
Në çastet e para, por edhe më vonë, akti i tyre u përshëndet ngrohtësisht nga opinioni vendës dhe ai ndërkombëtar. Madje, dy pilotët e arratisur u cilësuan heronj. Për ditë me radhë, jehona e ngjarjes mbeti kryefjala e bisedave. Të vetmit që i shmangeshin ishin kolegët dhe eprorët e Elezit dhe Dajçit. “Të zotët e shtëpisë”, të shokuar nga lajmi tronditës, preferonin heshtjen, duke lënë të kuptohej se ajo që kishte ndodhur nuk ishte fort e qartë. Të lënduar në sedër si rrallëherë (aq e spikatur kjo për pilotët), ata shfaqeshin të rezervuar në vlerësimet e tyre dhe dyshues për rrethanat e fluturimit enigmatik me të famshmin MIG-19 përtej Adriatikut. Në fakt, mënyra si ky i fundit kishte mbërritur në Aeroportin Galantino për ta ishte diçka e mistershme, sidomos për ekspertët e fushës. Zbardhja e këtij misteri në atë situatë ishte gati e pamundur. Megjithatë, opinioni e mori si një akt heroik, së paku në momentet e para. Po e vërteta ka qenë krejt e kundërta. Gjeneral Ylli Dimraj, për herë të parë pas kaq vitesh bën publik karakterin e atij akti të pazakontë, duke e cilësuar pa mëdyshje një dezertim të pastër. Në argumenet që përdor, duke mohuar kategorikisht komunikimin e urdhrit për bombardimin e Vlorës, ai veçon mungesën e bombave në bordin e avionit. Sakaq, Dimraj zbulon për herë të parë të tjera detaje mbi rrethanat e panjohura të arratisë së dy pilotëve, Elezi dhe Dajçi…
Zoti Dimraj, arratisja me avion e dy pilotëve të Rinasit në marsin e 97-s ka qenë ngjarja më e bujshme e zhvillimeve kaotike të atyre ditëve. Për të është folur e komentuar gjatë. Ende sot njerëzit ndajnë mendime të kundërpanta. Disa e quajnë akt patriotik, por ka nga ata që e vlerësojnë tradhti. Në gjykimin tuaj, çfarë ka qenë arratia e tyre? 
Ku ndodheshit në momentin e arratisë së dy pilotëve të Rinasit dhe si e përjetuat lajmin e pazakontë?
Arratinë e tyre e mësova në zyrë dhe të them të drejtën nuk më besohej. Ajo ishte një goditje e rëndë jo vetëm për mua, por për tërë strukturën e Forcave Ajrore, madje edhe më gjerë. Qysh atë natë pamjet e dy pilotëve në bazën italiane bënë xhiron e botës.
I njihnit ju dy pilotët e arratisur?
Me ta njihesha prej kohësh. Njëri prej tyre, Ardian Elezi, dy ditë më parë më kishte ardhur në zyrë dhe më kërkoi ta ndihmoja për një histori personale që lidhej me tensionin e detyrave të atyre ditëve.
Çfarë biseduat në zyrë dy ditë para ngjarjes me pilotin Elezi?
Ishte pasdite, aty rreth orës 15:00, kur ai u paraqit në zyrën time. Sa isha kthyer nga një kontroll në Vendkomandën Qendrore të Mbrojtjes Kundërajrore dhe po hartoja një shkresë për Shtabin e Përgjithshëm, nëpërmjet së cilës kërkoja të na dërgonin vetëm urdhra me shkrim për ngritjen e avionëve në ajër, ndryshe nuk do të zbatonim asnjë detyrë, kur befas trokiti oficeri i rojës duke më thënë se kërkonte të më takonte një pilot i Rinasit. Mirë, i thashë, shoqëroje të vijë. Sakaq, Ardian Elezi me detyrë komandant katërshe fluturimi, pasi nderoi me gjallëri u ul në karrigen në anën e majtë të tavolinës. Dukej i shqetësuar dhe i prishur në fytyrë. Vështrimin e kishte të ndrojtur e pak si të frikësuar. Pasi shkëmbyem bisedën e rastit me pyetjet për shëndetin dhe familjen, Elezi më tregoi shqetësimin e tij. “Mbrëmë vonë kur isha me shërbim në repart, shpjegoi ai, dikush ka kërcënuar në telefonin e shtëpisë gruan dhe djalin”. Aty për aty u befasova dhe e pyeta se kush mund të ishin ata dhe për çfarë mund ta bënin diçka të tillë. Sakaq, piloti Elezi filloi të shpjegohet me një zë emocional: Kanë telefonuar nga Vlora. Nga ata rebelët, besoj. Në rast se yt shoq do të fluturojë përsëri mbi Vlorë, i kanë thënë time shoqeje, do t’ju zhdukim si familje. E kuptova menjëherë shqetësimin e kapitenit. Në ato ditë të turbullta, çdo gjë mund të ndodhte. Qytetet e rrugët i dominonte kaosi, maskat, vrasjet, kërcënimet. Gjithsesi, akoma nuk e kuptoja arsyen pse familja e Elezit ishte vënë në shënjestër të keqbërësve. Së paku ato çaste vetëm ashtu mund t’i vlerësoja identitetet e kërcënuesve.
Po Elezi shfaqi ndonjë dyshim gjatë bisedës?
Ai deri diku përcaktonte qytetin nga kishte ardhur telefonata, por jo telefonuesin. I vetmi dyshim që shfaqi lidhej me fluturimin që kishte bërë ato ditë mbi Vlorë.
Kishte fluturuar ato ditë në Vlorë?
Tri ditë më parë ai kishte realizuar një detyrë mbi atë zonë duke fluturuar në çift për zbulim me avionin MIG-19. Ishte kjo një detyrë e zakonshme, që në gjuhën teknike parashikonte një marshut në lartësi mbi 2000 metra që kalonte edhe mbi Vlorë. Mirëpo, siç më shpjegoi Ardiani, atë ditë kishte fluturuar në një lartësi shumë të ulët mbi qytet. Kjo mesa duket kishte shkaktuar revoltë në radhët e qytetarëve që protestonin fuqishëm prej disa ditësh. Atë ditë në Vlorë e rrethina nuk ishin sulmuar ende depot e armatimit të ushtrisë. Sulmet për grabitjen e tyre ndodhën një ditë më pas, mbrëmjen e 28 shkurtit. Në këto rrethana, fluturimi i dy avionëve luftarakë në lartësi shumë të ulët mbi pallate e çatitë e shtëpive, mbi kokat e njerëzve që demonstronin, me rrapëllimën e tmerrshme të turbinave të motorëve, kishte shkaktuar panik dhe terror në qytet dhe kishte indinjuar rëndë vlonjatët, duke nxitur te ta urrejtjen për shtetin dhe për ushtrinë.
Ishte ky një fluturim i planifikuar, apo një aventurë e çartur e dy pilotëve?
Fluturimi ishte programuar dhe përfshinte një marshutë, siç i themi në gjuhën teknike, që përshkruante pjesën më të madhe të hapësirës ajrore mbi Jugun e vendit. Ishte kjo një nga detyrat rutinë të atyre ditëve e destinuar për vrojtim-zbulim. Për të ruajtur avionët nga zjarri i mitralozave të protestuesve dhe për të shmangur panikun që shkaktonte zhurma e atyre, unë kisha dhënë urdhër që të mos fluturohej nën lartësinë 2000 metra. Çuditërisht, atë ditë, piloti Elezi kur ishte afruar mbi Vlorë, kishte fluturuar në lartësi shumë të ulët, në kundërshtim me urdhrin tim. Një aventurë kjo sa e çartur, aq edhe e rrezikshme. Askush ato ditë nuk ishte në gjendje të shpjegonte arsyet e saj. Madje, as vetë Elezi kur po ma tregonte, nuk kuptohej se çfarë e kishte detyruar të fluturonte aq ulët në rajonin e Vlorës. Ai madje nuk do ta zinte kurrë në gojë, po të mos ishte identifikuar nga protestuesit e Vlorës.
Si mund ta identifikonin protestuesit në qytet pilotin që fluturoi ulët mbi Vlorë?
E vërteta është se drejtuesit e protestuesve në Vlorë i mësuan shpejt emrat e dy pilotëve që terrorizuan qytetin e tyre, duke fluturuar në çift shumë ulët mbi ndërtesat dhe pallatet e Vlorës. Mënyra si vlonjatët i kishin identifikuar nuk ishte e vështirë për t’u kuptuar. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Komandën e Aviacionit kishte mjaft oficerë me origjinë nga Vlora dhe Jugu i vendit. Në ato rajone ata kishin të afërmit e tyre dhe i njoftonin rregullisht për planet dhe veprimet që do të kryente ushtria për të shtypur revoltën antiqeveritare. Me sa duket, ky kryqëzim njoftimesh kishte kryqëzuar edhe pilotin Elezi, që ato çaste kërkonte ta ndihmoja për t’i siguruar jetën e familjes.
Si reaguat ndaj shqetësimit të Elezit?
Fillimisht e qortova për thyerjen e urdhrit dhe fluturimin në lartësi të ulët, duke i thënë se kishte provokuar rëndë popullin e Vlorës. Pastaj u mundova ta qetësoj për panikun që e kishte mbërthyer. “Për sigurinë e familjes suaj, do bisedoj me Policinë Ushtarake për të marrë masa të menjëhershme”, i thashë teksa u çua për t’u larguar. “Faleminderit gjeneral!”, u përgjigj Elezi duke më shtrënguar dorën. Një moment e pashë në sy. Ende ndihej i traumatizuar. Duke e përcjellë te dera e porosita që disa ditë mos të fluturonte nga zona e Jugut. Për këtë urdhërova edhe komandën e regjimentit. Po nuk kishte qenë e nevojshme të merrja ato masa, sepse dy ditë më vonë Ardiani bashkë me pilotin Agron Dajçi u arratisën turpshëm me MIG-15 në drejtim të Italisë.
Në çfarë rrethanash u arratisën me avion Ardian Elezi e Agron Dajçi?
Ishte data 4 mars. Atë ditë në bazën e Rinasit ishte programuar për t’u realizuar një fluturim me detyrë zbulimi me avionin MIG-15. Çuditërisht, Elezi me Dajçin këmbëngulën për ta kryer ata, ndërkohë që komandanti i regjimentit, Petrit Liçaj, kishte caktuar dy pilotë të tjerë. Pas procedurave të rastit, ata hipën në avionin luftarako-mësimor UTIMIG- 15 dhe menjëherë sa morën lartësinë e nevojshme të fluturimit, kohë kjo që nuk zgjat më shumë se pesë minuta, shkëputën ndërlidhjen me radio me Vendkomandën Qendrore dhe kullën e drejtimit të Rinasit. Pak minuta më vonë, u rrotulluan djathtas mbi det dhe ia mbathën drejt Italisë. Në fund të fluturimit dolën drejt e mbi aeroportin ushtarak të Galantinës, që tregon se ata kishin bërë një përgatitje paraprake për t’u arratisur.
Çfarë keni parasysh kur pohoni se ata e kishin parapërgatitur fluturimin drejt Italisë?
Së pari, ndryshimin e qëllimshëm të mashutës së fluturimit që ishte planifikuar Rin a s – B a l l s h – T e p e l e n ë – Gjirokastër-Sarandë-Vlorë- Kavajë e ulje në Rinas. Ata sa u ngritën nga Rinasi, u shmangën djathtas, fluturuan ndërmjet Fierit e Vlorës, lanë ishullin e Sazanit majtas dhe ikën në lartësi të ulët mbi det. Për të siguruar daljen mbi Aeroportin e Galantinës, kishin hedhur që më parë në plannjë vendi tjetër.
Dy pilotët sa mbërritën në bazën italiane deklaruan se ishin të detyruar të braktisnin atdheun sepse ishin urdhëruar të bombardonin mbi protestuesit e Vlorës…
Ky mashtrim është më i turpshëm se vetë dezertimi i Elezit e Dajçit. Ata e sajuan këtë alibi, duke llogaritur që autoritetet italiane, të ndjeshme ndaj krimeve të tilla, do t’u jepnin statusin e emigrantit politik.
Në fakt, ato ditë është folur se dy pilotët e arratisur morën statusin e azilantit politik…
Kjo nuk është e vërtetë. Jo vetëm ato ditë, por as më vonë, ata nuk e morën atë. Elezi e Dajçi bënë përpjekje të jashtëzakonshme, por nuk ia dolën. Autoritetet italiane, pas verifikimit të pretendimit të dy pilotëve, se ishin detyruar të arratiseshin për të kundërshtuar urdhrin për të bombarduar mbi zonat e banuara, refuzuan në mënyrë kategorike kërkesën e tyre për miratimin e statusit të azilantit politik…
Pra, nuk kishin urdhër për të bombarduar?
Absolutisht jo. Ca më tepër që një avion si MIG-15 është i papërshtatshëm për bombardime të tilla, në krahasim me MIG-19, i cili është shumë i saktë dhe i fuqishëm për kësi operacionesh. Avioni MIG 15 kur u ngrit nga Rinasi nuk ishte i armatosur me bomba shet drejtimet dhe këndet e rrotullimit, pasi në hapësirën ujore që ndan dy vendet nuk ka objekte për t’u orientuar gjatë fluturimit me këtë tip avioni, i cili është shumë i vjetër, prodhim i fillimviteve ‘50 dhe nuk është i pajisur me sisteme të avancuara drejtimi automatik. Pra, frika e madhe nga ndonjë hakmarrje e mundshme nga vlonjatët, fikja e qëllimit e radios, ndërprerja e komunikimit, mosndjekja e mashutës së dhënë në fillim të fluturimit dhe mospërgjigjja e thirrjeve të shumta në radio që i bënim nga kulla e drejtimit, tregon qartë për parapërgatitjen e tyre për t’u arratisur drejt Italisë si ata zogjtë shtegtarë. Ishte ky një akt shumë i ulët, i dënueshëm, një tradhti e rëndë në atë kohë të rëndë për ushtrinë dhe vendin. Ishte hera e parë në historinë e Forcave Ajrore që arratisej një avion luftarak drejt luftarake. Kjo u konfirmua zyrtarisht edhe nga autoritetet italiane gjatë kontrollit që i bënë kur u ul në bazën Galantino. Atëherë, si dhe me çfarë do bombardonin nga ajri Elezi dhe Dajçi?! Edhe nga inventari i bombave luftarake, që u bë pas dezertimit të Elezit e Dajçit, nuk rezultoi se mungonte ndonjë syresh. Të gjitha ishin aty në bazë të librave të llogarisë.
Sidoqoftë, arratia e tyre shkaktoi bujë të madhe dhe bëri xhiron e botës për 24 orë…
Ishte një ngjarje e pazakontë dhe patjetër që do shkaktonte zhurmë, ca më tepër në atë periudhë kur zhvillimet në Shqipëri ishin lajmi i parë në të gjithë median botërore. Megjithatë, kjo nuk u shërbeu protagonistëve të saj, dy pilotëve dezertorë, për të përmbushur qëllimin e tyre. Kërkesa për azil politik u shpërfill që në momentin e parë dhe atyre u dhanë bishtin e lopatës për llaç e tulla.
Si u përjetua kjo ngjarje nga pilotët e tjerë dhe kolegët e Elezit dhe Dajçit?
Arratia e Dajçit dhe Elezit ishte një tronditje e fortë për tërë korpusin e pilotëve dhe u përjetua me indinjatë të thellë. Ajo ishte një ngjarje pa precedentë në historinë e aviacionit luftarak dhe si e tillë cenoi rëndë sedrën e spikatur të kolegëve të tjerë të njohur për shpirtin e lartë të atdhedashurisë dhe solidaritetit njerëzor. Pa dyshim, shumë prej tyre, kur të lexojnë kujtimet e mia për dezertimin e Elezit dhe Dajçit me avionin MIG-15, nuk do ndihen mirë. Ndër ta do të ketë që nuk do ta mirëpresin këtë retrospektivë, duke dyshuar në saktësinë dhe vërtetësinë e saj. Po e vërteta e arratisjes së dy pilotëve të Rinasit në marsin tragjik të ’97-s është kështu siç po e rrëfej, pa ndryshuar asnjë detaj të ngjarjes së pazakontë. Nuk kam asnjë arsye që të shtrembëroj, të sajoj e të shpif gjëra të paqena, ca më tepër në rastin e një ndodhie të kësaj natyre. Arratia e Elezit dhe Dajçit me MIG- 15 është një akt i turpshëm dhe i dënueshëm dhe si i tillë duhet trajtuar. Në këtë histori nuk jam dëshmitarë i vetëm. Ashtu si dhe unë, atë e dinë pilotët dhe teknikët e Rinasit, që kanë qenë të pranishëm atë ditë gjatë ngritjes së avionit në ajër dhe devijimit të fluturimit të paracaktuar. Akoma edhe më mirë i di detajet e ngjarjes komandanti i regjimentit, kolonel Petrit Licaj…
vijon
AFRIM IMAJ
© Panorama.al











