Drita Kosturi: Tortura me elektroshok që të tregonim

Sep 9, 2013 | 14:35
SHPËRNDAJE

Kopertina e librit
Pasojat e shtypjes së kryengritjes së Postribës. Rrëfimi i ish-të burgosurës.

Pasojat e kryengritjes së Postribës
Pas shpërndarjes së kryengritësve, hakmarrja komuniste qe e pamëshirshme. Ajo do të përfshinte jo vetëm pjesëmarrësit, por krejt gjindjen e Postribës, të Shkodrës dhe të rrethinave të saj. Po atë ditë, më 9 shtator 1946, forcat e diktaturës, të komanduara nga shefi i Sigurimit për Shkodrën, Zoi Themeli, pushkatuan publikisht grupin e parë prej 12 kryengritësish. Ashtu të lidhur këmbë e duar me hekura e konop, mbasi i rrahën e i torturuan mizorisht, i grinë me automatikë përbri një grope të përbashkët: Hajdar Dani, Metush Alia, Ymer Beqiri, Halit Dauti, Reshit Beqiri, Rexhep Idrizi, Brahim Selimi, Avdi Zeqiri, Idriz Dibra, Halit Hori, Hysen Velushi. Bashkë me ta dhe Qazim Rroi nga Shkodra. Ky i fundit u shpëtoi nga duart xhelatëve që po e torturonin, por u kap prej oficerit të Sigurimit, Hum Kastrati, u vu përpara skuadrës së pushkatimit dhe u gri nga plumbat.
Të nesërmen, më 10 shtator 1946 e mandej, çdo ditë, çdo javë e çdo muaj të atij viti tragjik, por edhe të vitit 1947, nuk pushuan terrori, vrasjet, burgosjet, internimet, djegiet dhe përndjekjet në krahinën e Postribës. Komandanti i operacionit, Zoi Themeli, vendosi në çdo fshat të krahinës nga një qendër ushtarake hetuesie e torture. Të gjithë kalonin nëpërmes kësaj qendre, duke iu nënshtruar torturave e presioneve dhe, në përfundim të tyre, dikush pushkatohej përpara familjarëve, dikush nisej i lidhur për në burgjet e qytetit, dikush internohej me gjithë familje. Kështu u pushkatuan Sylo Gjetja nga Muselimi dhe Hyse Velushi, Jonuz Shkreli, Elez Bajrami, Muhi Fetahu, Ymer Zeneli, etj. Ymer Zeqiri u pushkatua bashkë me të birin, por me trupin shoshë nga plumbat sfidoi vdekjen dhe, në terrin e natës, u largua nga kasaphana, duke mbetur dëshmitar i asaj hataje deri në ditët tona. Kështu, numri i të pushkatuarve u rrit dhe me dhjetëra të tjerë. Në të gjitha katundet e Postribës dridhej foshnja në bark të nënës dhe fëmija në djepin e drunjtë. Rreth 35 shtëpive iu vu flaka, u grabitën mijëra bagëti, u rrëmbye bereqeti, bulmeti e bari i mullarëve të sanës.
Lista e personave të arrestuar lidhur me ngjarjen e datës 9/9/1946 është tepër e gjatë. Gjejmë në Arkivin e MB një listë me 26 persona të arrestuar nga qyteti i Shkodrës, një listë me 69 të arrestuar, sidomos nga fshatrat Boks, Vork, Dragoç, Muselim, Rragam, Kullaj, Rence, Drisht, Mes etj., si dhe një listë tjetër me 68 të vetëdorëzuar nën kërcënimet e djegieve të shtëpive, burgimeve dhe premtimeve për falje, që nuk u mbajtën, sepse të gjithë ata që u dorëzuan, u dënuan me vdekje apo me burgime të rënda…
Sipas dokumenteve arkivore të MB, përdoreshin 24 lloje torturash, “tue përfshi shpimin e trupit me hekur të skuqun, thyerjen e kolonës kurrizore, copëtimin e gjunjëve me çekan, shkatërrimin e organeve gjenitale, zhytjen për së gjalli në gropat septike, elektroshokun, varjen ditë-natë për kambësh në litar, përdorimin e jelekut me kripë në mish, mohimin e nevojtoreve, rrahjen me dru, kamxhik, grushte e shkelma, torturën përmes etjes, urisë, pagjumësisë, pa llogaritë fyerjet e poshtërimet pa fund”.
Drita Kosturi, e arrestuar katër ditë pas kryengritjes së Postribës, u dhunua barbarisht.
“Një nga torturat më të rënda për ne gratë e burgosura, rrëfente ajo, ishte kur na mbanin tok me burrat. Kur më futën për herë të parë në burg, atje ndodhej një hoxhë, një prift, intelektualë, studentë, fshatarë. Ishte edhe Guljelm Suma, i akuzuar për kryengritjen e Postribës. Familja e tij ishte një nga më të pasurat e Shkodrës dhe shtëpia e tij e madhe ishte kthyer në burg, ku e kishin mbyllur edhe atë vetë. Roja i tha Guljelmit: Bëji vend asaj! Ai filloi të masë vendin. Unë u shtanga: 40 cm për njeri, aq sa mund të shtriheshe brinjazi! Guljelmi tha: ‘Për gjak të Krishtit s’e kisha besue se do të flija me të bijën e Fehmi Ali Kosturit!’. Qeshën të gjithë. ‘Mjaft me shaka’, Guljelm, i thashë…  Pas disa ditësh, Guljelmin e çuan në hetuesi. Në vend të tij erdhi një tjetër i burgosur, që s’e njihja. Natën ndieja dorën e tij të rëndonte mbi trupin tim. Ia merrja dhe ia largoja pa bërë zë. Më fal, më fal! Më thosh. Më pas, këmbët e tij mbi këmbët e mia. Ia hiqja. Më fal! Thosh sërish. O Zot, a mund të flija! Kur do të më çonin në hetuesi që të shpëtoja!”.
Në hetuesi, torturat ishin të papërballueshme për atë. Në fillim e lanë 15 ditë më këmbë, pa e lënë të ulej. Kur rrëzohej pa ndjenja, e përmendnin me ujë të ftohtë dhe e ngrinin përsëri në këmbë. I plasi hemorragjia nga qëndrimi në këmbë dhe e dërguan në spitalin e burgut. Mandej në burgun e fretërve.
“Kur më bënë elektroshokun, isha në burgun e Kuvendit të Fretënve. Në një dhomë me Gjon Serreqin dhe Hafiz Dërgutin, të lidhur dorë më dorë. Pasi më bënë elektroshokun, u ktheva në dhomë, por atyre s’u thashë gjë. Tek vura kokën në jastëk, gjithë ajo anë e flokëve më ra krejt. Syri më pësoi një ënjtje të madhe dhe m’u prish nga korrenti elektrik. Kur më panë ashtu, u munduan të më qetësonin. Hafiz Dërguti u lut për flokët, që më kishin rënë, ndërsa Gjon Serreqi më vuri pece me ujë mbi syrin e nxirë…”
Pasi e mori disi veten nga kjo goditje e rëndë, e futën në gropën e fretënve, një qeli të nëndheshme, e errët dhe e ngrirë. Prej andej në spital. Kur e hodhën edhe Gjon Serreqin në atë gropë, ai gjeti atje furçën e dhëmbëve të Dritës. Tek e takoi përsëri, i tha: Kam kujtue se je tretë! Akoma jo, ia ktheu Drita. Të kam prue furçën e dhambëve. Ç’furçë dhëmbësh, o Gjon? Ku më kanë mbetur dhëmbë në gojë! Po ti i kishe? M’u thyen nga elektroshoku! O Zot, klithi Gjoni.
Këto lloj torturash vazhduan për dy vjet mbi këtë grua të pakët, por të pathyer, për t’i imponuar faje që s’i kishte bërë dhe për të kallëzuar emra, që s’i tha kurrë, të implikuar në lëvizjen e Postribës. Hetuesi Nesti Kapani u çmend edhe vetë nga torturat e çmendura që i bënte Dritës dhe viktimave të tjera.

URAN BUTKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura