Dy vëllezërit nga Tropoja që u vranë në radhët e UÇK-së/ Rrëfehet i mbijetuari: Me armë te koka na transportuan të gjallë e të vdekur drejt burgut! Dy orë në avion mbi trupin e…

Sep 13, 2023 | 13:34
SHPËRNDAJE

vellezerit memiaAFRIM IMAJ

“Plumbi i zuri në vijën e frontit. I pari u vra në pritën e Rrasës së Zogut, në majin e vitit 1998. Një vit më vonë u martirizua tjetri në masakrën e Dubravës. Ishin dy vëllezër, por njëherazi edhe dy luftëtarë të UÇK-së”. Në tregimin e Bujar Sylajt, njërit prej bashkëluftëtarëve të Tahir dhe Ramiz Memiajt, ky fund tragjik vjen si një epilog i natyrshëm i jetëshkrimit të veçantë të vëllezërve të martirizuar.

Faktet, datat, ditët e javës, rajonet e luftimit, çastet e ndodhive që lidhen me martirët i riprodhon nga një ditar i thjeshtë, që ka mundur të mbajë në kushtet e luftës dhe të burgut. Më tej, njeriu që ka qenë i pranishëm edhe në momentet kur kanë ndërruar jetë dy shokët e tij, rrëfen me imtësi përjetimet nga ditët e luftës ku djemtë e Memiajve do të përballeshin me pushtuesin serbo-sllav. Gjithçka ka ndodhur në një pritë të befasishme teksa ktheheshin nga Kosova ku kishin transportuar armë e municion për luftëtarët e UÇK-së. Një pjesë e tyre u varën aty. Të mbijetuarit i transportuan drejt burgjeve serbe. Ka qenë një çast në këtë histori, që Bujar Syla e quan më të rëndë se vdekja. Gjatë kohës që udhëtonin me helikopter nga Rrasa e Zogut për në burgun e Pejës, ushtarakët serbë urdhëruan Ramizin për të ndenjur mbi kufomën e të vëllait, Tahirit(!)Pastaj, siç shton Bujari, këtë ua kërkuan të gjithëve, madje kërcënueshëm dhe nën tytën e armëve. Më keq se kaq nuk kishte ku të shkonte!”, kujton i mbijetuari. Gjithsesi, Bujar Sylës i ka mbetur merak, që vetëm pas tre vjetësh ka mundur të shkojë te familja e Memiajve të martirizuar rrëzë Shkëlzenit për t’i ngushëlluar e për t’u treguar familjarëve çastet e fundit me ta. Në pritën e befasishme ku u vra Tahiri, Bujari bashkë me pesë të tjerë, do të mbeteshin rob në duart e paramilitarëve për t’u degdisur mandej në ferrin e burgjeve të Serbisë.

ISHTE AGIMI I SË PREMTES SË 25 QERSHORIT 1998…

Ata ishin tetë vetë pjesëtarë të njësitit të furnizimit të zonës së Dukagjinit. Të tetë nga komuna e Tropojës. Sa kishin kryer misionin e radhës në teatrin e luftimeve në Kosovë dhe ktheheshin për në shtëpitë e tyre, për t’u nisur të nesërmen sërish. Më i madhi ishte Tahiri, pastaj vinin me radhë Avni e Ramiz Memia, Osman dhe Ilir Kotroçi, Bujar Sylaj, Mehmet Dizdari dhe Trashëgim Kotroçi, që ende nuk i kishte mbushur 14 vjeç. Ishte një nga rrugët e zakonshme që kishin bërë gjatë gjithë asaj pranvere, kur UÇK-ja ishte në ofensivën e saj më të suksesshme. Pas tetë orë udhëtimi në këmbë mbi boriga e shpate malesh, agimi i ditës së re i zuri fare pranë kufirit shtetëror. Kur afroheshin për aty, ranë në pritën e ushtarëve serbë që mesa dukej kishte rënë në gjurmët e tyre. Atë që ndodhi më pas me ta, Bujar Sylaj, njeri nga të mbijetuarit e përleshjes së përgjakshme, e ka hedhur në ditar me detaje. Në krye të tyre ka vënë ditën e javës dhe datën, në të cilën ndodhi përballja me taborët barbar të Milosheviçit…

“E premte, 25 qershor 1998, ora 06:45. Forca paramilitare serbe bashkë me parashutistë të ushtrisë, na zunë pritë në vendin e quajtur Bjeshka e Babajve të Bokës, në zonën e Rrasës së Zogut. Gjatë përleshjes që zgjati dy orë u vranë dy nga shokët tanë, Tahir Memia dhe Mehmet Dizdari. Gjashtë të tjerët mbetën rob në duart e bishave të tërbuara, që nuk lanë torturë pa na bërë. Pastaj na transportuan me helikopter për në zonën e Kosovës…” Për më tej, Bujar Sylaj i rrëfen gjërat sipas rrjedhës së ngjarjeve. “Breshëritë e para të automatikut i dëgjuam kur po futeshim në zonën e Piramidës C2. U shtrimë menjëherë në tokë. Pastaj, krisma të tëra njëra pas tjetrës dhe britma në serbisht. Ishte një luginë e thepisur dhe çdo përpjekje për t’iu shmangur rrethimit të tyre ishte e pamundur. Duhej vetëm të qëndronim, vetëm me pak shpresë për të mbijetuar. Reagimi përballë tyre do të zgjaste vetëm një orë. Më tej çdo gjë ishte e pamundur. Me mbarimin e municionit u bashkuam pranë njëri-tjetrit dhe qëndruam në heshtje. Heshtje varri, me thënë… Mjaftoi kaq që ata të dilnin nga pozicionet dhe të na afroheshin. Pasi na lidhën na vunë përpara për të na çuar në një vend pak më tej. Pak më vonë mbërriti një helikopter, që me sa dukej e kishin lajmëruar ata. Me të kishte ardhur edhe një grup xhirimi i televizionit të Beogradit. Për të shërbente një shqipfolës që ishte zgjedhur për të bërë përkthyesin. Ishin vërtet çaste të rënda. Kishim muaj të tërë me mision dhe asnjëherë nuk na kishte shkuar në mendje një situatë e tillë. Kishim menduar se edhe mund të vriteshim, po që do të binim të gjallë në duart e tyre nuk na kishte shkuar ndonjëherë në mendje…” Këtu, Bujar Sylaj ndalon për një moment, për t’iu kthyer më vonë çasteve dramatike, ku u plagos Tahiri…

BUJAR SYLAJ

“TË RRISH MBI TRUPIN E VËLLAIT TË VDEKUR…O ZOT!”

Breshëria e parë do të derdhej mbi trupin e Tahir Memiajt. “Sa ndjeu plumbat në shpatull, ra në tokë dhe më thirri për ta ndihmuar, kujton Bujar Sylaj, çastet e para në pritën e Rrasës së Zogut. Bëra të kthehesha për ta parë ku e kishte marrë plumbi. Një britmë në serbisht dhe më vonë një grykë automatiku mbi supe më prenë rrugën për t’iu gjendur pranë. Ndërkaq, Tahiri u çua bëri dy hapa dhe ra sërish për të mos u ngritur më. Aty afroi ballin mbi tokë dhe u shtri. Kur hipëmnë helikopter, na dhanë një thes plastmase për të futur trupin pa jetë të tij. Ndërsa udhëtonim në avion, komandanti i ushtarakëve serbë, kapi për krahësh Ramizin, që mesa duket e kishte marrë vesh që ishte vëllai i Tahirit dhe e uli dhunshëm mbi thesin e plastmasit, ku ishte kufoma e tij. Për një çast desha të shpërtheja dhe diçka thashë nëpër dhëmbë. Menjëherë, serbi që kisha në krahë më mori zvarrë dhe më vuri edhe mua mbi trupin e Tahirit. Të rrish mbi trupin e të vdekurit!… O Zot! Nuk di kush tjetër mund ta ketë provuar këtë. Për gjithçka mund të na kishte shkuar mendja, por deri këtu jo, asnjëherë. Sidoqoftë, me mbërritjen në qytetin e Pejës do të merrte fund edhe kjo ngjarje e dhimbshme, për t’ua lënë radhën të tjerave…” Me lot në sy, Bujar Syla këtë ndodhi e vlerëson edhe më të rëndë se vdekja. Kanë qenë çaste tronditëse, që siç thotë, ai nuk ka për t’i harruar asnjëherë në jetë. Një goditje tjetër për të ka qenë edhe momenti i vrasjes së Ramizit, një vit pas kësaj në burgun e Dubravës…

250x140_Masaker1553499223

MASAKRA E DUBRAVËS DHE MARTIRIZIMI I RAMIZIT

“E shtunë, 22 maj 1999. Në masakrën e burgut të Dubravës, ku u masakruan 200 shqiptarë, u vra edhe Ramiz Memiaj. Martirizimi i tij ndodhi gati një vit pas vrasjes së të vëllait, Tahirit, i cili mbeti qysh në pritën e Rrasës së Zogut, afër piramidës C2…” Këto pak radhë ka hedhur në bllokun që mbante me vete gjatë qëndrimit në burgun e Dubravës Bujar Sylaj, për humbjen e shokut të tij. Po për të nuk janë pak, mjafton të përqendrohet paksa në to dhe fillon të rrëfejë me sytë e përlotur. Tregimi i tij nis tri ditë para tragjedisë dhe kulmon me humbjen e bashkëvuajtësit të tij në ferrin e Dubravës…

“Ditën e mërkurë, më 19 maj, bombardoi NATO-ja në afërsi të burgut. I gjithë personeli i sigurisë ia mbathi në panik dhe u fut në vendstrehime. Kujtuam për një çast se arritëm lirinë. Shqyem dyert e qelive dhe dolëm në korridor. Po liria zgjati vetëm pak minuta. Në moment ia beftën taborë me plocë e ushtarë të armatosur deri në dhëmbë dhe na nxorën jashtë. Na grumbulluan në oborrin që ishte midis godinave të burgut. Ndenjëm aty pa lëvizur të mërkurën dhe të enjten, nën mbikëqyrjen e rreptë të gardianëve. Mëngjesin e së premtes, avionët e NATO-s nisën sërish bombardimet në afërsi të burgut. I gjithë personeli u mbërthye nga frika. Një kaos i jashtëzakonshëm pushtoi qytezën e kampit. E nesërmja na gjeti në këtë gjendje. Me t’u gdhirë e shtuna, gardianët urdhëruan për të grumbulluar të dënuarit në këndin sportiv, që ishte brenda mureve rrethuese të burgut. Në çdo qoshe të murit rrethues të tij, ishin vendosur kullat e rojave, prej ku dalloheshin së largu grykat e mitralozave. Vetëm neve që ishim të plagosur na futën brenda. Aty për aty na thanë se po përgatiteshin për të na çuar në një vend më të sigurt. Po e vërteta nuk ishte kështu. Nuk kaluan as dhjetë minuta pas kësaj, kur mbi trupat e të burgosurve të mbledhur në fushën e sportit vërshuan me qindra granata nga paramilitarët që ishin fshehur jashtë mureve. Ndërkohë, rojat që ishin në kullat e vëzhgimit, vazhdonin të gjuanin me breshëri të pandërprera mbi trupat e pambrojtur të të dënuarve. Ishte një masakër e tmerrshme. Tërbimi i serbëve këtë radhë kishte kaluar çdo cak. Të gjendur nën presionin e aviacionit të Aleancës që i kërkonte në çdo qoshe për t’i goditur, ata shpërthyen me tërbim mbi të dënuarit. Në pak çaste u vranë 200 veta. Aty mbeti edhe Ramizi. Kur filloi rrebeshi ndaj tyre, ai tentoi të largohej, por një snajper e qëlloi me një plumb në kokë dhe mbeti mes ndërtesave të burgut në një vend të ekspozuar nga rojat. Deri në darkën e së shtunës trupi i tij mbeti aty, pasi specialët serbë hapnin menjëherë zjarr sa shikonin dikë që dilte jashtë. Të hënën mandej i morën trupat e tyre, i ngarkuan në disa makina të gurores dhe thanë se i dogjën në furrat e Trepçes. Ne na thanë se gjithë këtë masakër e kishin bërë avionët e NATO-s(!) Madje, pati ndër ta që na këshilluan se këtë duhej t’ua thoshim edhe të tjerëve…

Tropojani që provoi ferrin e të gjitha burgjeve të Milosheviçit

“Unë pata rastin e padëshiruar për të provuar ferrin e të gjitha burgjeve të Milosheviçit”. E thotë këtë krejt spontanisht njeriu që ka zbardhur për herë të parë historinë e martirizimit të dy djemve të familjes Memiaj nga fshati Myhejan i rrethit të Tropojës. I ka qëlluar madje Bujar Sylës, që dita e lirimit ta zërë në burgun e Beogradit. Teksa do dilte prej andej i lirë, do të gjendej aty vet Milosheviçi. “Mund të mendoja çdo gjë gjatë ditëve të burgut, por se do të vinte një çast, që qelinë do t’ia lija atij që kishte urdhëruar gjithë atë genocid, kjo asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje”, kujton Bujari. E papritura kishte ndodhur mrekullisht një ditë marsi të vitit 2001. Në qelinë që linte 20-vjeçari nga Tropoja, do të vinte i burgosuri VIP, Sllobodan Milosheviçi, që më vonë do t’i drejtohej Hagës. Gjithsesi, Bujar Sylaj, njeriu që do të mbijetonte fare rastësisht nga gijotina e Sadamit të Serbisë, do të mbetej një dëshmi autentike e masakrave të tmerrshme e burgjeve famëkeqe të tiranisë së Milosheviçit. Ky shtegtim në ferrin e tyre do të fillonte menjëherë pas pritës në Rrasën e Zogut. Stacioni i parë do të ishte qelia në rajonin e policisë në Gjakovë. Prej aty do të përfundonte në burgun e Pejës, ku do të qëndronte rreth tre muaj, për të vijuar më tej në atë të Mitrovicës, ku do të qëndronte deri në 14 janar 1999. Ditët dhe muajt e mëvonshëm do t’i kalonte në burgun famëkeq të Dubravës, ku do të mbetej nga dëshmitarët e rrallë të masakrës së 22 majit 1999.

“Masakrën e Dubravës do ta mbaj mend gjithë jetën, ashtu siç do të kujtoj gjithnjë skenën makabre, ku trupat e copëtuar të 200 shqiptarëve ngarkoheshin shtazërisht mbi makina të hapura për t’u hedhur në furrat e Trepçës”, shprehet ai. Por ka edhe njerëz të veçantë, kriminelë që kam njohur nga afër, që i mbijetuari i ferrit serb i mban mend me emra. Në asnjë kohë, thotë Bujari, nuk kam për të harruar xhelatët serbë Lubisha, Moma, Simiç, Radomir Gojgoviç, Lubian Miriaçiç e dhjetëra të tjerë që u sollën me të dhe të burgosurit e tjerë me egërsinë e kafshës dhe gjuhën e banditëve të pamëshirë. Gjithsesi, Bujar Syla, me ditarin dhe kujtesën e tij është një histori rrëqethëse e denjë për në Hagë dhe akuzën ndaj genocidit të pashembullt të shekullit të 20 në Ballkan. Tashmë që i është kthyer jetës normale, ndërsa ka zbritur në një banesë të thjeshtë në periferi të Tiranës, është duke jetuar me të ardhurat modeste që nxjerr nga puna në tregun e Stacionit të Trenit. Nuk ka kërkuar për asnjë çast dekoratë për atë që ka bërë në emër të atdheut dhe kombit, po është këmbëngulës që shteti dhe shoqëria shqiptare të paktën të bëjnë diçka për fëmijët që kanë lënë në bjeshkët e Shkëlzenit dy shokët e tij Ramiz dhe Tahir Memia, të cilët u martirizuan për UÇK-në. Kjo është një nga dëshirat e tij për atë pjesë të historisë, qe u përket radhëve të para për lirinë e Kosovës…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura