“Akt kriminal”- Vrasja e policit dhe plagosja e një tjetri, reagon ministri i Brendshëm: Autori do të përballet me të gjithë forcën e ligjit, nuk do t’i shpëtojë drejtësisë

Jun 4, 2026 | 10:05

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Maliq, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën efektivi i Forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri.

policia lozhan operacion vrasja e policit

Në reagimin e tij, ministri e cilësoi ngjarjen si një akt kriminal të rëndë dhe një sulm ndaj rendit dhe sigurisë publike.

Ai dënoi me forcë sulmin ndaj efektivëve të policisë, duke theksuar se autori do të përballet me drejtësinë.

“Sot një familje humbi njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit humbi një koleg, Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit.

Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal të rëndë në Maliq, një sulm jo vetëm ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndaj vetë rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Autori do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë asnjë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë.

Ngushëllime familjes Mekolli, kolegëve dhe të afërmve të Eneas, që sakrifikoi jetën në përmbushje të misionit të tij fisnik. Sakrifica e tij do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje. Efektivit të plagosur, Edison Adri, i uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë pranë familjes dhe kolegëve të tij.

Policia e Shtetit do të vazhdojë me vendosmëri misionin në mbrojtje të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Sakrifica e Enea Mekollit nuk na ndal, por na forcon në betejën kundër krimit. Nderimi më i madh për të është të vijojmë detyrën me të njëjtin guxim, përkushtim dhe integritet që ai tregoi deri në fund”, thuhet në reagimin e Lamallari.

© Panorama.al

Te lidhura