EKSKLUZIVE/ “Forcën e Partizanit e tregon derbi”, flet ish-kapiteni Daiu: Nuk i besoj teorisë së shkarkimit të Mehmetit. Nëse Skuka do të kishte… (E PLOTË)

Sep 22, 2022 | 20:12
SHPËRNDAJE

Partizani e ka nisur më së miri këtë ka mpionat dhe shkon në derbin ndaj Tiranës me plot 12 pikë në kurriz. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Përparim Daiu, ish-mbrojtës i shquar për të kuqtë, i ka bërë një analizë të hollësishme këtij sezoni të Partizanit. Ai shprehet se e kanë nisur shumë mirë dhe rezultatet e tregojnë këtë, por shton se matësi kryesor i forcës së skuadrës së drejtuar nga Kolela është derbi i 2 tetorit ndaj Tiranës.

PERPARIM DAIU

Si ju duket Partizani në këtë fillim të sezonit?
Janë pikët që janë kokëforta për rezultatet e Partizanit, që kryeson renditjen e tabelës. Është fillim i mbarë dhe kjo është gjysma e punës. Faza e parë zakonisht ka oshilacione dhe nuk tregon fytyrat e vërteta të ekipeve, sepse duhen kolauduar dhe afrimet duhet të ambientohen. Priten edhe disa gabime, siç mund të ketë bërë Tirana, Vllaznia, por edhe Partizani me Erzenin, paçaka se shijakasit po bëhen kockë e fortë për çdo kundërshtar. Nuk dua të bëj kritikun, dua që Partizani të ketë këtë ecuri sa më të gjatë, por derbi do të jetë barometri kryesor se sa i fortë do të jetë Partizani. Një fitore apo një humbje në derbi ka një ndikim të madh.

A është ky Partizan më i fortë se vjet?
Më të fortë se vjet unë i shoh vetëm në aspektin e pikëve që kanë marrë. Shoh që kanë hyrë elementë të rinj si Buxhelaj dhe dy-tre lojtarë të tjerë që po bëjnë mirë. Afrimi i sulmuesit dhe mbrojtësit maqedonas nuk më duket se bëjnë diferencën, por janë alternativa, që ndihmojnë skuadrën gjatë sezonit kur ka dëmtime. Nuk e shoh Partizanin më të mirë se vjet.

Mos ndoshta Partizani ka më shumë shanse për shkak se skuadrat duken disi më të barabarta se në sezonin e kaluar?
Me përfundimin e fazës së parë, faza e dytë do të tregojë se kush është pretendenti dhe kush jo. Unë nuk jam dakord që Tirana është e dobët. Tirana ka gabuar, ka pasur largime, por edhe për sa i përket afrimeve nuk ka ngelur në vend numëro. Nuk mund të bëjmë parashikime. Partizani po fiton siguri dhe pjekuri, sepse pikët të japin moralin e kryesuesit, por ka edhe trysni, sepse ky vend duhet mbajtur. Derbi do të përcaktojë ecurinë. Kujtojmë që Tirana para dy vitesh e bëri kthesën pikërisht në derbi dhe më pas fitoi kampionatin. Edhe Partizani them se do të ketë ecuri shumë të mirë nëse e merr derbin.

Kush është pika më e fortë e Partizanit dhe ku duhet të përmirësohen?
Pika më e fortë për sa i përket individëve për mua është Matondo. Është një çelës, një ndërlidhës, një luftëtar, që jo vetëm Partizani, por secili ekip e ka zili. Pika më e fortë është loja mbrojtëse, por në mesfushë nuk dua të anashkaloj edhe Rrapajn, i cili është një lojtar “motor”, bletë punëtore me një mushkëri të fuqishme, bën shumë kilometra dhe ka shumë cilësi teknike. Por nëse Skuka do të kishte një partner më të fortë në sulm, një pykë cilësore, do të kishte mundësinë të shfrytëzonte cilësitë e tij dhe nuk do t’i binte barra e gjitha atij. Natyrisht edhe Cara dhe Da Silva meritojnë nota pozitive, por nëse Partizani do të kishte një partner të fortë për Skukën, Partizani do të ishte më i frikshëm.

Si mund të shmangen incidente të ngjashme me atë të Carës?
Më vjen keq që janë skena të përsëritura, aq më shumë edhe në Kukës. Por në këtë rast arbitri kishte në dorë gjithçka dhe ai është ai që vendos. Arbitri duhet të ishte më kompetent, sepse kanë gjithë mbështetjen e medias, kamerës dhe FSHF-së. Nuk duhet të jenë si në kohën tonë, kur vetëm heshta dhe parzmorja u mungonte në fushë. Të tilla raste në 2022- shin janë të pafalshme, në botë ndërpritet ndeshja automatikisht. Në momentin që ndodhi dëmtimi i lojtarit, duhet të ishte ndërprerë ndeshja dhe Partizani fitonte 0-3.

Ishte befasues shkarkimi i Mehmetit pak ditë para nisjes së kampionatit?
Nëse e gjykojmë nga jashtë, mund ta bëjmë në mënyrë jo të drejtë. Problemet e brendshme i dinë drejtuesit, por Mehmeti kishte meritën që e çoi Partizanin në Europë dhe kjo nuk mohohet. Pastaj nuk i besoj teorisë se është shkarkuar pas humbjes me Bylisin, por marrëdhënies që mund të kenë pasur drejtuesit mes tyre.

A e ka thyer Kolela tersin e italianëve te Partizani?
Unë shpresoj që Kolela të vazhdojë me këtë rrugë dhe në fund do të japim një opinion akoma më të mirë. Kolela ka marrë rezultate që Partizani ka vite pa i marrë në start, por do të ishte mirë që deri në fund të kampionatit ta mbyllte me të tilla rezultate. Në fund do të japim edhe verdiktin real mbi punën e tij.

Partizani po i jep hapësira talenteve. Sa e ndihmon klubin kjo dhe çfarë duhet të bëjë tjetër Partizani për të nisur një cikël suksesi?
Partizani ka pasur shkollën dhe traditën e vet në nxjerrjen e talenteve, por nuk ka besuar shumë. Në tri-katër vitet e fundit Partizani ka humbur shumë yje, të cilët nuk kanë pasur kontrata afatgjata, pasi hyn edhe ekonomia në mes. Janë larguar të lirë dhe klubi ka dalë i humbur. Tani, me aktivizimin e talenteve që ka është një anë e ndritur financiare, por edhe kënaqësi që brezave të rinj u jepet dora. Buxhelaj dhe disa të tjerë nuk janë rastësi. Ashtu si Tirana që e ka kthyer në traditë, përse të mos e bëjë edhe Partizani?

A ju pëlqen stadiumi i ri i Partizanit?
Ai stadium nëse nuk do të ketë fushën natyrale dhe kur të plotësohen edhe ato tribunat pas portës, atëherë do të themi që Partizani ka një stadium, që i përshtatet emrit. Tani për tani, themi shyqyr o Zot që gjetëm një shtëpi. Janë investime private të presidentit Demi, por shpresojmë që gradualisht Partizani të ketë një stadium me parametra.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura