FOTO/ Shkëmbimi i zjarrit gjatë operacionit në Maliq, ky është efektivi i “Shqiponjave” që mbeti i vrarë në krye të detyrës

Jun 4, 2026 | 9:17

Ky është Enea Mekolli, efektivi i Forcave Shqiponja që mbeti i vrarë në krye të detyrës mëngjesin e enjtejes në Maliq gjatë shkëmbimit të zjarrit në një operacion për kapjen e Violand Braçellarit, i cili ishte në kërkim prej vitesh.

enea mekolli polici i vrare

Ngjarja ndodhi rreth orës 07:30, kur policia rrethoi stanin në zonën e Lozhanit në malin Boden, ku dyshohej se fshihej 43 vjeçari Violand Braçellari. Policia bën me dije se, pasi iu kërkua të dorëzohej, Braçellari ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve.

Për pasojë u vra efektivi Enea Mekolli, pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ndërsa i plagosur mbeti një tjetër Edison Adri. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se polici i plagosur ka marrë një plagë në nofull dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kundërpërgjigjes së Policisë me armë zjarri, mbeti i plagosur edhe Braçellari, i cili më pas u arrestua.

43-vjeçari rezulton i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Kultivimin e bimëve narkotike”.

enea mekolli polici-logo

Njoftimi i Policisë:

Humbet jetën në krye të detyrës, 1 punonjës policie, si dhe plagoset një tjetër punonjës policie, nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit gjatë një operacioni për kapjen e tij.

Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq.

Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës Policie dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës i Policisë.

© Panorama.al

Te lidhura