Festivali i RTSH, 30 këngë në garë, ja këngëtarët

Oct 23, 2015 | 15:19
SHPËRNDAJE

Janë tri këngë që do të konkurrojnë këtë vit në Festivalin e Këngës në RTSH. Dominojnë emrat e rinj, por tek-tuk shquhet edhe ndonjë “veteran” i festivaleve. Stafi organizator bëri të njohur dje emrat e këngëtarëve dhe formulën e festivalit. Krahas Elton Dedës, i cili është zbuluar tashmë si drejtor artistik i festivalit, u bënë të njohur edhe emrat e regjisorit e skenaristit. Bëhet fjalë pikërisht për vëllezërit Pandi e Bledi Laço.
kengetaret-

Për sa u takon emrave të këngëtarëve, mund të shquash ndër ta shumë të rinj, fitues ose pjesëmarrës në spektaklet e talenteve të zhvilluara nga “Top Channel” dhe “TV Klan”, “Voice of Albania” dhe “X Factor”.

Mund të përmendim Edea Demaliaj, Florent Abrashi, Aslajdon Zaimaj, Sigi Bastri, Jozefina Simoni, Lind Islami etj. Për sa u takon këngëtarëve “big”, ndër ta shquhen Eneida Tarifa, Flaka Krelani, Kristi Popa, Renis Gjoka, Luiz Ejlli, Klajdi Musabelli.

Nuk do të mungojë as Kozma Dushi, ndër të paktët këngëtarë të brezit të tij, për të mos thënë i vetmi, që vijon të marrë pjesë në festivalin e fundvitit.

Drejtori artistik, Elton Deda, u shpreh se “në edicionin e 54-t të Festivalit të Këngës në RTSH janë përzgjedhur 30 këngë, nga 70 që u paraqitën para komisionit përzgjedhës.

Festivali do të mbahet në 3 net, në datat 25, 26 dhe 27 dhjetor. Në dy netët e para do të performojnë 15 këngë, nga të cilat do të përzgjidhen 9 këngë për çdo natë, për në natën finale.

Nata finale do të ketë 18 këngë”.

Organizatorët premtojnë larmi zhanresh muzikorë e cilësi artistike. “Për numrat artistikë që do të realizohen në festival jemi duke diskutuar dhe punuar së bashku me stafin, ku sigurisht do të ketë disa numra specialë për disa artistë që janë ndarë nga jeta. Në natën finale do të ketë të ftuar specialë që mund të jenë jashtë Shqipërisë”, tha Deda.

Ashtu si prej 12 edicionesh, edhe këtë herë, kënga fituese do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian. Pas konferencës së shtypit u hodh shorti i radhës së këngëtarëve sipas netëve përkatëse.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura