“Flet për vajza të braktisura nga më shumë se pesë dashnorë”- Informacioni sekret për Ramiz Alinë: Drama e Kujtim Spahivoglit poshtëron figurën e gruas!

Jul 10, 2022 | 16:26
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Më datën 9 shtator të vitit 1973, Ramiz Alia asokohe sekretar i Komitetit Qendror për kulturën dhe propagandën, ka marrë një letër informuese nga një zyrtar i Komitetit të Partisë të Rajonit Nr. 2 në Tiranë.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Instruktori Andon Rrudha, që me sa duket mbulonte Kombinatin e Tekstileve Stalin, e njoftonte shefin në KQ për një dramë problematike, e cila po përgatitej për t’u shfaqur në Kombinat.

kujtim spahivogli (2)

”Pesë shoqe paraqiten në atë dramë si femra të degjeneruara, të dezilizionuara në jetë, pijanecë, të pacipa, të braktisura nga një e më shumë dashnorë, me një jetë të ulët dhe poshtëruese”, nënvizohej me të madhe në letër.

Drama “Kurvat e Kombinatit”, për të cilën bëhej fjalë, ishte shkruar nga Kujtim Spahivogli, me porosi të drejtorit të klubit të Kulturës të Kombinatit, Osman Laze, dhe kishte për objekt jetën dhe aktivitetin e vajzave dhe grave që punonin në këtë vepër të madhe. Fillimisht autoritetet artistike i kërkuan autorit t’i ndryshonte titullin, çka e bëri me vështirësi, por pastaj kritika ndaj veprës u përqendrua në qasjen jo parimore të përmbajtjes dhe në mënyrën degjeneruese si e shikonte dhe vlerësonte autori jetën e këtyre grave.

Prej këtej, shqetësimi mbërriti në organet lokale të Partisë, e prej aty në Komitetin Qendror. Më poshtë publikojmë të plotë dokumentin sekret me letrën për Ramiz Alinë …

dokument

INFORMACION MBI NJE DRAME TE KUJTIM SPAHIVOGLIT, PARAQITUR NE KLUBIN E KULTURES TE KOMBINATIT TE TEKSTILEVE “STALIN”

Bashkë me shokun Idriz morëm takim me shoqen Eftimi Lito dhe drejtorin e Klubit të Kulturës, shokun Osman Laze, për çështjen e një drame që Kujtim Spahivogli i ka paraqitur këtij institucioni. Shoku Osman Laze, si drejtor i Klubit të Kulturës, i ka kërkuar Kujtimit një dramë ku të paraqitej figura e gruas tekstiliste të Kombinatit. Kujtimi i është përgjigjur kërkesës dhe i ka thënë se për një vepër të tillë, unë po punoj dhe e kam titulluar “Kurvat e Kombinatit”.

Shoku Osman i ka thënë se me këtë titull nuk ta pranoj në asnjë mënyrë. Mbas një kohe, Kujtimi e ka dorëzuar dramën me titull “Hapat e para, dhimbjet e fundit”. Pjesa është diskutuar nga shokët e Këshillit Artistik të Klubit dhe nuk është aprovuar. E cilëson si një vepër që nuk i përgjigjet realitetit dhe poshtëron figurën e gruas.

Ne e lexuam këtë dramë dhe me të vërtetë përmbajtja të revolton. Sido që titulli është ndryshuar, përmbajtja mbetet po ajo. Po japim shkurtimisht disa gjëra:

Pesë personazhe (shoqe), paraqiten në dramë si femra të degjeneruara, të dezilizionuara në jetë, pijanece, të pacipa, të braktisura nga një e më shumë dashnorë. Jeta në konvikt e këtyre shoqeve paraqitet e ulët dhe poshtëruese. Nga goja e këtyre vajzave të reja që kanë lënë familjet e tyre dhe kanë ardhur në Kombinat, del një fjalor i shthurur që të dhimbsen për jetën ku janë katandisur. Ato kanë rënë pas alkoolit, pas librave të verdha, pas dashurisë së shthurur, janë bërë viktima të matrapazëve dhe për gjendjen e tyre shpirtërore nuk kujdeset njeri.

Vetëkuptohet se këtu kemi të bëjmë me një vetështrembërim flagrant të realitetit tonë socialist. Lumta, një nga personazhet kryesore që ka dështuar në dashuri, përfundon me Demon, me të cilin kanë dhe një fëmijë. Duke mos i rezistuar opinionit përbuzës në Kombinat, Demo e bind Lumton të largohet nga Kombinati, ata enden pa strehë nëpër Tiranë, pa punë, në një gjendje të vështirë ekonomike. Një plakë i strehon për mëshirë. Por edhe këtu çiftin e ndjekin fatkeqësitë e thashethemet. Gjithnjë nën motivin si “vajzë e Kombinatit”, matrapazët i vërsulen. Demo, i shoqi, përfundon vetë si matrapaz.

Lumto çoroditet. Në tërë këto peripecira ajo mbetet fill e vetme. Nuk di ku të ankohet, ku ta qajë hallin. Opinioni i shëndoshë, forca e partisë nuk duket gjëkundi. I vetmi personazh disi i ftohtë del Iliri, biri i plakës, ku këta janë strehuar, por ky nuk është deciziv. Kështu, Lumto ndjek një rrugë fataliste, krejt individuale, karakteristike kjo për vendet kapitaliste e revizioniste. Nga fundi, autori na jep monologun e Lumtos drejtuar plakës ku i thotë: për historinë e një vajze, e cila duke mos dëgjuar prindërit, iu përgjigj thirrjes së Partisë dhe erdhi në Kombinat, por këtu atë e ndoqën fatkeqësitë. Me sa duket, autori këtu bën një lloj proteste, por kundër kujt?!

Nga fundi autori e kthen Lumton në konvikt, midis vajzave dhe shoqeve të saj, ku pak më parë në aktin e pestë gjendja na jepet e pandryshuar. Duhet thënë se, sido që kjo dramë nuk u vu në skenë, shokët e Kombinatit duhet të kishin mbajtur qëndrim duke bërë një diskutim masiv.

Andon Rrudha Tiranë, më 7.9.1973

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU:  Nga mbret i skenës, në hekurkthyes në Fier/ Kush e solli Spahivoglin në Tiranë?! Nexhmije Hoxha: Kryeqytetin ta mbajmë të pastër nga këta armiq

“Me ‘Kurvat e Kombinatit’ shtrembëron realitetin”/ Rita Marko: Spahivogli nuk përfilli dramën për Bajram Currin, pëlqente Fadil Paçramin

“S’lexon ZP-në, por libra te huaj! Të shkojë për riedukim”- Rebelimi i ‘mbretit të skenës’ kur i morën teserën dhe e përjashtuan nga Partia. Zbardhet dokumenti

© Panorama.al

Te lidhura