Florinda, vajza e Veli Radës: “Im atë s’ishte fukara, u keqpërdor vdekja me një ‘letër bakalli’”

| 11:08
SHPËRNDAJE

Prej disa ditësh, një letër “mallëngjyese” po qarkullon në media dhe rrjetet sociale: aktori i 4 dekadave Veli Rada kish ikur nga kjo botë i shkundur nga xhepat, me pengun se nuk kish mundur dot t’i blejë një dhuratë për Krishtlindje të bijës së vogël. Nuk kish pasur asnjë lekë në portofol, por as nuk kish ku të kërkonte borxh….

Veli Rada me bashkëshorten, Hyrie, djalin Xhodian, nusja e tij dhe nipi
Nga përmbajtja e letrës, virtualët nisën të shanin e të mallkonin shtetin, politikanët e ç’u shkonte tjetër në mendje, ndërsa artistët për pak “desh hoqën dorë” nga profesioni i tyre, duke dedikuar statuse të posaçme se sa keq trajtohej komuniteti i tyre. Megjithatë, para se ta besonin këtë letër që ishte anonime, e botuar fillimisht në sajte gjithashtu anonime, askujt nuk i shkoi në mendje mos ta merrnin të mirëqenë, ose së paku të hidhnin ndonjë hije dyshimi, se çne Veliu me 70 e kusur moshë, kishte një vajzë të vogël. 

Veli Rada, me çmimin “Mjeshtër i Madh”

Apo, si ka mundësi të kishte përfunduar në borxhe, ku përveç pensionit të posaçëm, punonte privatisht në shfaqje dhe organizime të ndryshme, si aktor dhe komentator. Për më tepër, përveçse “e qanë me lot” letrën kompjuterike, askush nuk u ofrua që të kontribuonte apo t’i blinte dhuratën që i kishte mbetur peng “vogëlushes” së Veliut, që në fakt rezulton një grua rreth të 40-tave. Ajo quhet Florinda Kalaja (Rada) dhe është vajza e vogël e Veli Radës, motra e Enkeledës dhe e Xhodianit.

Kur fëmijët e aktorit të ndjerë janë përballur me letrën, jo vetëm që janë çuditur, por edhe janë fyer. “Babai ynë dha shpirt i plotësuar, në çdo drejtim. Nuk kemi pasur asnjëherë probleme financiare, përkundrazi”, thotë Florinda. E intervistuar nga gazeta “Panorama”, ajo tregon mbi çudinë e kësaj letre që fillimisht i trazoi fort në familje, edhe pse tashmë po e kalojnë si me humor, ashtu siç bënte babai i tyre, Veli Rada…

Vajzat e Veli Radës, Florinda dhe Enkelejda
Çfarë menduat kur lexuat për herë të parë letrën?
U ndjeva e fyer. Unë, motra ime Enkeleda dhe vëllai im Xhodiani, u bëmë keq, me idenë që na e trajtonin babanë si një varfanjak, pa asnjë lekë në xhep dhe që s’i jepte njeri as borxh. U nervozuam shumë dhe vëllai “u xhindos” dhe bëri disa telefonata në sajte e media të ndryshme, por kur e pamë që ajo letër u përhap kudo, edhe në Facebook, atëherë hoqëm dorë dhe filluam ta marrim me sportivitet e humor, ashtu siç do të kishte vepruar edhe babi.

Çfarë ju shkaktoi më shumë humor?

Pjesa ku flitej për duart e vogla të vajzës, që mezi prisnin një dhuratë. Dhe të mendosh që unë jam vajza e vogël në atë shtëpi dhe jam rreth të 40-tave. Se me atë letër na e bënë edhe me llaf babin, se i bie që ka bërë ndonjë vajzë në të 70-tat (qesh). Lëre pastaj kur shkruhej për Krishtlindjet, ndërkohë që si familje nuk i kemi festuar asnjëherë. Nuk kam asgjë për komunitetin e krishterë, i respektoj, por ne si familje jemi 100 % myslimanë dhe vetëm ditët e shënuara myslimane kemi festuar.
Nipi duke treguar gjyshin Veli në televizor

Çfarë ju acaroi më tepër në këtë letër?
Jua thashë pak në fillim, fjalia që “nuk kishte asnjë lekë në portofol”, ishte për të vënë duart në kokë. Babi kishte marrë titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenca dhe pensionin e kishte mbi 500 mijë lekë (të vjetër). Duke kujtuar këtu që, ai vazhdimisht merrte pjesë në shfaqje dhe organizime të ndryshme, komentonte ndeshje, pra ishte shumë aktiv me punë dhe fitonte mirë, përveç pensionit. Nuk po hap pastaj “llogaritë e shtëpisë”, se sa shumë ka punuar kur ishte më i ri në diasporë apo brenda vendit… Pra, ta quash varfanjak babain tim pas vdekjes, do të thotë t’ia humbësh punën, mundin, kontributin që ka dhënë ndër vite.

Megjithatë, duke lexuar me vëmendje letrën, nuk duket se qëllimi i letërshkruesit (fals) të ketë qenë për ta nxjerrë Veli Radën si varfanjak, por thjesht për të dhënë një mesazh që artistët nuk janë të pasur…
E para, ajo nuk ishte thjesht letër, por “letër bakalli”. Cilido të ketë qenë qëllimi, nuk mund të luash me ndjenjat e familjarëve, të cilët e kanë shumë të freskët ikjen e njeriut të dashur. Këtë javë mbushen 6 muaj dhe akoma na duket sikur babi do të kthehet në shtëpi, ashtu i qeshur, siç dinte të ishte vetëm ai… Pastaj, pse patjetër donin ta bënin të varfër babin, kur nuk ishte? Vërtet babi nuk u bë bos i madh ndonjëherë, por bënte një jetë normale, bënte pushime, kishte shtëpinë e katandinë, kishte mamin tim Hyrien që është “pasuri” më vete, na kishte ne 3 fëmijëve që e shtuam me 5 nipër. Më duket mediokre që të sajohen letra me vuajtje, me lot e me varfëri, si e si që të mallëngjehen njerëzit. Nuk është e thënë që të jesh artist, duhet patjetër që mos të kesh lekë në xhep. Si çdo profesion tjetër, edhe artisti nëse punon fort, do të marrë frytet e punës.

Shumë artistë e shpërndanë në rrjetet e tyre sociale këtë letër, të irrituar se si trajtohet komuniteti i tyre. Shumë shprehën keqardhjen për “vogëlushen e Veliut” që mbeti pa dhuratë Krishtlindjesh. A telefonoi ndokush në familjen tuaj, për të ofruar ndonjë kontribut financiar, meqë babai juaj kishte ikur nga kjo botë, “duke lënë familjen në varfëri”?

Askush. Përjashto miqtë e ngushtë të babit që e kuptuan menjëherë që ajo letër ishte sajesë, sepse na njohin familjarisht, askush nuk u interesua. Ndaj më duket e tepërt edhe ajo jehona që artistët i kanë bërë asaj letre në Facebook apo media, sepse ishte një keqpërdorje e emrit të babit tim, pas vdekjes. Qoftë nga letërshkruesi/sja, qoftë nga shumë persona të tjerë, për mënyrën se si e trajtuan përmbajtjen, por edhe që nuk u interesuan nëse gjithçka është e vërtetë. Përveç ju të gazetës “Panorama”, askush nuk u interesua për vërtetësinë e letrës.

Si ishin ditët e fundit të babait tuaj?  
Fatmirësisht ai nuk ka vuajtur shumë, kryesisht tri ditët e fundit. Që kur iu zbulua sëmundja në tetor, i bëmë të gjitha shërbimet në spitale, por nuk e torturuam. Sëmundja kishte bërë të veten dhe ishte e pamundur të shpëtohej, por të paktën nuk kishte dhimbje. Edhe ditët e fundit kur filluan t’i shtohen dhimbjet, ai nuk e jepte veten. E mbante gjithnjë buzën në gaz dhe dukej i plotësuar, ne fëmijët u martuam, e bëmë me nipër (5 djem), ndërsa në karrierë kishte marrë tashmë dy tituj të mëdhenj: “Mjeshtër i Madh” nga Presidenca dhe “Mirënjohja e Kryeqytetit” nga Bashkia e Tiranës.

Përtej aktrimit e sportit, çfarë kishte pasion?

Festat familjare dhe festat e miqve. As sot nuk e konceptoj, se si do të mund të bëjmë një festë pa babin. Duket pa kuptim. Ai ishte i fjalës, i këngës dhe i valles. Nuk ulej asnjëherë, ishte shpirti i festave, i gëzimeve, i dasmave. I jepte hare vendit e njerëzve. Madje, tri ditë para se të ndërronte jetë, kemi qenë në një lokal me muzikë deri afër mëngjesit. Atë natë e pashë që po dorëzohej, mbante buzën në gaz, por u gdhi gati gjysmë i paralizuar…  

Zakonisht thuhet për njerëzit e artit se lënë amanete. Cila ishte dëshira e tij e fundit…
Këto amanetet ndonjëherë më duken të sajuara. Dhe sikur e kanë fiksim mediat patjetër të nxjerrin një amanet nga artistët. Nuk ka lënë ndonjë amanet në veçanti, sa për dëshira ai ka pasur plot, por i janë realizuar. Kështu thoshte, se ishte i realizuar, sa herë që na shihte të gjithëve me familje. Ndërsa ne fëmijët dhe mami kishim një dëshirë pas vdekjes së babit dhe na u realizua. Vëllai lindi djalë dhe i vumë emrin e babit. Çuditërisht i ngjan shumë…

I diplomuari i dramës, që shkëlqeu me humor
Veli Rada lindi në Tiranë më 23 shkurt 1942. U aktivizua fillimisht në Lëvizjen Amatore Teatrore të qytetit. Aftësitë e shprehura në fushën e komedisë dhe të humorit e çuan vetiu drejt studimeve të larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, dega e Dramës. Pas mbarimit të tyre, në vitin 1983, filloi punë si aktor në Estradën e Tiranës, ku punoi për plot 35 vjet. Ka luajtur shumë role në estradë, edhe pse ai u diplomua për dramë. Komeditë, skeçet, monologët, kupletet dhe disa zhanre të tjera të humorit ishin dhe do të mbeten pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij.

Prirja e Veli Radës ishte kryesisht për të ravijëzuar karaktere personazhesh me natyrë disi nervoze, njerëz prepotentë, drejtues e administratorë burokratë, politikanë ekstremistë etj. Ai ka qenë një aktor që kryesisht përdorte gjeste të prera dhe një të folur “të ashpër”, duke shfrytëzuar me sens komik edhe dialektet, e sidomos zhargonin e labërishtes, atë të minoritetit grek etj. Përveç roleve në estradë, ai ka dalluar edhe në komeditë: “Tre dhëndurët”, “Lezeti i kolltukut dhe krevatit” apo “Revolja e humbur” në rolin e hetuesit, me të cilin krijoi figurën e dhunshme e dinake të nëpunësit të sigurimit të shtetit në periudhën e diktaturës. Roli si kushëriri i parë i Edlirës në filmit “Stola në park”, është gjithashtu i njohur për publikun e gjerë. Ndërsa në futboll, ai u bë ekspert për komentimin e ndeshjeve të Tiranës, por edhe të Kampionatit Europian apo Botëror.

Pas viteve ’90 Veli Rada u përfshi edhe në politikë. Ai ka kontribut në Partinë Demokratike, ndaj edhe u përcoll në banesën e fundit me nderime nga ish-lideri i kësaj partie, Sali Berisha, kryebashkiaku Lulzim Basha e personalitete të tjera nga PD-ja.

Letra që qarkulloi këto ditë nëpër media e rrjete sociale
Kjo është letra që prej disa ditësh ka qenë më e shpërndara në rrjetet sociale, ndërsa mediat i dhanë jehonë. U supozua sikur kjo letër i kishte rënë nga xhepi vajzës së vogël të Veli Radës…

“E dashur bija ime mos u trishto që këtë Krishtlindje s’të bleva dot dhuratë. Të më besosh nuk munda, sepse për herë të parë në jetën time nuk kam asnjë lekë në portofol, madje nuk kam kujt t’i kërkoj borxh, sepse edhe të tjerët nuk kanë.
Të shikoja për çdo ditë, kur te kalendari i varur në kuzhinë me duart e vogla shënoje ditët, duke pritur plot gëzim që të vinin festat, eh kjo festë, koha, ndali atë ditë, kur u adhurua djalli, ai që s’i do fëmijët, nënën, babanë, gruan, atdheun, Zotin. Ai që kurrë s’mendon, ai që na vret çdo ditë dhe nuk ndjen kurrë pendim. Do të mungojnë dhuratat këtë vit më kupto, por të paktën do të kemi shpresën!!!!
Veli Rada. E dashur bija ime, mos u trishto…”.

ELISABETA ILNICA

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

11 KOMENTET

Comments are closed.