Ka zgjatur dy orë e gjysmë protesta e opozitës, e thirrur nga grupi i Rithemelimit dhe partitë e tjera opozitare. Mesazhi i kësaj proteste, sic u shpreh edhe vetë Sali Berisha ishte se “sot ka nisur misioni i mosbindjes civile për të rrëzuar qeverinë”.
Protesta ishte përgjithësisht e qetë, me disa incidente të vogla, pas përfundimit të fjalimit të Sali Berishës, ku disa qytetarë hodhën tymuese dhe molotov në drejtim të kryeministrisë.
Në këtë protestë mbajtën fjalime disa nga deputetët dhe ish-deputetët e PD, e po ashtu i ’pranishëm’ ishte edhe Sali Berisha, përmes një video-konference.
Po kush ishin mesazhet që përcollën disa nga deputetët dhe ish-kryeministri Sali Berisha?
Me një podium të imporvizuar nga shtëpia e tij ku po vuan arrestin e shtëpisë, Sali Berisha dha mesazhin se “Ne inaugurojmë sot misionin tonë, betejën pa kthim të mosbindjes civile kundër diktaturës së dytë”.
Ish-kryeministri Berisha tha se po lufton për pluralizimin, duke e konsideruar “si fëmijën e tij”. Ndërsa bër edhe disa premtime elektorale, si dyfishim te pagave dhe pensioneve.
Gjatë protestës ka rënë në sy se në shesh, por larg podiumit edhe Argita Malltezi, e cila nuk ka mbajtur fjalime, por i është bashkuar turmës në demokratëve. Edhe djali i ish-kryeministrit është parë në protestë. Shkëlzen Berisha, njësoj si e motra, ishte po ashtu larg podiumit. Ajo që ka rënë në sy është se dhe Jorida Tabaku, e cila nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e grupit ka qenë e pranishme në këtë tubim të 20 shkurtit.
Ndërkohë kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi nga protesta e opozitës dha mesazhin se nuk do të dorëzohen edhe pse lufta është e pabarabartë.
Bardhi tha se do të përballen me qeverinë dhe se nuk kanë frikë, ndërsa theksoi se lufta është e pabarabartë.
Mesazhe u përcollën edhe nga Flamur Noka, i cili në fjalën e tij u shpreh se Ramën nuk e njohin më për kryeministër.
Sipas Nokës, tashmë për kreun e qeverisë do të nisë një periudhë shumë e keqe, pasi do të ketë përballë popullin shqiptar, që siç tha ai nuk do të ndalet derisa qytetarët të kenë mundësi të votojnë të lirë.
© Panorama.al











