Ekskluzive/ “Edmond Haxhia s’kishte ekonomi për të paguar miliona për vrasje”- Zbardhet kërkesa e ish-të fejuarës për ekzekutimin e Ardian Nikulajt: Prisha fejesën, burrat ishin të ngujuar! Policia më kërcënoi me…

Jun 11, 2023 | 8:07
SHPËRNDAJE

Nikoleta Kovaçi/ Vajza nga Lezha, me iniciale V.D., u konsiderua nga Policia dhe Prokuroria e Lezhës si “dëshmitarja e penduar” për ngjarjen e rëndë në të cilën mbeti i vrarë Ardian Nikulaj.

edmond-haxhija-ardian-nikulaj1

Vajza rezultonte e fejuar me djalin nga Kakarriqi i Lezhës, Edmond Haxhia, që u vu nën akuzën e organizatorit dhe financuesit të atij ekzekutimi. Motivi, sipas Policisë së Shtetit dhe grupit hetimor, ishte “gjakmarrja”.

Ajo, që kishte pak muaj që kishte realizuar fejesën me Edmond Haxhinë, u tha se kishte dëshmuar gjithçka që kishte çuar në zbulimin e grupit kriminal, të cilët kishin udhëtuar nga Anglia për të realizuar atentatin ndaj hasmit të Haxhisë, ndonëse ky i fundit nuk kishte pasur kurrë probleme hasmërie.

Policia e Shtetit, në një dalje publike, e zyrtarizoi këtë motiv, duke e ngatërruar lidhjen e Haxhisë me djemtë e familjes Lekstakaj, e për pasojë duke ia deleguar financimin dhe organizimin pikërisht Edmondit për shkak të lidhjes që kishte ai me familjen Lekstakaj, pasi sipas Policisë, Edmondi ishte nip në familjen Lekstakaj.

Edhe pse dihej që nuk ishte Edmondi nip i asaj shtëpie, por njëri nga djemtë e Lekstakajve, Policia e konsideroi ngjarjen të zbardhur, me emra, role, motorin e krimit dhe deri te dëshmia e së fejuarës së Edmondit, që sipas tyre, pranonte se kishte dëgjuar të fejuarin e vet me shtetasin portugez, Ruben Saraiva, të bënin planin për një vrasje.

Ngjarja për javë me radhë mbeti në këtë linjë zbardhjeje, ndërsa ish e fejuara e Haxhisë, e konsideruar “dëshmitare” për një nga ngjarjet më të bujshme të ndodhura viteve të fundit në vendin tonë, për shkak të impaktit që kishte viktima në biznes dhe politikë, rrinte në shtëpinë e të atit pa mbrojtje dhe pa asnjë status.

faksimile

LETRAT-KËRKESË

Gazeta “Panorama” ra në dijeni të një kërkese që “dëshmitarja” e Policisë i ka nisur Prokurorisë së Lezhës.

Vajza në të kërkon të drejtën për t’u njohur me aktet, dëshminë e saj të vërtetë, kërkon të përfaqësohet ligjërisht nga një avokat i zgjedhur prej saj, pasi ajo në momentin kur ka rënë në dijeni të dëshmive të saja të botuara nëpër media, ka pretenduar se nuk i ka thënë asnjë prej atyre që janë servirur. Por, kur nuk ka marrë përgjigje nga institucioni i akuzës.

Me anë të një kërkese tjetër, kërkesë që mban datën 7 qershor, iu drejtohet për ndihmë Avokatit të Popullit, ministrit të Drejtësisë, Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Shkresa mban emrin e plotë të saj, numrin e telefonit dhe adresën e saktë të vendbanimit dhe të vendlindjes.

Ajo ka shpjeguar gjithçka ka mundur dhe kërkon që t’i njihen të drejtat ligjore për t’u përballur me çështjen për të cilën ajo konsiderohet “dëshmitare”, por që nuk e di se cila është dëshmia e saj.

Ajo ka shpjeguar se përveç presionit të bërë përgjatë dy shoqërimeve të saj, ku sipas saj, i është thënë se ajo do të dënohej me 10 vjet burg, i është se djali me të cilin ishte fejuar e ka përdorur në ngjarje për t’i lënë krimin, etj.

“Panorama” boton pjesë nga kërkesat e saj që u janë drejtuar institucioneve ku ajo më së paku kërkon të mbrohet nga një avokat i zgjedhur prej saj dhe të vihet në dijeni të të gjitha akteve që sipas saj, përbëjnë edhe dëshminë e saj. Tashmë, Edmondi për të është ish-i fejuari. Edhe në kërkesa kudo e shpjegon se unaza e fejesës është kthyer mbrapsht në familjen e Edmondit dhe ata nuk janë më bashkë.

KËRKESAT

Po iu drejtohem me këtë letër, tani që jam me njohuri juridike më të mëdha për të drejtat e mia, sepse pas një ngjarjeje të rëndë kriminale të ndodhur në Shëngjin, rreth një muaj e gjysmë më parë, ku është vrarë Ardian Nikulaj, unë jam marrë dëshmitare nga Policia e Lezhës, e cila konsideroj se jo vetëm proceduralisht më ka shkelur të drejtat e mia.

Gjithashtu, në publikimet mediatike në kohë reale të dëshmisë sime, e cila manipulohej me tituj/ose përmbajtje, duke më konsideruar si “dëshmitare të penduar”: në një kohë që nuk kam pasur asnjë pendesë e as nuk kam, sepse nuk kam ditur e as nuk e di që ish-i fejuari im ka organizuar këtë vrasje apo porositur. Unë e di që ish-i fejuari im nuk ka pasur hasmëri, madje është gjendje e verifikuar edhe nga familja ime para se të bëja fejesën që ai dhe familja e tij nuk kanë pasur kurrë hasmëri.

Pas ngjarjes, jam informuar më shumë mbi hasmërinë që ka pasur fisi ku është martuar halla e tij, por që nuk janë dajat e tij ata. Pra, hasmëria e porositur për Kanun nuk mund të kryhej nga ish-i fejuari im.

Nga ana tjetër, me çfarë pretendimesh mbi financimin e vrasjes kam parë në media apo akuzën për financim, deklaroj që ish-i fejuari im nuk kishte asnjë lloj ekonomie për të porositur vrasje e paguar miliona.

Unë e di që motori në emrin tim është marrë për qejf për të udhëtuar dhe makina me qira për arsye se nuk kishte makinë të veten në Shqipëri, se kishim vendosur të jetonim jashtë e vetëm prisnim vizën time. Unë e di që ishim thjesht miq me turistin “vrasësin” që thotë Policia dhe kurrë nuk kam vënë re se po bënin organizim vrasjeje.

Kurse miqtë e tjerë të pritur nga ish-i fejuari im nuk i kam takuar e as i njoh fare. Edmondi është tepër shoqëror me sa e njoh dhe mund t’i ketë pritur për qejf, për rastësi ndonjë mik apo çift të huajsh, pasi ai kishte vendosur të mos ikte jashtë pa më marrë mua me vete, pasi ashtu i kishim bërë planet e martesës…

“DUA AVOKAT”

“…ndërkohë duhet të theksoj se me datë 26.4.2023, kur jam kërkuar për herë të dytë, të dëshmoj në Polici, kam kërkuar avokat, për shkak të gjendjes sime të rënduar psikologjike. Më është refuzuar jo vetëm të ishte i pranishëm, por edhe për çdo detaj tjetër procedural…

Policia më ka nxjerrë jashtë komisariatit për të bërë kërkimet e tyre dhe më bënin komente të tipit: ‘Ai s’të ka dashur për nuse, të ka përdorur, ruaj veten nga burgu se do hash 10 vite burg’. Pas këtyre metodave që për mua ishin shokuese pas asaj ngjarjeje dhe në padijeni juridike për gjithçka, kam pirë ilaçe pafund për qetësim nga depresioni (ilaçe që vazhdoj t`i marr edhe sot) dhe nuk e kam ndjerë më veten emocionalisht të qetë që të mbaja mend çdo fjalë që thosha për të shpëtuar veten nga burgu edhe pse unë as dija gjë e as di për organizmin e asaj vrasjeje.

U detyrova të prishja fejesën më pas, pikërisht me vendim të babait tim dhe kanë tërhequr unazën gratë e familjes Haxhia, pasi burrat ishin të ngujuar. Konsiderohem mediatikisht si dëshmitarja e penduar që kam treguar krimin, gjë e cila nuk është e vërtetë. Do iu lutesha të ndërhyni që të ketë sqarim nga Policia e Shtetit që unë nuk kam thënë kurrë asnjë fjalë për organizim krimi!”.

Ajo vazhdon më tej duke treguar edhe detajet për makinën, motorin, njohjen me Ruben Saraivën, mos takimin me të asnjëherë në shtëpinë e Edmond Haxhisë, që kishte bërë plan që të ikte në Angli, që më datë 3 maj, kishte takimin për dhënien e shenjave të gishtave në ambasadën britanike, që tashmë fejesa është prishur pasi i ati ka frikë se mos i vritet kush i familjes, tani që asaj i është ndaluar të dalë jashtë vendi.

Ndërsa refuzon të ketë thënë dëshminë që ka dalë nëpër media, por ajo kërkon të ketë avokatin e vet dhe të njihet me dëshminë që ka dhënë pasi ajo nuk është më e sigurt për asgjë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura