“Dy autorë të maskuar e ekzekutuan në lokalin e tij”- Vrasja e Martin Bardhit, kreu i policisë së Lezhës: Të plagosurit ishin në tavolinë me viktimën

Sep 26, 2023 | 12:13
SHPËRNDAJE

Martin Bardhi (Marku) është ekzekutuar brenda lokalit të tij në Rreshen nga dy persona të maskuar.

Sipas, kreut të policisë së Lezhës, Alfred Elezi, u shpreh se pas ekzekutimit të 62-vjeçarit, autorët janë larguar me fuoristradë të zezë, që u gjet i djegur në fshatin Gëziq, Mirditë.

Ndërsa tre personat që mbetën të plagosur ishin në tavolinë me viktimën. Ata janë identifikuar si Olti Gjini, Ilir Bardhoku dhe Indrit Bardhi (djali xhaxhit të 62-vjeçarit) dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Njoftimi i policisë: 

Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rrëshen, ku nga shtetas ende të paidentifikuar, u vra me armë zjarri shtetasi M. M. (B.)., ju informojmë se si pasojë e të shtënave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, shtetasit I. B., I. B. dhe O. Gj., të cilët kanë qenë në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja dhe janë transportuar në spital, për të marrë ndihmën mjekësore.

Ndërkohë, në fshatin Gëziq, Mirditë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, për kryerjen e vrasjes.

Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH, si dhe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës, janë ngritur pika kontrolli.

Gjithashtu, drejt vendit të ngjarjes janë nisur Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtorët e departamenteve të Policisë Kriminale, si dhe të Rendit dhe Sigurisë Publike.

Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH dhe nga Policia vendore, dhe në drejtimin e prokurorit, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura