“Doza e parë e vaksinës ofron mbrojtje 52 për qind”/ Mjekja mikrobiologe e ISHP: Duhet të kalojnë 7 deri në 10 ditë për krijimin e antikorpeve. Si ruhet dhe kur skadon

| 15:01
SHPËRNDAJE

ADA AZIZOLLI/ Do të duhet së paku një javë që trupi të reagojë për krijimin e antitrupave, pas injektimit të dozës së parë të vaksinës anti-COVID. Çka do të thotë se brenda një harku kohor 7 deri në 10 ditë nga vaksinimi, një periudhë kjo që mjekja mikrobiologe e ISHP, Blerta Brati, e konsideron “dritare”, rreziku i infektimit mbetet prezent. Ndaj edhe është e nevojshme që të tregohet kujdes pas kryerjes së vaksinës.

Blerta Brati

“Injektimi i dozës së parë është efektiv në masën 52 për qind dhe mbrojtja fillon pas një jave deri në 10 ditë pas kryerjes së vaksinës. Padiskutim që vaksinimi duhet të ndjekë protokollin, duke u aplikuar në dy doza, sepse vetëm kështu mund të jap efektin e pritshëm”, pohon doktoresha. Në një intervistë dhënë për gazetën doktoresha ndalet edhe në efektet anësore, kushtet e ruajtjes së vaksinës dhe në kapacitetet që ka vendi ynë për të mos rrezikuar efektshmërinë e vaksinës. “Çdo mosmbajtje e mirë, çdo keqpërdorim, çdo anashkalim i zinxhirit ftohës, ul efektin e vaksinës”, thotë doktoresha.

Prej ditës së hënë ka nisur vaksinimi anti-COVID. Gjithsej u tha që janë 195 flakonë ose 975 doza, të cilat do të shërbejnë për vaksinimin e personelit shëndetësor, epidemiologët, për të vijuar më tej të moshuarit mbi 75 vjeç. Doktoresha, sa efektiv është injektimi i një doze?

Injektimi i dozës së parë është efektiv në masën 52 për qind dhe mbrojtja fillon pas një jave deri në 10 ditë pas kryerjes së vaksinës. Pa diskutim që vaksinimi duhet të ndjekë protokollin, duke u aplikuar në dy doza, sepse vetëm kështu mund të jap efektin e pritshëm. Në këto kushte duhet të jemi të kujdesshëm për të mos e anashkaluar protokollin. Çdo individ që merr dozën e parë, patjetër që duhet të injektojë edhe të dytën, pasi vetëm në këtë mënyrë jemi të sigurt për krijimin e plotë të antitrupave

Ju pohoni që duhen 7 deri në 10 ditë që të krijohen antitrupat, por nëse ndodh të biesh në kontakt me COVID-19 gjatë kësaj periudhe, çfarë ndodh me sëmundjen dhe shkallën e agresivitetit?

Nëse një person ka rënë në kontakt para se të vaksinohet ose të infektohet pasi të ketë marrë dozën e parë të vaksinës, pa diskutim që do të shfaqë shenjat e sëmundjes. Kjo nuk duhet të lidhet me efektet anësore të vaksinës. Nuk mund të themi momentalisht, nëse do të jetë klinika më e rëndë apo më e lehtë, por mund të thuhet që ishte në momentin jo të papërshtatshëm për t’u vaksinuar ose u infektua duke anashkaluar masat e nevojshëm që shërbejnë si barrierë. Pra, duhet të jemi të kujdesshëm që ditën që do të vaksinohemi të jemi mirë nga gjendja shëndetësore, pra pa temperaturë e simptoma të tjera. Ndërkohë që pas vaksinimit duhen 10 ditë të tregohemi të kujdesshëm, duke mbajtur maskën, respektuar distancën fizike e të tjerë në mënyrë që vaksina të kryejë gjithë procesin dhe trupi të nis të krijojë antikorpet që janë të nevojshme për t’u mbrojtur nga infektimi apo rikthimet që mund të ndodhin. Pra, e ripërsëris që pas dozës së parë ne jemi të mbrojtur, por duhet të kalojnë së paku 10 ditë që trupi të fillojë të prodhojë antikorpet. Kjo është ajo periudha “dritare”, në të cilin duhet të ruajmë veten dhe të tjerët. Më pas injektohet edhe doza e dytë.

Cilat janë efektet anësore të vaksinës anti-COVID?

Vaksina si çdo medikament tjetër ka efekte anësore, apo të padëshiruara që mund të vijnë si pasojë e një medikamenti apo vaksine, si pasojë e një përdorimi të keq, si pasojë e mbidoze, apo si pasojë e një mosadministrimi të mirë nga mjeku, infermieri e kështu më radhë. Vaksina, si çdo medikament, do të ketë edhe efektet e saj anësore që janë të bëra publike në protokollet e kompanive e që janë efekte të lehta, të moderuara dhe të rënda. Efektet e rënda janë ato që ndodhin pas injektimit të vaksinës dhe kjo ndodh 1 në 10 persona, që mund të jenë një skuqje në vendin e infektimit, një irritim, dhimbje koke, temperaturë. Por, efekte të rënda deri më tani nga vendet që e kanë filluar vaksinimin më herët se ne dhe nga studimet klinike të kompanisë shohim që 1 ndër 100 mijë të vaksinuar mund të ketë reaksion alergjik të rëndë. Këta persona nuk këshillohen më që ta kryejnë dozën e dytë.

Për ta qartësuar këtë, personat të cilët shfaqin efekte anësore a duhet ta marrin dozën e dytë të vaksinës?

Efektet anësore të lehta janë 1 në 10 persona. Efektet anësore të pazakonta, apo të moderuara si edhe efektet e rënda që mund të shfaqen gjatë vaksinimit mund të na sjellin ndërprerjen e dozës së dytë të vaksinimit.

Aplikimit të vaksinës në popullatë i ka paraprirë një pikëpyetje e madhe, nëse duhet të vaksinohen personat, të cilët e kanë kaluar COVID-19 apo jo?

Cili është mendimi juaj? Studimet e deritanishme tregojnë që kemi mbrojtje me antikorpe deri 8 muaj dhe më gjatë, deri në 2 vjet kemi limfocitet T apo qelizat e kujtesës që janë aty për të njohur virusin dhe për ta shkatërruar atë. Kjo do të thotë, që nëse duhet të bëjmë një ekonomi të mirë të dozave të vaksinës duhet që më parë të vaksinohen ata persona që nuk e kanë kaluar sëmundjen për të vijuar më pas me pjesën tjetër. Për ata persona që e kanë kaluar sëmundjen nuk është domosdoshmëri, as këshilluese dhe aq më pak e detyrueshme në fazën e parë të vaksinimit. Ne nuk e dimë sa zgjat mbrojtja, deri më tani themi 8 muaj me antikorpet dhe 2 vjet me limfocitet, por mund të jetë më shumë apo më pak. Mund të kemi reagime të ndryshme në individë të ndryshëm, por gjithsesi një mbrojtje dhe një njohje të virusit organizimi e dallon. Megjithatë, në gjykimin tim, në hapin e parë duhet të jenë individët që nuk e kanë kaluar koronavirusin.

Si ka qenë ecuria në këto dy ditët e para të vaksinimit?

Në dijeni time ecuria ka qenë shumë e mirë. Të gjithë që kanë qenë në program e kanë marrë dozën e parë. Spitalet COVID janë vënë në dijeni për të vaksinuar stafet. Sot kanë kryer vaksinën edhe grupe epidemiologësh në terren. Në këto kushte është e mirëpërcaktuar se kush do të vaksinohet, që të mos ketë dyndje apo kolaps dhe të këtë mirëmenaxhim të vaksinës. Pasi në momentin që vaksina hapet dhe hollohet, ajo duhet të ruajtur në temperaturat plus 2 deri në plus 8 dhe brenda 6 orësh doza duhet të konsumohet patjetër. Pra, nëse do të hapet flakoni duhet të kesh të gjithë personat e nevojshëm aty që do të vaksinohen.

Pra, në momentin që hapet flakoni mund të rezistojë deri në 6 orë…

Për ta qartësuar, transporti bëhet me frigoriferët portabël. Por, momenti që hollohet nga infermierët duhet të qëndrojë maksimumi 6 orë në temperaturat +2 deri në +8 që të ketë gjithë efektin e duhur. Çdo mosmbajtje e mirë, çdo keqpërdorim, çdo anashkalim i zinxhirit ftohës ul efektin e vaksinës. ARN-ja është një pjesë e brishtë që nuk mund të lejojë që të anashkalosh temperaturën dhe fazat që janë të përcaktuara nga kompania. Vetëm një mbajtje e mirë, menaxhim i mirë, transport i mirë e kështu me radhë do të arrijë që të kemi 95 për qind shkallën e efektivitetit. Çdo gabim, do të ulë efektin në vaksinim.

I kemi ne këto kapacitete?

Mendoj që i kemi, përderisa e pritëm dozën dhe jemi duke e aplikuar.

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.