EKSKLUZIVE/ “Kisha gruan shtatzënë, ndaj nuk u arratisa”, Memushi rrëfen të pathënat suedeze: Fshihnim shishe ‘Coca-Cola’. Olimpiakos na fali rroba

May 9, 2020 | 10:54
SHPËRNDAJE

Eqerem Memushit ia ka “ngacmuar” memorien rrëfimi i Edmond Lutajt për bëmat suedeze. Ish-mbrojtësi i Flamurtarit tregon se nuk ranë “pre” e provokimeve të Goteborgut dhe në një kohë që hanin darkën, shihnin edhe filma erotikë. E megjithatë, kjo është vetëm një pjesë e të pathënave nga ajo aventurë.

Memushi

Është vetë 55-vjeçari i cili në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” kujton kohën kur fshihnin shishet “CocaCola” për t’i sjellë si dhurata në Shqipëri dhe pas dy ditësh u zbuluan nga kryekamerierja e hotelit ku ishin akomoduar. Ish-trajneri i vlonjatëve, sot “timonier” i Orikumit, vlerëson edhe një gjest shumë të Olimpiakosit që pas ndeshjes me Flamurtarin, lojtarët u falën këpucë e rroba.

Memushi, mbani mend nga karriera juaj si lojtar dhe trajner të jetë ndërprerë kaq gjatë kampionati për shkak të një force madhore apo pandemie?

Jo, jo. Është për herë të parë. Nuk ka bërë ndonjëherë vaki. Si në të gjithë botën e futbollit edhe në Shqipëri ndodh për herë të parë.

Në mars të vitit 1997, nuk ra asnjë ekip, edhe pse rinisi sezoni. Çfarë kujtoni nga ai kampionat në kohë lufte?

Kujtimet i kemi të gjithë bashkë. Kujtojmë që Flamurtari e meritonte që të dilte kampion, pavarësisht formulës që nuk u ndoq mirë. Problem ishte se ai kampionat u mbyll në mënyrë emergjente, me “play off”, që u bë në Tiranë. Ndaj, dhe nuk kishte rënie nga kategoria për mendimin tim, pasi nuk mund të binin në bazë të situatës. Kjo situatë aktuale është krejt ndryshe nga ajo situatë që u krijua në vitin 1997.

Jemi në kohë karantine, na tregoni historinë më humoristike që keni përjetuar kur keni qenë pjesë aktive e futbollit?

Janë shumë. Do t’ju tregoj një histori shumë të bukur në Suedi. Vinte kamerieri që na shërbente neve lojtarëve me shishe “Cola” e “Fanta” apo ndonjë birrë e verë që merrte stafi. Jo të gjithë i konsumonim. Ato ishin me ambalazh, ndaj duhet të ktheheshin në fabrikë. Kamerierit i bëri përshtypje, por s’po ndihej. Iku dita e parë, erdhi e dyta… Dy pjesëtarë të delegacionit tonë i merrnin shishet me “Cola” siç ishin të pahapura, i çonin lart në dhomë për t’i marrë në Shqipëri, për dhurata.

Ju zbuluan?

Ditën e parë e të dytë nuk thanë gjë. Ditën e dytë në darkë vjen kryekamerierja dhe thotë: “Ju lutem kam një pyetje: Kush flet anglisht?” Ishte Kreshniku, ai që flet dhe i thotë se ku qëndronte problemi. “Ore juve ‘Coca-Cola’-t dhe këto të tjerat i pini me gjithë shishe apo…?”, thotë kryekamerierja. Aty nisëm të qeshnim dhe ngacmonim njëri-tjetrin, “jo i kam unë e jo i ke ti”. Dua t’ju them edhe një kujtim tjetër të bukur. Pas ndeshjes me Olimpiakosin, lojtarët kundërshtarë bënë një gjest shumë të bukur me ne. Na futën në magazinë dhe na i falën të gjitha rrobat e tyre, këpucë futbolli e mjete për stërvitje. Kjo ndodhi në vitin 1990, kur kemi luajtur në Kupën e Kupave, Flamurtari-Olimpiakos.

Lutaj rrëfeu se para ndeshjes me Goteborgun në Suedi, ishit mbyllur në dhomë për të parë filma erotikë. Ju ishit pjesë e atij grupi?

Po, është e vërtetë historia që thotë Lutaj. Ne ishim të akomoduar në një hotel me 5 yje në atë kohë dhe ata në TV kishin edhe programacione të tilla për pushuesit. Duke kontrolluar kanalet, sikundër bëjnë të rinjtë, u ndal pikërisht aty. Mbaj mend kur kemi shkuar për të ngrënë bukë në restorant dhe të gjithë shikonin njëri-tjetrin dhe pyesnim: “Hë, e pe atë?” Një situatë që nuk shkaktonte humor dhe të qeshura.

fLAMURTARI2

Në fund të takimit, kujtoj një thënie të madhe të ndihmësmjekut tonë, Asllanit. Kur u fut në dhomat e zhveshjes ai tha: “Sado që Goteborgu na provokoi për të na dëmtuar me kanalet televizive që na vendosi, ne ia dolëm dhe nuk ramë pre”. Kështu që i bie që edhe Asllani i kishte parë vetë ata filma që ishte atëherë 60 e ca vjeç (qesh). Ndeshja e parë doli 0-0 dhe një rezultat shumë i shkëlqyer në Kupën e Kampioneve.

ERMAL SIKA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura