Flet Griselda: S’bëja dot fëmijë, shpika shtatzëninë

Jun 3, 2011 | 10:36
SHPËRNDAJE
Elvis dhe Griselda Roshi

Gazeta zbardh dëshminë e 28-vjeçares përpara prokurorëve të Krimeve të Rënda. Rrëfimet e plota të personave që kontaktuan me Griseldën “në orët e rrëmbimit”. Çfarë doli nga ekspertiza mjeko-ligjore dhe pikëpyetjet mbi bashkëshortin që për 9 muaj besoi se e kishte gruan shtatzënë. Elvis Roshi kthen Griseldën pasdite në shtëpinë e prindërve dhe kërkon falje publike

Gruaja e bashkiakut, 140 minuta para prokurorëve: S’bëja dot fëmijë

Griselda Roshi, gruaja që bashkëjetonte me kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, ka shembur vetë dje gjithë rrëfi-min e tmerrshëm që shpërndau në publik tri ditë më parë.Ndonëse sajimi i ngjarjes së rëndë ishte verifikuar nga policia, mjekët ligjorë dhe prokuroria, protagonistja e historisë së pazakontë ka pranuar mashtrimin, madje ka shpjeguar edhe shkakun e gjithë kësaj. Për plot 2 orë e 20 minuta, Griselda Roshi dëshmoi dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në lidhje me ngjarjen. E shoqëruar nga një fuoristradë e Policisë së Shtetit dhe një ambulancë, Griselda Roshi ka mbërritur dje rreth orës 12:00 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku është marrë në pyetje nga prokurorët e çështjes, në praninë e një psikologeje dhe të oficeres së caktuar posaçërisht në grupin e hetimit për të lehtësuar komunikimin. Gjatë dëshmisë së saj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Griselda Roshi vazhdimisht ka pasur vështirësi dhe ndërprerje në komunikimin e saj pas pyetjeve që i janë bërë nga grupi i hetimit. Megjithatë, prania e një oficereje femër dhe e një psikologeje duket se ka ndihmuar ecurinë e procesit derisa 28-vjeçarja ka mbyllur ciklin e shpjegimeve të saj duke sqaruar edhe motivin e ngjarjes së sajuar që tronditi opinionin publik. Në thelb duket se shkaku ka qenë fakti se Griselda Roshi nuk bënte dot fëmijë. Një fakt për të cilin, me sa duket, rreth një vit më parë ishte vënë në dijeni edhe Elvis Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës.
Dëshmia e Griseldës në Prokurori
Rezultatet e ekspertizave në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe më pas në maternitet, ku është hedhur poshtë dhuna dhe shtatzënia e 28-vjeçares, duket se e kanë kthjelluar Griselda Roshin. Pas ekzaminimit nga mjekët, gjatë dëshmisë në prokurori, e reja ka qenë më e qartë se tri ditë më parë kur teksa tregonte një histori të frikshme rrëmbimi, në rrëfimin e saj artikulonte plot kontradikta. “E kam sajuar këtë histori pa qëllim të keq dhe duke menduar se do të funksiononte për një kohë”, mësohet se është shprehur Griselda Roshi në prokurori. Ajo ka përsëritur disa herë në deklarimet e saj para hetuesve, se qëllimi i saj i vetëm ka qenë që të mos humbiste bashkëshortin e saj, Elvis Roshin. Në dëshminë e vet, 28-vjeçarja ka shpjeguar edhe frikën që ka përjetuar për një kohë të gjatë, frikë e cila e kishte shtyrë që për mëse 9 muaj të krijonte idenë e shtatzënisë fillimisht te vetja e më pas te njerëzit që e rrethonin.
Pamundësia e lindjes
Sipas të dhënave hetimore të konfirmuara edhe nga Griselda Roshi dje në prokurori, 28-vjeçarja ka probleme shëndetësore që e bëjnë të pamundur që ajo të lindë fëmijë. Ky problem shëndetësor duket se ka qenë shkaku i ngjarjes që alarmoi policinë dhe Prokurorinë shqiptare. Rreth një vit e gjysmë më parë, Griselda Roshi dhe bashkëshorti i saj, sot kryetar Bashkie në Kavajë, sipas dëshmisë së 28-vjeçares, kishin marrë vesh se ajo nuk mund të lindte. Pa dashur të cenojnë privatësinë dhe marrëdhënien mes bashkëshortëve, burimet e hetimit thonë se një lajm i tillë kishte ndikuar për keq në raportin mes Griseldës dhe Elvis Roshit. Megjithatë, mjekët, sipas dëshmisë së Griseldës, nuk kishin dhënë përgjigje përfundimtare negative. Ndaj, disa muaj më vonë, 28-vjeçarja ka shpjeguar se ka pasur një shëndoshje dhe një zmadhim të barkut, çka e bëri të mendojë se kishte mbetur shtatzënë. Disa javë më pas ajo ka dëshmuar se ia komunikoi këtë lajm bashkëshortit të saj, Elvis Roshit. Në këtë moment, ndërsa çifti mendonte se do të kishte një fëmijë, komunikimi dhe marrëdhënia mes tyre, sipas Griseldës, ndikoi për mirë. Ajo ka shpjeguar se e ka kuptuar që nuk kishte mbetur shtatzënë rreth një muaj më pas, por pas idesë së krijuar dhe gëzimit që kishte përjetuar i shoqi, pati frikë t’i tregonte se shtatzënia kishte qenë vetëm një iluzion. Kështu, për nëntë muaj me radhë, Griselda Roshi jetoi fillimisht me disa rroba dhe më pas me jastëk të vendosur në bark, duke krijuar te shumëkush idenë e një shtatzënie normale, por edhe pritshmërinë se pas nëntë muajve bashkëshortët do të bëheshin me fëmijë. Për këtë mjafton të thuhet se bashkëshortët kishin biseduar mes tyre edhe emrin e djalit të ardhshëm. Pikërisht në kohën kur afati 9-mujor po plotësohej, Griselda Roshi ka dëshmuar se e sajoi ngjarjen për të justifikuar “humbjen” e fëmijës, që nuk e kishte pasur kurrë. Pas dhënies së këtyre deklarimeve, 28-vjeçarja ka dalë dje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth orës 14:50.

Në klinikë u paraqit me emrin e shoqes

TIRANE – Bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Kavajës ka përdorur një emër të rremë kur është paraqitur në klinikën “Ikeda” dhe ka marrë një serum mesnatën e së hënës. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, mësohet se kur është paraqitur në klinikë dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore, Griselda Roshi ka përdorur emrin e rremë, Erisa Avnimulaj, shoqja e saj. Ky emër është gjetur në dokumentet e mbajtura në klinikë për t’i dhënë serumin 28-vjeçares. Ndërkohë, në klinikën “Ikeda” janë sekuestruar edhe kamerat e vëzhgimit që kanë regjistruar hyrje-daljet e Griselda Roshit.

U kërkuan gjatë dëshmisë Psikologë në seancat me Griseldën

TIRANE – Të gjitha veprimet hetimore të kryera nga policia, Mjekësia Ligjore apo materniteti me Griselda Roshin, janë kryer në praninë e psikologëve. Që nga momenti i paraqitjes së saj në Polici për të dhënë deklarime, e duke vazhduar më pas me kryerjen e ekspertizës dje te Mjekësia Ligjore, procedurat e hetimit janë asistuar e ndjekur nga afër prej psikologëve. E njëjta gjë ka ndodhur dje gjatë dëshmisë së Griselda Roshit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku për më shumë se dy orë, një psikologe ka asistuar marrjen në pyetje të 28-vjeçares. Prania e psikologëve në procedurat e këtij hetimi është bërë për të lehtësuar komunikimin dhe për të marrë sa më shumë të dhëna nga 28-vjeçarja, duke supozuar gjendjen e ndërlikuar emocionale në të cilën ajo ndodhej.TRAZHGIM SOKOLAJ

 

Versioni i Policisë për “shtatë orët e tmerrit” të Griseldës

Policia e Tiranës deklaroi dje një pjesë të itinerarit të ndjekur nga Griselda Roshi (Zaimi) mbrëmjen e së hënës, kohë kur ajo pretendoi se ishte marrë peng.Në një deklaratë për median, policia shpjegoi dje gjithë lëvizjet e Griselda Roshit, duke nisur nga mbrëmja e së hënës, kur 28-vjeçarja ka pirë kafe te qendra “Kristal”, te “Komuna e Parisit” dhe derisa ka mbërritur në klinikën “Ikeda” në Tiranë. Ndërkohë, gazeta “Panorama” ka mësuar se edhe pas përfundimit të veprimeve në klinikë, gruaja e kryebashkiakut të Kavajës është kthyer atë natë në shtëpinë e saj me një taksi të marrë nga Tirana dhe ka zbritur shëndoshë e mirë, ndryshe nga ç’pretendohej, se ishte hedhur në një kanal.
Sipas Policisë, denoncimi me pretendimin për rrëmbim të 27-vjeçares është bërë të mërkurën, rreth orës 10:00, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Padia është paraqitur nga kunati i saj (vëllai i bashkëshortit), shtetasi Saimir Rroshi. Ai ka depozituar një kallëzim penal, në të cilin shprehej se kunata e tij, gruaja e vëllait, Elvis Rroshi, është rrëmbyer nga disa persona të paidentifikuar në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë. Saimir Rroshi, sipas policisë, në deklaratën e tij shprehej se, “Griseldën e kanë marrë forcërisht dhe e kanë detyruar të lindë jashtë dëshirës së saj. Më pas i kanë rrëmbyer foshnjën e sapolindur. Rreth orës 04.00 të datës 1 qershor 2011, ajo është lënë e lirë nga personat që e kishin rrëmbyer, pranë shtëpisë së saj, në qytetin e Kavajës”.
Menjëherë pas denoncimit, policia dhe prokuroria kanë kryer të gjitha verifikimet e nevojshme për zbulimin e ngjarjes për të cilën ishte bërë kallëzim penal. Gjatë hetimeve janë identifikuar dhe pyetur personat që janë takuar me Griselda Zaimin. Rrethi i personave ka nisur me shoqen e saj me inicialet J. T., e cila ka pohuar se “kam pirë kafe me Griseldën tek ambientet e lokalit të qendrës ‘Kristal’ (në pronësi të bashkëjetuesit të saj), ku kemi qëndruar deri rreth orës 19:00 (ditën e martë)”. Policia tha se më pas këto shtetase kanë dalë nga qendra “Kristal” dhe aty, përpara saj, Griselda ka hipur në një taksi duke i thënë shoqes që do të shkonte në shtëpi. Shtetasja J. T. deklaron se Griselda dukej shtatzënë pranë muajit të lindjes. Në vazhdim të hetimit, policia ka identifikuar dhe marrë në pyetje shoferin e taksisë me inicialet A. C. Nga dëshmia e tij ka rezultuar se ai e ka marrë shtetasen Griselda Zaimi, që në dukje ishte shtatzënë, pranë qendrës “Kristal” dhe nga aty ka ndaluar te një farmaci në rrugën “Gjik Kuqali”, ku Griselda ka blerë diçka dhe më pas, sipas kërkesës së klientes, e ka dërguar këtë të fundit tek hotel “Broadway”, që ndodhet pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë. Griselda ka bërë pagesën e taksisë, shoferi është larguar, ndërsa ajo ka hyrë në hotel.
QENDRIMI NE HOTEL
Sipas policisë, janë identifikuar dhe marrë në pyetje punonjësit e hotelit “Broadway”, që kanë kontaktuar me shtetasen Griselda Zaimi, nga ku rezulton se në deklarimin e recepsionistes me iniciale G. H. thuhet se, “Griselda është paraqitur në hotel e vetme, rreth orës 19:30, ka prenotuar një dhome duke bërë pagesën dhe më pas ka hyrë brenda në dhomë”. Recepsionistja deklaron se Griselda Zaimi dukej se ishte shtatzënë. Nga deklarimi i shtetasit me iniciale A. M., që punon në këtë hotel, rezulton se Griselda ka qëndruar e vetme në dhomë dhe gjatë kësaj periudhe nuk ka hyrë asnjë person në hotel apo në dhomën e saj. Në orën 01:50 pas mesnate, Griselda Zaimi ka dalë nga dhoma dhe i ka kërkuar këtij punonjësi të marrë një taksi, pasi nuk ndihej mirë fizikisht. Personi i pyetur deklaroi se në këtë moment Griselda nuk dukej më si shtatzënë.
Jastëku në bark
Policia dhe prokuroria dyshojnë se gjatë gjithë kësaj kohe, 28-vjeçarja ka pasur një jastëk të vendosur në pjesën e barkut, që ta bënte të dukej sikur ishte shtatzënë. Pronari i hotelit u shpreh dje për gazetën “Panorama” se gruaja është paraqitur në hotelin e tij, është prezantuar me emrin Erisilda Mulaj, nga Tepelena, dhe i ka kërkuar një dhomë, pasi ishte vonë dhe nuk kishte ku të shkonte. Madje i ka thënë që kishte nevojë të pushonte, pasi ishte vetëm dhe shtatzënë. Për këtë arsye, pronari i ka ofruar dhomën, siç tha ai dje, pa pagesë. Policia shpjegoi nga ana e saj se gjatë hetimit është marrë në pyetje edhe një taksist tjetër me inicialet B. K., që ka marrë Griseldën nga hoteli dhe e ka transportuar për në klinikën “Ikeda”, pasi ajo nuk ndjehej mirë dhe pasi e ka lënë, është larguar. Punonjësit e klinikës “Ikeda”, të marrë në pyetje, mjeku me iniciale L. G., ka deklaruar se gruaja është paraqitur në klinikë rreh orës 02:10 dhe ankohej për të vjella dhe diarre. Pasi i është bërë një seruam, ajo është larguar nga klinika rreth orës 03:20. Më pas ajo është larguar me një taksi të tretë, që e ka transportuar deri në Kavajë dhe gruaja ka zbritur pranë shtëpisë së saj, në vendin që dy ditë më parë pretendonte se ishte hedhur nga personat që e kishin rrëmbyer. Si prova materiale grupi hetimor ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë së qendrës “Kristal”, hotelit dhe klinikës mjekësore ku 28-vjeçarja ka lëvizur në Tiranë.

Ora 19:00

Kafja me shoqen. Griselda Zaimi është ndarë nga shoqja e saj me iniciale J. T, me të cilën ka qenë duke pirë kafe në lokalin në pronësi të bashkëshortit të saj, Elvis Rroshi, te qendra “Kristal” në Tiranë. Vajza me inicialet J. T. ka deklaruar në polici se ka qëndruar me Griseldën deri në orën 19:00, më pas kanë dalë nga qendra dhe Griselda ka hipur në një taksi duke i thënë shoqes që do të kthehej në shtëpi. Sipas shoqes së saj, 27-vjeçarja dukej shtatzënë pranë muajit të lindjes.

Ora 19:05

Taksia e parë
Para qendrës “Kristal”, rreth orës 19:05, Griselda Zaimi ka hipur në një taksi. Policia ka identifikuar dhe marrë në pyetje shoferin e taksisë me inicialet A. C., i cili ka treguar se e ka marrë gruan që dukej shtatzënë pranë qendrës “Kristal” dhe nga aty ka ndaluar te një farmaci në rrugën “Gjik Kuqali”, ku Griselda ka blerë diçka dhe më pas, sipas kërkesës së saj, e ka dërguar këtë të fundit te hotel “Broadway”, që ndodhet pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, në Tiranë. Griselda ka bërë pagesën e taksisë dhe më pas shoferi është larguar.

Ora 19:30

Qëndrimi në hotel
Rreth orës 19:30, Griselda Zaimi ka prenotuar një dhomë në hotelin “Brodway”, ku ka qëndruar deri në orën 01:50. Recepsionistja G. H., e pyetur nga policia, ka treguar se gruaja është paraqitur e vetme, ka bërë pagesën e dhomës dhe në dukje ishte shtatzënë. Punonjësi tjetër i hotelit, me iniciale A. M., tregon se gruaja ka qëndruar vetëm në dhomë dhe gjatë kësaj periudhe nuk ka hyrë asnjë person në hotel. Më pas, në orën 01:50, ajo ka dalë nga dhoma dhe i ka kërkuar A. M. që të merrte një taksi pasi nuk ndjehej mirë.

Ora 02:10

Vizita në klinikë
Rreth orës 02:10, Griselda Zaimi është paraqitur në klinikën “Ikeda”, pranë Rrugës Bardhyl, në Tiranë. Policia ka pyetur mjekun dhe punonjësin e kësaj klinike që kanë qenë në shërbim. Mjeku me inicialet L. G. ka treguar se Griselda është paraqitur në klinikë rreth orës 02:10 dhe ankohej për të vjella dhe diarre. Është bërë terapia nga stafi mjekësor, duke e trajtuar me serum. Sipas mjekut, në dukje gruaja nuk ishte shtatzënë dhe nuk ka pasur ankesa në lidhje me shtatzëninë.

Ora 03:20

Mbërritja në Kavajë
Rreth orës 03:20, Griselda Zaimi, pasi ka përfunduar serumin, ka dalë nga klinika, ka marrë aty një taksi të tretë dhe shoferit i ka kërkuar që ta transportonte drejt Kavajës. Policia ka identifikuar edhe taksistin e fundit me të cilin ka pasur kontakt Griselda Zaimi, i cili gjithashtu ka treguar se në dukje gruaja nuk ishte shtatzënë dhe e ka paguar që ta dërgonte në Kavajë. Rreth 50 metra larg shtëpisë së bashkëshortit të saj Elvis Rroshi, gruaja i ka kërkuar të ndalojë dhe ka zbritur rreth orës 04:00.

Shoqja: Mezi e priste lindjen e fëmijës

Një prej shoqeve të Griselda Zaimit, vajza me emrin Ilda, ka treguar dje për mediat se gruaja e kryebashkiakut të Kavajës mezi e priste lindjen e fëmijës dhe në asnjë moment nuk kishte pasur dyshime për shtatzëninë e saj. Ajo tregoi se menjëherë pasi ka mësuar për ngjarjen e rëndë nëpërmjet mediave, ka udhëtuar drejt Kavajës për t’i qëndruar pranë asaj dhe familjes për atë çfarë kishte ndodhur. Por, sipas saj, nuk ka arritur të flasë me Griseldën, pasi ajo ishte shumë e tronditur nga ajo çka i kishte ndodhur.ETLEVA DELIA

Mjekët: Shenja brisku në damarët e 28-vjeçares

TIRANE – Mjekët ligjorë kanë gjetur dje shenja të një tentative vetëvrasjeje te shtetasja Griselda Zaimi. Sipas burimeve zyrtare nga Mjekësia Ligjore dhe nga Policia, mësohet se të vetmet shenja që u konstatuan në trupin e gruas së kryebashkiakut të Kavajës ishin në njërin krah, ishin te damarët, që sipas mjekëve, është një shenjë e vjetër, që tregon se ajo mund të ketë tentuar vetëvrasjen duke prerë damarët. Mjekët kanë sqaruar se bëhet fjalë për lëndime dhe shenja në lëkurë të krijuara të paktën një vit apo më parë. Varianti i ngritur nga mjekët ka qenë se shenjat në fjalë mund të tregojnë një tentativë vetëvrasjeje të ndodhur kohë më parë.

“Te IKEDA kërkoi serum për helmim”

Mjekët e klinikës “Ikeda” kanë mbyllur krejt ciklin e dëshmitarëve të policisë dhe prokurorisë që mohojnë shtatzëninë e gruas së kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Në një deklaratë për median, mjekët e klinikës “Ikeda” kanë mohuar që Griselda Zaimi (Roshi) të ketë kryer lindje apo të jetë paraqitur në gjendje shtatzënie. Griselda Roshi mësohet se ka shkuar në këtë klinikë në orët e vona pas mesnatës së të martës. Sipas hetimeve të policisë dhe prokurorisë, pasi është dërguar nga një taksist te klinika në fjalë, 28-vjeçarja ka marrë vetëm një serum. Ajo, sipas mjekëve, pretendoi se kishte një helmim në stomak. Mjeku i klinikës “Ikeda”, Shuaip Beqiri, ka deklaruar dje se 28-vjecarja ishte paraqitur me emrin e rremë Erisa Avnimulaj.
Vajza ishte shtruar në klinikë e më pas i është bërë vetëm një serum. Sipas mjekëve, vajza nuk ka qenë shtatzënë. Gjithë veprimet e kryera në këtë klinikë janë dokumentuar dhe filmuar nga kamerat ku nuk ka pasur abort apo lindje të fëmijës në asnjë rrethanë.

Roshi shkoi në dasmë në Itali pa gruan

TIRANE – Kryetari i Bashkisë së Kavajës nuk ndodhej në Shqipëri në kohën kur vajza me të cilën ai bashkëjetonte prej kohësh, u paraqit dhe bëri denoncimin tronditës me gjithë kunatin e saj për rrëmbim dhe detyrim për lindjen e fëmijës. Elvis Roshi, sipas burimeve hetimore, ndodhej prej të paktën 2-3 ditësh në Itali për një çështje private familjare, pasi ishte i ftuar në një dasmë. Ai mësohet se do të merrte me vete bashkëshorten e vet, Griselda Roshi, në këtë gëzim të një të njohurit të tij, por duke qenë se ajo po plotësonte me ditë afatin 9-mujor të lindjes, është menduar që udhëtimi i saj të mos realizohej për shkak të problemeve që mund të shkaktonte fluturimi me avion. Sipas rregullores, nëse gruaja shtatzënë ka kaluar afatin prej shtatë muajsh, fluturimi me avion nuk këshillohet për shkak të komplikimeve që mund të lindin. Për këtë shkak, Elvis Roshi kishte udhëtuar i vetëm në Itali prej nga është kthyer menjëherë ditën e mërkurë, pasi mësoi nga vëllai i tij ngjarjen që pretendohej se kishte ndodhur me Griselda Roshin.

Ekspertiza: Griselda s’ka qenë asnjëherë shtatzënë

Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe më pas materniteti kanë rrëzuar dje njëra pas tjetrës pretendimet e Griselda Zaimit për rrëmbim dhe lindje të fëmijës me detyrim.Në orën 09:00, me kërkesë të Prokurorisë, gruaja e kryebashkiakut të Kavajës, Griselda Roshi, u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Aty iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore, të cilën dy ditë më parë e refuzoi. Fillimisht ekspertët kanë kryer ekzaminimet përkatëse për të verifikuar nëse ajo kishte shenja dhune fizike, referuar deklarimeve të një dite më parë për goditje me tytë arme etj. Instituti i Mjekësisë Ligjore ka pohuar dje se në trupin e 27-vjeçares nuk është konstatuar asnjë shenjë dhune, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë pretendimet e saj për rrëmbim.
Të mërkurën, nga shtëpia e bashkëshortit të saj në Kavajë, Griselda Zaimi rrëfeu para prokurorëve se personat që e kishin “rrëmbyer” e kanë goditur me sende të forta mbrapa koke, të paktën tri herë. Goditje që në rast se do të ishin të vërteta, do të kishin lënë shenjë që mund të ekzaminohej lehtësisht nga mjekët ligjorë. Gjithashtu, në pretendimet e saj ajo tregonte se para lindjes së detyruar i kishin injektuar një serum. Edhe ky pretendim u hodh poshtë nga mjekët ligjorë, të cilët nuk konstatuan vrimë shiringe në asnjërin krah të saj.
EKSPERTIZA GJINEKOLOGJIKE
Pas përfundimit të ekspertimit mjeko-ligjor për zbulimin e shenjave të dhunës në trupin e Griselda Zaimit, 28-vjeçarja është transportuar nga ekipi i Mjekësisë Ligjore drejt maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Një ekip i posaçëm mjekësh gjinekologë kryen vizitën dhe ekzaminimin gjine-kologjik, për të vërtetuar nëse kishte pasur lindje apo abort nga gruaja e re. Atyre iu kërkua një akt-ekspertimi nga Prokuroria për këtë verifikim. Pikërisht pas kësaj vizite doli dhe e vërteta e “shtatzënisë” së saj, çka sipas mjekëve, ka qenë një improvizim. Burime nga stafi i mjekëve thanë se Griselda Zaimi, të paktën në një hark kohor prej 5 muajsh, nuk ka qenë shtatzënë dhe nuk ka kryer lindje, as abort. Zyrtarisht, nga Policia e Tiranës thuhet se “është bërë ekzaminimi mjeko-ligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe ekzaminim gjine-kologjik në maternitetin ‘Mbretëresha Geraldinë’, nga ku rezulton se shtetasja Griselda Zajmi nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë”. Specialistët shpjegojnë se gjatë ekzaminimit nuk është zbuluar asnjë shenjë lindjeje apo aborti, shenja që sipas tyre janë të dukshme në rast se aborti ndodh pas muajit të parë të shtatzënisë.

Akt-ekspertimi: Griselda nuk lind fëmijë

Siguria absolute e mjekëve për faktin se Griselda Roshi kishte sajuar shtatzëninë e saj, është krijuar dje kur gjatë verifikimeve është konstatuar me akt-ekspertimi se ajo nuk është në gjendje për të lindur fëmijë. Burime nga grupi hetimor kanë thënë se mjekët ligjorë, gjatë akt-ekspertimit të tyre, janë shprehur se 28-vjeçarja është në pamundësi për të lindur fëmijë.

Bashkiaku dorëzon gruan te familja, kërkon falje publike

Elvis Roshi, kryetar i Bashkisë së Kavajës, duket se i ka dhënë fund dje historisë dhe marrëdhënies së tij me Griselda Zaimin.Me anë të një deklarate për median, ai kërkoi dje ndjesë për lajmin e tmerrshëm të tri ditëve më parë, që rezultoi i rremë. Pak minuta pasi gruaja kishte dalë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku edhe vetë kishte pranuar sajimin e ngjarjes, Elvis Rroshi, me ndihmën e disa miqve të tij, e ka transportuar Griseldën drejt shtëpisë së prindërve të saj në Tiranë. Edhe pasi ka marrë vesh të vërtetën, burime nga grupi hetimor thanë se Rroshi ka kërkuar përkujdesje maksimale ndaj saj dhe kurimin në rast se vërtet ajo vuan nga ndonjë depresion, ashtu siç i është prezantuar situata nga oficerët e policisë dhe psikologia. Rreth orës 15:30, Elvis Rroshi është shfaqur në oborrin e pallatit të ri ku banon familja e Muhamet Zaimit, me një fuoristradë të zezë, i shoqëruar nga bashkëshortja, Griselda Zaimi dhe dy persona të tjerë. Dëshmitarë që i kanë parë në momentin kur zbrisnin nga makina treguan dje se pavarësisht se nuk debatonin, burrë e grua nuk qëndronin pranë njëri-tjetrit. Për disa minuta Elvis Rroshi është ngjitur bashkë me Griselda Zaimin në katin e katërt të pallatit ku banon familja e saj dhe ka qëndruar vetëm disa momente aty. Më pas ai ka dalë nga godina e banimit dhe është larguar për tek miqtë e tij. Disa burime, persona të njohur të çiftit, treguan se kryebashkiaku ka vendosur të ndahet nga 28-vjeçarja pas gjithë historisë që u sajua nga vetë ajo. Në një moment ai është shprehur se ndjehet i turpëruar nga e gjithë kjo që ka ndodhur dhe nuk gjen dot shpjegim për të arsyetuar të gjitha veprimet e të shoqes në një kohë që ai priste të bëhej baba, madje me një djalë.
Reagimi i Roshit
Pas versionit zyrtar të Prokurorisë, Policisë dhe Mjekësisë Ligjore për trillimin e Griselda Roshit, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, përmes një deklarate shpërndarë përmes e mail-it redaksive të mediave, kërkoi ndjesë publike. “Në emër të familjes sime, të babait, nënës, vëllait, motrës dhe të afërmve, si edhe në emrin tim personal, i kërkoj ndjesë opinionit publik për tmerrin e lajmit të djeshëm që sot rezultoi i pavërtetë. U kërkoj ndjesë bashkëqytetarëve të mi kavajas që ndanë me mua dhe familjen orët e mia më të vështira të jetës duke na ndenjur pranë gjatë kohës kur e vërteta për ne ishte fare tjetër nga sa doli. U kërkoj ndjesë të veçantë miqve të Partisë Socialiste që nuk u kursyen në solidaritetin me familjen time”, shprehet në deklaratën e tij Roshi. Gjithashtu ai falënderon dhe Prokurorinë dhe mjekët e përfshirë në zbardhjen e ngjarjes. “Ata bënë gjithçka me shpejtësi, profesionalizëm dhe mirësjellje njerëzore. U kërkoj ndjesë edhe atyre për gjithë atë stres. Falënderoj edhe median për vëmendjen e veçantë. Kërkoj të na falin për mundimin dje të të gjithë gazetarëve e kameramanëve që qëndruan me orë deri natën në rrugën para shtëpisë”, shprehet Roshi. Si kryetar i sapozgjedhur për të drejtuar Bashkinë e Kavajës, Elvis Roshi angazhohet se do t’i shërbejë këtij komuniteti me përgjegjësi maksimale. “Çdo njeri mund ta kuptojë fare mirë gjendjen shumë të vështirë ku unë vetë ndodhem. E vetmja gjë që premtoj me bindjen më të thellë është angazhimi im maksimal për t’u shërbyer qytetarëve kavajas dhe qytetit tim, me të cilin ndjehem sot në një borxh edhe më të madh”, shprehet Roshi në deklaratën e tij për ndjesë publike.

Çfarë është sindromi i shtatzënisë së fantazuar

Literatura mjekësore dhe ligjore njeh konceptin e mashtrimit apo vetëmashtrimit në shtatzëni. Sipas mjekëve dhe specialistëve, “sindromi i shtatzënisë histerike” është i njohur në praktikë. Pa qenë në gjendje shtatzënie, gruaja krijon bindjen te vetja ose te të tjerët se është në pritje të një fëmije. Kjo gjendje shoqërohet me një formë halucinacioni. Gruaja stimulon gjendjen e shtatzënisë dhe përjeton një situatë që është krejtësisht fiktive. Por pse stimulohet shtatzënia histerike?
Gruaja e përjeton këtë efekt nën ndikimin e dëshirës dhe tendencës së lartë për të pasur një shtatzëni. Shpesh, gra me instinkt të fortë mëmësie dhe me dëshirë të lartë për të pasur një fëmijë, krijojnë psikologjikisht bindjen se janë shtatzëna. Zakonisht kjo ndodh pas një momenti të gjatë dyshimesh dhe pritje për të konfirmuar një shtatzëni të mundshme. Kjo situatë është patologji shëndetësore dhe rasti kërkon mjekim dhe kurim. Për rastin e ndërprerjes së shtatzënisë, një abort i pavullnetshëm apo një rrethanë që shkakton ndërprerje të shtatzënisë nuk përcillet me realizëm nga gruaja. Vijon për të i njëjti përjetim i gjendjes së mbajtjes së fetusit dhe rritjes së tij. Edhe ky është rast që kërkon trajtim mjekësorë për të sjellë në gjendje normale gruan nën veprimin e shtatzënisë me histeri. Parashikohet gjithashtu edhe stimulimi psikologjik i një mashtrimi. Përveç instinktit të fortë të mëmësisë, një grua në moshë riprodhimi mund të përjetojë një shtatzëni histerike edhe për shkaqe që përkojnë me ambicien e saj për të përdorur shtatzëninë si mjet për të rritur pozitën sociale e familjare. Ky rast qëndron ndërmjet sjelljes psikike dhe sjelljes sociale që shoqërohet me veprimin e mashtrimit. Gruaja në gjendjen e sipërshënuar vijon të stimulojë sjellje të natyrshme të gruas shtatzënë, madje mund të provokojë edhe nga ana fiziologjike sjellje që përkojnë me gjendjen shëndetësore të shtatzënisë.Aranita Brahaj

“Zëri i Popullit”: Po kthehen rrëmbimet e SHIK të ‘92-’97

Partia Socialiste, përmes gazetës së saj “Zëri i Popullit”, u përpoq dje që ngjarjen me gruan e kryebashkiakut të Kavajës, të paraqitur në variantin e parë të saj, ta trajtonte politikisht. “ZP” u hap dje me titullin e madh bombastik, “Në humnerë, rikthehen metodat e rrëmbimeve të SHIK-ut 1992-1997. Në shok Kavaja dhe gjithë Shqipëria”. Partia Socialiste u rezervua që të bënte deklarata politike ndaj kësaj ngjarjeje. Mbrëmjen e së mërkurës, kreu socialist, Rama, me bashkëshorten e tij, Linda, por dhe një grup prej mbi 20 deputetësh dhe grash deputete, ishin në mbështetje të familjes së Elvis Roshit, por si rrallë ndonjëherë në raste të tilla të rënda, nuk është bërë asnjë deklaratë nga eksponentët e saj. Por në mëngjes, kur një pjesë e historisë filloi të sqarohej, gazeta “ZP” doli me qëndrim politik ndaj kësaj ngjarjeje.

Zbulohet e-maili i Veliajt për ambasadorët: Kanë rrëmbyer gruan e Roshit

Anëtari i Asamblesë së PS-së, Erion Veliaj, i ka informuar dje ambasadorët në Tiranë se gruaja e kryebashkiakut të Kavajës është rrëmbyer dhe i është marrë peng fëmija. Nëpërmjet një e-mail-i, Veliaj ka përshkruar në anglisht ngjarjen me nota politike, duke përmendur edhe kërcënimet gjatë fushatës për kandidatin e PS në Kavajë. Veliaj ka paralajmëruar edhe një reagim të Ramës për ngjarjen, por që pas vizitës në shtëpinë e Roshit mund të jetë anuluar. Më poshtë po botojmë tekstin e plotë të e-mail-it të Erion Veliajt.

 

Miq,
Një lajm i trishtuar na ka shokuar të gjithëve ne në PS. Natën e kaluar, gruaja shtatzënë e kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, u rrëmbye në një qendër tregtare në Tiranë. Pasi është keqtrajtuar barbarisht nga rrëmbyesit, ajo është dërguar në një vend të panjohur, ku i kanë hequr fëmijën. Në orën 4 të mëngjesit, e mbuluar nga gjaku, znj. Roshi është lënë afër shtëpisë së saj në Kavajë (50 kilometra larg kreqytetit). Nuk ka ende ndonjë njoftim nga policia. Kavaja ka qenë zona elektorale ku është zgjedhur Berisha deputet për 20 vjet. Socialistët fituan në Kavajë për herë të parë më 8 maj, dhe kjo është konsideruar si fitorja më simbolike e zgjedhjeve. Gjatë fushatës elektorale, z.Roshi dhe shtabi i tij kanë marrë kërcënime për shkak të garimit të tij për postin e kreut të Bashkisë. Kreu i PS, Edi Rama, do të lëshojë një deklaratë shtypi pas një ore…
…Duke pasur parasysh rrethanat shumë të rënda të situatës në Kavajë, ky njoftim do të jetë i shkurtër dhe më tepër informacion politik do t’ju japim nesër.
Faleminderit
Erion

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura