“Erdhi dhe më qau në zyrë”- Zbardhet ditari sekret i Enverit: Mehmeti s’pyeti as Nexhmijen dhe as mua për fejesën me Silva Tudiun. Djali kishte lënë tre çupa, skandalet i mora vesh nga…

SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Krisja e parë në marrëdhëniet Hoxha-Shehu, dy njerëzit më të fuqishëm të regjimit komunist, është shënuar më 11 shtator 1981. E ka memorizuar këtë vetë Hoxha në ditarin personal, ku përshkruan një takim të pazakontë me ish-Kryeministrin atë pasdite vjeshte, që ka mbetur mister…

ENVER E NEXHMIJE HOXHA ME MEHMET SHEHUN (MAJTAS) SILVA TURDIU
ENVER E NEXHMIJE HOXHA ME MEHMET SHEHUN (MAJTAS) SILVA TURDIU

Të parët që janë njohur me përmbajtjen e asaj bisede kanë qenë Ramiz Alia dhe Hekuran Isai, dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të Hoxhës, të cilët i ka thirrur të nesërmen e atij takimi dhe u ka vënë në dukje çfarë ka konsumuar me Shehun një ditë më parë. Tekstin e plotë të këtij diskutimi, “Panorama” e botoi në dy numrat e mëparshëm.

Po sakaq, Enveri e ka hedhur me dorën e tij përmbajtjen e bisedimeve kokë më kokë me Shehun. “Thirra Mehmetin nga Korça, – shkruan ai në shënimin e së premtes së 11 shtatorit 1981, – për ta pyetur për fejesën e djalit të tij me vajzën e një familjeje me plot kriminelë lufte, të pushkatuar e të arratisur. Kjo çështje zien në të gjithë Tiranën, por unë e mora vesh indirekt. Mehmeti e kishte bërë këtë fejesë me plot dijeni.

Ky është një gabim i rëndë politik nga ana e tij. Biseda me të është në dorëshkrim në kasafortën time.” Me aq sa dëshmon Hoxha në ditar, bën të qartë përmbajtjen e çështjes, ku zbulon për herë të parë gabimin e Shehut, që ka lejuar një lidhje problematike të djalit të tij; po rezervohet të artikulojë detajet e ngjarjes, të cilat i ka zbardhur në letër dhe i ka sekretuar në kasafortën personale. Askush deri më sot nuk ka mundur të depërtojë në këtë të fundit, për të mësuar sadopak nga misteret e bisedës së shumëpërfolur.

Regjistrimi i saj nga Hoxha, i cili shpjegon se ndodhet në kasafortën e tij, nuk është gjendur asnjëherë. I vetmi fakt që më së shumti paramendohet për takimin e 11 shtatorit ’81 ka të bëjë me bindjen e Shehut nga Hoxha për të prishur fejesën e të birit. Sakaq ka një tjetër pohim, sipas së cilit, takimi sekret i asaj pasditeje vjeshte ka shënjuar fillimin e likuidimit të Shehut dhe ngritjen e Ramiz Alisë.

ENVER E NEXHMIJE HOXHA ME MEHMET E FIQRETE SHEHUN
ENVER E NEXHMIJE
HOXHA ME MEHMET E
FIQRETE SHEHUN

Sidoqoftë, qasje të tilla sado bindëse, mbeten në kufijtë e hipotezave. Ajo që dihet është tatëpjeta e vrullshme e Mehmet Shehut pas bisedës misterioze të premten e zezë së 11 shtatorit 1981. Pështjellimet e papritura në familjen e ish-Kryeministrit në fillimin e vjeshtës së atij viti, në një mënyrë apo një tjetër, konturuan dimensionet e një intrige vrastare. Kronologjia e tyre fillon me lajmin e mirë që Shehu merr nga i biri, mbrëmjen e 31 gushtit, lidhur me vendimin për t’u fejuar me një vajzë të njohur në Tiranë. Ish-Kryeministri gëzohet që më së fundi i biri, të cilin e kishte pikë të dobët, po bënte zgjedhjen e shumëpritur, por njëherazi tronditet kur mëson biografinë e papërshtatshme të vajzës që ka zgjedhur. Nusja që do të kapërcente portën e vilës kryeministrore vinte nga radhët e volejbollisteve të Dinamos dhe ishte vajza e një profesori të njohur të Universitetit të Tiranës, që flitej se kishte llogari të hapura me regjimin. I njohur edhe zyrtarisht nga Sigurimi i Shtetit me problemet biografike të nuses, Shehu e shpalli fejesën po atë javë, pa pyetur këtë radhë as Hoxhën. Ceremonia e fejesës, por sidomos vizita e çiftit Hoxha, që e uroi ndër të parët në shtëpi, i fashiti deri diku dilemat e Kryeministrit për profilin politik të nuses së të birit. Deri këtu, Hoxha nuk di asgjë për atë çfarë stononte në lidhjen e djalit të Shehut. “Vamë uruam Mehmetin dhe Fiqireten për Nelin që u fejua”, shkruan ai telegrafisht në shënimin e datës 3 shtator 1981. Vetëm pesë ditë më vonë, Hoxha ndërron befas kryekëput mendje për fejesën e porsacelebruar. Njeriu që guxoi t’i tregojë të vërtetën, siç dëshmon Hoxha në dorëshkrimet e tij, është Ramiz Alia, një nga liderët e rëndësishëm të Partisë, që deri në atë kohë nuk ishte shquar ndër të tjerët për protagonizëm të lartë. “Bisedova me shokun Ramiz, shkruan Hoxha në ditar për takimin e datës 8 shtator 1981, ai e dinte për fejesën e djalit të Mehmetit me çupën e Turdiut dhe më tregoi mbi përbërjen me plot armiq të familjeve Turdiu dhe të Pipajve”. Nga ky moment, Kryeministri dhe familja e tij e shikojnë veten në një duel pa fund. Hoxha që i kishte besuar Shehut drejtimin e qeverisë për 27 vite me radhë, jo vetëm s’mund ta falte për rrëshqitjen në “batakun e armikut të klasës”, por vështronte përtej saj. Takimi i 11 shtatorit ’81 është vetëm stacioni i parë i dyluftimit Hoxha-Shehu. Ajo çfarë është konsumuar në bisedën e asaj pasditeje të largët midis numrit një dhe dy të regjimit, është zbardhur nga vetë Hoxha dhe është koleksionuar në dosjen konfidenciale. Gazeta “Panorama” ka siguruar dorëshkrimin e rrallë dhe e publikon në vijim të ciklit “Dosja sekrete”. Ajo që bie në sy në përballjen e dy udhëheqësve, është përpjekja e Hoxhës që të bindë Shehun për të prishur fejesën e të birit. Po si reagon ish-Kryeministri për të korrigjuar gabimin dhe sa ndihet ai i penalizuar që ka bërë një martesë të palejueshme nga ana politike dhe pa pyetur Hoxhën? Studiues e historianë të ndryshëm që janë marrë me këtë çështje pohojnë se katër orët e debatit të 11 shtatorit, kanë bindur Shehun të prishë fejesës, por dorëshkrimet e Hoxhës konfirmojnë tjetër gjë. Vendimi i Kryeministrit për t’iu përgjigjur apelit të Hoxhës, është konfirmuar prej tij pas dy takimeve të tjera që kreu i regjimit ka thirrur me ngulm. Ditët në vijim do të zbardhim tekstin e plotë të dialogëve që kanë shkëmbyer Hoxha me Shehun në takimet e datave 12 dhe 13 shtator 1981…

enveri

DORËSHKRIMI I ENVERIT

Takimi i parë

E premte, 11 shtator 1981

Gabimi i rëndë politik i shokut Mehmet Shehu

Shokun Mehmet e lajmërova të linte punën në Korçë dhe të vinte në Tiranë. Ai u kthye dhe i shtrova çështjen e djalit të tij Skënderit, i cili u fejua me vajzën e Turdiut (profesor), biografinë e të cilit (dhe të gruas së tij nga Pipajt) po e bashkëngjit.

Kjo martesë e palejueshme nga ana politike u bë nga Mehmeti pa më pyetur fare mua dhe pa më thënë as lajmin që e fejoj djalin. Këtë fejesë e mora vesh rastësisht nga Iliri, të cilin e kish thirrur për të pritur nusen Mehmeti në shtëpi.

Kur na tha Lilua, Nexhmija dhe unë u gëzuam dhe të nesërmen vamë të uronim Mehmetin dhe Fiqretin për fejesën dhe vajtjen në shtëpinë e re. Atje ishte dhe nusja, bëmë fotografi me të dhe të tjerët si zakonisht. Mehmeti, Fiqreti ishin të gëzuar.

Të hënën, Mehmeti, në qoftë se nuk gabohem, shkoi në Korçë dhe të martën unë u informova se me ç’njerëz u bë kjo krushqi. Natyrisht u çudita pa masë dhe u revoltova. Pyeta shokë të Byrosë a kishin dijeni, disa më thanë po, disa jo, kurse Tirana ziente: Disa thoshin “nuk e besojmë ta bëjë Mehmeti”, disa të tjerë “si e bëri Mehmeti”, të tjerë “kjo është e dënueshme”. Që fejesa qe mbaruar, unë e dija se vajta dhe e urova, por vallë a e dinte Mehmeti këtë përbërje plotë reaksionarë, të arratisur dhe të pushkatuar, eksponentë të reaksionit shqiptar etj.

Prandaj e thirra Mehmetin dhe e pieta: Para se të bëje fejesën e djalit, pyete për familjen e prindërve? Mehmeti m’u përgjigj me seriozitet: “Pyeta, e di që në familje ka të arratisur politikë, ka edhe të pushkatuar etj.”.

I them se ke bërë një gabim politik, kjo është shkelje e vijës së Partisë, kjo është e dënueshme etj. Si e bëre ti këtë gabim të madh?

Natyrisht, ai u trondit dhe pranoi se ky ishte një gabim shumë i rëndë, po ja, e bëra s’e mendova mirë, më tërhoqi sentimenti i sëmurë karshi djalit, pse djali kështu, djali ashtu (djali i tij ka lënë dy tri çupa, ka bërë skandale që unë nuk i dija, por me këtë rast m’i thanë shokët dhe që i kritikova rëndë që jo vetëm nuk ia vënë në dukje Mehmetit, por m’i fshihnin edhe mua dhe m’i thanë kur u bënë kapicë).

I them Mehmetit, jo vetëm ke bërë këtë gabim të madh politik, por as more mundimin duke i njohur këto biografi të Turdive të më pyesje edhe mua. Pse veprove kështu, duhet të analizoç shkaqet dhe ç’mendon të bëç. Unë mund të të them dhe do ta them mendimin tim se ç’duhet të bëç, por meqë s’më pyete kur e bëre, mendoje vet se ç’duhet të bëç dhe sa më parë, se po dëmtohet Partia.

Më tha duke përsëritur se ka bërë shumë gabime të rënda dhe do mendohet për masat që duhet të marrë. Përshtypja ime ishte se ai ishte i bindur kur e bëri këtë fejesë, se ajo nuk ishte e gabuar. E kish mendjen të fjetur e të qetë. Kur e pieta, m’u përgjigj me seriozitet sikur s’ishte e gabuar kjo fejesë, por kur ia shpjegova, atëherë ra në gropë, u trondit, qau, por prapë nuk e thellonte dot gabimin. Akoma bindja se kish gabuar rëndë, nuk e realizonte plotësisht. Kjo është në natyrën e tij për personin e tij, për mendimet e tij të pagabuara etj.

E përcolla duke e këshilluar të reflektonte thellë dhe të më komunikonte vendimin.

E inkurajova, pse u lëshua fare. 11.9.1981

Bisedën e bëra në studion time në shtëpi.

P.S. Bashkangjitur biografitë e familjeve të prindërve të nuses.

Vijon…

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

1 – EKSKLUZIVE/ “Djali shkonte me një k*rvë, e njohur në gjithë Tiranën”- Zbulohet dosja sekrete në kasafortën e Enverit, zbardhet biseda me Mehmet Shehun pas fejesës me Silva Turdiun

2-  EKSKLUZIVE/ Zbardhet ditari sekret i Enverit, përplasja e fortë me Mehmet Shehun për fejesën e djalit me Silva Turdiun: Sa u lirua nga burgu çau ferrën, Arshi Pipa armiku më i poshtër dhe agresor ka lidhje me…

3-  DOKUMENTI/ Zbulohet shkresa sekrete në kasafortën e Enverit, debati i ashpër me Mehmet Shehun: Duhet prishur fejesa me Silva Turdiun. Djali shkonte me një k*rvë, tani përfundoi në…

4- EKSKLUZIVE/ Zbardhen diskutimet sekrete mes Enver Hoxhës dhe Hekuran Isait: Faj ka dhe Fiqireti. Nusja e djalit të Mehmetit merrte ushtarakët në motoskaf, rrinte këmba mbi këmbë me cigare në gojë dhe lahet në det para…

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.