“Nuk kemi frikë, dimë të përballemi”- Bardhi: Ne nuk nënshtrohemi, është në dorën tonë që Shqipëria të ndryshojë

Feb 20, 2024 | 18:43

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së së Rithemelimit, Gazment Bardhi, nga protesta e opozitës para Kryeministrisë është shprehur se nuk do t’i nënshtrohen regjimit të Edi Ramës.

Bardhi tha se do të përballen me qeverinë  dhe se nuk kanë frikë, ndërsa theksoi se lufta është e pabarabartë.

Ne nuk kemi frikë! Ne dimë dhe duam të përballemi. Kjo është një luftë e pabarabartë, por ne nuk dorëzohemi! Sepse ne nuk i dorëzojmë lirinë tonë as Edi Ramës, as askujt!

1/4 e shqiptarëve jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Gati gjysma e popullsisë rrezikon të jetë e varfër.

Ata që kanë një punë të mirë, po mbyten me taksa.

Në një dekadë, Shqipëria është kthyer në një parcelë të madhe që i shërben pasurimit të pak njerëzve, të lidhur me pushtetin. Pasurimit të padrejtë, me korrupsion, me zhvatjen e pasurive kombëtare, duke varfëruar pjesën tjetër.

Vendi ynë po jeton në ketë kaos të madh, pa asnjë perspektivë të mirë. Nuk janë kullat ato që na tregojnë sa mirë jemi. Shumë prej tyre janë pastrim parash të krimit të organizuar dhe korrupsionit, me ortakë të fshehur nga qeveria.

Afera skandaloze e incineratorëve na tregoi se sa e korruptuar është kjo qeveri. Se asgjë nuk ecën përpara, nëse nuk bëhen pjesë e fitimit Edi Rama apo Erion Veliaj.

Me korrupsionin e tyre, ata zhbëjnë çdo ditë mundësitë për rininë. Zhbëjnë shpresat e prindërve për fëmijët.

Zhbëjnë ëndrrat për rritjen e mirëqenies së çdo familje që jeton me punë të ndershme.

A duhet ne të rrime kokëulur dhe të pranojmë fatin që Edi Rama shkruan për ne?

Kurrë!

Prania juaj sot është mesazhi më i mirë për çdo shqiptar! Me kokën lart të gjithë! Ne reagojmë! Ne nuk nënshtrohemi! Ne refuzojmë padrejtësitë! Ne refuzojmë të bëhemi fasadë e pushtetit të Edi Ramës!

Prandaj ne po luftojmë pa u dorëzuar!

Reagimi juaj sot është lajmi më i mirë për çdo shqiptar! Është shpresa se gjërat mund të ndryshojnë dhe do të ndryshojnë. Vetëm Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar është përgjigja për ëndrrat, për shpresat për aspiratat e shqiptarëve!

Të dashur qytetarë!

Bashkimi ynë i sotëm na jep kurajo për të përmirësuar veten, për të forcuar opozitën, për t’u bërë forca udhëheqëse e vendit me besimin e shumicës absolute të shqiptarëve.

Është vetëm në dorën tonë, në dorën e mijëra të tjerëve që do dëshironin të ishin sot këtu me ju, që Shqipëria të ndryshojë, është vetëm në dorën tonë që të rikthejmë shpresën që gjërat mund të bëhen më mirë.

Me ju dhe mijëra të tjerë si ju ne do t’ia dalim.

Të gjithë bashkë, kështu si sot, ne duhet të trokasim në çdo derë, në çdo zemër shqiptari për t’i shpjeguar se ka një rrugëdalje nga gjendja ku është sot Shqipëria.

Për t’u thënë që ne ne jemi ndryshe nga Edi Rama, nga Erion Veliaj, nga Ilir Beqaj,  nga Saimir Tahiri, jemi  ndryshe nga Arben Ahmetaj dhe nga çdo pushtetar që vjedh zgjedhjet për të vjedhur e varfëruar shqiptarët!

Ne duam të jetojmë në një Shqipëri demokratike, që u përket qytetarëve dhe jo pushtetatëve. Që nuk sundohet nga krimi dhe për llogari të krimit. Që nuk mbahet në këmbë nga pastrimi i parave të punëve të pista, por nga puna e ndershme e njerëzve si ju.

Për ne projekti “Shëipëria si gjithë Europa” nuk është thjesht një sllogan, por është projekti i të ardhmes së shqiptarëve. Është rruga, ku së bashku, do të çojmë Shqipërinë!

Faleminderit nga zemra!

Fitore”, tha Bardhi.

© Panorama.al

Te lidhura