41
SHPËRNDAJE

alfred-pezaALFRED PEZA

Përgjigjen e pyetjes që më mundon prej muajsh, se çfarë po ndodh me debatin publik në Shqipëri, ku për çdo gjë të bërë e të pabërë politikanët dhe liderët e tyre vihen nën shqyrtimin e pamëshirshëm, e herë-herë armiqësor të opinionit, e gjeta atje ku nuk e prisja. Ashtu si edhe Alastair Campbell-it te libri i tij më i ri “Fitimtarët”, ajo nuk erdhi nga Clinton, Obama, Princi Charles, Mandela, Mark Zuckerberg, Tim Berners-Lee apo Sergey Brin, por nga një trajner futbolli. Nga Arsen Wenger i Arsenalit, i cili ka bërë analizën më të shkëlqyer të ndikimit të mediave sociale dhe World Wide Web mbi udhëheqjen, e që i jep përgjigje ndoshta edhe asaj që po ndodh në botën shqiptare sot.

“Ne kemi kaluar nga një shoqëri vertikale, në një shoqëri horizontale, ku të gjithë kanë një mendim të vetin në lidhje me çdo vendim që merret e të gjithë japin një mendim në internet dhe menjëherë. Në thelb, respekti për njerëzit që marrin vendime ka humbur, për shkak se çdo vendim vihet në pikëpyetje”, shkruan ai. Ambienti politik i Tiranës, duket paksa i zënë në befasi nga pikiata e kalimit të shpejtë të strukturës së shoqërisë sonë nga vertikalja, në horizontale.

Nga vendi më i izoluar i Europës, ku për 45 vjet propaganda ideologjike realizoi trushpëlarjen masive, vetëm çerekshekulli më parë shqiptarët filluan të shijojnë të drejtën dhe lirinë e fjalës e lëvizjes. Në dekadën e fundit, penetrimi i internetit besohet se ka arritur të prekë rreth 60-70% të popullsisë. Ndërkohë që, pothuajse çdo qytetar mbi 15 vjeç ka celular dhe akses në internet nëpërmjet tij.

Në 4-5 vitet e fundit, shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë janë bërë në një masë dërrmuese pjesë e rrjeteve sociale dhe aplikacioneve, që mundësojnë përcjelljen e informacionit në kohë reale. Duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ofron teknologjia; tekst, foto, audio apo video. Në këtë mënyrë, për herë të parë në histori, nga konsumatorë pasivë, shqiptarët sot janë shndërruar në gjeneratorë të informacionit, opinioneve, debateve dhe komenteve. Informacioni dhe propaganda, nuk janë më as monopole dhe as privilegje të qeverive, elitave dhe klasave udhëheqëse.

Ndoshta kjo është arsyeja se përse bosët e mediave dhe grupet mediatike kanë gjithnjë e më pak reputacion pozitiv përpara opinionit publik, por edhe më pak ndikim mbi klasën politike, elitën ekonomike dhe krerët e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe drejtësisë. Pushteti i katërt, nga duart e një kaste botuesish, analistësh, komentatorësh, opinionbërësish dhe drejtuesish të mediave, po kalon me shpejtësi marramendëse në duart e njerëzve të zakonshëm. Një pushtet që, ashtu si gjithë qytetarët e tjerë të botës së lirë sot, shqiptarët nuk e kanë pasur kurrë. Nëse do të perifrazoja Sali Berishën në fjalimin e ditës së pranimit të Shqipërisë në NATO, e gjitha kjo nuk është vetëm një mrekulli e lirisë së fjalës, por edhe një mrekulli e revolucionit të teknologjive të informacionit që ka përfshirë planetin në dekadat e fundit.

Sa më shpejt të kuptohet e gjitha çfarë po ndodh, aq më shpejt klasa politike do të gjejë rrugë të reja për qasjen me zgjedhësit dhe qytetarët e vendit. Kjo është arsyeja se përse sot, në këtë trend të ri të zhvillimeve demokratike e liberale në botën e lirë, nuk ka më rrugë të tretë a të katërt për të majtën. As përcaktime si konservatorë a liberalë, të djathtë tradicionalë apo dishepuj të së djathtës së re. Por ka vetëm parti, qeveri, liderë dhe politikanë që i mbajnë apo nuk i mbajnë premtimet. Udhëheqës reformatorë dhe antiligj. Shtetformues modernë dhe antishtet. Progresivë dhe regresivë.

Komunikimi i vazhdueshëm direkt, fizik apo virtual, si dhe kontakti ballë për ballë me qytetarin, është sot më i rëndësishëm se kurrë më parë. Një nevojë e dyanshme edhe e qytetarëve, për t’i bërë udhëheqësit të kuptojnë më mirë se çfarë duan, por edhe një mundësi për t’u shpjeguar njerëzve se çfarë edhe ata vetë duhet të bëjnë. Sepse një pjesë e qytetarëve, ndoshta për shkak të një kulture të vjetër të epokës së partisë-shtet, por relativisht të përhapur ende në Shqipëri, janë bartës të mentaliteti se zgjidhjet për hallet e nevojat e tyre individuale duhet të vijnë vetëm nga shteti e politika, duke harruar se prej 25-vjetësh marrëdhëniet në prodhim kanë ndryshuar kryekëput dhe vendin e ekonomisë së centralizuar e ka zënë ekonomia e lirë, e cila ka në themel të saj jo më planifikimin, por mekanizmin e kërkesë ofertës së tregut. Ndërsa “dora e ngrohtë” e partisë është zëvendësuar nga “dora e padukshme” e Adam Smithit.

Ballafaqimi i drejtpërdrejtë është mundësia më e mirë për të menaxhuar pasojat që mund të sjellë revolucioni virtual, si pasojë e aksesit të qytetarëve në mediat sociale. Komunikimi dhe vetëm komunikimi direkt, është zgjidhja. “Udhëheqësi nuk mund t’ia delegojë këtë rol një personi tjetër”, thotë ish-CEO i “Tesco”, Terry Leahy: “Njerëzit duan të shohin ty – udhëheqësin – të shohin si sillesh dhe sa përkojnë veprat me fjalët e tua”.
Ndaj, një nga cilësitë më të rëndësishme të një udhëheqësi të mirë sot, është rezistenca e fortë ndaj stresit që vjen nga ky realitet i ri, i panjohur kurrë më parë, i cili përballohet jo vetëm nëpërmjet një kulture të re të komunikimit publik, por edhe me një qasjeje të re në planifikimin taktik dhe strategjik të sfidave politike.

Qofshin këto në qeverisje, apo në opozitë. Nëpërmjet hapjes, rekrutimit të më të mirëve që ofron tregu dhe shpërndarjes së përgjegjësive gjatë punës në skuadër. Sekreti qëndron te përfshirja e sa më shumë lojtarëve me tipare të ndryshme në ekip, të cilët motivohen për të mbajtur peshën, nëpërmjet të bërit pjesë e synimit për arritjen e objektivit final, që për rastin e qeverisë “Rama” është pastrimi i çdo gjëje të vjetër, kudo ku pengohet rilindja social-ekonomike e vendit dhe bërja e Shqipërisë një shtet modern, funksional dhe prosper për qytetarët e vet. Ndërsa në rastin e opozitës, objektivi është ai i çdo opozite në botë qëkurse ka lindur pluralizmi politik, rikthimi në pushtet.

Përveç reformave të thella strukturore që maxhoranca Rama-Meta ka ndërmarrë, në ekonomi, sistemin financiar, në kontrollin e territorit, arsim, pensione, prona, rend e siguri, shëndetësi, kulturë, sport etj., Parlamenti është përfshirë në një proces për Reformën në Drejtësi dhe atë për dekriminalizimin e politikës e administratës shtetërore. Për t’i dhënë fund një filozofie të vjetër historike, e cila u përcoll përgjatë shekujve nga perandoria mongole e Xhingis Kanit, në formën e së drejtës që buronte nga forca dhe që prevalonte mbi të drejtën që buronte nga morali. E që në kulturën tonë kombëtare, për shkaqe të shumta, bëri që me apo pa dashje, shqiptarët të merrnin anën e të fortit, përpara të drejtit.

Anën e atij që të vriste për të mbajtur pushtetin, përpara atij që drejtonte me anë të legjitimitetit. Duke zgjedhur në këtë mënyrë jo forcën e moralit, por moralin e forcës. Ky është momenti i së vërtetës së madhe, jo vetëm për politikanët, por edhe për qytetarët e këtij vendi, që të ndahen njëherë e përgjithmonë nga një trashëgimi e së shkuarës, që na ka mbajtur përgjatë historisë jashtë klubit të vendeve të qytetëruara e të zhvilluara.
“Revolucioni” i shqiptarëve nëpërmjet rrjeteve sociale përkon me një moment, një fazë tjetër po kaq të rëndësishme të zhvillimeve demokratike në vend. Maxhoranca aktuale ka mandatin dhe përgjegjësinë historike për të vendosur më në fund atë që njihet si “rule of law”, ose “sundimi i ligjit” e “shteti i së drejtës”.

Duke i hapur në këtë mënyrë rrugën njëherë e përgjithmonë një epoke të re në raportet e shqiptarëve me të zgjedhurit, udhëheqësit e tyre politikë dhe shtetin, të cilët në proceset e ardhshme duhet të votohen për të qenë jo politikanë që kërkojnë të vënë shtetin në funksion të interesave të tyre, por politikanë që duhet të vënë mandatin në funksion të interesave të shtetit dhe qytetarëve.
Në Shqipëri ka kaluar shumë e shumë kohë dhe kanë rrjedhur shumë e shumë ujëra, që atëherë kur Eqerem Bej Vlora, në kujtimet e tij, shkruante se: “Dëshira për të vënë në dyshim faktin që çdo popull arrin të kuptojë e të miratojë vetëm ato ndjenja dhe veprime që qëndrojnë afër idealeve të tij, do të kishte qenë e marrë dhe alogjike… Shqiptari ka prapa një traditë mijëvjeçare kapadaillëku dhe dhune, ndaj dhe heronjtë e udhëheqësit e tij nuk mund t’i përfytyrojnë ndryshe, veçse të pajisur me këto veti. Kënga popullore nuk u këndon mendjelartëve, shpirtmirëve, zemërdhembshurve, por mburr hakmarrësin, trimin, të pamëshirshmin, të dhunshmin dhe intrigantin”.
Duke e mbyllur të gjithën këtë me një histori mjaft interesante për Shqipërinë e fundshekullit XIX e fillimshekullit XX: “Gjyshi im, Mustafa Pasha, ka qenë një njeri i hollë, i shkolluar, besimtar, bujar, i cili gjatë gjithë jetës së tij i ka shërbyer Perandorisë (Osmane) në poste të larta, duke lënë emër të mirë kudo. Tre vjet përpara vdekjes, qëndroi 9 muaj në Vlorë dhe me mjetet e veta ndërtoi e i dhuroi qytetit dy puse, ndërtesën e shkollës qytetëse dhe një rrugë të re nga Vlora në Skelë.
Vëllai i tij i madh, Selim Pasha, ishte kajmekam i kazazë Vlorë e më pas mytaserif i krejt sanxhakut dhe gjatë kësaj kohe ka qeverisur me aq rreptësi e despotizëm, sa që populli i dha nofkën “gazepi”. Dhe kjo jo për ta qortuar, por përkundrazi, si shenjë admirimi. Këtë e dëshmojnë këngët që këndojnë dhe sot e kësaj dite veprat e tij burrërore dhe energjike, që lëvdojnë terrorin kundër armiqve të vet dhe shprehin keqardhjen e përgjithshme që vdekja e shkëputi këtë sundimtar dhe prijës popullor nga dashuria dhe admirimi i bashkëqytetarëve të vet! Ndërsa për Mustafa Pashën e urtë, njeridashës dhe bamirës, nuk kikirikis më asnjë gjel”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura