Aktivisti Ardesian Binjakaj ka vlerësuar qëndresën e qytetarëve pas 50 ditësh protestë dhe i ka “dekoruar” ata me një medalje.
“Sot kam nderin t’ju dekoroj të gjithëve me një medalje letre, ma bëni hallall sepse nuk kam mundësi t’ju dekoroj, por ju e meritoni jo argjend, bronz, flori apo diamant, se nuk ka metal të çmuar që ua rrit dot prestigjin”, tha ai.
Ai hodhi poshtë etiketimet politike ndaj protestuesve si “fashistë, nazistë e komunistë”, duke theksuar se kjo lëvizje nuk përfaqëson krahë politikë, por qytetarë që kërkojnë të drejtat e tyre.
Aktivisti Ardesian Binjakaj: Sot kam nderin t’ju dekoroj të gjithëve me një medalje letre, ma bëni hallall sepse nuk kam mundësi t’ju dekoroj, por ju e meritoni jo argjend, bronz, flori apo diamant, por nuk ka metal të çmuar që ua rrit dot prestigjin. Nuk ka as edhe një lloj dhurate, as edhe një lloj urate që arrin dot prestigjin e shqiptarit të bashkuar. Keni treguar se jeni një forcë e pamposhtur.
Sot kemi bërë historinë dhe jemi futur në një nga protestat më të gjata të historisë së botës. Plot 50 ditë. 50 ditë që ne durojmë urrejtje, baltëhedhje, sharje, ofendime nga të gjitha anët. Por ne nuk u dorëzuam. Nuk u dorëzuam dhe nuk kemi ndërmend të dorëzohemi, sepse kauza jonë shkon përtej ditëve që rrimë në shesh. Jo vetëm 50 ditë, jo 150 ditë, por edhe 1150 ditë, ne prapë këtu do të vijmë.
Janë përpjekur të na përçajnë, të na etiketojnë. Ne jemi shqiptarë të Shqipërisë. Nuk jemi as të majtë, as të djathtë, nuk jemi fashistë, as nazistë e as komunistë. Jemi vetëm një popull që kërkon të drejtat. Të drejta legjitime që ju na i keni mohuar.
Prandaj, për ata që nuk janë në shesh, mesazhi është i qartë, ejani në protestë, sepse kemi demonstruar se 50 ditë nuk na trembin. Që 140 deputetë, që ndoshta na shajnë e na fyejnë, nuk na trembin. Kamerat që na vendosin këtu, komentet që bën kryeministri në mediat sociale, nuk na trembin. Ne nuk kemi frikë.
© Panorama.al











