Ekzekutimi i 37-vjeçarit brenda në makinë, Policia shoqëron 7 persona. Çfarë u zbulua për të shkuarën e viktimës dhe përfshirjen e tij në trafikun e drogës

Sep 27, 2023 | 15:22
SHPËRNDAJE

Mëngjesin e të mërkurës, u qëllua për vdekje në automjetin e tij 38-vjeçari Fatjon Dervishi, i cili mësohet të ketë qenë në hetim nga shteti holandez për akuza lidhur me trafikun e drogës

vrasje sukth fatjon dervishi7

Policia njofton se lidhur me ngjarjen ka shoqëruar deri më tani 7 persona, për tu pyetur në lidhje me rrethanat, ndër to edhe shtetasi që udhëtonte në të njëjtin automjet me viktimën.

Sipas efektivëve, për zhvillimin e hetimeve, janë sekuestruar kamerat e sigurisë me pamje nga aksi që kishte ndjekur shtetasi Fatjon Dervishi, si dhe janë ushtruar kontrolle banesash, e janë këqyrur celularë.

Sipas informacioneve nga uniformat blu, pas verifikimeve të kryera, në koordinim me Policinë holandeze, ka rezultuar se shtetasi Fatjon Dervisi ka qenë hetuar në këtë shtet, për trafikim të lëndëve narkotike.

Njoftimi i Policisë:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 23:45, të datës 26.09.2023, në Katund, Sukth, ku shtetas ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri, në drejtim të automjetit që drejtonte shtetasi T. D. (M.), 37 vjeç, banues në Katund, Sukth, i cili si pasojë humbi jetën, në spital, ju informojmë se:

Sapo kanë marrë njoftim, shërbimet e Policisë së Durrësit dhe 2 grupe të FNSH, Tiranë, kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset që lidhen me zonën, me qëllim kapjen e autorëve. Gjithashtu, grupi hetimor, i ngritur posaçërisht për zbardhjen e këtij rasti, ka vijuar punën, në drejtimin e prokurorit, për të fiksuar çdo provë që do të çojë në zbardhjen e ngjarjes dhe në identifikimin e autorëve.

Shërbimet e Policisë, në drejtimin e prokurorit, kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, për rastin. Konkretisht, deri më tani, në ambientet e Policisë, janë shoqëruar për t’u pyetur mbi rrethana të kësaj ngjarjeje, 7 shtetas (mes tyre shtetasi E. Sh., pasagjer në automjetin që drejtonte 37-vjeçari, në momentin e të shtënave), janë sekuestruar kamerat e sigurisë me pamje nga aksi rrugor “Maminas – Shijak – Sukth – Sallmone” (aksi që kishte ndjekur shtetasi T. D. (M.)), janë ushtruar kontrolle banesash, janë këqyrur celularë, si dhe është bashkëpunuar me ZQK Interpol Tiranën, për të identifikuar lidhje shoqërore të viktimës apo shtetas me të cilët mund të ketë pasur konflikte, jashtë vendit. Gjithashtu, janë sekuestruar automjeti që drejtonte T. D. (M.) dhe 2 celularët e tij, dhe vijon ekzaminimi i hollësishëm i tyre.

Nga verifikimet e deritanishme të kryera në koordinim me homologët holandezë, ka rezultuar se shtetasi T. D. (M.) ka qenë hetuar në këtë shtet, për trafikim të lëndëve narkotike.

Materialet për këto veprime procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kryerjen e hetimeve të mëtejshme, me qëllim zbardhjen e dinamikës së kësaj ngjarjeje, për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura