Dinamika/ Nuk iu bind urdhrit për t’u dorëzuar! Si ndodhi përplasja me armë zjarri mes 43-vjeçarit ku u vra një efektiv policie dhe një tjetër u plagos

Jun 4, 2026 | 9:11

Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e së enjtes (4 qershor) në zonën malore të Lozhanit në Maliq, ku u vra në krye të detyrës një efektiv policie dhe mbeti i plagosur një tjetër.

policia korce vrasje e policit maliq

Sipas informacionit paraprak zyrtar, rreth orës 07:30, forcat e policisë rrethuan një stan në malin Boden, ku dyshohej se fshihej shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç.

Sipas policisë, Braçellari ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa më herët ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Kultivimin e bimëve narkotike”.

Policia i ka bërë thirrje të dorëzohej, por ai nuk i është bindur urdhrit dhe ka hapur zjarr ndaj efektivëve.

Si pasojë e sulmit, ka humbur jetën inspektori Enea Mekolli, 34 vjeç, ndërsa është plagosur inspektori Edison Adri, 36 vjeç. Të dy ishin pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.

Për neutralizimin e sulmit, efektivët i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri. Gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur edhe Braçellari, i cili më pas është arrestuar nga policia.

Në vendngjarje është nisur edhe një helikopter i shërbimit shëndetësor për transportin e të plagosurve.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, po vijon hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së rëndë që i mori jetën një punonjësi policie gjatë ushtrimit të detyrës.

Korçë/Informacion paraprak

Humbet jetën në krye të detyrës, 1 punonjës policie, si dhe plagoset një tjetër punonjës policie, nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit
gjatë një operacioni për kapjen e tij.

Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq.

Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës Policie dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës i Policisë.

© Panorama.al

Te lidhura