“Sot po luftoj për një nga fëmijët e mi”- Sali Berisha nga arresti në shtëpi paraqet programin: Do dyfishojmë pagat! Edi Rama ta harrojë se do fitojë më zgjedhje

Feb 20, 2024 | 19:34

Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti fjalimin e tij nga banesa, duke përcjellë për demokratët disa mesazhe. Berisha tha se po lufton për demokracinë dhe pluralizimin, duke e  konsideruar “si fëmijën e tij”.

Ndër të tjera, Sali Berisha u shpreh se sot opozita është e bashkuar, më e fortë se kurrë, me një qëllim për të larguar Edi Ramën.

Ish-kryeministri u shpreh se “Sali Berisha është halli më i madh i Edi Ramës dhe miqve të tij, Vuciç, Xhorxh dhe Aleksit Soros dhe mafies ndërkombëtare”.

“Për këtë duhet t’u them se pas këtij uragani lemeritës dhe të frikshëm për aleancën e qelbësirave, megafonët e tyre do të ushtojnë në të katër anët, të dezinformojnë, të shpifin, të shprehen se ju po luftoni për hallet e Sali Berishës. Kur në fakt edhe njeriu me naiv e kupton se të ashtuquajturat halle të Berishës, janë vetëm sulme politike ndaj meje dhe ndaj jush.

Cilat halle ka Berisha? Ato halle që u shfaqën 10 vite pas ishte pa asnjë pushtet? Ato halle që unë denoncova projektet e serbomadhisë dhe rusomadhisë në rajon? Ato halle që unë denoncova çdo ditë vjedhjet më të mëdha të Edi Ramës? Ato fakte që unë denoncova lidhjet e tmerrshme të pushtetit me krimin.

Ato fakte që nisën çuditërisht që unë kundërshtova bashkëqeverisjen e PD me aleancën e qeblësirave, me Rilindjen. Jo miq, Sali Berisha nuk ka halle. Por Sali Berisha është halli më i madh i Edi Ramës dhe miqve të tij, Vuciç, Xhorxh dhe Aleksit Soros dhe mafies ndërkombëtare. Prandaj dhe jam sulmuar politikisht. Sepse sot unë luftoj njëlloj si ju për opozitën e vërtetë, për dinjitetin e shqiptarëve.

Luftoj kundër korrupsionit dhe për interesin kombëtar. Nesër do ju thonë se po luftoni për fëmijët e Berishës, kur në fakt njeriu më naiv e kupton se familja ime është goditur pikërisht se unë zgjodha të luftoj për shqiptarët. Dhe harrojnë mjeranët, se fëmijët e Sali Berishës janë fëmijët e shqiptarit. Ç’është e vërteta miq, Sali Berisha po lufton për një nga fëmijët e tij, por kësaj radhe jo për fëmijët biologjikë. Sot Sali Berisha po lufton për fëmijën e tij, fëmijën që së bashku e sollëm në jetë 33 vite më parë, pluralizmin politik“, tha Sali Berisha.

Protestën e sotme, Berisha e përdori edhe si mundësi për të nisur një fushatë elektorale.  Ish-kryeministri premtoi dyfishim të rrogave dhe pensioneve, që sipas tij do ta realizojë që në mandatin e parë.

“Me shpejtësi dhe brenda një mandati ne do ja dalim të dyfishojmë rrogat, pensionet, të vendosim minimum jetik që të mos ketë më lot mjerimi në sytë e shqiptarëve. Pasi të nxjerrim shqiptarët në krye të rajonit për rroga dhe pensione, pasi të ulim taksën e sheshtë në 10% do ecim të sigurt drejt mesatares së rrogës në BE. Po ku do i gjejmë këto para? Këto para janë të gjitha, nuk janë as 40 % të atyre që vjedh Rilindja, duke ndërtuar rrugë me 15 fish të çmimit që ndërtohen në Evropë. Miqtë e mi rrogat e trefishta nuk janë fantazi, nuk janë utopi, janë rroga që duhet të kishin sot nëse nuk do ishin vjedhur në mënyrën më të papërmbajtur. Kështu që ne e nisim me investimin tek shqiptari duke besuar në aftësitë e tij, duke besuar se paratë në kontot e tij janë më të vlefshme se në kontot e shtetit”, tha Berisha, i cili theksoi se “Edi Rama ta harrojë se do fitojë më zgjedhje”.

© Panorama.al

Te lidhura