Enkelejd Zoraqi, djali i sopranos e kompozitorit të njohur: Gjenovefa Heba dhe Nikolla Zoraqi, dashuria përtej tabuve

Jan 26, 2015 | 14:10
SHPËRNDAJE

Gjenovefa me bashkëshortin, Nikolla Zoraqi dhe të bijën Teutën
Emrin e saj shumë pak veta mund ta kujtojnë sot si artiste në skenë. Por ata që e kanë njohur nga afër, kanë punuar me të e i përkasin një periudhe më të hershme, mund ta sjellin ndërmend shumë lehtë Gjenovefa Hebën. Artistja, gruaja e kompozitorit të njohur Nikolla Zoraqi, do të duhej të mbartte me vete jo vetëm dëshirën dhe pasionin për skenën, por edhe pengje të fshehura e strehuara në zemrën e saj. Edhe skena artistike në ato vite ishte e ngushtë dhe artistes të shkolluar në Moskë, do t’i duhej të përballonte nën presion izolimin e jetës shqiptare. Në dallim me këtë atmosferë të varfër, Gjenovefa Heba ishte sopranoja që ftohej të merrte pjesë në koncertet që zhvillonin artistët e Teatrit të Balshoit në Bashkimin Sovjetik apo edhe në festivale ndërkombëtare të rinisë atje, në Helsinki më 1961, Varshavë apo Berlin. Porse përtej krijimtarisë dhe moslirisë së atyre viteve si për shumë artistë të tjerë, Gjenovefa Heba, në heshtje dukej se ballafaqohej edhe me një atmosferë disi paragjykuese lidhur me jetën e saj personale. Nga një dashuri e hershme rinie ajo kishte sjellë në jetë djalin e saj, Viktorin (vëllai i tij si dhe të afërmit nga ana e nënës e njohin me emrin Saimir), për të cilin, pavarësisht se fëmijë jashtë martese, do të kujdesej me aq sa mundej. Sopranoja e bukur, e cila ishte e pavarur në zgjedhjet dhe gjykimet e saj, “kokë më vete”, siç mund ta cilësonte i biri, arriti megjithatë që përtej ngurtësisë së kohës t’i dilte për zot fatit të të birit e të ishte një zonjë e nderuar. Në këtë bisedë për “Unë gruaja”, i biri i saj, djali i ardhur nga martesa me artistin Nikolla Zoraqi, rrëfen më shumë për të ëmën, si e kujton ai dhe “pengjet” që sipas tij e mundonin, mes të cilëve edhe sëmundja e së bijës, Teutës, e cila kaloi një depresion të rëndë e prej ku, vështirë se do ta merrte veten…

Tani, kur pas disa ditëve bëhen tre vjet që nëna juaj nuk është mes të gjallëve, çfarë kujtoni prej saj?

Gjenovefa me të shoqin në një shfaqje në opera
Gjëja e parë që kujtoj është dhembshuria si nënë. Më mungon më tepër në darkë, kur kthehem nga puna. Normalisht më pret familja, por nëna të pret në mënyrë tjetër, që nga mënyra si të sheh, kur ke sidomos njëfarë kohe pa e takuar. Më mungon një këshillë prej saj. Njeriu sado që të rritet në moshë, ka nevojë për këshillën e një personi tek i cili ka besim absolut. Prindërit janë nga ata njerëz, mendoj personat e vetëm te të cilët njeriu ka besim absolut.
Të dy prindërit tuaj janë emra të njohur në fushën e muzikës, nëna si soprano, e babai Nikolla si kompozitor. Brenda dhe përtej këtij raporti, si ishin marrëdhëniet midis nënës dhe babait tuaj?
Me babain kam kujtime më të largëta se u nda herët nga jeta. Por me sa kujtoj, mami dhe babi kanë pasur një lloj marrëdhënieje të heshtur, një lloj mirëkuptimi të heshtur, sidomos në vitet e mëvonshme. Unë nuk e di si ka qenë marrëdhënia e tyre në kohën kur kanë qenë më të rinj, por mbaj mend që mami e kuptonte babin pa i folur fare, asnjë fjalë. E dinte shumë mirë kush ishte programi i tij, çfarë nevojash kishte, çfarë kërkesash, si duhej sjellë ose jo, çfarë njerëzish duhej të vinin në shtëpi, çfarë ushqimesh i pëlqenin e me radhë. Kështu që nuk kishte nevojë për kërkesa ditore: më bëj këtë apo atë, etj. Kjo marrëdhënie e heshtur është sa e mirë, aq edhe jo se ndonjëherë bëhet pak monotone. Ndoshta edhe sepse unë personalisht dua që marrëdhënia mes njerëzve të jetë më dinamike. Do të doja të shihja prindërit e mi edhe të grindeshin, gjë që s’e kam parë ndonjëherë.
Si janë njohur prindërit tuaj?
Mami e babi janë njohur që në lice. Mamaja ka qenë në lice për pikturë, babai ka qenë 3-4 vjet më i madh, për violinë. Janë njohur që këtu, madje edhe pa u futur në lice. Komuniteti i Tiranës në ato vite ka qenë shumë i lidhur, për më tepër komuniteti vlleh. Dhe edhe martesat kryesisht bëheshin mes komunitetit, e të dy prindërit e mi janë vlleh. Pastaj, babi në lice ka qenë një nga personat “VIP” të Liceut. Ishte person shumë i njohur në rrethet artistike të asaj kohe. Ishte dhe tip shumë kapricioz e kryeneç, person i spikatur dhe biond simpatik, që ka qenë në qendër të vëmendjes së vajzave. Megjithatë, prindërit e mi janë lidhur më vonë, në Moskë, kur kanë qenë për studime.
Po për sa i përket anës profesionale të nënës, si e keni njohur atë?
Nënën time e kam arritur në skenë kur ajo ishte në fund të karrierës së saj. E kam parë “live” vetëm në pak shfaqje, sepse ishte një metodë atëherë që këngëtarët dilnin në pension që 45 vjeç. Por nuk e di si ka mundësi dhe si ka jetuar ajo gjithë ato vite në pension. Gjithsesi, pas daljes në pension pati angazhime të tjera profesionale, jepte mësim. Pati disa vajza që i ndoqi nga Liceu në Akademinë e Arteve, shumica e të cilave vazhduan karrierën si këngëtare. Kështu që e ruajti marrëdhënien me artin.
A e ndihmonte babai në këtë drejtim?
Po. Ka pasur edhe disa vepra që babi i ka shkruar, dedikuar për mamanë. Njëra është “Mall dashurie”, këngë apo romance, që është gjëja më e bukur që i pëlqej krijimtarisë së tim eti. Ai ka shkruar disa pjesë për nënën time. Edhe kur shkruante, ai ia dinte karakteristikat e zërit e kështu me radhë e i përshtatej, edhe pse nuk besoj se kanë qenë shumë gjërat e dedikuara. Kjo ishte natyra e babit: nuk donte të përzinte familjen me profesionin, gjë që ndonjëherë nuk është shumë e mirë.
Nga bisedat që bëheshin në familje, si i kujtoni prindërit?
Unë isha i vogël duke i referuar moshës së tyre. Në një kohë që mund të isha më i përfshirë në jetën familjare, patëm ca probleme me motrën, probleme shëndetësore po i quaj, që na i prishën gjithë qetësinë e një jete normale familjare. Motra pati probleme depresioni, që na e prishën qetësinë, pikërisht në atë moshë që unë isha në gjimnaz dhe isha në gjendje të merrja pjesë në jetën aktive të familjes. Tani është më e lehtë nëse ndokujt i ndodh diçka e tillë, por ne na ndryshoi krejt jeta. Mbase tani do të kishim mundësi të gjenim një lloj qetësie pa prishur ekuilibrat. Mirëpo atëherë, nëse e keni parasysh jetën e atëhershme, një gjë e tillë të ndodhte në familje, rrinin pezull të gjithë. Sidomos raste të tilla quheshin fatale, sikur kishte marrë fund gjithë familja. Nuk kishte as trajtime mjekësore. Ishin vitet ’80 dhe nëna u dedikua plotësisht pas motrës. Patëm dhe peripeci të tjera, kur pasi mbarova shkollën, ika menjëherë në emigracion në vitet ’90. Qëllimi ynë ishte të shkonim në Greqi e të fusnim motrën në një trajtim më të mirë.
Përgatitej në shtëpi përpara shfaqjeve?
Nuk e mbaj mend në fakt të bënte në shtëpi përgatitje e prova. Ajo shkonte në punë të bënte prova, vokaliza etj. Di që shkonte. Ka ca shprehje kështu për këngëtarët që janë nga njerëzit më dembelë në botë. Është dhe shprehja e famshme që nëse një instrumentist do 15 orë punë, këngëtari do 15 orë gjumë. Që do të thotë se këngëtari nuk ka nevojë për gjë, vetëm se i ka falur Zoti zërin dhe duhet ta ruajë e kujdeset mirë. Megjithatë ajo kishte regjim të veçantë e bënte ushtrime të caktuara, sidomos për pjesën e frymëmarrjes dhe në pjesën e ushqimit. Kishte ca gjëra të fiksuara që në shkollë. Prindërit e mi e kanë bërë shkollën në Moskë dhe ca gjëra që i kishin marrë atje ishin të padiskutueshme.
Duke pasur parasysh edhe historitë e treguara, por edhe atë si e mbani ju mend, çfarë natyre ishte Gjinovefa Heba?
Kur ka qenë e vogël (vajza ime e vogël i ngjan) ka qenë goxha çamarroke dhe i merrte vetë vendimet. Kështu i ka marrë vendimet deri në fund të jetës. Ka qenë goxha e pavarur dhe autoritare edhe në familje. Nuk bëhej fjalë për të bërtitura, por ishe autoritare. Nëse kishte qejf të shihte një koncert, shkonte dhe e shihte vetë, edhe atëherë kur ishte 5 apo 8 vjeç. E ka pasur të zhvilluar si veti pavarësinë dhe vendimmarrjen. Unë s’e kam trashëguar, e ka trashëguar vajza ime bashkë me talentin.
Thatë se në familje vuajtët shumë sëmundjen e motrës. Kishte “pengje” të tjera nëna juaj për sa i përket jetës artistike a familjare?
Unë kam dhe një vëlla vetëm nga mami, rreth 15 vjet më të madh se unë. Edhe në Moskë, mami ka qenë bashkë me të. Mami ka pasur një marrëdhënie dashurie këtu, që nuk i eci dhe lindi një fëmijë, që është vëllai im. Ai është mësues në lice dhe ka studiuar për Teorikë muzike. Kur ka qenë me të në Moskë, Saimiri ishte rreth 3 vjeç dhe mami e linte në kopshtet ditore. Në ato vite ka qenë e vështirë për të, megjithatë ajo ia doli. Studionte me bursë, por merrte njëfarë ndihme për vëllain dhe punonte e bënte dy-tre punë përveç shkollës. Në ato vite punonte spikere në Radio Moska, bënte edhe koncerte e kishte goxha honorare të larta. Madje kjo pjesë që merrte nga punët që bënte ishte disa herë më e lartë se bursa që merrte.
Pas kthimit nga Moska në Tiranë, u martua me babain tuaj? Vazhdoi të jetonte vëllai me nënën e më pas dhe me ju?
Pasi u kthye mami e u martua me babin, vëllai nuk ka qenë në shtëpi, por ka jetuar te tezja. Nuk ka qenë tamam brenda në familje. Ka qenë kohë tjetër e kuptohet, gjyshja ime nga babi edhe e donte, edhe s’e donte. Babi ka qenë mendjehapur, por ndikohej në këtë drejtim. Kemi qenë popull i kompleksuar dhe njerëzve u vinte frikë të thoshin madje edhe që mund të ishin të divorcuar e jo më tepër. Por me vëllain, pavarësisht se nuk jetonte me ne, kemi ruajtur marrëdhënie të mira.
E vuante ajo këtë pjesë lidhur me vëllain tuaj?
Besoj se po, pavarësisht se ajo e kishte bërë të veten, ishte përkujdesur për të, e kishte nxjerrë në dritë etj. Vëllai me nënën kanë pasur marrëdhënie shumë të veçantë, më të ngushtë seç e kisha unë me nënën. Kanë qenë shumë të afeksionuar me njëri-tjetrin. Fakti që edhe ai studioi për muzikë, është deri diku tregues për këtë.

Gjenovefa: Amaneti i Nikollës, kurimi i vajzës me depresion
Në këtë letër të Gjenovefa Hebës drejtuar një miku të familjes në Greqi, kritikut të muzikës George Leotsakos, rrëfehet dhimbja e gruas pas vdekjes së të shoqit, Nikollës, e cila vuan edhe më tepër për shkak të sëmundjes së të bijës. Ajo kërkon të çojë në vend amanetin e të shoqit, duke rrëfyer kështu se sa shumë e kanë vuajtur në familje këtë fat, ajo dhe bashkëshorti.



Sopranoja e Balshoit

Gjenovefa Heba (Zoraqi), soprano, ish-soliste e Teatrit të Operës dhe Baletit u lind në shtator 1933 në Durrës. Formimi i saj i parë artistik ishte për pikturë në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Angazhohet madje edhe si piktore kostumesh në filmin “Skënderbeu”. Debuton në operetën “Agimi” të Kristo Konos, me rolin e Lules që i krijoi mundësinë për të studiuar kanto në Konservatorin “Çajkovski” në Moskë. Studimet i kreu të plota pa mundur të diplomohet në vitin 1961 për shkak të prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Disa vite më vonë, e mbylli këtë kapitull në Tiranë nën udhëheqjen e Mihal Cikos. Pas diplomimit u emërua soliste në TOB, ku dhe punoi deri në daljen në pension në vitin 1978. Punoi edhe si pedagoge e kantos në Liceun Artistik “J.Misja” në Tiranë dhe në Institutin e Lartë të Arteve. Në TOB ka realizuar role të paharruara dhe një numër vërtet të madh koncertesh me repertor të gjerë që përfshinte të gjitha stilet, gjinitë dhe autorët. Ka realizuar role në operat shqiptare dhe të huaja, si: “Agimi”, “Traviata”, “Nusja e shitur”, “Princesha e Çardashit”, “Pagliaçi”, “Rigoletto”, “Komisari”, “Skënderbeu”, “Dasma e Figaros”, “Përtej mjegullës”, “Madama Butterfly”, “Heroina” etj. Për aktivitetin e saj është nderuar me Urdhrin i Punës (1954) dhe Urdhrin “Naim Frashëri” (1970).

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura