“Drejtoreshat e reja i zgjodha se janë beqare dhe pa fëmijë”

Oct 5, 2013 | 12:14
SHPËRNDAJE

Brisida Shehaj
Emërimin e dy drejtoreshave në moshë të re pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Kryeministri Edi Rama e argumentoi me faktin që fokusi i tyre do jetë karriera, dhe jo familja. “Kemi menduar që në këto dy pozicione, fakti zonjushë është më i favorshëm sepse nuk ka orare fëmijë të marrë në shkolla, burrë për ta gatuar e ta bëjë gati, nuk ka halle të tjera veç suksesit në funksion të karrierës, dhe kush kërkon kritere, ja ku e ka një tjetër”, tha Rama. Në takimin me biznesin ishin të pranishme Elisa Spiropali me detyrën e drejtoreshës së Doganave dhe Brisida Shehaj në detyrën e drejtoreshës së Tatimeve. Të dyja kanë bërë një përmbledhje të objektiva që ka secila në detyrën e re. Spiropali në fjalën e saj premtoi bashkëpunim me biznesin dhe një frymë të re që i largohet mentalitetit të deritanishëm sipas saj, ku biznesi paguante dhjetëfishin e asaj që kishte si detyrim, dhe kjo për hir të abuzimit që bëhej nga administrata. Nga ana tjetër, edhe Shehaj ka shprehur gatishmërinë e saj për t’i shërbyer biznesit dhe, mbi të gjitha, për të rregulluar çdo lak të legjislacionit që lë vend për interpretime që janë në dëm të sipërmarrjes. Në fjalimet e dy drejtoreshave të reja u vu re një “lumë” metaforash, të cilat deri diku justifikonin pjesën e paragjykimit të bërë paraprakisht për moshën e tyre relativisht të re dhe detyrën mjaft të rëndësishme që kanë marrë. Shehaj bëri një përmbledhje të CV-së së saj nga studimet në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë deri te detyra si drejtoreshë e një banke në vend. Spiropali, nga ana tjetër, ka bërë gjithashtu një përmbledhje të CV-së së saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura