Ekskluzive/ “Trashëgiminë e të drejtat e autorit, babai m’i la mua”- Vepra e plotë për Skënderbeun, i biri i Kristo Frashërit: Punuam familjarisht

Jul 10, 2024 | 12:13
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Prof. dr. Gjergji Frashëri, arkeolog, restaurator dhe historian e ndan jetën dhe veprimtarinë e tij shkencore midis qëndrimit dhe punës në Shqipëri dhe në disa vende të Evropës Qendrore, kryesisht në Gjermani, të cilën e rrëfen për gazeta “Panorama”.

kristo frasheri4

Prej më shumë se gjysmën e shekullit ai ushtron aktivitetin e tij të palodhur shkencor brenda dhe jashtë vendit dhe vijon të prodhojë dhe të publikojë veprën e tij arkeologjike dhe historike në vendet ku ka punuar. Prej vitit 2007, qëkurse ishte gjallë babai i tij, profesori akademik historiani Kristo Frashëri, bashkë themeluan qendrën “Frashëri” me qendër në Tiranë dhe në Durrës. Pikërisht në ambientet e banesës dhe studios së Gjergjit në Durrës, ai ka krijuar dhe ruan edhe Mjedisin familjar Muzeor të babait dhe të parëve të tij.

Z.Frashëri, Çfarë i dëshironte këtij vendi babai juaj, të cilit i kushtoi veprën dhe jetën?

Para të tjerave – Shqipëria (Albania) të bëhej! Shqipëria të bëhej së paku, si ajo që shpalli të pavarur Ismail Qemali më 28 nëntor 1912 në Vlorë – të katërta vilajetet shqiptare të bashkëjetonin nën Shtetin Shqiptar – ashtu siç ajo u deklarua (shpall) me vërtetësi kombëtare dhe historike më 1912 pas Rënies së Perandorisë Osmane. Pra, të rinjihej si shtet i vetëm kombëtar në viset e veta historike shqipfolëse, ashtu siç doli e rrudhur nga shekujt e sundimit perandorak osman, në formatin e vet, para ndarjes me urgjencë, me dhunë, në panik dhe pa të drejtë, që i bënë Fuqitë e Mëdha, viseve tona historike një vit më vonë, më 1913. Ky format nuk përbën Shqipërinë e Madhe – siç spekulohet – por Shqipërinë aktuale, të mbetur sot nga historia e copëtimit dhe e kafshimit të trupit të saj gjatë mijëvjeçarit të fundit nga ardhacakët që na rrethojnë. Qëkurse unë u rrita dhe derisa babai vdiq, kjo ka qenë me dekada të tëra tema e tij në shumë e shumë mbrëmje të vona kur rrinim bashkë, sikur përsëriste lënien e amaneteve të tij, që ne të vijonim t’i mbanim ato mes të gjallëve, në që do vazhdonim të jetonim pas shuarjes të tij…

Çfarë kishte më shumë merak akademiku Frashëri të realizohej pas vdekjes së tij?

Personaliteti historik shqiptar më i shquar për tim ati ishte ai, i cili me veprën e tij i kishte dhënë më tepër identitet dhe lavdi kombit shqiptar – ishte padyshim Skënderbeu. Për Heroin e lavdishëm kombëtar, ai pati punuar në veçanti gjithë jetën dhe realizoi pa pushim prej mesit të shekullit të kaluar një mori studimesh dhe botimesh. Meraku kryesor i tij ishte të botohej e plotë vepra prej dhjetë vëllimesh e hartuar prej tij mbi Skënderbeun. Këtë amanet të babait, mbas vdekjes së tij më 31 janar 2016, ia pata bërë të njohur jo vetëm Akademisë së Shkencave, por edhe udhëheqjes së vendit, të cilat e përkrahën pa mëdyshje… Për realizimin e kësaj vepre kemi punuar familjarisht nën drejtimin tim si redaktor shkencor i caktuar nga Akademia dhe si redaktore teknike, shoqen time të jetës, albanologen, dr. Antonia SchützFrashëri. Seria prej 10 vëllimesh mbi Skënderbeun u promovua në prill 2019 në një nga sallat e Pallatit të Kongreseve, nën kujdesin e Presidencës, së Kryeministrisë dhe të Akademisë së Shkencave.

kristo frasheri
Vizita e Kristo Frashërit gjatë gërmimeve në Lulishten “1 Maji” në Durrës (2010)

Po meraku për angazhimin tënd me çështjet historike dhe arkeologjike në Shqipëri, si shfaqej tek ai?

Në vitin 1999, mbas përfundimit të Luftës së Kosovës, kur punoja dhe jetoja prej disa vitesh në Bonn, asokohe ende kryeqyteti Gjermanisë, në marrëveshje me ambasadën tonë atje, solla në Tiranë bashkë me disa kolegë gjermanë, një projekt shumëvjeçar për ruajtjen dhe vlerësimin e pasurisë arkeologjike të Durrësit, në bashkëpunim me Universitetin e Köln-it dhe atë të Amsterdamit. Projekti ishte hartuar sipas fjalës së fundit të Arkeologjisë Evropiane, bashkë edhe me Rregulloren e Administrimit shumëvjeçar të kësaj pasurie, bashkëngjitur edhe fondet e institucioneve ndërkombëtare. Në Tiranë morëm kontakt me Akademinë e Shkencave (asokohe babai ishte çliruar plotësisht nga detyrat shtetërore), me Ministrinë e Kulturës, Institutin Arkeologjik dhe atë të Monumenteve të Kulturës. Ndërsa në Durrës me Bashkinë e qytetit dhe Muzeun Arkeologjik. Projekti ishte një dhuratë udhërrëfyese për të parandaluar shkatërrimet e pasurisë arkeologjike të këtij qyteti, të cilat kishin filluar të shfaqeshin asokohe, në “emër të ndërtimeve të reja”(!). Projekti nuk gjeti zbatim, për mosdashje nga ana shqiptare. Vetë projekti u vodh nga pala shqiptare duke u botuar si punë e tyre nga një profesor Kopjac province i paepur (që mjerisht vijon të “nderohet” edhe sot, nga administrata e kësaj qeverie!).

Në vend të projektit në fjalë, vijojnë të shfaqën në Durrës seri iniciativash me arkeologë italianë, francezë, gjermanë, etj., jo vetëm pa perspektivë për ruajtjen e pasurisë arkeologjike të tij, por edhe për keqvlerësimin me dashje historik të qytetit. Mjerisht për këtë strategji të saj për mundësimin e “ndërtimeve të reja”, qeveria ka vënë në dispozicion për interesa antishqiptare, “arkeologë” të papërgjegjshëm në kuptimin e plotë të fjalës. Rezultati është kjo që shohim sot, kjo që nëntoka me thesare arkeologjike ndërkombëtare të Durrësit është dhunuar me kast nga ndërtimet e reja, duke zhdukur njëherë e përgjithmonë thesaret e historisë origjinale të kombit tonë. Me projektin e lartpërmendur që solla atëherë, mendova se do të ndjehej nevoja të merrja pjesë në drejtimin për disa vjet të arkeologjisë evropiane në vendin tonë. Babai atëherë u trishtua si kurrë ndonjëherë, më shumë për faktin, se m’u hoq mundësia që të kontribuoja si duhej për Shqipërinë tonë. Por ky rast nuk ishte zhgënjimi ynë i fundit familjar.

 Kristo dhe Gjergji Frashëri në ballkonin e profesorit (Tiranë 2007)
Kristo dhe Gjergji Frashëri në ballkonin e profesorit (Tiranë 2007)

A mori ai një satisfaksion nga puna jote në Shqipëri? Keni kryer projekte të tjera në Durrës apo gjetkë…?

Në mbyllje të vitit 2007, kur ndodhesha tejet i zënë me projektin e madh arkeologjik në qendrën e qytetit të Köln-it në Gjermani, më erdhi një ftesë nga Ministria jonë e Kulturës, për të ndihmuar qeverinë në hartimin e Rregullores së Arkeologjisë Evropiane në Shqipëri. Ishte një kërkesë serioze, pasi kjo i qe dhënë qeverisë sonë nga Bashkimi Evropian, si një nga detyrat e radhës për t’u realizuar. Realisht në vendin tonë nuk kishte atëherë kualitete profesionale të informuara për realizimin e kësaj detyre (mjerisht nuk ka as sot!). Për të kryer me përpikmëri ligjore aktivitetin tim atëkohë ngrita në Tiranë edhe firmën time ‘AKer Shpk’ të licencuar nga Ministria e Kulturës dhe njëkohësisht, edhe Fondacionin familjar qendra “Frashëri”.

Im atë padyshim u entuziazmua, që më ishte dhënë rasti për të realizuar një punë cilësore për ruajtjen dhe vlerësimin profesional historik të trashëgimisë arkeologjike në republikën tonë. Përballë ngarkesës që kisha në dorë në Gjermani mu desh gjatë vitit 2008 të vija në Shqipëri rreth 25 fundjave bashkë me specialistë gjermanë të institutit tim (padyshim me shpenzimet e mija), për të vlerësuar aktualitetin e gjendjes së nevojave për Shpëtimin Arkeologjik në mbarë vendin, me qëllim të përshtateshin kriteret e Rregullores Evropiane me specifikat e gjendjes së substancës arkeologjike të vendit tonë. Rregullorja shqiptare më 2008 u dërgua në Parlament, ku doli e ratifikuar. Vendi ynë realizoi detyrën e BE-së, por mua nuk më dhanë asnjë fletë falënderimi apo mirënjohjeje. Madje, nuk më dhanë as edhe një dokument formal për konfirmimin e kësaj pune tejet të mundimshme nga shumë pikëpamje dhe me shpenzime jo të pakta.

Vetëm im atë, atëherë 90- vjeçar, e “gëlltiti” pakënaqësinë time, sepse sidoqoftë – kisha ndihmuar një “copë Shqipërie!”. Jo vetëm kaq! Pas ratifikimit në Parlament, doli problemi se si do të vihej në praktikë kjo Rregullore Evropiane e Arkeologjisë? Aq e panjohur sa ishte ajo në teori, aq e panjohur ishte për vendësit edhe për t’u realizuar në praktikë. Kështu u caktua për gërmim arkeologjik, trualli i quajtur “Lulishtja 1 Maji” në Durrës (2010), ku u aplikuan në praktikë rregullorja e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, se si do të mbahej dokumentacioni i detyruar arkeologjik dhe si do të përpunohej ai deri në botimin e detyruar. Ky projekt arkeologjik është padyshim edhe sot, shembulli më i suksesshëm i zbatimit të Rregullores së Arkeologjisë Evropiane në vendin tonë.

Prej tij doli në dritë një pjesë e plotë urbane e Lagjes së Zejtarëve dhe Tregtarëve të Dyrrahut ilir Arkeologjik. Por nga ana tjetër, rezultatet e këtij gërmimi arkeologjik nxorën në pah, se çfarë pune shkatërrimtare kapitale ishte kryer deri atëherë në dy dekada (1991-2010) nga institucionet shtetërore dhe qeveritare të vendit, deri në zhdukjen njëherë e përgjithmonë të substancës arkeologjike të bërthamës qendrore urbane të Dyrrahut ilir. Ato dëshmuan se në çfarë përmasash kriminale ishte zhdukur ajo, nën pretekstin absurd të “ndërtimeve të reja”, pa kryer më parë as kërkime dhe dokumentime arkeologjike – një vepër e pashembullt shkatërrimtare në kohë paqeje në historinë botërore. Në këto kushte ballafaqimi, mbërriti me shpejtësi edhe reaksioni për mbrojtjen e legjitimitetit të veprës masakruese të pasurisë arkeologjike të nëntokës së Dyrrahut, të shkaktuar nga institucionet shtetërore dhe qeveritare të vendit tonë në ato dy dekada.

Padyshim nxitoi të vinte si reaksion në formën “gjueti shtrigash” me përfaqësues “kompetentë” prej këtyre institucioneve, prej atyre që u “djeg miza nën kësulë”. Kemi gati tashmë për botim një dokumentar-tregimtar-denoncues, që mbështetet në shpifjet e një numri individësh të strukturuar të pushtetit, të qeverisë, të partive, të mediave dhe të të ashtuquajturave patronazhistë, apo aktivistë të shoqërive civile, të cilët kakarisën të kurdisur pa përgjegjësi dhe seriozitet prej vitit 2014, duke dashur të përçmojnë punën profesionale arkeologjike në këtë objekt, duke vetëdiskredituar institucionet e mjera, ku ata marrin rrogën, për të ulur punën tonë arkeologjike në lulishten “1 Maji”. Me që ra fjala, rezultatet e këtij gërmimi shumë të rëndësishëm për historinë e Dyrrahut dhe të Arkeologjisë Evropiane të Shpëtimit, i kam publikuar në një botim voluminoz me titullin “Dyrrahu ilir”, vëllimi i parë (2015), të promovuar në Akademinë e Shkencave në gjuhën gjermane, angleze dhe shqipe. Kjo ishte dhurata e fundit dhe shumë e rëndësishme që i bëra tim ati disa ditë para vdekjes së tij, bashkë edhe me dedikimin e librit.

kristo frasheri1
Anastas dhe Dhoksia Frashëri më 28 nëntor 1937 të ftuar në prominencën e Pallatit të Zogut në Durrës me rastin e 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë

Keni realizuar edhe projekte të tjera mbas vitit 2009, të cilat shërbyen si shembull në orientimet e reja profesionale arkeologjike apo restauruese?

Kemi bërë edhe projekte dhe gërmime të tjera në periudhën e viti 2010-2017, të tilla si: Vlerësimi arkeologjik dhe urbanistik i Kalasë së Tiranës bashkë me disa gërmime arkeologjike atje në vitin 2007/2008; Projekt dhe realizim punimesh restaurimi në një segment muri fortifikues në Kalanë e Butrintit (2009); Projekt arkeologjik dhe restaurues të Kalasë së Ali Pashë Tepelenës në Vrinë (2010-2011). Gjithashtu, patëm kryer disa survey (vëzhgime) arkeologjike në rajone të ndryshme të Republikës, për të paraqitur si shembull konkret, modelet e këtij procesi sipas rregullores Evropiane të Arkeologjisë së Shpëtimit. Nuk duhen harruar edhe hartimet e disa projekteve në Durrës, midis të cilave – Projekti i Madh mbi gjurmimin dhe restaurimin e Amfiteatrit të Durrësit, me qëllim që shteti ynë ta paraqiste për të nxjerrë fondet e duhura në World Monuments Fund (UNESCO). Gjithashtu, patëm kryer disa projekte dhe gërmime në terren dhe dokumentime të rregullta në pika të ndryshme të qytetit të Durrësit nën mbikëqyrjen e Ministrinë e Kulturës.

Aktualisht jeni duke kryer realizime projektesh arkeologjike apo konservimi këtu?

Prej disa vjetësh nuk ka më as projekte hulumtimi dhe as gërmime dhe aq më pak projekte konservimi arkeologjik për mua. Punonjësit rrogëtarë të Instituteve Shtetërore të Arkeologjisë janë pajisur vetë me licenca për aktivitete private në këtë fushë. Ata vetë i kryejnë ato, vetë i “kontrollojnë”, vetë marrin vendime mbi fatin e substancës arkeologjike që përmbajnë këto terrene ku kryejnë gërmime, vetë vendosin mbi fatin e substancës arkeologjike etj., sepse janë njëkohësisht edhe anëtarë të Komisioneve të Larta Shtetërore ku merren këto vendime.

Me këtë lloj organizimi dhe përgjegjësie, duke qenë punonjës të institucioneve shtetërore, nuk i pengon kush më, të vendosin vetë, se ku do të bëhen gërmime, apo të zbrazin gropat e ndërtimit brenda qytetit arkeologjik të Durrësit. Mjerisht, jo në pak raste vendosin vetë dhe shkruajnë vetë pa mbajtur dokumentacion, se u gjet apo nuk u gjet gjë, u pa apo nuk u pa ndonjë substancë me vlerë arkeologjike etj.. Natyrisht, kemi të bëjmë edhe me arkeologë që nuk kanë formimin e duhur dhe etikë profesioni për t’i kryer këto punë. Ata sillen si zbatues urdhrash për “lejime ndërtimesh në vende me substancë brisante arkeologjike” kundrejt pagesave që marrin… Prandaj, për të mbushur boshllëkun e punës së tyre, jo vetëm për punët e mija, por edhe për veprat e babait, prej viteve të fundit ndodh edhe fenomeni i plagjiaturës, si një lloj pandemie – si fenomen i kohës që po realizohet nga vetë institucionet, mjerisht të mbështetur nga qeveria, parlamenti dhe strukturat institucionale shtetërore.

Disa profesorë arkeologë të Universitetit të Tiranës patën angazhuar një studentin e tyre, për të kopjuar pjesë të punës suaj origjinale nga libri “Dyrrahu ilir”, vepër të cilën e përmendët edhe ju vetë më sipër gjatë bisedës. Duke ushtruar plagjiaturë, Komisioni i profesorëve të Universitetit Shtetëror e kanë pajisur atë me titullin doktor i shkencave, duke shkelur të Drejtën tuaj të Autorit që ju takon? Si ishte përballja në procesin gjyqësor?

Fillimisht për ata që po e ndjekin këtë bisedë, situata në fjalë ndodhet e përshkruar në një shkrim denoncues që kam paraqitur në gazetën “Panorama” me dy pjesë në vijim, të datës 11 dhe 12 Prill 2024 me titull: “Xhevahiret” e Universitetit dhe të Gjykatës së Tiranës mbi vjedhjen e të Drejtës së Autorit. Esenca e ndodhisë ka shumë humor: Kur filloi të dalë në dritë substanca arkeologjike gjatë gërmimeve tona në truallin e lulishtes “1 Maji” në Durrës, nuk mbeti llaf i zi pa u shkurdisur nga goja dhe pa u shkruar nga dora prej “miletit” të asaj kategorisë që përshkrova pak më sipër. Ndërsa kur doli libri i botuar – shumë interesant – dukej sikur Universitetit të Tiranës i dolën jargët (lëng) nga goja, për ta lëpirë dhe për ta ngrënë (vjedhur) mundësisht të gjithë këtë vepër si tortë. Po përpiqem ta përmbledh çështjen shkurtimisht: Libri u promovua më 27 janar 2016 në Sallën e Akademisë së Shkencave të Republikës sonë, disa ditë para vdekjes së Babait tim, i cili arriti ta shihte të botuar dhe të dëgjonte vlerësimet e kolegëve. Por dy vjet më vonë, në vitin 2018 zbuluam rastësisht në uebsite të Universitetit të Tiranës një plagjiaturë të këtij libri në përmasa të pabesueshme.

Konkretisht një doktorant kishte kopjuar një pjesë të madhe të librit, midis të tjerave 386 foto dhe ilustrime vizatimore dhe i kishte përfshirë në doktoraturën e vet. Përveç kësaj, një pjesë të mirë të tyre, i ka paraqitur atje, si “dokumente të pabotuara, të realizuara prej vetë atij” (!). Në fillim mendova pas konsultimit me avokatët, se ishte e udhës t’i kërkonim Universitetit të Tiranës, që të largonin njëherazi nga Ëebsite i tij, morinë e fotove dhe të vizatimeve origjinale dokumentare të skanuara nga libri im dhe të publikuara pa autorizim. Por, Universiteti në vend që të përgjigjej siç është rregulli evropian i reagimit në kësi rastesh, mbështeti plagjiaturën e kopjacit. Atëherë u detyrova t’i drejtohesha gjykatës.

Procesi gjyqësor zgjati gati gjashtë vjet dhe në fund, vendimi i gjykatës na la me gojë hapur për nga ofendimi qytetar: Ajo vendosi “Rrëzimin e kërkesë padisë si të pabazuar në prova dhe në ligj” – me argumente skandaloze, të cilat i kam denoncuar në artikullin e lartpërmendur. Shkurtimisht, ky është thelbi i konfliktit gjyqësor, meqenëse më drejtuat pyetjen. Ky nuk është i vetmi konflikt gjyqësor për të mbrojtur punën tonë, që po përjetojmë në Shqipëri. Kemi mbi dhjetë çështje të tjera për shpifje dhe plagjiatura, që prej viti 2014 e vijojnë edhe sot. Për një pjesë të mirë të tyre kanë dalë vendimet e gjykatës, një pjesë tjetër është ende në procesin gjyqësor (apel).

Familja e Kristo Frashërit: Bashkëshortja Antoneta dhe të tre fëmijët Gjergji, Zana dhe Arbana më 1972
Familja e Kristo Frashërit: Bashkëshortja Antoneta dhe të tre fëmijët Gjergji, Zana dhe Arbana më 1972

Arkivi i historianit Kristo Frashëri ndodhet në ambientin muzeor privat?

I vutë emër të madh! Për cilën arkivë bëhet fjalë? Në këtë dhomë që ne po bisedojmë, ne familjarët kemi sjellë sendet, orenditë, fotot, librat në rafte të babait tonë pas vdekjes së tij. Kjo është një dhomë muzeore shpirtërore familjare në kujtim dhe nderim të Babait, të Nënës sonë dhe të Parëve tanë. Kjo është pasuri shpirtërore intime e familjes sonë. Ne të tre fëmijët kemi vendosur ta ruajmë këtë dhomë siç ishte. Kaq. Në një rast tjetër, ne mund t’i ndajmë ato, duke marrë secili diçka si kujtim. Përveç nesh, nuk ka treguar kush deri më sot interes me vizion qytetar perspektiv për mbrojtjen dhe ruajtjen e tyre, pas vdekjes së tij në vitin 2016. Përveç librave që ndodhen në bibliotekë janë edhe skedat, fragmente të zgjedhura dhe të kopjuara nga dora e tij në kohë, kur nuk kishte as makina kopjimi, as skanera dhe as kompjutera. Ato nuk kanë ndonjë vlerë ripërdorimi, sepse sot këto fragmente të kopjuara me dorë, kushdo mund t’i gjejë në kompjuter. Ne kemi ruajtur edhe dollapin e prindërve me koleksionin e fundit të veshjeve të babait dhe të nënës thjeshtë për kujtimet tona familjare dhe për t’ua treguar fëmijëve tanë e më pas. Me vlerë mund të jenë vetëm pak dorëshkrime të mbetura, por ato nuk i ka njeri në inventar, as është i interesuar njeri deri më sot.

Disa dorëshkrime të gjyshit, Anastas Frashëri, i kam përmbledhur me një parathënie time dhe dëshiroj t’i botoj në një vëllim të vogël. Vitet e fundit kanë ndodhur gjëra të pabesueshme, sidomos në shfaqjen e tendencës për përvetësimin e të Drejtës së Autorit. “Talente” të reja akademike nga “Shkolla e çthunun drizash” me çanta hajdutësh në shpinë, po kopjojnë edhe pjesë nga veprat e tim ati, të botuara më parë. Gjykata jonë në këtë Republikë po tregon sheshit paaftësi të madhe dhe nënvleftësim qytetar për të luftuar këtë shfaqje, si shumë fenomene të tjera korruptive. Në këto kushte, kam vendosur, edhe në se ka mbetur ndonjë dorëshkrim i babait, në përgjithësi që ia vlen të botohet, njëherazi të ruhet më tej nga ne familjarët. Këtu në vendin tonë unë bashkë me gruan jemi tërësisht të papunë, kështu që kohën më të madhe të vitit e kalojmë jashtë vendit. Rrjedhimisht, dorëshkrimet i kemi larguar me kohë prej këtej, së bashku me ato tonat që përgatisim për botim në vendet ku jetojmë më shumë dhe jemi më të qetë.

Çështja kombëtare është goditur, është plagosur rëndë. Ana e jashtme e saj, fasada e këtij fenomeni ligështues shpirtëror, siç i thonë me fjalë të tjera – eksodi popullor që ka përfshirë vendin nga mungesa e motivacionit kombëtar, është ana e dukshme. Por fenomenin po e bren nga brenda – korrupsioni i gjithanshëm dhe varfëria që po e pllakos vendin çdo ditë. Askush këtu nuk tregon interes për punën tonë hulumtuese, apo mundësitë tona mësimore kualifikuese në praktikën profesionale, as për mua dhe as për bashkëshorten time, e cila është një arkeologe tejet e kualifikuar dhe njëkohësisht një albanologe gjermane e rrallë dhe e dobishme për shqiptarinë e amanetit të të parëve të mi. Ne të dy jemi në Shqipëri, si dy pikat e fundit të ujit nga gjymi shumëshekullor i Familjes Frashëri dhe na mbajnë këtu tashmë vetëm amanetet e babait, historianit Kristo Frashëri…

Vijon nga numri i djeshëm

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura