EKSKLUZIVE/ “Shtatzënë apo jo?”- Debatet e Enverit me Hrushovin për vrasjen e Liri Gegës! Të pathënat e historisë tragjike në pragun e divorcit me Kremlinin

Jun 8, 2023 | 14:52
SHPËRNDAJE

enver hoxha hrushoviAFRIM IMAJ

“Është pushkatuar shtatzënë apo jo?” Dilema e ka hershme për fundin tragjik të Liri Gegës, një prej figurave historike të regjimit komunist që u ekzekutua bashkë me të shoqin në mesvitet ’50 me akuzën për tradhti dhe veprimtari armiqësore kundër Partisë së Punës, është rikthyer ditët e fundit në vëmendjen e opinionit publik.

“Liri Gega kur u pushkatua ka qenë shtatzënë”. Pa më të voglën dilemë e dëshmoi këtë para disa ditësh për gazetën “Panorama” Bedri K, ish-efektiv i Ministrisë së Brendshme, pjesëtar i operacionit sekret për ekzekutimin e çiftit Nderu. Po të njëjtën gjë pohoi një ditë më vonë dhe e bija e tyre, Lavdie Merlika Nderu, e cila e ka mësuar këtë fakt nga xhaxhai në vitet e diktaturës kur ishin të internuar. Ka pasur ndërkaq dhe dëshmi të tjera që vërtetojnë krimin makabër. Përtej përkujdesjes maksimale të regjimit për ta mbajtur të fshehtë krimin monstruoz, sipas dokumenteve të kohës, lajmi është mësuar qysh atëherë nga krerët e lartë të Partisë Komuniste të ish BRSS-së.

“Autoritetet shqiptare kanë pushkatuar Liri Gegën shtatzënë!”. Njoftimi i bujshëm mbërriti në Moskë në kulmin e fushatës sensibilizuese kundër tradhtarëve të kryqëzuar rishtas në Konferencën e Partisë së Tiranës të ’56. I pari që është përballur me akuzën e Kremlinit ka qenë Enver Hoxha, gjatë vizitës në Moskë në prillin e vitit 1957. Ndodhte kjo kur më herët Hrushovi i kishte hequr vërejtje për arrestimin e Liri Gegës dhe Dali Nderut me anën e një radiogrami sekret.

Nëse në rastin e parë ishte mjaftuar me një gjuhë qortuese, këtë radhë e sulmoi papritur me “bombën”: Pse e pushkatuat shtatzënë Liri Gegën?! Po si ka vijuar historia e përplasjes për fundin tragjik të Liri Gegës dhe cili ka qenë reagimi zyrtar i Tiranës për shpjegimet që i kërkonte Kremlini për ngjarjen e paprecedentë. Profesor Agim Popa ish-drejtor i Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror të Partisë dhe një nga njerëzit diskret të Enver Hoxhës në ditarin dhe kujtimet e tij përshkruan me detaje një retrospektivë të historisë së panjohur në pragun e divorcit të madh.

UNË DËSHMITARI I KONFERENCËS SË TIRANËS

Unë jam një nga dëshmitarët e debateve të atij Kuvendi, ku mjaft nga delegatët e nxitur nga materialet e Kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, por sidomos nga mesazhet e Hrushovit në të, vranë si me thënë “frikën” dhe ngritën probleme të shumta, që në thelb kishin të bënin me rishikimin e vijës së partisë dhe rehabilitimin e mjaft prej figurave të goditura politikisht me akuza të ndryshme. Guximi në këtë rast u “shpërblye” aty për aty dhe mjaft syresh përfunduan në ferrin e burgjeve politike.

Reagimi sektar i Enver Hoxhës në ditën e dytë të Konferencës, u bë në një farë mënyre “fletë” arresti e “aktakuzë” për shumëkënd prej delegatëve që shfaqi mendime të kundërta me lidershipin e kohës. Mjaft nga viktimat e Konferencës së Tiranës u etiketuan agjentë të Titos e të revizionizmit jugosllav. Argumentet e Enverit për këtë janë dokumentuar në veprat e tij të botuara qysh atëherë, por edhe më vonë. Nuk mendoj se përtej tyre kreu i Partisë fshihte diçka tjetër. Në këtë aspekt është me interes mënyra si këta “shërbëtorë” të UDB-së, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, u identifikuan edhe si agjentë të revizionizmit hrushovian. Ishte koha kur raportet e Beogradit me Moskën përjetonin muajin e mjaltit…

DIVORCI ME MOSKËN NË VITIN ’60…

Në fakt konfliktet siç dihen kishin nisur më herët. Qëndrimi ndaj verdiktit të Konferencës së Tiranës, ishte një nga problemet për të cilat Tirana dhe Moska ndanin mendime të ndryshme. Madje, Hrushovi shprehej shumë i indinjuar për mënyrën si Enveri kishte goditur delegatët që kishin shprehur mendime në kundërshtim me vijën ekzistuese të Partisë…

Më shumë se kaq, Hrushovi sa ishte njoftuar për penalitetet ndaj delegatëve “devijatorë”, kishte reaguar me ashpërsi dhe në rrugë diplomatike i kërkonte lidershipit të Tiranës për të rishikuar qëndrimin. Pati ndërkaq dhe këshilla të drejtpërdrejta, siç ishte ajo për të mos dënuar Liri Gegën e Dali Ndreun, të cilët u arrestuan pas Konferencës së Tiranës me akuzën si agjentë të UDB-së dhe shovinizmit titist. Në periudhën pas Konferencës së Tiranës, ambasadori i Bashkimit Sovjetik në vendin tonë, Kriovit, dorëzoi në KQ një radiogram me karakter tepër sekret.

Nëpërmjet tij transmetohej porosia e Hrushovit që Enveri të ndërhynte për të nxjerrë nga burgu Liri Gegën e Dali Ndreun, të cilët ishin arrestuar si elementë antiparti dhe agjentë të UDB-së jugosllave. Ndërkohë Enveri ishte në kulmin e fushatës ndaj të ashtuquajturve shërbëtorë të revizionizmit titist dhe agjentë të zbulimit jugosllav dhe kuptohet nuk mund të kishte kthim prapa. Megjithatë, radiogramit të Hrushovit nuk mund t’i përgjigjej negativisht. Kështu që dokumenti i ardhur nga Moska mbeti në sirtarët e Komitetit Qendror dhe për shumë

kohë nuk u mor njeri me të. U zgjodh heshtja, si reagimi më i mirë ndaj tij. Po Moska dhe Hrushovi nuk e lanë në harresë çështjen e Lirisë dhe Dali Ndreut. Sakaq, në Tiranë u bë pushkatimi i tyre.

Pushkatimi i Liri Gegës dhe Dali Ndreut u bë diku nga muaji nëntor i vitit ’56. Lajmi shumë shpejt u bë I ditur dhe për Kremlinin. Ky akt nuk mund të kalonte pa u vënë re për të, ca më tepër që kreu i tij më herët kishte apeluar zyrtarisht drejtpërdrejt tek Enveri. Këtë radhë Hrushovi do ta kapërcente vërejtjen e tij përtej caqeve miqësore. Madje, do akuzonte për brutalitet dhe shkelje flagrante të së drejtave të njeriut…

PËRPLASJET PËR LIRI GEGËN

Për herë të parë Hrushovi çështjen e Liri Gegës dhe Dali Ndreut ia ngriti ballë për ballë Enverit gjatë bisedimeve në Moskë në prill të vitit 1957. Plotë katër muaj pas pushkatimit të tyre. Pa pikë droje kreu i PK të Bashkimit Sovjetik, në shtëpinë e tij e qortoi ashpër Enverin për barbarinë ekstreme në ekzekutimin e këtyre dy figurave të rëndësishme të lëvizjes antifashiste nacionalçlirimtare. “Dënimi i Dali Ndreut dhe Liri Gegës me pushkatim ishte një gabim shumë i rëndë”, e kritikoi lideri i Moskës homologun nga Tirana. Enveri nga ana tjetër u mundua të argumentonte me mënyrën e vet fajësinë e tyre si elementë antiparti me një aktivitet të zgjeruar agjenturor në dëm të interesave kombëtare. Debatet vazhduan disa çaste.

Pastaj Hrushovi me një ndërhyrje të papritur, e la Enverin të shtangur. “Ju nuk pushkatuat dy, por tre”, i tha mikut nga Shqipëria, duke i kujtuar faktin që Liri Gega u ekzekutua kur ishte shtatzënë. Me sa duket kjo e zuri në befasi Enverin, që aty për aty nuk dinte çfarë të thoshte. Akuza në adresë të autoriteteve shqiptare këtë radhë bëhej më kritike. Do të përmendej kjo shkelje e rëndë sipas sovjetikëve edhe pas divorcit historik me Kremlinin, ku vihej në dukje jo për herë të parë se Liri Gega ishte shtatzënë kur u pushkatua.

MBROJTA E ENVERIT PËRBALLË SULMIT TË HRUSHOVIT

Përplasja për pushkatimin shtatzënë të Liri Gegës nisi në Kremlin e vazhdoi më tej në forma nga më të ndryshmet. Pas kthimit të Enverit nga Moska në fund të prillit ’57, ai kërkoi shpjegime të hollësishme për rrethanat në të cilat ishte pushkatuar Liri Gega. Mjaftoi kaq për t’u vënë në lëvizje me dhjetëra mekanizma e institucione shtetërore. Të parët ia nisën nga puna për zbulimin e së vërtetës rreth akuzës së Hrushovit mjekët e besuar të nomenklaturës. Ato hodhën idenë për të bërë riekzaminimin e kufomës dhe një autopsi të plotë të saj. U morën të gjitha masat dhe kur do niste operacioni i fshehtë i bluzave të bardha një urdhër tjetër ndërpreu çdo gjë. Mrekullia kishte ndodhur pas një bisede konfidenciale të mjekut Selaudin Bekteshi me një nga zyrtarët e lartë të KQ. Profesori i njohur, sa kishte marrë vesh shqetësimin e udhëheqjes politike, kishte shfrytëzuar njohjen me mikun e tij, duke i pohuar se Liri Gega nuk kishte mundësi të ishte shtatzënë pasi pak vite më parë ai kishte marrë pjesë në ndërhyrjen kirurgjikale me anën e së cilës i kishin hequr mitrën.

E vërtetë apo kjo dëshmi do vendoste përfundimisht mbi përgjigjen e Enverit në adresë të Hrushovit rreth akuzës për pushkatimin shtatzënë të Liri Gegës. Së paku, për liderin e Tiranës nga ky moment nuk do të kishte më dilemë për këtë çështje. Unë nuk kam pasur drejtpërdrejt kontakt me këto procedura, por nga kolegët e punës kam marrë vesh se menjëherë pas zbardhjes së këtyre provave, është përgatitur e adresuar një radiogram i veçantë për Moskën në të cilën sqarohej e vërteta për rrethanat në të cilat u pushkatua Liri Gega. Se çfarë efekti bëri ky sqarim, fakti që Hrushovi e ringriti si akuzë edhe gjatë përplasjeve të vitit ’60, tregon se jo vetëm nuk e ka besuar, por e ka vlerësuar të manipuluar. Që atëherë e për shumë vite misteri I vrasjes së Liri Gegës nuk u zbardh kurrë i plotë. As dokumentet që ka arkivuar ministria e punëve të brendshme nuk përmbajnë gjë rreth kësaj. Sidoqoftë, për ish miqtë sovjetik pushkatimi i saj e ca më tepër fakti që ishte shtatzënë, ishte një barbari që duhej ndëshkuar…

MISTERI QË MORI ME VETE DOKTOR BEKTESHI

Profesor Selaudin Bekteshi ka qenë një nga mjekët e talentuar në Tiranën e asaj periudhe. Ndërkaq, ka qenë dhe një nga intelektualët më në zë të kohës. Për emrin që kishte, po sidomos për aftësitë profesionale, kishte krijuar lidhje me zyrtarët e lartë, madje dhe me drejtues që ishin anëtarë të KQ. Unë, po jo vetëm ngelëm disi të habitur si u fut ai në historinë e fundit tragjik të Liri Gegës. Them u fut pa qenë i sigurt në mos e futën në këtë valle për të dhënë një përgjigje justifikuese që nuk u besua kurrë nga liderët sovjetik.

Megjithatë dëshmia e tij nuk ka mbetur askund e regjistruar në dokumentet zyrtare. E vërteta është se profesor Bekteshi sa ishte gjallë nuk e zuri kurrë më në gojë këtë rrethanë të mistershme. Me sa duket vendosi dhe e mori me vete. Pavarësisht këtij fakti të çuditshëm të përfshirjes së tij në këtë histori, profesor Bekteshi ka mbetur në memorien e atyre që e njohën, që i lidhi puna apo bashkëpunuan me të një burrë e mjek me integritet dhe një humanist i shquar. Tashmë ai ka mbetur në krenarinë e bluzave të bardha të Tiranës dhe më gjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura